Politika monetare

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Bazuar në ligjin për Bankën e Shqipërisë, objektivi kryesor i politikës monetare të Bankës së Shqipërisë është arritja dhe ruajtja e stabilitetit të çmimeve. Teoria dhe praktika botërore sugjerojnë se qëndrueshmëria e çmimeve është kontributi më i madh që banka qendrore mund të japë për të mbështetur rritjen afatgjatë ekonomike të vendit. Më konkretisht, nëpërmjet garantimit të stabilitetit të çmimeve, Banka e Shqipërisë jep një kontribut direkt në ruajtjen e ekuilibrave makroekonomikë të vendit, në uljen e primeve të rrezikut, në rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe në përmirësimin afatgjatë të mirëqenies, si dhe në mbështetjen e stabilitetit të sistemit financiar.

Politika monetare përfshin ndërhyrjen dhe/ose qëndrimin e Bankës së Shqipërisë ndaj tregjeve financiare për të arritur objektivin e saj kryesor. Në tërësinë e saj, politika monetare përmbledh bazën ligjore në të cilën mbështetet, kuadrin teorik që përdoret për modelimin e saj, objektivat e ndërmjetëm dhe operacionalë të politikës monetare dhe kuadrin e instrumenteve, të cilat përdoren për përmbushjen e tyre. Grupi i instrumenteve që janë në dispozicion përfshin: instrumentet me të cilat realizohen operacionet e tregut të hapur, lehtësirat e përhershme dhe instrumentet mbështetëse.

I. OPERACIONET E TREGUT TË HAPUR

Operacionet e tregut të hapur përfaqësojnë blerjen apo shitjen në treg të letrave me vlerë nga ana e Bankës së Shqipërisë. Ato luajnë rolin kryesor në transmetimin e politikës monetare në sistemin bankar. Qëllimi i përdorimit të operacioneve të tregut të hapur është administrimi afatshkurtër i likuiditetit të sistemit bankar, me synim stabilizimin e normave të interesit të tregut.

Operacionet e tregut të hapur janë ekskluzivitet i Bankës së Shqipërisë, e cila vendos llojin e instrumentit që do të përdorë si dhe kushtet përkatëse lidhur me ekzekutimin e tyre. Sipas qëllimit të përdorimit të tyre, operacionet e tregut të hapur ndahen në: operacioni kryesor i tregut, operacione rregulluese dhe operacione strukturore. Marrëveshjet e riblerjes dhe të anasjellta të riblerjes përdoren si operacioni kryesor i tregut dhe si operacione rregulluese, ndarje e cila ka për bazë kohëzgjatjen e instrumentit. Ndërsa shitblerjet me të drejta të plota përdoren vetëm në operacionet strukturore.

MARRËVESHJET E RIBLERJES (REPO)

Marrëveshjet e riblerjes janë operacione të tregut të hapur me anë të së cilave Banka e Shqipërisë shet letra me vlerë, duke marrë përsipër t’i blejë ato sipas kushteve të rëna dakord paraprakisht me një bankë të nivelit të dytë, me qëllim zvogëlimin e përkohshëm të likuiditetit në sistemin bankar. Ndërsa marrëveshjet e anasjellta të riblerjes janë operacione të tregut të hapur me anën e së cilave, Banka e Shqipërisë blen letra me vlerë duke marrë përsipër t’i shesë ato sipas kushteve të rëna dakord paraprakisht me një bankë të nivelit të dytë, me qëllim rritjen e përkohshme të likuiditetit në sistemin bankar.

Letrat me vlerë që tregtohen nëpërmjet lidhjes së marrëveshjeve të riblerjes dhe atyre të anasjellta, janë të blera paraprakisht nga Banka e Shqipërisë ose nga bankat e nivelit të dytë në tregun primar apo në tregun sekondar dhe janë të llojit bono thesari dhe obligacione të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë me maturim të mbetur jo më shumë se 365 ditë. Në marrëveshjet e riblerjes dhe të anasjellta të riblerjes, e drejta e pronësisë së letrës me vlerë i transferohet kreditorit (blerësit) pas rënies dakord për kryerjen e veprimit të kundërt nëpërmjet ri-transferimit të letrës me vlerë debitorit(shitësit) në një datë të caktuar në të ardhmen.

