Plani Marshall

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Programi i ndihmës për rindërtim (ERP), njohur gjerësisht si një koncept ekonomiko-politiko-historik tashmë me emrin plani "Marshall", ishte programi më i rëndësishëm amerikan për ringjalljen ekonomike të kontinentit evropian (në fakt arriti të përfitonte vetëm pjesa perëndimore e tij) pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Programi në fjalë u iniciua nga ish-sekretari amerikan i Shtetit për Punët e Jashtme (mandati i të cilit në këtë post zgjati nga 1947-1949) dhe më pas, mbajtës i çmimit "Nobel" për paqe në vitin 1953, George C. Marshall. Plani që u pagëzua me emrin e tij u përpunua më pas nga ekspertët e Departamentit të Shtetit, William L. Clayton dhe George F. Kennan. Për nisjen e vënien në jetë të këtij plani pati tri arsye bazë: ndihma për popujt evropianë në nevojë e pjesërisht të kërcënuar seriozisht nga uria, si pasojë e një lufte, më shkatërrimtarja që njerëzimi kishte përjetuar ndonjëherë, pengimi i zgjerimit të ideve, praktikave e ndikimit sovjetik në kontinent, si dhe arritja e një tregu funksional që do të bënte të mundur shitjen e produkteve të ndërmarrjeve amerikane me mbiprodhim.

Plani në fjalë nisi udhën zyrtarisht pas një takimi të datës 5 qershor 1947 në Paris, ku morën pjesë 16 shtete evropiane. Bashkimi Sovjetik dhe vendet e Evropës Lindore, që asokohe sapo kishin nisur të binin nën diktatin sovjetik, gjithsesi morën të gjithë ftesë për pjesëmarrje në këtë program, por Stalini e cilësoi planin si "rrezik për interesat sovjetike në Evropën Lindore", vargun e vendeve të të cilit ai e trajtonte si një "rrip sigurie" përballë ekspansionit amerikan. Ai ndaloi kësisoj shtetet nën ndikimin e BS-së të merrnin pjesë e të përfitonin nga ky program bujar. Programi zgjati katër vjet. Shuma e ndihmave ekonomike të lëvruara si pasojë e këtij programi nga SHBA-ja arriti shifrën e rreth 12,4 miliardë dollarëve - ose 85 miliardë euro me normat e sotme të këmbimit - në kredi, lëndë të para, mallra ushqimore e ato të konsumit.