Përdoruesi:Edibe

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Edibe Selimi-Osmani


Titulli i kumtesës:Tipi i veshjes me dy mbështjellak edhe në Rekën e Epërme të Maqedonisë

Një pjesë e madhe e banorëve braktisën vatrat shekullore nga gjendja e vështirë ekonomike dhe sidomos ajo politike,vendasit që gjendeshin në kufirin shqiptaro-shqiptar, ishin të detyruar të largohen dhe të migrojnë në qytete e fshatra të ndryshme .Sidomos femra është ajo e cila kudo që jeton kultivon kulturën materiale dhe ate shpirtërore e bartën, duke ia përcjellur brezit të ri. Me larmin e saj të begatë si në pikëpamje strukturore morfologjike,ornamentike e tjerë, kjo veshje të kujton traditën kulturore të këtyre anasve, shijen e tyre për krijimin e vlerave artistike si dhe ruajtjen e tyre nëpër shekuj me gjelozinë më të madhe, përmes së cilës afrohet mundësia e përfitimit të një pasqyrimi kuptimplotë për një veshje me karakteristika krahinore por me përmbajtje dhe stukturë kombëtare .

Në këtë punim studimor  do të bëjmë përpjekje për të vërtetuar se veshja me dy mbështjellak në Rekën e Epërme  është analoge me  veshjet e popujve tjerë ballkanik.

Vendi i veshjeve shqiptare në kontekstin Ballkanik, është mjaft interesant të ndiqet por ende vështirë të shpjegohet përhapja gjeografike e tipit të veshjes me dy mbështjellak të ngjeshura mbi këmishë njëra përpara dhe tjetra prapa që është shumë e vjetër . Në studimmin e saj A.Gjergji,potencon se është vështirë të ndiqet,por ende vështirë të shpjegohet përhapja gjeografike e tipit të veshjes me dy futa të ngjeshura mbi këmishë njëra përpara dhe tjetra prapa.Në disa zona mbahej paralelisht.Në Shqipëri, veshja me këmishë të gjatë e dy futa është një formë veshjeje shumë e vjetër.Ndeshej kryesisht në zonën e djathtë të lumit Drin,duke filluar që pranë Shkodrës në disa fshatra të Postribës,në Has e në malësinë e Gjakovës,në rrafshin e Dukagjinit në Shqipërinë e Jugut,por ai pati dalë nga përdorimi që nga fundi i shekullit XIX.Është e njohur nga literatura se edhe shqiptarët e Greqisë në More e Korint e kanë mbajtur këtë tip veshjeje. Veshje me këmishë dhe dy përparëse paraqiten në këto variante: veshje nuseje e Plavë-Gucisë, veshje gruaje e regjionit të Rugovës, veshje e vajzave të Lugut të Beranit, dhe veshje gruaje e regjionit të Hasit të Pizrenit.Për Maqedoni nuk disponoj të dhëna. E shoh të arsyeshme që këtë mungesë të dhënash në vijim ta plotësojmë me disa informacione dhe fakte karakteristike etnologjike. Sipas një klasifikimi në etnologjinë shqiptare veshjet popullore pas një shpjegimi dhe argumentimi shkencor të fakteve ,për bazë merr tipologjinë e pjesëve të sipërme të veshjes,që mbulojnë trupin nga mesi (beli) e poshtë ,atëherë veshja e femrave të krahinës në fjalë i përket tipit të veshjes me dy mbështjellakë. Përhapja gjeografike e tipit të veshjes me dy mbështjellak të ngjeshura mbi këmishë e hasim edhe sot në veshjen kombëtare të femrës në Rekën e Epërme.Përparjet janë një ndër pjesët më të dekoruara të kostumit në këtë zonë. Ky element i veshjes emërtohet veshja me mbështjellak siç e quajnë vendasit “veshja me peshtelka”. Mbështjellakët janë elemente që kanë një kolorit të madh ngjyrash.Veçojmë zbukurimet e mbështjellakëve si pjesë përbërëse e etnokulturës materiale me motive të shumëllojshme ku dominojnë motivet zoomorfe, fluriale,kozmike dhe antropomorfe. Studimi sjell ndihmesë në fushën e veshjes si pjesë përbërëse e antropologjisë shqiptare.

