Shqipëria ç´ka qenë, ç´është e ç´do të bëhet

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Shqipëra ç'ka qenë, ç;është dhe ç'do të bëhet është një nga veprat madhore të Rilindjes, manifesti politik e ideologjik i saj. U botua në Bukuresht1899, në prag të ngjarjeve të mëdha do të çonin në fitoren e pavarësisë. Për këtë, shqiptarët duhet të ishin të përgatitur, të kishin programin e luftës dhe të ndërtimit të shtetit të ri. Duke përgjithësuar përvojën e gjeratëhershme të lëvizjes kombëtare, kjo vepër e plotësonte më së miri këtë mision. Siç tregon titulli, vepra përbëhet nga tri pjesë.

Pjesa e parë[redakto | redakto tekstin burimor]

I kushtohet historisë së kaluar të Shqipërisë. Qëllimi i autorit është të provojë se populli shqiptar është nga popujt më të vjetër të Evropës, me një gjuhë nga më të vjetrat e më të bukurat, me kulturë e tradita të pasura, që ka të drejtë të jetojë i lirë në mes të popujve të tjerë dhe kombeve të qytetëruara. Si shumë rilindës të tjerë, Samiu mbron origjinën pelazgjike të popullit shqiptar.

Një vend me rëndësi i jep në këtë pjesë figurës së Skënderbeut dhe epokës së tij. Skënderbeun e cilëson si një burrë që i ka shokët e rrallë në histori, kurse për epokën e tij shkruan se "është m'ë bukur e m'ë bekuar e gjithë kohërave për vendin tënë„, se atëherë i gjithë kombi ishte i bashkuar dhe u nderua në gjithë botën. Kjo është një nga synimet kryesore të veprës; të forcojë te shqiptarët ndërgjegjen dhe krenarinë kombëtare.

Pjesa e dytë[redakto | redakto tekstin burimor]

Jep me nota tronditëse një tablo realiste të Shqipërisë pas Tanzimatit. "Qysh janë sot shqiptarët?„-pyet Samiu me shqetësim dhe tregon se gjendja e vendit është e mjeruar nga çdo pikëpamje. Burimin e këtij mjerimi ai e sheh në rradhë të parë te zgjedha e huaj, që e ka lënë vendin në varfëri, padituri, dhe errësirë. "Shqiptarët, - shkruan Samiu, - janë robër të poshtuar(poshtëruar) e t'unjurë, të shkelur e të çpërnderë (turpëruar).

Përshkrimi është edhe më i gjallë në kontrast me të kaluarën, të cilën në përgjithësi autori e idealizon. Ndaj dhe stili bëhet më zemërak, vepra e patriotit vlon nga revolta kundër shtypjes kombëtare. Ata shqiptarë të veshur dikur me "roba të arta„ e të farkëtuar me armët e argjendta të trimërisë, shkruan Samiu, "Janë sot lakuriq, me një këmishë që që s'ka ku ta zërë qeni. Vetë edhe zaptieja e taksidari, e ngre shkopnë e i rreh duke thirrur; Pagoni! E ku të gjejë i ziu që të paguajë? Atëherë shesin kanë, dhinë, ç'të kenë, edhe gjer në qeramidhet e shtëpisë„.

Vend të rëndësishëm zë analiza që Samiu u bën rreziqeve që i kanoseshin Shqipërisë.

Si gjithë rilindësit, ai mendonte se rreziku i parë Shqipërisë i vinte nga Perandoria Osmane, të cilën Samiu e quante një të vdekur që duhej varrosur sa më parë. Sa më gjatë të mbetej lidhur Shqipëria me këtë perandori të kalbur, aq më keq do të ishte. Shteti osman do të shembej së shpejti dhe Shqipëria mund të groposej në gërmadhat e tij. Rreziku tjetër, mendon Samiu, shqiptarëve u vinte prej lakmive të shovinistëve fqinjë, lakmi që i mbështetnin fuqitë imperialiste.

Rreziqe të mëdha shqiptarëve edhe prej grindjeve e përçarjeve midis tyre, sidomos prej përçarjes fetare, gjithashtu prej padijes, prej mungesës së shkollave shqipe. Këto rrethana i hapnin shteg rrezikut të asimilimit të shqiptarëve prej të huajve.

