Si i mëson Gertruda fëmijët e vet

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Si i mëson Gertruda fëmijët e vet (gjermanisht: Wie Gertrud ihre Kinder lehrt) është kryevepra e pedagogut Johann Heinrich Pestalozzi botuar në vitin 1801, me titullin e veprës që u zgjodh nga botuesi pa dijeninë e autorit. Kjo vepër e Pestalozzit ishte "një përpjekje për të ndihmuar nënat se si të mësojnë fëmijët e tyre," megjithëse për shkak të terminologjisë së vështirë, libri u tregua më i përshtatshëm për mësimdhënësit (sidomos për mësimdhënësit e arsimit fillor) se sa për nënat.[1]

Përmbledhje[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Vepra e Pestalozzit me titull, Si i mëson Gertruda fëmijët e vet është libër që kishte një ndikim të thellë në opinionin profesional dhe praktikën e arsimore duke tërhequr një rreth të gjërë lexuesish. Vepra është shkruar në formën e 14 letrave të shkruara nga Pestalozzi për mikun e tij Heinrich Gessner, një libërlidhës nga Berna. Në 3 letrat e para Pestalozzi flet për planet dhe arritjet e tij edukative dhe arsimore (më konkretisht flet se si Pestalozzi, Krüsi, Tobler dhe Büss arritën në situatën në të cilën ndodheshin në Burgdorf). Në letrat 4, 5 dhe 6 flet me një qëndrim kritik për edukatën dhe arsimin deri në kohën e tij si dhe paraqet pikëpamjet e përgjithshme pedagogjike, në letrat 7 dhe 8 flet për elementet e mësimit si bazë e të nxënit në përgjithësi, në letrat 9,10 dhe 11 flet për të vërejturit (intuitën) si parim themelor të të nxënit (mësimit), në letrën 12 flet për formimin e shkathtësive punuese si dhe ato të edukimit fizik, ndërsa dy letrat e fundit flasin për edukimin moral dhe religjioz. Qëllimi i Pestalozzit në këto letra ishte të tregonte se, duke reduktuar njohuritë në elementet e saj dhe duke ndërtuar një sërë ushtrimesh të renditura psikologjikisht, çdokush mund t'i mësonte fëmijët e tij në mënyrë efektive.[2]

Për shkak të suksesit të veprës, njerëz nga të gjitha anët e Zvicrës dhe Gjermanisë erdhën për të parë shkollën e tin në Burgdorf. Si rezultat i kësaj, shkolla u rrit, por Pestalozzi ende ndjente se nuk po bënte mjaftueshëm dhe aq sa duhej. Edhe pse kishte edhe një sukses financiar, shkolla nuk mundi të bënte atë që dëshironte Pestalozzi: edukimin dhe arsimimin e fëmijëve të varfër. Ai i komunikoi qeverisë zvicerane se do të dëshironte më shumë mundësi për të arsimuar të varfërit. Si përgjigje, qeveria dërgoi dy komisionerë për të vlerësuar punën e tij arsimore dhe edukative, dhe pas shqyrtimit të tyre të favorshëm, qeveria vendosi të transformojë shkollën e Pestalozzit në një institucion kombëtar të arsimit. Stafi i kësaj shkolle tani do të merrte paga fikse dhe paratë do të shpenzoheshin për botimin e teksteve shkollore të shkruara nga Pestalozzi dhe stafi i tij. [3]

Shih edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Pestaloci - Biografia e shkurtër nga M. Smith Arkivuar 5 janar 2009 tek Wayback Machine (PestalozziWorld.com)
  2. ^ Green, John Alfred (1905), The Educational Ideas of Pestalozzi (në anglisht), WB Clive.
  3. ^ Biography Arkivuar 16 prill 2008 tek Wayback Machine-(Heinrich-Pestalozzi.de)-

Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]