Mbështjellaku gjithmonë ka qenë prodhim artizanal i punës së gruas në ekonominë shtëpiake. Është përdorur nga të gjitha moshat e grave në shtëpi si për të dalë, në ditë të zakonshme pune por edhe në ditë festash apo dasme. Ajo është pjesë e pamungueshme e veshjes. Në ditët tona kjo veshje nuk përdoret në përditshmëri nga të rinjtë,rrallëherë e bartin plakat për arsye se krijojnë lidhje shpirtërore me veshjen që në fëmijëri. Megjithatë secila nënë bën ç’mos që nusja apo vajza e saj të ketë një komplet të veshjes kombëtare. Është traditë që femra pa dallim moshe të veshet me këtë veshje, prandaj kjo natë e dasmës quhet “ nata e peshtelkave” .


Klasifikimi i përparjeve sipas përdorimit

Sipas përdorimit ato ndahen;-mbrapaniku -” peshtelka e krahve”;-ngjeshet në ijë,mbulon tulet e prapme të femrës.Gjithmonë baza e mbrapanikut endet në avlëmend me fije leshi njëngjyrësh por aq fort i zbukuruar me motive ngjyrash të tjera sa që vështirë dallohet sfondi. Kjo pjesë e veshjes nisi të përdoret pas viteve të tredhjeta kur filloi të dalë nga përdorimi “dallomba” si pjesë e veshjes së përditshme. Mbështjellaku i përparmë-“peshtelka e përparme”;- vendoset në pjesën e përparme si mbulesë mbrojtëse e prehrit dhe barkut.Coha është e vejtur prej lëndës së leshit a pambukut me gjërësi prej 60-65 cm.gjatësia e tyre arrijnë deri në gjunjë ku len të duket këmisha prej 10-15 cm. Në vijat anësorë dhe në fund, te të dy mbështjellakët dominojnë dekorimet me thekë,ku janë përdorur të gjitha ngjyrat me të cilat janë formuar motivet e peshtelkës.Edhe te thekët mungon peni i ngjyrës së sfondit. Pas luftës së Dytë Botërore, si “peshtelka të përparme” hyn në përdorim edhe “fustani”,peshtelka “t’allaçta” .Baza blehet e gatshme prej pëlhurës rëndomtë të tekstilit ku dallohen motive të ndryshme.Sipas emërtimit veçohen futat me motivin”kumbona”,”peshtelka e mirë” e tjerë. Përveç këtyre mbështjellakëve në strukturën e kësaj veshjeje sidomos të asaj për nuse shfaqet edhe një mbështjellak tjetër ,të cilin si formë morfologjike s’e gjejmë te asnjë grupmoshe tjetër.Kjo lloj shamije në funksion të mbështjellakut është më shumë dekorues të cilën rekanet e quajnë “korpëpalëz-a”. Peshtelkat “me dallapka”;- gratë e moshuara i mbajnë si veshje të përditshme.Coha e mbështjellakut si ajo e krahve ashtu edhe e përparme,është e vejtur me dy liq e me dy ngjyra bardhë e zi ose kuq e zi.Motivi që aplikohet në ornamentikën e këtij petku e që përfitohet duke punuar në vek është ai i “dollapkave”.Ata kanë formën e kutijave të endure 1 cm me 1 cm.Po kështu duhet theksuar se koloriti i ngjyrave është më i varfër.Përdorimi i ngjyrave e bardhë e kuqe e zezë,përfaqëson shtresën më të hershme të përfytyrimeve artistike të popullit tonë . Për ta dalluar gruan e moshuar se cilës fe i takon,ajo e krishterë,” peshtelkën e krahve” dhe të përparmen e mban “me dallapka” me ngjyra kuq e zi,për dallim nga gruaja myslimane që ngjyrat e motivit i ka bardhë e zi. Një karakteristikë tjetër mjaft interesante është edhe njëlloj tjetër i pështjellkës që emërtohet si :”Peshtelka me bark t’gëzuet”. Ky lloj mbështjellaku, përveç katrorëve në strukturën e saj ka edhe motive me lule shumëngjyrëshe. Mbahet nga gratë të cilat gjatë jetës nuk kanë pasur ndonjë humbje të madhe familjare dhe janë shpirtërisht të plotësuara.Këtë mbështjellak nuk e mbajnë vejushet.


