Niccolò Machiavelli

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Santi di Tito: Niccolò Machiavelli

Nikolo Makiaveli (Niccolò Machiavelli; 3 maj 146921 apo 22 qershor 1527) ishte një politikan, diplomat, filozof, historian dhe poet nga Firenca.

Sëbashku me Leonardo da Vinçin mendohet si një shembull tipik i njeriut të rilindjes. Ky përcaktim - sipas shumë njerëzve - veçorizon në mënyrë më të kryer qoftë njeriun ashtu edhe letrarin dhe jo emërtimin makiavelizëm, që ka hyrë për tjetër gjë në gjuhën e tanishme për të treguar një mençuri dhe një mprehtësi të mendimit kurdoherë të hollë e kulmor.

Pas një kohe studimesh të tendosura, në vitin 1498 hyri në jetën politike si sekretar i republikës . Është autori i veprës së famshme Il Principe ("Princi").

Gjatë viteve të jetës së tij politike (1498 - 1512) pati mundësi të njihte ambasadorë, politikanë, princa dhe të studiojë me themel zhvillimin e ngjarjeve.

Jetëshkrimi[redakto | redakto tekstin burimor]

Nikolo lindi në Firence3 maj 1469. Ai ishte djali i një juristi. Për rininë dhe formimin e tij dihen shumë pak gjëra. Por është e qartë se ishte familjarizuar me poetët kryesorë, filozofët dhe historianët grekë dhe latinë. Zotërimi i shkencave politike dhe njohja e thellë e intrigave të kohës së vet, të dukshme në veprën e tij, të shtyjnë të hamendësosh se Makiaveli u përzie që shumë i ri në jetën politike të qytetit. Më 1498 u bë sekretar i Këshillit të të Dhjetëve, organizëm i ngarkuar me politikën e jashtme dhe ushtarake të Senjorisë. Në vitet që pasuan, shumë ambasada e çuan në qendrat e mëdha të pushtetit, si në Itali ashtu edhe jashtë. Më 1512, kur ra Republika, Makiaveli humbi detyrat e tij për arsye të pjesëmarrjes së hamendësuar në një përbetim kundër Mediçëve të ardhur në pushtet. I arrestuar dhe i torturuar, u shtrëngua të tërhiqej në pronën e tij në San Kashiano, jo larg Firences. Po atë vit shkroi veprën e tij më të njohur Il Principe (Princi, që u botua vetëm më 1532), dhe punoi për veprën Fjalë për dekaden e parë të Tit Livit, botuar më 1531. Makiaveli, gjatë këtyre gjashtë viteve, shkroi pjesën më të madhe të shkrimeve të tjera, midis të cilave poema didaktike mbi modelin antik dhe një komedi, Mandragora, botuar më 1524. Më 1518, ai u bashkua me rrethin politiko-letrar të "Orti Oriçelari" në Firence dhe lexoi aty pjesë të zgjedhura nga vepra e vet. Me ndërmjetësinë e lidhjeve të reja, u fut në punë pranë Mediçëve, nderet e të cilëve kishte kohë që i kërkonte me ngulm. Duke filluar nga viti 1519, zotërit e Firences i besuan detyra të shumta, pa ndonjë rëndësi të veçantë, dhe sidomos pa ndonjë lidhje me politikën. Për llogari të kardinalit Xhulio de Mediçis, ai krijoi të famshmen Histori të Firences, botuar më 1523. Makiavelit iu kthye më në fund qytetaria e tij prej borgjezi të Firences, që e lejoi të zgjidhej në të gjitha detyrat e Senjorisë. Më 1526, atëherë kur trupat e Karlit V kërcënonin qytetin, u emërua, me urdhër të papa Klementit VII (një Mediçi), kancelar i shërbimit mbrojtës.