Shuma e kërkesës për pjesëmarrje në ankand është jo më e vogël se 10 (dhjetë) milionë lekë dhe mund të shtohet me shumëfisha prej 10 (dhjetë) milionë lekësh.

Diferenca midis çmimit të blerjes dhe të riblerjes të një letre me vlerë në një marrëveshje riblerjeje korrespondon me interesin për t’u paguar për likuiditetin e marrë hua (ose për t’u përfituar për likuiditetin e dhënë hua) për të gjithë kohëzgjatjen e marrëveshjes. Me fjalë të tjera, çmimi i riblerjes të letrës me vlerë përfshin edhe interesin e detyruar..

OPERACIONI KRYESOR I TREGUT

Operacioni kryesor i tregut realizohet nëpërmjet marrëveshjes (të anasjelltë) të riblerjes me maturim shtatë ditë që është instrumenti kryesor i Bankës së Shqipërisë për zbatimin e politikës monetare. Qëllimi i përdorimit të saj është administrimin afatshkurtër të likuiditetit të sistemit bankar, me synim stabilizimin e normave të interesit të tregut. Përcaktimi i normës së interesit të marrëveshjeve të riblerjes dhe të anasjellta të riblerjes me maturim njëjavor përcakton qëndrimin e politikës monetare.

Karakteristikat themelore të marrëveshjes (të anasjelltë) së riblerjes mund të përmblidhen si më poshtë:

   Realizohet nëpërmjet ankandit me shumë të përcaktuar dhe me shumë çmime ose ankand me çmim fiks dhe me shumë të papërcaktuar.
   Ankandi për këto lloj marrëveshjesh organizohet çdo javë dhe është i tipit standard.
   Norma fikse e interesit të marrëveshjes (të anasjelltë) së riblerjes miratohet nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë. Kjo normë shërben si nivel maksimal për marrëveshjet e riblerjes ose minimal për marrëveshjet e anasjellta të riblerjes për ankandet me shumë çmime.
   Maturimi i këtij instrumenti është shtatë ditë.

OPERACIONET RREGULLUESE

Për ekzekutimin e operacioneve rregulluese të tregut të hapur përdoren marrëveshjet (e anasjellta) e riblerjes me maturim një ditë, një muaj dhe tre muaj. Qëllimi i përdorimit të tyre është rregullimi i luhatjeve të papritura në treg. Tiparet operacionale të marrëveshjeve (të anasjellta) të riblerjes me maturim njëditor, një muaji dhe tre muaj janë:

   Realizohen nëpërmjet ankandit të shpejtë dhe/ose procedurave dypalëshe me frekuencë të papërcaktuar.
   Ankandet janë të llojit me shumë të përcaktuar, ndërkohë që interesi përcaktohet nga pjesëmarrësit.
   Banka e Shqipërisë ka të drejtë të refuzojë kërkesat, interesi i të cilave është i devijuar nga interesi i tregut në ditën që kryhet ankand.
   Maturimi i marrëveshjes (të anasjelltë) të riblerjes njëditore është një ditë; i marrëveshjes (të anasjelltë) të riblerjes njëmujore është 28 (njëzet e tetë) ditë dhe i marrëveshjes (të anasjelltë) të riblerjes tremujore është 91 (nëntë dhjetë e një) ditë.


OPERACIONET STRUKTURORE

Instrumenti që përdoret për kryerjen e operacioneve strukturore të tregut të hapur janë shitblerjet me të drejta të plota. Qëllimi i përdorimit të këtyre operacioneve është rregullimi i strukturës së likuiditetit të sistemit bankar. TRANSAKSIONET E SHITBLERJEVE ME TË DREJTA TË PLOTA

Transaksionet e shitblerjeve me të drejta të plota janë shitjet ose blerjet me të drejta të plota të letrave me vlerë. Këto operacione kanë efekt të përhershëm në tregun e parasë dhe nuk janë transaksione të kthyeshme. Përdoren vetëm si operacione me qëllim rregullimin e strukturës së tregut.

