Starja

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Starja, në trevën e Kolonjës, përhapet gjatë e gjerë në këmbët e masivit të malit Gramoz.

Historia[redakto | redakto tekstin burimor]

Siç thuhet nga studiues e shprehet në gojëdhëna, është një ndër vendbanimet e hershme ku janë përtërirë breza, të cilët kanë lënë gjurmë të shquara në procesin historik. Dikur emrin vendbanimi i vjetër e ka pasur Plakas, por me dyndjet sllave aty nga shekulli VIII u pagëzua Starja(perkthim i fjalës shqipe plak-i vjetër në gjuhët sllave).

Në një shkrim të shkrimtarit të mirënjohur, Spiro Comora, mësojmë se ai duke gërmuar në një bibliotekë encikpoledike greke, pat hasur në një material ku shprehej se Starja, fshat i madh për kohën, banohej nga një varg lagjesh dhe ka pasur një zhvillim ekonomik e kulturor të lavdërueshëm. Aty nga shekulli XV ka pas qënë si kryeqëndër administrative, ku përfshiheshin një tok vendbanime të krahinës, me rreth 40 fshtara. Flitej se banonin më tepër se 5000 banorë. Numëroheshin rreth 10 vende për ceremoni besimi (faltore). Bile edhe sot pleq të moçëm, tregojnë se 7-8 emra shenjtësh, kanë mbetur në topomonistikën e territorit ku shtrihet Starja. Mbase për të afirmuar këtë të dhënë, do t’u takonte studiuesve e historianëve, neve na mbetet të përmendim sa sipër.

Gjithsesi, brez pas brezi në këtë qytezë ka gumzhitur jeta si zgjua i shëndetshëm bletësh punëtore. Pllajat, lëndinat, kullotat në shpinë, të pjesës lindore, tokat e punueshme tej e tej afër banesave deri tatëpjetë midis një numri prrenjsh e rrëkesh, pemësh të shumëllojta e shkuresh, sidomos, i jepnin e i japin një hijeshi të veçantë. Kullotat alpine, për rreth ajri aq i pastër e i shëndetshëm, i freskët kanë sjellë e përsëri sjellin, kushte të mira banimi jete. Por si rrjedhim i shumimit të kurorave, familjeve, banorëve, nga koha në kohë, sikurse dhe për shkaqe të tjera ekonomike apo social-politike, kanë prurë largime e emigrime aq të shumta sa fshati i sotëm, po të evidentohen të larguarit, nuk do rrudhej as një e njëqindta e pasardhësve të Starjes që kanë banuar, kanë lënë pasardhësit e tyre e ku jo. Përmenden se sapo matanë Gramozit në faqen tjetër të tij, Zagari, Tuholli, Masllavica, Vernetiku, Kamcua, Sllatina, Pilkati, pjesën më të madhe të vendasve e përbënin starellinjtë. Të tjerë me origjinë nga Starja patën zënë strehë e kanë përtërirë breznitë, në Selenicë, në Bejkovë, në Psarr, në Helmës, po se po në Ersekë e vendbanime të tjera. Shtojmë se kanë pas marrë rrugën e largët, në mërgim drejt Turqisë, Bullgarisë, Greqisë, SHBA-së e deri në vende afrikane e aizatike.