Pas marrjes dhe plaçkitjes së Romës nga Karli V më 1527, Mediçët u detyruan të linin pushtetin në Firencë dhe Makiaveli i humbi përsëri të gjitha funksionet e tij. Vdiq më 22 korrik të po atij viti, në moshën pesëdhjetetetëvjeçare dhe u varros në kishën e Santa Kroçes, kisha më e madhe françeskane e Italisë, një panteon i vërtetë i lavdive fiorentinase.

Lëvizja europiane e humanizmit filloi nga zbulimi i shkrimeve të Antikitetit në Itali, në fillimet e skekullit XV; ai njohu kulmin e tij me veprën e Erazmit të Roterdamit, që bëri një përkthim të ri kritik të Biblës, sipas teksteve origjinale në hebraisht dke në greqisht. Filologjia moderne kishte lindur, me diskutimin kritik dhe me verifikimin e burimeve për shkrimet e përcjella nga tradita, ndërsa përsosuria e shtypshkronjës nga Gutenbergu siguroi një shpërndarje të gjerë të këtyre punimeve. Shpirti kritik dhe i vetëdijshëm i humanizmit u kap pas teksteve të shenjtëruara nga dogma dhe tradita, duke çuar në një komentar "laik", përballje e vërtetë midis individit dhe Shkrimeve të Shenjta, që eci me shpejtësi në një hap me Reformën. Reforma e Martin Luterit, e Ulrish Zvinglit dhe e Kalvinit, që filloi në Europën e Veriut rreth njëzet vjet pas ekzekutimit të Savonarolës, kishte elemente të përbashkëta me protestën fetare të dominikanit fiorentinas: një kundërshti ndaj ideve tepër laike dhe vetëkënaqësisë krenare të njerëzve të Rilindjes dhe nënshtrim ndaj besimtarisë absolute, ndaj "nderit" të vendimeve hyjnore. Reformatorët patën megjithatë më shumë sukses, sepse ishin më pak radikalë dhe fanatikë se kryemurgu i San Markos të Firences dhe sepse një numër i madh intelektualësh dhe princash u rreshtuan në krah të tyre. Thënja "Qëllimi i përligj mjetet" i atribuohet Injacio de Lojolës (1491-1556), themelues i urdhrit të jezuitëve, qëllim i fundit i të cilit ishte t'u shërbente gjithmonë interesave të Papës. Fetarët duhet t'i binden atij perinde ac cadaver ("si një kufomë") dhe të përpiqen me të gjitha forcat të përcjellin vullnetin e tij me bëma, në përputhje me shpirtin makiavelik. Jezuitët u bënë arma kryesore e Papatit për të organizuar Kundërreformën dhe modeli i aparateve burokratike mbi të cilat u themeluan shtetet absolutiste duke filluar nga skekulli XIV.

Nikola Makiaveli (Nicolas Machiavel), ka qenë mendimtari i parë që hartoi teorinë e racionalizmit praktik, duke i kthyer kështu shpinën mendimit mesjetar, për të cilin qëllimi i çdo veprimi tokësor ishte dhënë që më përpara: vullneti hyjnor, frymëzimi platonik i shpirtit në unitet me Zotin e nderit, ose energjia vepruese dhe e dobishme aristoteliane (kërkimi i formave të zhvillimit superior, si për gjërat, ashtu edhe për qeniet e gjalla). Atëherë kur mendimi mesjetar i linte pak vend lirisë së vendimit të individit, që madje nuk kishte të drejtë të vendoste kundër urdhrit të Krijimit, pra kundër shpëtimit të tij, njeriu i Rilindjes është thellësisht i pushtuar nga ndjenja e jetës: ai mund dhe duhet të vendosë vetë, si individ, për atë që është e mirë dhe e drejtë për të.

