Alexandre Dumas

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Alexandre Dumas ose Aleksandër Dyma - babai (Alexandre Dumas père) ishte shkrimtar i njohur franko-algjerian dhe autor i disa kryeveprave të letërsisë si Konti i Monte Kristos dhe Tre Muskutjerët.


Lidhja me Shqipërinë[redakto | redakto tekstin burimor]

Kohët e fundit sipas studjuesit Luan Rama në Paris një dorëshkrim i vjetër i shkrimtarit francez Alexandre Dumas (Aleksandër Dyma) ka bërë të flitet sërish për Shqipërinë dhe shqiptarët. Bëhet fjalë për romanin e tij Ali Pasha, i cili është botuar dikur në gazetën e tij L’Indipendente, (që botohej në gjuhën italiane dhe franceze), gjatë nëntor-dhjetorit të vitit 1862, në kohën kur ai ishte vendosur në Napoli , gjatë revolucionit të “këmishave të kuqe” të Giuseppe Garibaldi-t. Dyma ishte një nga miqtë e afërt të Garibaldit dhe është e vërtetë që ai e ndihmoi atë jo vetëm më armë, por dhe përmes penës së tij të fuqishme, duke i bërë jehonë përpjekjeve të heroit italian për bashkimin e Italisë. Madje Garibaldi e kishte ndihmuar të vendosej në një vilë të madhe të qytetit bashkë me gazetën e tij revolucionare. Në të njëjtën kohë, dhe ngjarjet në brigjet e Jonit dhe të Adriatikut do të tërhiqnin vëmëndjen e shkrimtarit të madh: ngjarjet shqiptare. Dhe ai filloi të interesohej jo vetëm për fatin tragjik të Ali Pasha , por dhe për historinë heroike të suljotëve, shqiptarëve të jugut, apo fatit të vetë Shqipërisë, për të cilën, ai ishte gati të vihej në luftë. Ky dorëshkrim i shkurtër apo “libretto”, që sapo është botuar nga shtëpia botuese franceze “Phebus”, në sajë të punës së studjuesit Claude Schopp trajton jo vetëm historinë e Ali Pashës, e cila duket që është ndikuar nga libri i konsullit francez në Janinë, François Poucqueville dhe libri i Félicien Malefille Ali Pacha, (që siç thotë kritiku francez, Dyma e njihte mjaftë mirë), por edhe sjell një sërë dokumentash, korrespondenca e letra që lidhen me Shqipërinë. Sigurisht një vepër e pambaruar, pasi Dyma në fakt punonte mbi dorëshkrimin e parë për të shkruar romane të nivelit të Konti i Monte Kristo-s. Por siç duket, në projektet dhe librat e shumtë të tij, ky dorëshkrim më së fundi nuk u prek më. Sidoqoftë, shkrimi i tij rreth figurës së Ali Pashës duket se i ca tejkaluar disi caqet e së vërtetës historike, duke e cilësuar Ali Pashën si një tiran i ngjashëm si Tibere, Kaligula apo Neron i Epirit, edhe pse nga ana tjetër e sheh si një figurë çlirimtare kur shkruan se pa e kuptuar, Ali Pasha i shërbeu zgjimit dhe çlirimit të Greqisë. Duke bërë një përshkrim të historisë shqiptare dhe të historisë familjare të Ali Pashës, historive të Hormovës dhe Gardhiqit, Pargët dhe veçanërisht të suljotëve si dhe fundit tragjik të Ali Pashës, Dyma flet me një simpati të veçantë për shqiptarët si popull. “Hakmarrja dhe dashuria janë pasionet thelbësore të shqiptarëve, - shkruan ndër të tjera ai. - Për ligj ata kanë ligjin e shpagimit. Gratë janë të bukura e pjellore, por pas martesës ato bëhen pothuajse skllave dhe vihen në punë të rënda, pasi gjithë prodhimet e tokës janë frut i punës së tyre. Si dhe zviceranët, shqiptarët janë njerëz të gëzuar dhe ashtu si ata, janë besnikë gjer në vdekje. Në kohën e Henri IV, Franca mori në ushtrinë e saj shqiptarët, ashtu si Charles III mbreti i Napolit, kishte një regjiment mbretëror të Maqedonisë të përbërë nga shqiptarët e ikur në Kalabri pas vdekjes së Skënderbeut...”