Transaksionet e shitblerjeve me të drejta të plota përfaqësojnë transferimin e plotë të të drejtës së pronësisë nga shitësi tek blerësi, duke mos përfshirë transaksionin e anasjelltë. Në mënyrë të përmbledhur tiparet operacionale të transaksioneve me të drejta të plota janë:

   Marrin formën e shtimit të likuiditetit në rastin e blerjeve me të drejta të plota ose të pakësimit të likuiditetit në rastin e shitjeve me të drejta të plota.
   Zhvillohen me frekuencë të papërcaktuar.
   Ekzekutimi i tyre, nëpërmjet ankandeve të shpejta dhe procedurave dypalëshe, miratohet paraprakisht nga Komiteti i Zbatimit të Politikës Monetare të Bankës së Shqipërisë.
   Objekt i transaksioneve të shitblerjeve me të drejta të plota janë bonot e thesarit me maturim bonove të thesarit me afat maturimi deri një vit dhe me periudhë të mbetur në maturim jo më pak se shtatë ditë. Gjithashtu dhe objekt i transaksioneve mund të jenë edhe letra të tjera me vlerë, të cilat duhet të jenë instrumente borxhi, të kenë kredibilitet të lartë, të jenë të formës book-entry, e që bëhen objekt i këtyre transaksioneve me vendim të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Gjithsesi aktualisht asnjë letër tjetër me vlerë nuk është miratuar si objekt i këtyre transaksioneve përveç bonove të thesarit të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë.


II. LEHTËSIRAT E PËRHERSHME

Lehtësirat e përhershme janë instrumente që janë normalisht pa kufizime në dispozicion të bankave të nivelit të dytë për investimin e likuiditetit të tepërt ose huamarrjen e likuiditetit me afat kohor njëditor. Normat e interesit të këtyre instrumenteve përcaktojnë korridorin ku mund të luhaten interesat e tregut ndërbankar. Karakteristikë është se përdorimi i tyre realizohet gjithmonë dhe ekskluzivisht me nismën e bankave të nivelit të dytë.


DEPOZITA NJËDITORE


a. Lloji i instrumentit

Depozita njëditore është një instrument afatshkurtër investimi në dispozicion të bankave të nivelit të dytë, nëpërmjet të cilit bankat mund të investojnë likuiditetin e tyre të lirë në afatin kohor njëditor dhe me interes të parapërcaktuar. Në kushte normale norma e interesit të depozitës njëditore shërben si dysheme për nivelin e interesit në tregun ndërbankar.


b. Natyra ligjore e instrumentit

Bankat e nivelit të dytë kanë të drejtë të vendosin depozitë njëditore pranë Bankës së Shqipërisë në shumë të pakufizuar. Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë ka të drejtë të refuzojë kërkesën e çdo banke për vendosje depozite, në përputhje me synimet e saj, pa mbartur detyrimin e dhënies së shpjegimeve. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë nuk vendos kolateral për depozitat e pranuara.


c. Kushtet e përdorimit të instrumentit

Depozitë njëditore në Bankën e Shqipërisë mund të vendosin të gjitha bankat dhe degët e bankave, që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri dhe që mbajnë llogari pranë Bankës së Shqipërisë. Për pranimin e depozitës, banka duhet të paraqesë kërkesën e saj me shumën përkatëse deri në orën e paracaktuar nga Banka e Shqipërisë, dhe të bjerë dakord me interesin dhe me maturimin e depozitës së vendosur.


d. Maturimi dhe interesi i instrumentit

Maturimi i këtij instrumenti është njëditor. Interesi bashkë me shumën i ripaguhen bankës ditën vijuese të punës. Dita e maturimit mund të shtyhet vetëm në rastin kur dita vijuese është ditë pushimi. Interesi i depozitës njëditore është i paralajmëruar dhe llogaritet me bazë 365 ditë. Norma e interesit që u paguhet bankave të nivelit të dytë për depozitën njëditore aktualisht është 1.75 përqind, me bazë vjetore, më e ulët se interesi i marrëveshjeve të riblerjeve me maturim shtatë ditë, i përcaktuar nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë.