Në gjysmën e parë të shekullit XV, një fiorentinas i ri me kulturë nuk e vriste shumë mendjen nëse i ishte ruajtur ndonjë vend i vogël nën diell; ai e përmblidhte energjikisht veten (zbatimi i virtu) dhe nuk linte t'i shpëtonin nga duart të gjitha rastet që i paraqiteshin (si pasojë e fortuna).Një varg i tërë përvojash të reja e kishin nxitur në Firence shfaqjen e kësaj vetëdije krenare për veten. Familjet e mëdha fiorentinase, me në krye Mediçët, kishin grumbulluar pasuri të jashtëzakonshme, falë industrisë dhe tregtisë së pëlhurave dhe kishin tërhequr rreth tyre artistë dhe intelektualë që shërbenin për vlerësimin e pasurisë dhe lavdisë së tyre, si në qytet ashtu edhe jashtë tij. Falë punimeve të Filipo Bruneleskit, që kishte ndërtuar kupolën gjigante të katedrales, fiorentinasit e shihnin veten në gjendje të realizonin të njëjtat suksese teknike si të parët; konsili i mbledhur në qytet më 1439, që duhej të çonte në pajtimin (në dukje) të kishave të Lindjes dhe të Perëndimit, ndihmoi gjithashtu në mënyrë vendimtare për të përhapur diturinë e Greqisë antike.

Kozmo de Mediçi, burri më i fuqishëm i Republikës fiorentinase, themeloi më 1459 Akademinë e qytetit të tij. E prirë për të ripërtërirë filozofinë antike në një perspektivë platonike, ajo lindi në fakt një fe filozofike të afërt me neoplatonizmin e Plotinit, të pajtueshme me doktrinën e krishterë dhe krejt të kënaqshme në rrafshin intelektual. Zbulimi i natyrës zinte shumë vend te neoplatonizmi, synimet e të cilit ishin krejtësisht praktike. Të nxitur nga teoria e Nikolas Krebsit mbi ngjashmëritë midis "mikrokozmosit" dhe "makrokozmosit", filozofët e Rilindjes kërkonin gjithashtu ta bënin të dobishme "simpatinë" e tokësores dhe të qiellores nëpërmjet praktikash magjiko-alkimike, duke synuar të arrinin shndërrimin e materies - për shembull për të prodhuar ar. Spekulime të tilla përmbanin rrezikun e besimit te fati astrologjik, kundër të cilit u ngrit Xhovani Piko dela Mirandola (1463-1494), përfaqësuesi më i rëndësishëm i Akademisë fiorentinase dhe zëdhënësi i saj; ai u nis nga ideja se çdo njeri duhet të arrijë të përcaktojë lirisht fatin e vet. Vetëdija e re e njeriut të Rilindjes nuk kishte një themel botërisht të shëndoshë; sidomos në shtresat e thjeshta të popullsisë, një numër individësh kishin një ndjenjë të thellë se ishin vetëm, të brishtë dhe blasfemues. Një murg dominikan që shihte vegime, Xhirolamo Savonarola, arriti të përfitonte nga gjendja kritike në të cilën ndodhej Firenca - e kërcënuar nga jashtë nga spanjollët dhe e privuar nga Mediçët, që ishin dëbuar nga francezët - për të vendosur përkohësisht një Republikë të krishterë fondamentaliste, një shtet të vërtetë teokratik e të ashpër. Në këtë kohë janë karakteristike trazirat shpirtërore dhe Sandro Botiçeli, që i kishte marrë nga mitologjia pagane subjektet e tablove të tij të frymëzuara nga Akademia fiorentinase, i dogji vetë veprat që zotëronte ende, në "turrën e famshme të kotësive", të organizuar nga Savonaroia. Më 1498 ai vendosi rregull në sjelljet e papëlqyeshme të këtij fanatiku duke e arrestuar, gjykuar dhe ekzekutuar; kolektivizmi i tij përfshirës kërcënonte individualizmin e kulturës që po rilindte, po aq sa sundimi i princave!

