Shane Korbeci

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Shane Korbeci ishte Ministër i Tregtisë së Jashtme i Shqipërisë gjatë periudhës 23 nëntor, 1982 - 22 shkurt, 1991.

Shane Korbeci ka lindur në vitin 1942 në fshatin Kolonjë të Gjirokastrës. Ka përfunduar arsimin e mesëm në shkollën politeknike “7 nëntori” në Tiranë, i vlerësuar me rezultatin “Tabela e Artë”. Në vitin 1960 ka filluar studimet në degën e Inxhinierisë Mekanike në Hungari, të cilën, për arsye të politikave ndërshtetërore, arriti ta përfundonte në Shqipëri. Pas diplomimit, në periudhën që u përket viteve 1966-1975, ai ka punuar në profesionin e tij si inxhinier mekanik në uzinën “Traktori” në kryeqytet. Në atë periudhë, për rritjen e profesionalizmit të tij në fushën e inxhinierisë, ai ka kryer dhe dy specializime në Kinë. Në vitet 1975 – 1982 Shane Korbeci ka ushtruar detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Ndërmarrjes së Makina-Importit, ndërsa në vitin 1982 ai arrin kulmin e shkëlqimit të karrierës së vet, duke u emëruar ministër i Tregtisë së Jashtme të Shqipërisë. Këtë funksion ai e ushtroi për dhjetë vjet, pra deri në 12 qershor të vitit 1991, kur u rrëzua qeveria “Nano 2” dhe u krijua Qeveria e Stabilitetit.