Muzeu Historik i Vlorës

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Muzeu Historik i Vlorës ndodhet në qendër të qytetit, në një godinë mjaft të veçantë, e cila më parë ka shërbyer për organet e qeverisjes vendore dhe organizatat e masave. Ky muze u krijua në vitin 1962. Këtu janë ekspozuar dhe ruhen qindra objekte origjinale, të cilat përfaqësojnë dhe pasqyrojnë periudha të ndryshme historike, që fillojnë me antikitetin dhe vazhdojnë me ditët tona. Në këtë muze, vizitorët mund të shohin objekte arkeologjike që u përkasin qyteteve të ndryshme antike në rrethin e Vlorës si, Orikut, Amantias, Plocës, Olimpias(Mavrovë) e më tej, Kioninës (Kaninë). Në mjediset e këtij muzeu ndodhen gjithashtu, objekte origjinale që i përkasin periudhës së mesjetës. Mes tyre, përfshihen dokumente origjinale për qytetin e Vlorës, armë, sende luftëtarësh të njohur në histori. Në Muzeun Historik, ka një kënd të vecantë ku pasqyrohet kontributi i popullit të rrethit të Vlorës për shpalljen e pavarësisë. Në të ndodhen njëkohësisht edhe 2 pavione të vecanta, që evokojnë Luftën e Vlorës në 1920, si dhe Lëvizjen Demokratike të Qershorit 1924. Në këtë muze, është vendosur edhe arkivoli origjinal ku prehej trupi i patriotit Avni Rustemi, në momentin që u varros e deri në çastin kur u zbulua për t'u rivarrosur në të njëjtin vend. Arkivoli me trupin e tij u gjet rastësisht në mesin e viteve '80-të të shekullit të kaluar, gjatë punimeve për rikonstruksionin e bulevardit Vlorë-Skelë. Gjatë gërmimeve në vendin ku ndodhet sot statuja e Avni Rustemit, punëtorët zbuluan papritur një mjedis të nëndheshëm me të paktën dy kthina, në njërën prej të cilave ndodhej arkivoli me trupin e Avni Rustemit, i ruajtur në një gjendje mjaft të mirë. Më pas ai u rivarros pothuajse në të njëjtin vend, ndërkohë që arkivoli origjinal u vendos në mjediset e Muzeut Historik. Arkivoli, mjaft hermetik dhe i mbuluar nga flamuri kombëtar, është një objekt mjaft i rrallë. Ai është ndërtuar prej plumbi dhe nje pjesë xhami.