Rëndësi ka të shkruhet, se ngado që kanë shkuar e banuar starellinjtë na kanë bërë emër të mirë, për punëtorë e kulturëmbartës, për krenari e trimëri, për përparim e zhvillim, shumësyresh janë shquar edhe si personalitete në jetën civile e ushtarake. Asnjëherë e për asnjë çast ata nuk kanë qënë të mënjanuar nga fatet e vatanit. Atdheut të shtrenjtë, kanë lënë gjurmë të shquara për vendin ku kanë banuar, kanë dhënë vlera në favor të baltës nga e cila janë larguar. Natyrisht në këtë kuadër vetë banorët autoktone, përherë kanë dhënë shembuj legjendarë. Përmenden shumë burra e djem të Starjes, që janë shembull për atdhetari, progres, dhe zhvillim. Le të përmendim disa: Aty nga mesi i shekullit XVIII, të kenë pas merituar ofiqin e pashajt katër bij të Starjes vëllezërit, Ahmet, Sulejman, Shaqir dhe Ali Rizaj. Çdonjeri prej tyre ka luajtur rol të rëndësishëm si administratorë në elitën shtetërore osmane, kanë komanduar në territore të caktuara apo në ushtri. Posaçërisht Ali pashai, ka qënë një ndër kundërshtarët në zë të përmbysjes së sulltanit në revolucionin e Qemal Ataturkut. Bile, siç pohohet, ka qënë ai që së toku me Sulejman pashën kanë prurë në atdhe nga Stambolli, lejën për hapjen e të parës shkollë shqipe në Korçë më 1888. Figurë tjetër disi e hershme është ajo e Elmaz Xhemit, i cili komandonte një numër të madh kolonjarësh, nën drejtimin e të madhit Zylyftar Poda. Ishte ndër kapedanët që bëri kërdinë mbi osmanllitë më të famshëm në Melesin të Leskovikut në vitet 1830-1835. Kjo përjetohet dhe në folklor ku u thuhet: “Melesini në një brinjë /lufton nipi për daine/ Burrë o Elmaz burrë, i flakë nizamet në furrë…”

I përmendur është edhe patrioti Qani Ypi. Ai në krye të disa bijve të krahinës, la nam me bëmat e tij të shumta pro lirisë e pavarësisë së atdheut në prag të Luftës Ballkanike, në ngjarjet armiqësore të Shqipërisë prej shovinistëve e reaksionit tjetër të zi. U ndesh Qaniu fytafyt me bandat e evzonve. Rrëzoi për fund armiq, ndër të cilët një oficer elen me emrin Pacurre po pasi i lanë me trimat të vrarë e sakatuar, ai mbeti si piramidë për trojet atdhetare. Ra atje në afërsi të Gjonçit, në qafat e Gramozit.

Pasoja e rënime pësoi Starja në vitet e Luftës së Parë Botërore. Rreth 300 banesa të Starjes, në vitet 1912-1914, u kthyen në gërmadha nga armiqtë. U shpërnda popullata, si zoqtë e thëllënxës, ku u dukej vendi më shpëtimtar. U strehuan në pyje e guva, në kushte të jashtëzakonshme për të mbrojtur kokën. Një numër i madh familjesh zunë ullishtet e Vlorës. Atje gjithashtu patën peripecitë më të mëdha. Megjithatë përmendet se bij të Starjes, morën pjesë në luftime së toku me vendasit kundër pushtuesit të shumtë. Edhe armët e tyre lëshuan plumbat në armën e Romës, për të spastruar vendin nga kundërshtarët, për të ngritur flamurin kuq e zi në Vlorën heroike. I lavdërueshëm ishte shembulli patriotik, afërsisht 65 burrave trima të Starjes, që ndodheshin në emigracion në SHBA, mbrrinë e u bashkuan me forcat luftarake për Shqipëri të pavarme.

Figura të spikatura janë shfaqur përherë në skenën e historisë sonë. E kush nuk ka dëgjuar për bejtexhiun e talentuar Hasan Zyko Kamberin. Hasani, i cili me mendjen e tij të ndritur, me talentin e tij, i shkroi dhe këndoi përparimit shoqëror, ironizoi e saterizoi, shfrytëzyesit e keqbërësit. Bejlurcinet e kadilerët, shushunjat e shoqërisë e dallkauket që “për paranë shesin tanë”. Po meriton lavde nderi tok me kolloset e intelektualëve të kohës, starelliut Shahin Kolonja. Ai së toku me kollose të tjerë të pushkës dhe penës, siç qenë Frashellinjtë, Pashko Vasa e Dervish Hima, dha ndihmesën e madhe për mëmëdhenë e shtrenjtë. E madhe e gjithanshme ka qënë kontributi i banorëve të këtij fshati në përkrahje të çetave patriotike të periudhës së Rilindjes Kombëtare,, konkretisht në mbështetje e pjesmarrje në çetat patriotike, sikurse ishin ato të komanduara nga Themistokli Gërmenji e Sali Butka, Spiro Bellkameni e Zalo Prodani. Në lëvizjen fanoliste për Revolucionin Demokratik-Borgjez të 1924, shumë djem e burra të Starjes morën pjesë deri me armë për triumfin e atyre ngjarjeve. Hajrulla Tarja, veteran, pjesëmarrës i atyre ngjarjeve tregonte me emocion e mallëngjim se si rreth 30 bashkëfshatarë lanë kurbetin në SHBA dhe u radhitën me forcat ndërlufuftuese të kohës.

