Nevruz Musa
Ditëlindja | 8 shkurt 1942 |
---|---|
Vendlindja | Gjakovë Kosova |
Kombësia | shqiptar |
Zhanri | grafikë dhe pikturë abstrakte |
Nevruz Musa është piktor dhe artist grafik kosovar. Musa u lind më 8 shkurt 1942 në qytetin e Gjakovës. Musa u rrit në Çarshinë e Madhe të Gjakovës, ku kishte shtëpinë e lindjes, buzë lumit Krena dhe namazgjahut, mes dyqanesh të ndryshme artizanale, në mesin e të cilave babai i tij kishte punëtorinë e saraçit. Ditëve të hëna aty afër bëhej pazari. Ajo ditë shndërrohej në arenë festivali produktesh dhe prodhimesh artizanale nga më të ndryshmet të traditës së shkëlqyer të artit popullor.
Në atë kohë ekzistonin punëtori zejtare të ndryshme, që krijonin gjësende të mrekullueshme nga druri, argjila, metali, mëndafshi, leshi, e të tjera. Të gjitha këto ishin objekte dhe prodhime për nga punimi të jashtëzakonshme, invencioni, ndërthurja e ngjyrave, trajtave dhe formave. Dalloheshin punimet e qilimave e punimeve të tjera nga leshi, poçeria, druri, metalet e ndryshme, thurjet e filigranit, kostumet, të gjitha këto punë dore të punuara në të shumtën e rasteve me ngjyra e kolorite mahnitëse. Ky mjedis ndikoi që Musa të krijojë që në moshë të re përshtypjen dhe bazamentin e vlerave artistike. Këto i krijuan atij më vonë ndjesinë dhe dashurinë për artin.
Shkollimi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Nevruz Musa kreu shkollën fillore në Gjakovë, ku u dallua me prirjen e tij për art. Këtë prirje e dalloi mësuesi i tij i artit, i cili e inkurajoi për të vazhduar më tutje, prandaj edhe e vazhdoi shkollën e mesme në Zagreb për të mësuar më shumë mbi artin. Nga ky qytet nuk u nda për shumë vite, për faktin se aty jetoi disa vite dhe u punësua në Ndërmarrjen “IKOM” të Zagrebit, ndërmarrje kjo e cila merrej me punimin dhe përpunimin e sendeve artizanale. Në këtë ndërmarrje punoi për shumë vite pa ndërpre, duke përfituar përvojë dhe njohuri të çmueshme, e kjo përvojë u reflektua gjatë gjithë kohës së veprimtarisë së tij.
Jeta profesionale
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në vitin 1968 u kthye në Prishtinë dhe u punësua në Entin e Teksteve dhe Mjeteve Shkollore, si redaktor teknik, vizatues, ilustrues kopertinash për libra, faqosje dekorative të librave të ilustruar, dhe së fundi si redaktor figurativ e artistik. Në vitin 1970 kreu me sukses Shkollën e Lartë Pedagogjike, drejtimin e artit figurativ në Prishtinë. Në vitin 1974 u zgjodh Sekretar i Kryesisë së Shoqatës së Artistëve Figurativ të Arteve Aplikative të Kosovës. Ndërkaq në vitin 1979 punësohet, me propozimin e piktorit Matej Rodiqi, në Drejtorinë e Ndërmarrjeve të Bashkuara “Agrokosova” me seli në Prishtinë. Këtu u morr me të gjitha punët disenjatore e që kishin të bënin me avancimin e plasmanit të produkteve të cilat duhej të kishin kualitetin dhe formën e pëlqyeshme estetike.
Në vitin 1980 kreu Akademinë e Arteve Figurative, degën e dizajnit në Prishtinë, nga e cila Akademi u shpërblye për veprat diseenjatore. Prej vitit 1995 deri më 1999 ka punuar si piktor në Ndërmarrjen Gazetare Botuese “Rilindja”.
Prej vitit 2000 punon në atelienë e vet private si piktor i lirë në Prishtinë.
Jeta artistike
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Udhëtimet eksperienca-studimore
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Austri, Gjermani (1969), Itali (1971), Greqi (1974,1975), Shqipëri (1980), Finlandë (1981).
Veprimtaritë artistike
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Ka marrë pjesë në më shumë se 18 ekspozita kolektive së bashku me artistë të tjerë, si në ato të organizuara në Kosovë, po ashtu edhe në shtete tjera.
Disa ekspozita kolektive
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Montreal (Kanada 1969), Bordighiera (Itali 1970,1972, 1974), Gabrovo (Bullgari 1973,1974,1975), Shtutgart (Gjermani 1977), Tokio (Japoni 1978), Maribor (Slloveni 1980), Zagreb (Kroaci 1982), Sarajevë (Bosne dhe Hercegovinë 1976), Beograd (Serbi 1979, 1984), Shkup (Maqedoni 1979) etj.
Ekspozitat personale
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Në vitin 1984, Prishtinë, në Klubin e Artistëve të Kosovës
- Në vitin 1992, Tiranë, në Galerinë Kombëtare të Arteve
- Në vitin 2007, Prishtinë, në Galerinë e Ministrisë të Kulturës
- Në vitin 2008, Prishtinë, në objektin e Agjencisë Evropiane
- Në vitin 2008, Gjakovë, në Galerinë e Arteve “Vizioni i Ri 2000+”
- Në vitin 2010, Pejë, në Galerinë e Arteve të Qytetit të Pejës
- Në vitin 2010, Tiranë, në Galerinë e Muzeut Historik Kombëtar.
Vepra të dhuruara për qëllime humanitare
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Një vepër arti për fëmijët bonjak dhe invalidët e luftës (nga ekspozita shitëse, 2001)
- Dy vepra arti për fondin e blerjes të pajisjes laboratorike për diagnostikimin e leukemisë tek fëmijët (nga ekspozita shitëse, 2010).
Vepra tjera të dhuruara
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Një vepër, Galerisë së Arteve “Vizioni i Ri 2000+” , pikturën “Gjurmim”, 90 x 90 cm, vaj në pëlhurë
- Një vepër, Galerisë së Arteve të Pejës, pikturë “Peizazh”, 40 x 60 cm, vaj në karton
- Muzeut Historik Kombëtar - Tiranë, veprën “PERGAMENA - Emblemat e Principatave Shqiptare”, pikturë 270 x 145 cm, vaj në pëlhurë.
Vepra tjera të dhuruara dhe të shitura gjenden në Kosovë, Belgjikë, Finlandë, Estoni, Gjermani, Angli, Austri, Kanada Japoni, SHBA, Kroaci, Slloveni dhe Shqipëri.