Historiku i elementit (Fundi i shekullit XIX-mesi i shek.XX)

Gjatë ekspeditave të bëra,mësojmë nga kujtesa e brezit të moshuar, si kanë qenë mbështjellakët e viteve 1900-1920 .Për sa i përket formës, përkon me përparjet që përdoren sot. Endeshin në vegj,me vija bardhë e zi, por,pa qëndisje. Gratë deri në moshën 50 vjeçare, përdorshin motivin e ashtuquajtur “ peshtelka me hajmalia”, dhe atë “kallani”. Sipas fotografive që disponojmë, duket se vijat janë të endura horizontalisht ku rrethohet me dekoracion trekëndësha. Femrat e moshuara bajshin mbështjellak me motivin e quajtur “peshtelka me ind” ku dominojnë në sfond vijat e holla dyngjyrëshe bardhë e zi. Edhe “futat” janë lloj mbështjellaku që sot nuk e gjejmë si eksponat në terren.Siç shënuam nga informaorë të ndryshëm ajo ka pas dimenzionet e njëjta me atë të mbështjellakëve të sotëm,i endur në vek me fije leshi të zi të dhenve.Pa asnjë motiv dhe zbukurim i kan përdorur vetëm grat të cilat kanë patur rast vdekjeje dhe nuk kanë patur asnjë anëtarë në familje.Këto gra në popull i kanë quajtur “futa”. Shënuam disa vargje të këngës: Mori tun, e zeza tunë, N’çaf e pati sa ni lum, Shumë nonat na lae kërcun,ooih Shumë nuset o futat i vunë... Në këtë krahinë mbështjellakët filluan më dendur të zbukurohen prej vitit 1920-30. Në mungesë të pambukut, endja e qëndisja është bërë me fill leshi të tjerrë hollë i cili ngjyrosej nga vetë gratë. Po ta shqyrtojmë problemin në rrafsh ballkanik dhe të ballafaqojmë përparjet tona me ato të popujve të tjerë,do të konstatojmë jo vetëm një fond që paraqet ngjashmëri e lidhje me përparjet e popujve fqinj,por edhe një grup përparjesh me veçori specifike,që nuk ndeshen gjetkë.



Mënyra si ngjeshen mbështjellakët

Mbi xhybelin rrotullohet disa herë në pjesën e belit brezi, vendoset mbrapaniku,vazhdon të mbështillet brezi mbi mbrapanikun, mbi brez vihet mbështjellaku i parmë pastaj kollani.


Dekoracioni asimetrik dhe motivet dominuese

Para se të fillojë qëndisjen,mjeshtrija popullore i kompozon motovet në imagjinatë, mendërisht i lëviz ornamentet majtas e djathtas,diku i ul,diku i zhvendos,derisa krijon konfiguracionin që i pëlqen. / Motivet e punuara janë të zgjedhura me mjeshtëri të rrallë,dominojnë lule të ndryshme, motivi i kaprollit,drerit, shpendit pallua, motivi i zogut, motivi i gjelit,fluturës,peshkut,bletës e tjerë.Në simbolikën ilire shpezët shtegtarë përgjithësisht kanë të bëjnë me simbolin solar.Vetë shpezët simbolizojnë fuqinë e dritës dhe luftojnë kundër fuqive të erësirës htonike . Ata ishin edhe personifikim i diellit. Kemi raste kur motivet gjeometrike përdoren edhe si baza ndarëse për të kaluar nga një kompozim në tjetrin.Të krishterat përveç këtyre motiveve mbajnë edhe përparëse me elementin e kryqit. Mbështjellaku i parmë dhe mbështjellaku i pasmë në asnjë rast nuk janë me motive identike.Motivet gjithmonë ndryshojnë nga njëra tjetra. Në katër anësorët e mbështjellakut punohet motivi i quajtur ” goçkë”dhe ai “bisht dallëndyshje”.