KREDIA NJËDITORE


a. Lloji i instrumentit

Kredia njëditore është një instrument afatshkurtër borxhi që u vihet në dispozicion bankave të nivelit të dytë. Ajo është kredi plotësisht e garantuar, që akordohet për të asistuar bankat me nevoja ditore likuiditeti. Në kushte normale norma e interesit të kredisë njëditore shërben si tavan për nivelin e interesit në tregun ndërbankar.


b. Natyra ligjore e instrumentit

Banka e Shqipërisë akordon kredi njëditore vetëm në formën e kredisë së kolateralizuar që do të thotë banka që kërkon kredi një ditore duhet të vendosë si kolateral një(disa) letër(a) me vlerë, e cila(të cilat) vlerësohet(en) sipas kushteve të bëra të njohura paraprakisht.. Duke marrë në konsideratë plotësimin e detyrimit për kthimin e borxhit, e drejta e pronësisë së letrës me vlerë i mbetet debitorit (bankës që kërkon likuiditet) gjatë kohëzgjatjes së kredisë, por në rast të mosshlyerjes së detyrimit kolaterali kalon në pronësi të Bankës së Shqipërisë. Banka e Shqipërisë mund të refuzojë kërkesën e çdo banke për kredi njëditore, në përputhje me synimet e saj pa dhënë shpjegime.


c. Kushtet e përdorimit të instrumentit

Instrumenti i kredisë njëditore mund të përdoret të gjitha bankat dhe degët e bankave, që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri dhe që mbajnë llogari pranë Bankës së Shqipërisë. Bankat, që në përfundim të veprimeve rezultojnë me mungesë likuiditeti, bëjnë kërkesë për kredi njëditore. Nga ana tjetër, në mbyllje të ditës së punës, në rast se konstatohet që banka e nivelit të dytë nuk ka kthyer kredinë brenda ditës të marrë nga Banka e Shqipërisë, atëherë kredia brenda ditës konvertohet në kredi njëditore me të njëjtin kolateral. Banka e Shqipërisë njofton bankën përkatëse për kredinë automatike të akorduar si dhe për bllokimin e kolateralit. Përtej nevojës për të pasur kolatateral të mjaftueshëm për garantimin e kredisë njëditore, nuk ka kufizim mbi shumën që një bankë mund të marrë kredi njëditore.


d. Maturimi dhe interesi i instrumentit

Maturimi i instrumentit të kredisë është njëditor. Interesi bashkë me shumën i paguhen Bankës së Shqipërisë ditën vijuese të punës dhe shtyhet për ditën e parë të punës në rast se dita vijuese është pushim.Interesi i kredisë njëditore është i paralajmëruar dhe llogaritet me bazë 365 ditë. Kjo normë është 75 përqind më e lartë se norma e marrëveshjeve të riblerjes dhe të anasjellta të riblerjes me maturim shtatë ditë të miratuar nga Këshilli Mbikqyrës.


III. INSTRUMENTET MBËSHTETËSE

Për bankat që janë me mungesë likuiditeti por financiarisht të qëndrueshme, Banka e Shqipërisë mund të akordojë kredi lombard.