= Pasionet[redakto | redakto tekstin burimor]

Dymas sipas Zërit të Rusisë ishte jo vetëm mjeshtër i romaneve historike dhe aventureske, por dhe qefli i madh të ngrënash dhe kuzhinier i shkëlqyer. Dyma ka lënë qindra vepra, por, ka shumë mundësi, që ai të cilësonte si majën më të lartë të krijimtarisë së vet veprën “Fjalori i madh i artit të gatimit” (“Le grand dictionnaire de cuisine”). Ky libër doli në dritë vetëm në vitin 1873, tashmë pas largimit të shkrimtarit i cili ndërroi jetë më 5 dhjetor të vitit 1870 , kur Parisi u rrethua nga prusianët. Praktikisht gjithçka e ngrënshme ka gjetur pasqyrim në faqet e këtij fjalori. Që nga vaji i bambusë e deri tek delfinët dhe bile elefantët. Vërtet, Dyma ka përshkruar në këtë vepër të vetën edhe receta gatimi të mishit të elefantit. Në librin “Fjalori i madh i artit të gatimit” (“Le grand dictionnaire de cuisine”) të shkrimtarit Aleksandër Dyma anekdotat historike nga jeta e anëtarëve të familjeve mbretërore alternohen me recetat e gatimeve si dhe me përsiatjet e argumentimet teorike të shkrimtarit mbi oreksin dhe urinë.

“Nuk ka gjë më interesante se sa studimi i librave të ndryshëm të artit të gatimit dhe fantazive mrekullisht të habitshme të mjeshtrave të njohur të kuzhinës, të cilëve u shkon nëpër mend të përdorin salcë, të bëjnë rosto apo të pjekin në hell njerëzit tanë të mëdhenj”, - shprehej me shaka Dyma në lidhje me modën për ti quajtur gatimet për nder të personazheve të ndryshme historike. Por në analet e artit botëror të gatimit ekziston edhe sallata “a la Dyma”. Dhe Aleksandër Dyma krenohej vërtet me sallatën e tij, recetën e së cilës e shpiku vetë. Në të përveç salcës speciale dhe zhardhokëve të kërpudhave (tartufo apo truffe) hyjnë edhe zarzavate të tilla si panxhari i kuq, selinoja dhe patetet e ziera.

  • “Ai e ka me pasion të madh gatimin në kuzhinë dhe, thonë, se është mjeshtër i madh i kësaj pune”, - raportonte mbi shkrimtarin francez shefi i xhandarmërisë së qarkut të dytë të Moskës në vitin 1858. Po atë vit, pra në 1858, Dyma u nis me një udhëtim të gjatë nëpër Perandorinë Ruse. Ai vizitoi Shën Peterburgun, Moskën, Nizhnij Novgorod-in, Kazan-in, Baku-në, Tiflisi-in. Në Astrahan Dyma pati mundësinë të vlerësojë sipas meritës shalqinjtë e atjeshëm. Në Kaukauz ai provoi shishqebapin, kurse në Kalmyki hëngri mishin e kërriçit. Ndërsa kuzhina ruse nuk i pëlqeu fort shkrimtarit. Uha-në (supë peshku) me sterlet (peshk i familjes së bli-rit) ai e kritikoi në mënyrë të pamëshirshme, ndërkohë që në Moskë i pëlqeu bli-ri yjor (sturgeon) i zier dhe i servirur i ftohtë e me rrikë.
  • Aktgjykimi i mysafirit francez përkatësisht kuzhinës ruse doli shumë i rreptë: “Në Rusi nuk lindin mjeshtra të kuzhinës. Ne diskutuam në lidhje me çdo gatim që na u servir në këtë vend”, - shkruante Dyma në shënimet e veta kushtuar udhëtimit në Rusi. Buka e zezë i ngjallte krupë shkrimtarit, kastravecat turshi iu dukën të tmerrshëm. Por edhe shtypi rus nuk ia la mangut atij qëndrimin përbuzës ndaj kuzhinës ruse, duke ia paguar me të njëjtën monedhë klasikut francez. Në faqet e shtypit u vu në lojë pasioni i tij gati maniakal ndaj studimeve në fushën e artit të gatimit. Me kalimin e njëfarë kohe, pasi Aleksandër Dyma u largua nga Rusia, në një nga botimet e atëhershme u duk anekdota mbi atë, se si tek autori i romanit “Tre mosketierët” në Peterburg erdhi një delegacion i tërë - i përbërë prej nja 200 vetash, të gjithë të veshur me frak të zi, me kollare e xhaketa të bardha. Dyma fillimisht kujtoi se atij erdhi ti urojë mirëseardhjen aristokracia më e lartë e Peterburgut, ndërsa më pas mendoi se ata janë kolegët e tij letrarë, të cilët kanë ardhur për ti dhënë hakun, për të njohur meritat e tij. Mysafirëve iu propozua shampanjë dhe u lidh biseda. Ndërsa më tej puna arriti deri tek prezantimi. Doli se tek ai erdhën kuzhinierët e aristokratëve rusë, të cilët shprehën dëshirën të mësojnë nga Dyma artin e tij të të gatuarit. “Unë jam kuzhinieri i kontit T... dhe do ta konsideroja për nder të madh e do të isha tejet i lumtur sikur Shkëlqesia Juaj të pranonte të më mësonte mua se si gatuhet spinaqi, sipas recetës suaj të famshme”. Megjithëse kjo nuk është e vërtetë, duhet pranuar se është trilluar jo keq, me ndjenjë humori.


Referenca[redakto | redakto tekstin burimor]

www.bksh.al