Xhamia e Çarshisë
Çarshi Xhamia – Xhamia e Gurit (Prishtinë) | |
---|---|
Lloji | Arkitekturore |
Vendndodhja | Prishtinë, Kosovë |
Emri zyrtar: Çarshi Xhamia – Xhamia e Gurit (Prishtinë) | |
Lloji | Nën mbrojtje |
Nr. i referencës | 2782 |
Xhamia e Çarshisë, Xhamia e Gurit ose Xhamia e Sulltan Muratit (Turqisht: Sultan Murat Camii) është një monument i trashëgimisë kulturore në Prishtinë, Kosovë.[1] Ky monument është i kategorisë "Arkitekturor".
Historik
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Çarshi Xhamia – Xhamia e Gurit (Prishtinë) është ndërtuar mes viteve 1393 nga Sulltan Bajaziti i I për Sulltan Murati i I. Xhamia gjendet në kompleksin e Prishtinës së vjetër, në pjesën qendrore të qytetit në fillim të rrugës “Nazim Gafuri” dhe asaj “Zenel Salihu”, përkatësisht në anën perëndimore të objektit të Muzeut të Kosovës dhe shërben si faltore e besimit islam. Xhamia u ndërtua në fillim të shek. XV nga Sulltan Bajaziti për ta përkujtuar fitoren e forcave osmane dhe Sulltan Muratit në betejën e vitit 1389. Xhamia fillimisht gjendej përballë Çarshisë së Vjetër e cila u demolua në vitet ‘60, prandaj edhe sot mban emërtimin Xhamia e Çarshisë. Në afërsi të kësaj xhamie ndodhen: Shatërvani, Muzeu i Kosovës, Xhamia e Jashar Pashës dhe Parku Arkeologjik, të cilat së bashku formojnë një tërësi kulturore historike nën mbrojtje të shtetit.[2]
Arkitektura
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Xhamia është ndërtuar me gurë mbi bazë katrori (12.70m), prej së cilës me pandativë kalohet në tamburin dymbëdhjetëkëndësh mbi të cilin vendoset kupola qendrore. Objekti është një hapësinor, me minare të ndërtuar tërësisht nga guri. Xhamia kufizohet me oborr shumë të ngushtë. Hapësira e brendshme ndriçohet nga dritaret e radhitura në nivele të ndryshme me ritëm të theksuar, sipërfaqet e mureve janë të dekoruara me piktura murale me motive bimore orientale të asaj kohe. Xhaminë e karakterizon edhe maja e minares poligonale me gurë. Gjatë kohës xhamia në brendi, jashtë dhe në rrethinën e saj pësoi ndërhyrje riparuese dhe transformime të cilat ndikuan në integritetin pamor të saj, ndërsa minarja e saj mbeti e pa transformuar nga forma origjinale. Në xhami aktualisht janë duke u kryer punime të konservimit. Hajati i demoluar gjatë kësaj faze të konservimit supozohet të ketë qenë intervenim i fundit i shek. XIX, që ishte përtërirë disa herë, çka kuptohet nga mbishkrimet në dy rozetat në fasadën jugore. Në aspektin funksional, arkitektonik dhe historik, kjo ndërtesë është strukturë unike në harmoni me transformimet e kohës, dhe në përbërje ruan të gjitha elementet karakteristike nga koha e ndërtimit, për të cilat edhe radhitet si vepër ndërtimore e spikatur.[2]
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ LISTA E TRASHËGIMISË KULTURORE PËR MBROJTJE TË PËRKOHSHME (PDF). Republika e Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Marrë më 17 gusht 2016.
- ^ a b "Çarshi Xhamia – Xhamia e Gurit (Prishtinë)". Databaza e Trashëgimisë Kulturore të Kosovës. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Arkivuar nga origjinali më 2 janar 2016. Marrë më 6 korrik 2016.
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!)
Lidhje të jashtme
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Databaza e trashëgimisë kulturore të Kosovës Arkivuar 26 mars 2016 tek Wayback Machine