KREDIA LOMBARD

a. Lloji i instrumentit

Kredia lombard është instrument borxhi, qëllimi i të cilit është të ndihmojë bankat e nivelit të dytë në kapërcimin e problemeve të përkohshme të likuiditetit. Ajo përfaqëson mundësinë e fundit kredituese për bankat dhe për rrjedhojë është kredia me normë interesi më të lartë.

b. Natyra ligjore e instrumentit

Kredia lombard është e formës së kredisë së kolateralizuar dhe akordohet pas miratimit të kërkesës zyrtare, bërë nga banka e nivelit të dytë. Kredia lombard miratohet nga Komiteti i Zbatimit të Politikës Monetare të Bankës së Shqipërisë.

c. Kushtet e përdorimit të instrumentit

Banka që paraqet kërkesë për kredi lombard, duhet të shoqërojë këtë kërkesë me një raport ku detajohen shkaqet për mungesën e likuiditetit, veprimet e ndërmarra për shfrytëzimin e burimeve të mundshme të likuiditetit, një listë të garancive që do të paraqesë në Bankën e Shqipërisë për sigurimin e kredisë; një plan veprimi për daljen nga situata e mungesës së likuiditetit si dhe një projektplan të lëvizjes së fondeve gjatë kohës së shfrytëzimit të kredisë lombard.

Kredia lombard mund të përdoret vetëm një herë në çdo tre muaj. Shuma më e madhe, që një bankë e nivelit të dytë mund të përfitojë me anë të kredisë lombard, qëndron midis 20 për qind të kapitalit të paguar dhe 2 për qind të depozitave në lekë, sipas gjendjes më të fundit të bilancit të paraqitur prej saj në Bankën e Shqipërisë. Kredia akordohet në ditën që miratohet nga Banka e Shqipërisë. Në rast moskthimi të kredisë në përfundim të afatit të caktuar, bankës nuk i lejohet të marrë asnjë lloj tjetër kredie në tremujorin pasardhës.

d. Maturimi dhe interesi i instrumentit

Afati maksimal i maturimit të kredisë lombard është deri në tre muaj. Kredia bashkë me interesin i kthehet Bankës së Shqipërisë në përfundim të afatit të caktuar në miratimin e kredisë lombard. Interesi i kredisë lombard është 6.00 përqind (me bazë vjetore) mbi interesin e marrëveshjeve të riblerjes dhe të anasjellta të riblerjes me maturim shtatë ditë të miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë. Bankat njoftohen paraprakisht për çdo ndryshim në normën e interesit.

IV. MINIMUMI I REZERVËS

TË PËRGJITHSHME

Rezerva e detyruar është instrument i politikës monetare të Bankës së Shqipërisë, e cila synon rregullimin e likuiditetit të sistemin bankar dhe stabilizimin e normave të interesit në tregun e parasë.

Shuma e rezervës minimale mbajtur nga çdo bankë përcaktohet në varësi të bazës së rezervës duke aplikuar normën e rezervës së detyruar. Kjo normë është e njëjtë si për detyrimet në lekë edhe për detyrimet në valutë. Aktualisht norma e rezervës së detyruar është 10 për qind.

Sistemi i rezervës së detyruar në lekë i aplikuar nga Banka e Shqipërisë i lejon bankat të përdorin një nivel të caktuar të rezervës në bazë ditore, aktualisht 40 për qind, duke vendosur detyrimin e mbajtjes së nivelit mesatar mujor të rezervës minimale të detyruar jo më të vogël se niveli i rezervës së detyruar, e matur kjo në ditën e fundit të periudhës së mbajtjes. Rezervat e detyruara në lekë të bankave remunerohen me një normë që përcaktohet me bazë normën e marrëveshjeve të riblerjeve me maturim njëjavor, ndërsa rezervat e detyruara në valutë remunerohen me një normë që lidhet me normën bazë të Bankës Qendrore Evropiane dhe Bankën Federale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. INSTITUCIONET SUBJEKTE TË REZERVËS SË DETYRUAR

Subjekt i rezervës së detyruar janë të gjitha bankat dhe degët e bankave të huaja që janë të licensuar nga Banka e Shqipërisë dhe ushtrojnë aktivitetin e tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë si dhe kanë llogari në sistemin e pagesave të Bankës së Shqipërisë.

Bankat që plotësojnë kriteret bazë (të jenë të licencuara nga Banka e Shqipërisë dhe të kenë llogari në sistemin e pagesave të saj), por që janë vendosura në likuidim, përjashtohen nga detyrimi për mbajtjen e rezervës së detyruar. Nga detyrimi i mbajtjes së rezervës së detyruar përjashtohen edhe bankat, të cilave iu revokohet licenca.