…E lavdishme dhe monumentale mbetet për Starjen, periudha kur shpërtheu urugani i kryengritjes popullore, më 1939 kundër pushtuesve, fashistë, në çastet kur u shpall kushtrimi i bashkimit të popullit për çlirim. Ai fshat me tradita aq të përmendura në histori, nuk mundet të mos tregohej katërcipërisht atdhetar, i gathëm për çdo sakrificë. Megjithë vështirësitë, pengesat edhe për shkak të vendndodhjes në afërsi të kazermave e qëndrave ushtarake të pushtuese përsëri pa marrë parasysh pasojat që do të vinin në ortekun që shpërtheu, u pa mësëmiri shembull pozitiv i këtij vendbanimi. Le ta ilustrojmë me disa shembuj. Pjesëmarrës aktiv në LANÇ ishte Taulla Dume. Ky burrë drejt të 60-ave, luftëtar edhe në çetat patriotike të rilindjes së toku me të katër të bijtë. Hilmiun, Qaninë, Petritin dhe Bakinë, me vajzat Mynevere dhe Shpresa, la shtëpi e katandi, mori rrugën e malit dhe dha kontributin e tij të çmueshëm për çlirim dhe pushtet të ri. Bakiu partizan i orëve të para dha jetën për vatan. Më tej Mehmet Pepi dhe Myftar Tare u thanë fëmijëve “Na falni, një mision tjetër më i madh, Atdheu, na thërret, ndaj prisni pak sa të fitojmë lirinë pa tu vimë për të dhënë mësim, si arsimtarë”. Dhe u nisën në mal për të luftuar. Dhe luftuan, por Mehmeti mbet në frontin e luftës, për të mos vdekur kurrë.

Linin shtëpitë, bashkëshortët, fëmijët, burra të tillë, si Veli Jupe e Kasëm Ballo, Hilmi Ramo e Hasan Tolani, dhe merrnin rrugën e malit bashkoheshin me trimat partizanë. Ngjiteshin armët e rreshtoheshin në çeta e batalione partizane djem të tillë si vëllezërit Baki, Hysen dhe Jaup Shefkiu, vëllezërit Sulo dhe Ali Xhaxho, atë bënin Meço Metko e Mus Memo, Elami Hado e Zenel Xhaxho, vajza trimëreshë Shaniko Jupasi e pionieri trim Ahmet Bektashi që la nam për të mbrojtur idealin partizan…

Gjithashtu nga Starja në luftën për çlirim u radhitën Bajrami e Muhameti, Fetahu e Ibrahim Subiu, Hakiu, Izeti dhe Qerimi, Emini dhe Skënder Qerimi dhe Qemali dhe djem e burra të tjerë. Si gjithandej në rrethin e Kolonjës, që punohet aktivisht për mborjtjen e vlerave e traditave përparimtare e atdhetare, edhe në fshatin Starje, me qëllim që brezat, veçanërisht masa e rinisë, të njihet me të kaluarën, me ngjarjet e figurat e shquara, patriotike e dëshmorët, organizata e veteranëve të LANÇ, zhvillon një veprimtari të gjerë ideopolitike e organizative të shumëanshme.