Ndërsa vetëdija e re e vetvetes, karakteristikë e njeriut të Rilindjes, po shtrihej deri në kozmologji dhe rreziku i rënies në rrëmujat socialpolitike dhe në përmbysjen e gjendjes ishte i pranishëm, burri i shtetit, Makiaveli, që ishte dëbuar nga Mediçët, përfitoi nga kjo gjendje. Të gjithë këta faktorë përcaktuan planin e dytë të filozofisë politike të autorit të veprës Princi, vepër çuditërisht "moderne", shkruar më 1513. Modeli i princit ishte Cezar Borxhia, djali jo i ligjshëm i papa Aleksandrit VI; forca e tij e veprimit (pasojë e virtu-s së tij), aftësia për të përfituar nga rastet e përshtatshme (pasojë e fortuna-s së tij) dhe shmangia e zgjuar e të pashmangshmes, i kishin dhënë mundësinë të fitonte sovranitetin mbi provincën italiane të Romanjës dhe të mbahej aty fuqishëm.

Makiavelit nuk i interesonte aspak që një sundimtar absolut si Borxhia kishte qenë një uzurpator; përligjja e një drejtuesi përmes nderit të Zotit nuk i interesonte shumë, sepse nuk njihte asnjë lidhje midis teologjisë dhe politikës. Makiaveli, sekretar i Senjorisë republikane, do të kishte parapëlqyer drejtimin e zgjuar të një administratori të mirë të Republikës sesa sundimin arrogant të një princi të vetëshpallur, por kjo nuk përbënte për të ndonjë ndryshim në ushtrimin e pushtetit. Shteti, qoftë republikë apo principatë autokratike, ka vetëm një qëllim: ruajtjen e tij dhe mbajtjen e pushtetit me ta vendosur atë. Dhe ky qëllim është i natyrshëm, sepse njerëzit janë të këqij nga natyra, duke dashur secili më shumë sesa ajo që merr. Pra, nuk duhen lejuar të gjithë individët, të aftë për të vendosur lirisht, të ndjekin qëllimet e tyre egoiste njëri kundër tjetrit. T'i pengosh për këtë nëpërmjet përforcimit të shtrëngesës shtetërore, ky është një qëllim që përligj edhe dhunën, gënjeshtrën dhe tradhtinë. Politika nuk ka të bëjë fare me moralin. Liria e sapofituar nga njerëzit e Rilindjes u përvetësua vetëm në dobi të atij që mori pushtetin. Megjithatë kjo liri është e kuptueshme: virtytet themelore të trashëguara nga Platoni dhe të lidhura nga Ciceroni tek etika stoike - zgjuarsi, guxim dhe përmbajtje - u zhveshën nga Makiaveli prej çdo përmbajtjeje metafizike apo etike. Ato janë tani vetëm mjete për të fituar pushtetin dhe për ta mbajtur atë.

Në mendimin politik, idetë e Makiavelit çuan në përcaktimin nga francezi Zhan Bodën (1530-1596), të nocionit të sovranit si mishërim i vullnetit të shtetit, përherë në bazë të teorisë moderne dhe në konceptin e "arsyes së shtetit", që daton nga Shekulli i Dritave. Makiaveli, mendimtari i parë i Kohëve Moderne, në historinë e filozofisë zgjeroi një fushë të shkencave praktike, politikën, duke e shkëputur nga lidhjet e saj me teologjinë dhe metafizikën. Natyralistët do të ndiqnin rrugën e tij. Veprat kryesore: Shqyrtime për dekaden e parë të Tit Livit (1502); II Principe (1532); Sundimtari, përkth. shqip (1977).

Veprat[redakto | redakto tekstin burimor]

Makiaveli dhe Rilindja[redakto | redakto tekstin burimor]

Kuptimi rrethor i historisë[redakto | redakto tekstin burimor]

Stili[redakto | redakto tekstin burimor]

Thënie[redakto | redakto tekstin burimor]

  • "Ku është njeriu, aty dyshohet më tepër".
  • "Të qeverisësh do të thotë të bësh të besojnë". ("Princi")
  • "Qëllimi arësyeton mjetin"

Kureshti nga jeta e filozofit[redakto | redakto tekstin burimor]