PËRCAKTIMI I MINIMUMIT TË REZERVËS SË DETYRUAR

a. Baza e rezervës.

Baza e rezervës përfshin detyrimet që rezultojnë nga pranimi i fondeve nga bankat, të pasqyruara në bilancin kontabël të tyre, në lekë dhe në valutë. Baza e rezervës në valutë përbëhet nga detyrimet në dollarë dhe detyrimet në euro, ku detyrimet në euro krahas detyrimeve në monedhën e përbashkët përshijnë të gjitha detyrimet në monedha të tjera përveç dollarit të konvertuara me kursin fiks të Bankës së Shqipërisë në ditën e fundit të periudhës bazë.

Për bankat subjekt i rezervës së detyruar, të dhënat e bilancit referuar fundit të një muaji kalendarik (periudhës bazë) përdoren për të përcaktuar bazën e rezervës për periudhën e mbajtjes, që fillon gjatë muajit pasues kalendarik.

Të dhënat e bilancit kontabël raportohen në Bankën e Shqipërisë sipas frekuencës, sipas formatit dhe sipas afateve të përcaktuara brenda kuadrit të raportimit statistikor.

b. Norma e rezervës

Norma e rezervës së detyruar është përqindja e bazës së rezervës së detyruar e cila mbahet në Bankën e Shqipërisë. Aktualisht kjo normë është 10 për qind. Banka e Shqipërisë mund të ndryshojë në çdo kohë normën e rezervës së detyruar me vendim të Këshillit Mbikëqyrës të saj. Ndryshimet në normën e rezervës njoftohen nga Banka e Shqipërisë 30 ditë përpara fillimit të periudhës së mbajtjes të rezervës së detyruar.

c. Llogaritja e rezervës së detyruar.

Niveli i rezervës së detyruar që secila nga bankat mban gjatë periudhës së mbajtjes, llogaritet duke aplikuar normën e rezervës së detyruar për çdo kategori të detyrimeve të përfshira në bazën e rezervës.

MBAJTJA E REZERVËS SË DETYRUAR

Bankat mbajnë rezervën e detyruar në llogaritë e tyre rezervë në lekë dhe në valutë (në euro dhe në dollarë amerikan) në Bankën e Shqipërisë. Periudha e mbajtjes së rezervës së detyruar është 1 (një) muaj. Ajo fillon nga dita e 24-t e muajit që pason periudhën bazë dhe përfundon në ditën e 23-të të muajit pasues.

PËRDORIMI I REZERVËS SË DETYRUAR

Gjatë periudhës së mbajtjes, bankat kanë të drejtë të përdorin vetëm rezervën e detyruar në lekë, me kusht që mesatarja e gjendjes së llogarisë rezervë ditën e fundit të periudhës së mbajtjes të mos jetë nën nivelin e rezervës së detyruar.

Masa e rezervës së detyruar, e cila mund të përdoret në një ditë nga bankat shprehet në përqindje të rezervës së detyruar dhe përcaktohet me vendim të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë si dhe njoftohet të paktën 30 (tridhjetë) ditë pune përpara fillimit të periudhës së mbajtjes. Aktualisht masa e përdorimit është 40 për qind e rezervës së detyruar.

REMUNERIMI I REZERVËS SË DETYRUAR

Banka e Shqipërisë, për periudhën e mbajtjes së minimumit të rezervës së detyruar të bankave, në lekë dhe në valutë, u paguan bankave të nivelit të dytë interesa në llogaritë përkatëse në Bankën e Shqipërisë. Interesi për remunerimin e rezervës së detyruar kalohet në llogaritë rezervë të bankave në ditën pasardhëse të ditës së fundit të periudhës së mbajtjes të rezervës së detyruar.

Normat e remunerimit të rezervës së detyruar në lekë dhe në valutë përkatësisht, përcaktohen me vendim të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe njoftohen të paktën 30 (tridhjetë) ditë pune përpara fillimit të periudhës së mbajtjes.