Pjesa e tretë[redakto | redakto tekstin burimor]

Fillon me pyetjen: "A mund të qëndrojë Shqipëria si është? Përgjigjja është, jo„. Në përgjithësi në këtë pjesë Samiu paraqet programin e lëvizjes për të ardhmen e Shqipërisë.

Nga analiza që u bëri rrethanave politike në fund të shekullit XIX, Samiu arriti në përfundimin se rruga e vetme për të shpëtuar nga zgjedha osmane dhe nga rreziku i copëtimit prej shteteve fqinje ishte që Shqipëria të shkëputej nga Turqia menjëherë, para se ajo të shembej dhe shqiptarët të formonin shtetin e tyre të pavarur. Autori mendonte se kjo s'arrihej me lutje, por me rrugën e luftës së armatosur. "Shqiptarët duhet t'i marrin ato që duan me pahir, t'i kërkojnë me fjalë, po të kenë edhe pushkën plot„.

Si mendimtar demokrat dhe iluminist, Samiu parashtron një projekt të gjerë me ide të përparuara për të ardhmen e Shqipërisë. Ai nuk e pranon idenë e monarkisë. Si formë regjimi sipas tij, Shqipëria duhet të ishte republikë parlamentare që do të kishte në krye një pleqësi. Kushtetuta e shtetit të ardhshëm shqiptar që propozonte Samiu, përshkrohet nga fryma demokratike. Ideali i tij për këtë shtet ishte ideali i një demokracie borgjeze. Si shprehës i pikëpamjeve të klasës së re të borgjezisë, ky ishte një ideal i përparuar për kohën, sepse ai i kundërvihej shtetit despotik osman.

Shumë i guximshëm e i përparuar për kohën ishte projekti i Samiut edhe për zhvillimin ekonomik e shoqëror të vendit. Ai kërkonte të ngrihej një industri kombëtare, të mëkëmbej bujqësia, të zhvillohej komunikacioni automobilistik dhe hekurudhor, të forcohej mbrojtja etj. Vëmendje të veçantë Samiu i kushtonte zhvillimit të arsimit e të kulturës shqiptare. Si gjithë rilindësit, ai kishte bindjen se ajo që u duhej më shumë shqiptarëve ishte dituria. Për përhapjen e saj ai kërkonte një sistem arsimi të përgjithshëm e të detyrueshëm për të gjithë, djem e vajza. Arsimin e donte në gjuhën amtare shqipe dhe shkolla të ishte laike, e shkëputur nga kisha e xhamia, një shkollë që të shërbente si vatër diturie dhe atdhetarizmi.

Samiu ëndërronte Shqipërinë me shkolla të të gjitha kategorive, me universitet ("gjithëmësime„ siç e quante ai), me akademi të shkencave, muzeume e biblioteka.

Siç shihet, në veprën "Shqipëria ç'ka qënë, ç'është e ç'do të bëhet„ gjeti shprehje mendimi shqiptar më i përparuar politiko-shoqëror i kohës. Me këtë vepër Samiu u bë ideologu më i shquar i lëvizjes kombëtare shqiptare. Vepra e tij është një traktat politiko-shoqëror, megjithatë ajo ka vlera të mëdha stilistike, një gjuhë e gjallë, e shprehëse. Stili i prozës së Samiut është energjik, herë polemist, herë fshikullues e herë me patos thirrës e mobilizues. "O burrani o shqiptarë ! Zihuni me të dy duart në besë, në lidhje e në bashkim, se kjo do t'ju shpëtojë!„

Fraza e Samiut është e qartë, me mjete gjuhësore plot ngarkesë emocionale. Mbasi ka parashtruar krejt programin e tij, ja si e mbyll veprën; "Ja qëllimi ynë! Ja puna jonë e shenjtëruarë! Ja besa jonë! Në mes të shqiptarëve të vërtetë s'ka ndonjë ndarje, ndonjë çarje, ndonjë ndryshim! Janë të tërë vëllezër, të gjithë një trup, një mendje, një qëllim një besë!„

Kjo vepër solli një ndihmesë të madhe për pasurimin e gjuhës letrare shqipe dhe për formimin e stilit publicistik. Samiu vdiq në Stamboll1904, i përndjekur nga autoritetet dhe i respektuar nga populli dhe opinioni përparimtar.