Qyteti si sistem

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Qyteti si sistem-  pjesë e fokusit studimor të gjeografisë urbane[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Termi ”sistem” nënkupton marrëdhënie e procese brenda  një tërësie/entiteti kompleks dhe në një kontekst edhe më të gjerë[1]. Përcaktimi “qyteti si sistem” ndeshet në përkufizimin që i bëhet specifikës studimore të gjeografisë urbane, ku në mënyrë shumë sintezë objekti i studimit të saj si degë e gjeografisë humane përcaktohet si “studimi i qytetit si sistem brenda një sistemi qytetesh”[2].

Objektin e studimit të gjeografisë urbane studjues të njohur të fushës e përcaktojnë në mënyra të ndryshme, si psh.: “……studim i përqendruar tek qytetet në mbarë botën, me fokus të vecantë në ngjashmëritë dhe ndryshimet midis dhe në vendbanimet urbane”[3] ose “…identifikim dhe spjegim i shpërndarjes së qyteteve dhe ngjashmërive socio-hapësinore apo kontrasteve që ekzistojnë në dhe midis tyre[4].  Edhe pse   në këto përkufizime nuk evidentohet dukshëm qasja e mësipërme sintezë ndaj objektit të studimit të gjeografisë urbane, ideja është gjithsesi prezente, pasi qytetet i formojnë tiparet e tyre në procesin e funksionimit si sistem dhe po ashtu si pjesë një sistemi qytetesh.

Qyteti në këndvështrime të ndryshme studimore[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Qyteti vlerësohet si një nga krijesat më komplekse të qenies njerëzore. Rrjedhimisht ai nuk mund të konceptohet vetëm nga një këndvështrim por nga shumë këndvështrime që  bëjnë të mundur të rroken të gjithë aspektet e atij entiteti që quhet qytet.[5] Kështu, ekonomistët urbanë fokusohen tek mundësia që ofron qyteti për përqendrim të aktiviteteve ekonomike duke reduktuar kostot dhe rritur efiçensën e sipërmarrjeve; arkitektët dhe urbanistët e konceptojnë qytetin si një tërësi fizike që bën të mundur që të qarkullojnë mallrat, kapitali, njerëzit dhe informacioni; sociologët e konceptojnë si një tërësi marrëdhëniesh sociale; studjuesit e shkencave politike  si një njësi administrative ku kërkohet menaxhim i të mirave publike etj[6] .

Qasje sistemike  mbi qytetin[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

-         Teoria e tre qyteteve[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kjo teori[7] sjell një qasje sistemike  për qytetin  dhe e konsideron atë si një tërësi të përbërë nga tre pjesë. Këto pjesë konsiderohen nënsisteme duke i emërtuar:  nënsistemi fizik (që përfaqëson kapacitetin e shoqërisë për të konfiguruar e organizuar hapësirën); nënsistemi funksional (që përfaqëson një tërësi aktivitetesh dhe ku intensiteti i flukseve të mallrave, kapitalit, njerëzve dhe informacionit, mund arrijë vlera shumë të larta); nënsistemi psiko-perceptues (që përfaqëson raportin midis qytetit e banorëve të tij, mënyrës si ata e përceptojnë  qytetin jo vetëm si imazh por edhe në thelbin e tij, varësisht nga përkatësia e tyre në kategori të ndryshme të të popullsisë). Qyteti funksionon në sajë të përshtatjes e bashkëveprimit të këtyre tre nënsistemeve. Kjo qasje ndihmon të kuptohet se përse në disa periudha qyteti zhvillohet apo në disa të tjera ky zhvillim ndalet apo pëson regres.

-         Qyteti si ekosistem[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ekosistemi konceptohet si  një kuadër holistik për të kuptuar ndikimin human në pjesën johumane të botës, pra marrëdhënien midis shoqërisë dhe natyrës[8]. Ekziston një qasje  për qytetin që e përcakton atë si një ekosistem me përbërës abiotikë dhe biotikë. Të analizosh qytetin si ekosistem sipas kësaj qasjeje, do të thotë të studjosh fluksin e energjisë, materialeve dhe informacionit së bashku me marrëdhënien midis pjesës humane dhe johumane të sistemit.[9]  

-         Qyteti si organizëm[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ekziston një qasje sistemike që e koncepton qytetin si një organizëm me të gjitha organet e tij jetësore që ushqehet dhe gjeneron mbetje, pra që ka metabolizmin e tij[10]. Ky metabolizëm i qytetit dhe efikasiteti i tij, është i rëndësishëm për të reduktuar gjurmën ekologjike të qyteteve, e cila përcaktohet si  sasia e tokës së nevojshme për ta mbështetur atë, duke siguruar lëndë të parë për ushqim dhe  për të përpunuar  mbetjet që ai gjeneron.[11] Sipas Kennedy etj.[12] metabolizmi urban mund të përcaktohet si shuma e proceseve teknike dhe social-ekonomike që zhvillohen në qytete duke rezultuar në zhvillim, prodhim energjie dhe eleminim të mbetjeve.



[1] Newman.P., Jennings.I., Cities as sustainable ecosystems- principles and practices, Island Press

[2] Paccione.M., Urban geography, a global perspective”, Routledge, 2009

[3] Knox.P.L., Marston.S. A., Human geography, places and regions in the global context,  Pearson, 2007

[4] Paccione.M., Urban geography, a global perspective”, Routledge, 2009

[5] Macionis.J.J., Parillo.V.N., Cities and urban life, Pearson, 2007

[6] Rinella. A., Racontare la citta, Progedit, 2002

[7] Rinella. A., Racontare la citta, Progedit, 2002

[8]   Gregory.D., Johnston.R., Pratt.G., Watss.M., Whatmore.S.,  The dictionary of human geography, Wiley-

  Blackwell  2009

[9]   Newman.P., Jennings.I., Cities as sustainable ecosystems- principles and practices, Island Press, 2008

[10]  Register.R., Ecocities-rebuilding cities in balance with nature, New Society Publishers, 2006

[11] Newman.P., Jennings.I., Cities as sustainable ecosystems- principles and practices, Island Press, 2008

[12] Chrysoulakis.N., Anselmo de Castro.E., Moors. E.J., Understanding urban metabolism: A tool for urban planning,  

  Routledge, 2015