Perëndia mbrapsht dhe e dashura

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Perëndia mbrapsht dhe e dashura Gjinia: Roman. Autori: Visar Zhiti. Shtëpia botuese: "Omsca 1". Viti i botimit 2004. Faqet e librit 288. ISBN 978-99927-52-49-1

Mbi librin[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Romani ka në qendër të tij një histori dashurie, në kohën e dënimeve gjatë diktaturës komuniste, në Vendin e urrejtjeve, të internimeve e burgjeve politike. Ishte një dashuri me D të madhe, një nga ato që përmbledhin në vetvete e shpalosin me forcë të gjitha shfaqjet e saj të mundshme, që nga pasioni fizik, fuqia e mishit dhe e gjakut deri tek idealja, poezia, kënaqësia eprore së bashku me dhimbjen sfilitëse e asgjësuese dhe vetëflijimin që, përmasat e saj, dashje pa dashje, bëjnë të detyrueshëm në prani të fundit tragjik të elementit kryesor të çiftit.

Por dashuria vazhdon edhe pas vdekjes, ajo ka fuqinë që i jep amshimi. Shkëndija e parë e kësaj dashurie ndizet në një mjedis të pazakontë, në një sallë gjyqi, në të cilën një vajzë e re, gjimnaziste shkodrane, përgjigjet para një trupi gjykues të diktaturës së proletariatit për idetë e saj, të shprehura në shkollë e jashtë saj, ide që bien ndesh me regjimin komunist dhe një realitet të ngurtësuar e të mbështetur në dogma dhune e mashtrimi.

Në atë sallë rastësisht ndodhet një ushtar, një djalë i ri nga Lushnja, vendbanimi i autorit, për të cilin imazhi i vajzës së bukur "reaksionare" mbetet i ngulitur në mendje e i rrënjosur në zemër. Shkëndija e asaj dite gjyqi kthehet në një flakë të madhe mbas disa vitesh kur vajza, e internuar në Bedatin e largët, buzë Kënetës së Karavastasë, mbas kryerjes së dënimit, takohet me djaloshin që vinte çdo ditë nga qyteti për të punuar në ndërtim. Është një nga ato dashuritë "e ndaluara", për shkatërrimin e të cilave, në "Absurdlandin" shqiptar aktivizohej një aparat i tërë partiak e shtetëror që fliste e vepronte nëpërmjet Sigurimit të Shtetit, përfaqësuesit më tipik e më të egër të "shtetit proletar".

Ema Marku dhe Feliks Kondi portretizohen me mjeshtëri nga autori e dalin nga penda e tij si njerëz të gjallë, me të cilët lexuesi simpatizon dhe ka përshtypjen se njihet prej kohësh. Fati i tyre e rrëmben atë, e bën pjesëmarrës në jetën e tyre, në çdo grimcë të saj, e bën të gëzohet, të ngazëllehet, të padisë, të luftojë, të eksitohet, të ndiejë dhimbjen, zhgënjimin, vetëdijen e pamundësisë për të ndryshuar kursin e ngjarjeve në betejën qytetare për të sendërtuar atë rend gjërash, në të cilin individi të mos kushtëzohet nga shteti në krijimin e jetës së tij.