Thëllëza e malit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Thëllënza e malit)
Rock Partridge

Thëllëza e malit (Alectoris graeca) është shpend i familjes së fazanëve me gjatësi trupi deri 35 cm,krahët e hapur: 46–53 cm dhe peshë deri 700gr. Jeton rreth 20 vjet. Është objekt gjuetie dhe në rajonin e Elbasanit gjendet në Cerujë, Tërbaç, Mamël, Shëngjon, Shpat.[1]

Përshkrimi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Jeton në grupe. Specia është e ngjashme me thëllëzat e tjera. Ndryshon prej tyre nga grykorja e bardhë me një bordurë ndarëse me ngjyrë të zezë midis grykës dhe qafës, nga vetullat e bardha dhe të ngushta të cilat shpesh përshkojnë pjesën ballore dhe një vijë e vogël e zezë që mund të dallohet në fund të nofullës së sipërme.[2]

Përhapja dhe habitati[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Shpend tipik i vendeve malore të pjerrëta me orientim nga jugu, maleve të zhveshur, me bimësi të pakët. Riprodhimi: Folezimi ndodh nga fundi i prillit deri në qershor. Femra lëshon 8-14 vezë dhe periudha e inkubacionit zgjat 24-26 ditë. Të vegjlit janë të aftë për fluturime të vogla në moshën 7-10 ditore dhe të aftë të fluturojnë plotësisht pas 50-60 ditësh.

Ushqimi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ashtu sikurse të gjithë shpendët dhe thëllëza e malit ushqehet me bimë dhe insekte të ndryshme në varësi të vendit ku habiton.

Zëri[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Thirrjet tokësore janë zakonisht tinguj shumë të fortë grykorë, në seri të shkurtra e të çrregullta, që ndërpriten nga një seri ”çi-çekpe- ti-çek”.

Thëllëza e malit mbahet edhe ne kafaze si zog këngëtar.

Specie në zhdukje(faktorët)[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Përveçse është një shpend pjesë e biodiversitetit, pasurisë gjenetike, ajo përfaqëson dhe vetë  kulturen, ku jorrallë herë e hasim në folklor, si në vargjet e këngëve, recitime, poezi etj. Të gjithë  e kemi dëgjuar si emër, pak e kanë parë dhe shumë pak ia dinë hallin, ditët e vështira që po kalon, me një mori faktorësh ndikues të drejpërdrejtë apo tërthorazi në ekzistencën e saj.[3]

Lidhur me problematikën nuk është e lehtë të gjesh materiale, apo ta shtrish diskutimin në plan  të gjerë, pasi mungojnë të dhënat rreth saj. Sot në Shqipëri, të vetmit që kanë informacion rreth saj, janë gjuetarët. Me të drejtë lind pyetja, pse kështu?! Sepse janë grupi më i interesuar rreth saj. Ajo përbën gjuetinë më të vështirë dhe më të bukur, për një pasionant të gjuetisë me zagarë  fluri. Nga bashkërendimi dhe diskutimi i informacioneve të marra gjatë ekspeditave në terren, gjuetarët kanë ngritur shpesh alarmin e pakësimit pothuaj drastik të saj. Sidomos vitet e fundit  shikohet një rënie e menjëhershme e popullatës.[4]

Dikur thëllëza e malit hasej deri në zonat e ulëta kodrinore, për ta gjetur sot të fshehur fort majave, shkrepave, greminave, honeve. Në sistemin e kaluar padiskutim menaxhimi i mjedisit  bëhej me seriozitet dhe efikasitet, duke mundësuar ekosisteme të shëndosha dhe një larmishmëri e shtrirje të gjerë të llojeve. Por me ndryshimet që pasuan pas viteve 90’,problematikat e krijuara preken dhe thëllëzën e malit, duke nisur rrugën drejt një tatëpjete  vështirësisht të rikuperueshme.Një mori faktorësh të bërë bashkë, si:

  • ndryshimi i sistemeve bujqësore; ndarja e tokave, lënia djerr, prishja e sistemeve të vaditjes,  përdorimi i tejskajshëm i pesticideve dhe plehrave kimike etj.
  • urbanizimi; një vrull i madh i ndërtimeve të paplanifikuara, por jo vetëm, zaptuan sipërfaqe  kaq të rëndësishme për jetën e egër.
  • ndotja; keqmenaxhimi i mbetjeve, fabrikat, helmet dhe një mori praktikash bujqësore industriale etj.
  • humbja habitateve; mijëra hekarë pyje të shkatërruara, toka të zëna e sipërfaqe të urbanizuara,  të gjitha në kurriz të jetës së egër.
  • braktisja e kullotave; zaptimi i kullotave nga shkurre, bar i madh dhe pemë,mungesa e kujdesit  ndaj burimeve, lerave krijon kushte të papërshtatshme.
  • gjuetia e paligjshme; mungesa e strukturave dhe efikasitetit të tyre në menaxhimin faunës dhe  gjuetisë, lejuan këdo të vinte dorë mbi pasuritë e vendit, ku përjashtim nuk bëri dhe thëllëza e malit.Vlen për t’u përmendur dhe presioni i madh ndaj saj nga gjuetia turistike, ku në shumicën  e rasteve kryehej në praktika të paligjshme me një impakt tejet negative për llojin.

Për të ardhur sot në një gjendje alarmi, ku zërin e ngrejnë gjuetarët, si për ironi të përjashtuar  nga aktiviteti i gjuetisë dhe menaxhimi i mjedisit. Me vendosjen e moratoriumit, edhe pse u hoq  presioni i gjuetisë turistike mbi të, por jo brakonazhi, ajo ka ardhur në një perkeqësim të vazhdueshëm. Mungesa e strukturave për mbledhjen e të dhënave rreth saj, mungesa e interesit,  mungesa e krijimit të grupeve studimore dhe implementimin e projekteve, nuk lë shpresë për  menaxhimin dhe kujdesin ndaj kësaj pasurie gjenetike të Trojeve Shqiptare.

Sot, përveç menaxhimit të zonave të mbrojtura, nuk ka struktura dhe projekte efikase për  menaxhimin e biodiversitetit në të gjithë pjesët e Shqiperisë. Të vetmet shifra shpendësh të numëruar janë në zonat e mbrojtura, jashtë saj.Nuk ka asnjë interes konkret për mbledhjen  dhe dokumentimin e të dhënave, hartimin dhe zbatimin e projekteve. Në këto kushte, rreziku i  rënies drastike së popullatës së thëllëzës do vijë duke u shtuar. Duhet të kujdesemi sa nuk është  vonë. Nëse e humbim ajo vështirësisht do të popullojë zonat, të cilat i ka braktisur.

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ "Fjalori enciklopedik shqiptar (1985) – Enciklopedia Shqiptare".
  2. ^ Elbasani - Enciklopedi. Sejko. 2003.
  3. ^ https://wiki.shqipopedia.org/wp-content/uploads/skanim-th%C3%ABll%C3%ABza.jpg
  4. ^ "Thëllëza e malit, pasuria gjenetike e trojeve shqiptare drejt zhdukjes".