Aktualisht rezerva e detyruar në lekë remunerohet me normë interesi 70 për qind të normës bazë të marrëveshjeve të riblerjes me maturim njëjavor, rezerva e detyruar në euro remunerohet me normë interesi 70 për qind të normës bazë të Bankës Qendrore Evropiane ndërsa rezerva e detyruar në dollar amerikan remunerohet me normë interesi 70 për qind të normës bazë të Bankës Federale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Niveli i normave bazë referencë të përmendura më lart përkon me nivelin e tyre në ditën e fundit të periudhës bazë.

RAPORTIMI I BAZËS SË REZERVËS SË DETYRUAR

Raportimi i të dhënave bëhet sipas formatit, sipas frekuencës dhe sipas afateve të përcaktuara. Data e fundit e raportimit të rezervës së detyruar është data 15 e çdo muaji. Raportimi i bankës së nivelit të dytë kontrollohet nga Banka e Shqipërisë për saktësinë e tij.

SANKSIONET PËR MOSPLOTËSIMIN E REZERVËS SË DETYRUAR

Detyrimet nga mosplotësimi i minimumit të rezervës së detyruar vijnë nëse:

   gjendja mesatare e llogarisë rezervë në lekë të bankës, gjatë periudhës së mbajtjes, është më e vogël se rezerva e detyruar për periudhën korresponduese.
   në ditën e parë të periudhës së mbajtjes së rezervës së detyruar në euro dhe/ose në dollarë amerikanë, gjendja e llogarisë rezervë të bankës sipas monedhave përkatëse është më e vogël se niveli i rezervës së detyruar.
   në rast se, pas periudhës së mbajtjes së rezervës, verifikohet mospërputhja në vlerë monetare më shumë se 1,000 (një mijë) lekë (ose ekuivalenca e shumës në euro dhe në dollarë) e të dhënave të raportuara për rezervën e detyruar me të dhënat e bilancit kontabël të raportuar dhe/ose me të dhënat e marra nga inspektimet në vend të bankës.
   në rast se banka e nivelit të dytë nuk raporton brenda afatit të përcaktuar, atëherë niveli i rezervës së detyruar përcaktohet në masën 10 (dhjetë) për qind më i lartë se niveli i rezervës së detyruar të bankës në raportimin e fundit të saj, por jo më i lartë se 700 milionë lekë (ose ekuivalenca e kësaj shume në euro dhe në dollarë). Në rast se niveli faktik por i paraportuar i rezervës së detyruar, i verifikuar nga Banka e Shqipërisë pas fillimit të periudhës së mbajtjes, rezulton më i lartë se niveli i përcaktuar më lart, atëherë bankës i vendoset detyrimi për raportim të gabuar.


Sanksionet e aplikuar aktualisht për mosplotësimin e rezervës së detyruar janë:

Për mosplotësim të rezervës së detyruar në lekë:

600 (gjashtëqind) pikë bazë më i lartë se norma bazë e interesit të Bankës së Shqipërisë në ditën e fundit të periudhës bazë, por jo më i lartë se dyfishi i normës bazë të Bankës së Shqipërisë.

Për mosplotësim të rezervës së detyruar në dollarë:

200 (dyqind) pikë më i lartë se norma bazë e interesit të Bankës Federale të SHBA në ditën e fundit të periudhës bazë por jo më i lartë se dyfishi i normës bazë të interesit të Bankës së Shqipërisë.

Për mosplotësim të rezervës së detyruar në euro:

200 (dyqind) pikë më i lartë se norma bazë e interesit të Bankës Qendrore Evropiane, në ditën e fundit të periudhës bazë por jo më i lartë se dyfishi i normës bazë të interesit të Bankës së Shqipërisë.

Krahas vendosjes së gjobave me karakter financiar, çdo veprim i bankave në kundërvajtje me rregulloren e rezervës së detyruar, përbën shkelje të dispozitave të ligjit për bankat e nivelit të dytë dhe është subjekt i sanksioneve të tjera të parashikuara në këtë ligj.