Vila me dy porta

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Vila me dy porta roman, me Autore Vera Bekteshi. Shtëpia botuese: K & B. Viti i botimit 2009. Faqet e librit 256. ISBN 978-99956-667-8-1

"Vila me dy porta" është një roman dokumentar apo rrëfimi i jetës së autores në një periudhë tronditjesh të forta, që shkojnë nga rinia e parë te spastrimet e viteve 1974 – 1975, nëpër kalvarin e internimeve e deri në vitet pas kthimit të lirisë. I shkruar nga një dëshmitare që jetoi paqen e rreme të majave të pushtetit dhe honet ku e hodhën bashkë me njerëzit më të dashur ligjësia e brendshme e diktaturës ose edhe vetë paranoja e diktatorit. Por pa e humbur asnjëherë humorin dhe besimin te jeta.

Fragment nga libri

Shtëpia ku kaluam fëmininë në Tiranë ishte një vilë e madhe me tri kate dhe me dy hyrje në zonën e të ashtuquajturit Bllok i Udhëheqjes. Në jetonim në hyrjen e dytë, në katin e dytë... Vila kishte një histori dhune që në fillimet e saj dhe kështu do të vazhdonte në vite... Mizoria nga ana e Udhëheqësit të Madh ndoshta kryhej në emër të disiplinës që kërkonte bindje të verbër. Dhe kur "i afërti" nuk të bindet verbërisht, ai duhet të marrë dënim më të rëndë se "i largëti", në mënyrë që të zënë mend të gjithë, të afërm e të largët, të urtë e të marrë, si thotë fjala e urtë shkodrane...

Historikisht në pjesën me mozaikë dhe kopsht të lulëzuar strehoheshin familjet e anëtarëve të Byrosë Politike, që ia lëshonin vendin njëri – tjetrit, duke u shpërngulur jo më në vila të tjera të Bllokut, por të shoqëruar me njerëz me automatikë, në vende të largëta, në shtëpi edhe më të këqija se ato ku banonin tashmë pronarët e vërtetë të vilës, kurse kryetari i familjes strehohej fillimisht në "shtëpinë pa qera", domethënë në burg, derisa mbaronte procesi gjyqësor. Pas procesit, zakonisht ai përfundonte i pushkatuar në banesën e fundit, dmth në varr apo, në rastin më të mirë, dënohej përjetë me burg.