  • Në misione të ndryshme diplomatike dhe në shërbime publike të vendlindjes së tij Firencës Nikolla Makiaveli e filloi karrierën e vet letrare duke kompozuar kancone, këngë kamevalesh dhe sonete. Në vitin 1513 shkroi veprën e tij më të rëndësishme juridike-politike Sundimtari. Duke i vështruar realisht ngjarjet politike të kohës së tij, Makiaveli u nis nga premisa se nuk ka dobi nga përshkrimi i ndonjë tipi ideal të sundimtarit për të cilin rrëfejnë religjionet, flasin filozofët utopistë dhe reformatorët shoqërorë. Tiparin e vet ai përpiqet ta karakterizojë në mënyrë që të mund të qëndrojë në periudhën kur fjala e nderit e një diplomati dhe e një politikani nuk vlen kurrgjë, kur bashkimet shkelen në mënyrë të paskrupullt dhe vetëm njerëzit dorëfortë dhe dinakë ngelin në këtë lojë të vazhdueshme plot mashtrimesh dhe vrasjesh. Prandaj. Sundimtari i tij është vetëm një apoteozë iluzore e tiranit të vrazhdë dhe kodeks i rregullave për krime. Duke pasur një synim të vazhdueshëm për çlirimin dhe bashkimin nacional të Italisë, ai u nis nga njëmendësia faktike (verita effetuale) për të gjetur rragëdaljet dhe mundësitë reale për realizimin e koncepcioneve të veta politike. Në luftërat e ashpra që sundonin në Itali, Makaveli mendonte se vërtet mund t'u kundërvihet vetëm me forcë, kështu që, pavarësisht nga mjetet, të arrihet çlirimi i vendit.
  • Nikolla Makiaveli pohon se tiraninë i krijon ose populli ose aristokrati, varësisht nga rasti që paraqitet. Ndërkaq, megjithatë ka ndryshim qenësor ndërmjet synimeve të popullit dhe këtyre aristokratëve: «Synimet e popullit janë shumë më të ndershme se synimet e aristokratëve, sepse këta duan të shtypin, popullin që të mos shtypet». Në këtë mënyrë, duke hequr maskën e gënjeshtarit të moralit dhe të fariseizmit, themeloi teorinë e parë civile të bazuar gjerësisht të shtetit dhe, në të vërtetë, ndau etikën nga politika.
  • Në komeditë e tij brilante (sidomos në «Mandragolen») mjeshtër i të qeshurit dhe i moralit i cili i kundërvihet drejtpërdrejt hipokrizisë priftërore dhe çdo hipokrizie «të madhërishme», Makiaveli në aspektin teorik është i afërm me hedonizmin dhe mbron të drejtën e argëtimit dhe të qeshurit të popullit, i cili është i kundërt me «fjalimin solemn dhe rigoroz» të moralistëve dhe të asketëve.
  • Nikola Makiaveli e liroi mendimin politik nga çdo lidhje me konceptimin metafiziko-fetar të shoqërisë, për ta bërë një sistem qëllimesh shkencërisht të arsyeshme. Ai hapi kështu rrugën e mendimit natyralist.
  • "Makiavelizmi" është sot sinonim i një politike force, të paskrupullt dhe pa moral, në dobi të së cilës të gjitha mjetet janë të mira. Hipoteza bazë e kësaj teorie është se çdo njeri e di çfarë do dhe se, sipas kritereve të arsyeshme, zgjedh mjetet që i shërbejnë më mirë realizimit të synimeve të tij.
  • Nuk është rangu që zë në zinxhirin e Qenies ai që përcakton veprimin e njeriut, por janë veprimet dhe realizimet ato që e bëjnë atë të jetë ai që është.
  • Shteti, qoftë republikë apo principatë autokratike, ka vetëm një qëllim: ruajtjen e tij dhe mbajtjen e pushtetit me ta vendosur atë.
  • «Konsideroj se është i lumtur ai që në veprimet e tij udhëhiqet nga fryma e kohës, pra, së këtejmi i palumtur është ai veprimet e të cilit nuk përputhen me kohën».

Lidhje të jashtme[redakto | redakto tekstin burimor]