Prelude (libër)

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Prelude Autore: Silvana Berki. Botuesi: Toena. Faqet e librit 206.

Vëllimi poetik nuk mund të krahasohet më tej se një konfigurim qyteti. Ai përbën jetën e parë urbane të njerëzimit ku dëgjohen çekanët e zemrës. Vëllimi i Silvana Berkit, që po i vjen për herë të parë lexuesit, nuk mund të përjashtohet sigurisht nga kjo paraqitje e parë urbane. Lexuesi do të përpiqet ta zbulojë çdo poezi si një ngrehinë më vete. Me një arkitekturë të veçantë, e cila të jep një tablo më të plotë dhe më të përgjithshme. Mund të gjesh në këtë libër sheshin e pushimit, vendet e takimeve të dashurisë, murin ku është kthyer mbrapsht fjala, rrugët, madje edhe sallën ku njerëzit shkojnë për të bërë divorcin, ose ndahen politikisht nga njëri-tjetri. Dhe kjo ndodh sa herë që kënga arrin të "urbanizojë" si një nevojë zhvillimi edhe jetën e brendshme të njeriut. Copëzim shprehës dhe fytyrë e plotë individuale e seksit të dytë, si e quajnë shpesh gruan, megjithëse është e para që sjell njeriun. Mjafton kjo që të gjendesh përpara një polemike të madhe, që kësaj here ka rënë në jetën dhe në zemrën e Silvana Berkit. Silvana Berki vjen për të treguar të vërtetat e saj nëpërmjet pulsimeve poetike, që bashkojnë dy je të jetës: një j i kësaj jete është Shqipëria dhe një j tjetër është Finlanda. Lexuesi ka mundësi të përfytyrojë nëpërmjet këtyre kufijve, ekzilet e mëdha të njerëzimit, të cilat, në Shqipëri, vazhduan edhe pas viteve ’90 të shekullit që sapo kemi përcjellë. Në këtë vizion lëvizës, çdo lexues mund të ndjekë me ëndje këtë copëzim poetik, që i ngjan vetë kontinentit ku është ngjizur dhe që po përpiqet të bashkohet në një të tërë… Kësaj here, dhe ndoshta që në fillim të botës, duke grupuar njësoj si shtetet edhe poezitë e një vëllimi të vetëm.