Vepra (Jul Variboba)

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Vepra me Autor: Jul Variboba. Botuesi: Toena. Faqet e librit 320.

Jul Variboba është një dukuri e re në letërsinë arbëreshe, në kulturën shqiptare dhe në kulturën kristiane të shqiptarëve. Vepra e tij mbyllte një epokë dhe shtronte udhën drejt një epoke tjetër në historinë e letërsisë shqipe, shënonte një thyerje dhe, në të njëjtën kohë, një vazhdimësi në procesin e formimit të letërsisë kulte, mohonte diçka nga tradita e mëparshme dhe pohonte gjithçka nga fryma e saj kristiane e humane, flakte lëvozhgën e saj didaskalike dhe kultivonte bërthamën e shpirtit e të virtytit njerëzor kristian.

Ajo u bë kështu një urë kalimi nga letërsia fetare, utilitare, në letërsinë reflekse, që niset nga dogma për t’i dhënë asaj interpretimin artistik të përjetimit emocional, subjektiv të thelbit të saj hyjnor e njerëzor. Ajo nuk është as një katekizëm, as një diskurs teologjik a epos religjioz për historinë e shenjtë, por është një diskurs artistik për dashurinë dhe dhimbjen njerëzore, për metaforën e misterit të mëmësisë virgjërore.