Th e k ë t

Në vijat anësorë dhe në fund, te të dy mbështjellakët dominojnë dekorimet me thekë,ku janë përdorur të gjitha ngjyrat me të cilat janë formuar motivet.Edhe te thekët mungon peni i ngjyrës së sfondit. Siç shohim nga fotot ,thekët janë pjesë përbërëse te ky element në këtë zonë.Gjithashtu elemente autoktone mjaft të lashta te mbështjellakët. Shtojmë këtu se prania e thekëve në përhapjet e disa kulturave të Rusisë,si dhe në kulturat e hapësirës së Ballkanit kanë rrënjë arkeologjike jo vetëm në kohën e Bronzit dhe të kohës së Neolitit,por edhe më thellë deri në Paleolit.Ky dekor i vjetër më se 20.000 vjet vlerësohet si petk i parë i përfytyruar në qeniet njerzore. Poashtu tek statueta e vogël prej terrakote e gjetur në Klicevac të Bosnjës, që i përket mijëvjeçarit të dytë të para erës sonë, ku shihet edhe një përparje me thekë anëve,dëshmi për vjetërsinë e këtij elementi. Për të hedhur dritë mbi origjinën e përparjeve tona, do të duhej t’i krahasojmë ato me të dhëna dokumentare më të vjetra. Përsa i përket veshjes së grave shqiptare në vitet 1764-1768,udhëtari anglez R.Chandler, shkruan se gratë shqiptare të Athinës ,përpara ato mbanin shumë monedha me madhësi të ndryshme.Vajzat mbanin në kokë kësula prej pëlhure të zbukuruar me pare argjendi të shpuara e të qepura,duke i vendosur si lispa peshku .Castellan, në vitet 1780-84,na jep një tip tjetër veshjeje për gra. Është fjala për veshjen me dy futa.Ai thotë se gratë shqiptare mbi këmishë ato vishnin një lloj jeleku të gjatë deri në bel të ngjeshur për mezi me një brez dhe pastaj vinin një futë të bardhë përpara dhe një copë katrore dyngjyrësh prapa. Duke parë analogjinë e kësaj pjese të veshjes me atë të viseve tjera shqiptare dhe ballkanike; si në formën poashtu edhe në motivin dhe koloritin e ngjyrave, duke mos lënë anësh edhe elementet arkaike vëmë në dukje që kjo veshje është nga më të vjetrat e këtyre viseve. Duket qartë se edhe kjo krahinë e pastudiuar shqiptare është pjesë e krahinave etnologjike të cilat në të ardhmen duhet të formojnë hartën e re etnografike të rajoneve shqiptare.

12.03.2013 Tetovë ,ora 24,50 minuta







Bibliografia 1.Afërdita ,Onuzi,Tekstilet tradicionale të krahinës së Hasit , Etnografia shqiptare, nr.13 – 1983. 2.Afërdita, Onuzi,”Përdorimi i ngjyrosësve natyrorë dhe kimikë në tekstilet tona popullore”,KUD-39,Punim studimor,”Gjurmime albanologjike-folklor dhe etnologji”,nr.38-39,1998-1999. 3.Agim Bido,Arti popullor në veshje e tekstile,Tiranë 1991. 4.Aleklsandër ,Stipçeviq Ilirët historia,jeta,kultura, Rilindja Redaksia e botimeve Prishtinë 1980. 5.Dr.Drita Halimi Statovci Kërkime etnografike ,Rilindja,Prishtinë 1988. 6.Drita Halimi-Statovci Veshjet shqiptare të Kosovës, Prishtinë,2009. 7.Gjergji,Andromaqi,Vështrim historik mbi veshjet në Shqipëri, Etnografia shqiptare nr.7 1975. 8.Gjergji,Andomaqi,Përparjet në veshjet popullore shqiptare Etnografia shqiptare nr.13 – 1983. 9.Gjergji,Andromaqi,Mënyra e jetesës në shekujt XIII-XX/Përmbledhje studimesh, Tiranë 2002. 10.Edibe Selimi-Osmani, Veshja autoktone e femrave të Rekës së Epërme – Authentic clothing of women from Reka e Epërme,Tetovë. 11.I.J.W.Barber ,On the the Antuquity. 12. Edibe Selimi-Osmani Rite e besime popullore në viset e Tetovës dhe të Gostivarit,Shkup 1997. 13.of East European Bridal Clothing, në Folk Dress in Europe and Anatolia,ed.By L. Weltersn,Berg,Oxsford&N.York 1999 14.Mark Tirta, Vështrim rreth veshjeve popullore të Librazhdit Etnografia shqiptare,nr. 12 Tiranë, 1982. 15.Selimi,Yllka-Beqiri,Mustafa, Vështrim rreth veshjeve popullore të rrethit të Pukës ,Etnografia shqiptare,nr.15,Tiranë,1987.

15.Zdravev Gjorgji, Македонските народни носии I, Матица Македонска,Shkup,1996.