Antropologjia filozofike

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Antropologjia filozofike - Antropologjia (prej greqishtes “anthropos” – njeriu) është disiplina më e re filozofike dhe njëra ndër më aktualet në filozofinë bashkëkohore përgjithësisht. Aktualiteti i antropologjisë filozofike del nga fakti se për njeriun asnjë çështje apo problem tjetër filozofik, teorik ose praktik nuk mund të jetë më interesant, më i drejtpërdrejtë, i lidhur me të dhe më me vlerë sesa vetë ai. Çështja e njeriut si qenie e posaçme është e pranishme edhe në ato filozofema e sisteme filozofike, të cilat verbalisht e mohojnë vlerën dhe mundësinë e shqyrtimit teorik filozofik të njeriut. Mund të thuhet me të drejtë se çështja e njeriut, e esencës, e praktikës, e jetës, e domethënies së tij, është çështje fondamentale, çështje e të gjitha çështjeve filozofike. Qysh në fillim të sajimit dhe të formimit të mendimit filozofik në Greqinë e vjetër skllavopronare njeriu erdh e u bë objekt i rëndësishëm i analizave dhe i përsiatjeve filozofike. Sofisti Pitagora ishte i mendimit se e tërë problematika shkencore e filozofike duhet t’i subordinohet problematikës antropologjike, meqë “njeriu është masa e çdo gjëje”. Sokrati insistoi gjithashtu në njohjen, përcaktimin e njeriut si diçka më e lartë dhe më me vlerë në tërë kozmosin. Sipas Sokratit, detyra e filozofisë nuk është ta njohë natyrën dhe fenomenet natyrore, sepse kjo nuk është e mundur, por ta analizojë njeriun. “Njih vetveten” – ishte maksima themelore e filozofisë së Sokratit dhe porosia e tij kryesore drejtuar njeriut. Platoni, Aristoteli, Epikuri, stoikët etj., e analizuan njeriun dhe e përcaktuan atë si qenie mendore (Platoni), qenie politike (Aristoteli) etj., por nuk ia dolën ta hetojnë atë që njeriun e karakterizon në mënyrë esenciale. Pas nënçmimit të problematikës antropologjike në mesjetën e errët dhe të degradimit praktik e teorik të njeriut si qenie “mëkatqare” dhe e paaftë që ta njohë të vërtetën për botën, për Zotin dhe për vetveten, në kohën e Renesancës u aktualizua jashtëzakonisht çështja e njeriut, kurse humanizmi dhe individualizmi u bënë tipare esenciale dhe dominonte të tërë mendimit teorik dhe filozofik.

I pari që u angazhua për trajtimin e antropologjisë si dije universale, ishte materialisti i njohur Ludvig Fojerbahu. Sipas Fojerbahut, “filozofia e re (do me thënë filozofia e tij) e bënë njeriun, duke përfshirë këtu edhe natyrën si bazë të njeriut, të vetmin objekt universal dhe më të lartë të filozofisë, pra, antropologjia, duke e përfshirë këtu edhe fiziologjinë, shndërrohet në shkencë universale. Përkundër idealizmit përgjithësisht, dhe idealizmit të Hegelit veçanërisht, i cili njeriun e kupton si një qenie shpirtërore, të ndarë nga natyra, Fojerbahu, njeriun e trajton si qenie të njëmendtë, të plotë dhe të njësuar me natyrën. Antropologjia materialiste e Fojerbahut “si shkencë universale”, kurorë e tërë filozofisë e përcakton njeriun si “masë të mendjes” dhe tërë asaj që ekziston. Sipas antropologjisë së Fojerbahut, “dialektika e njëmendtë nuk është monolog i mendimtarit të vetmuar me vetveten, por dialog në mes të Unit dhe të Tisë”. Megjithëkëtë, edhe megjithëse pas Fojerbahut Marksi dhe Engelsi e ngritën në shkallën më të lartë mendimin teorik për njeriun dhe historinë, prapëseprapë themelues i antropologjisë, si një disiplinë e veçantë filozofike konsiderohet filozofi gjerman Maks Sheleri. Ai, qysh në esenë e tij “Lidhur me idenë për njeriun” theksoi se “në një pikëpamje të gjitha çështjet qendrore të filozofisë mund të reduktohen në pyetjen: ç‘është njeriu dhe cila është pozita e tij në totalitetin e përgjithshëm të qenies, të botës dhe të Zotit” ? Nevojën urgjente për themelimin e një antropologjie filozofike si disiplinë e veçantë filozofike, e cila do ta ndriçonte atë që njeriun e karakterizon në mënyrë esenciale dhe e dallon nga qeniet e tjera, Sheleri e provon me faktin se tri konceptet themelore të deritanishme për njeriun – koncepti çifut-krishter, i cili njeriun e trajton lidhur me legjendën për Adamin dhe Evën, greko-romak, sipas të cilit njeriu është qenie mendore dhe konceptit natyralist-gjenetik-psikologjik, sipas të cilit njeriu është rezultat i zhvillimit evolutiv të natyrës – nuk kanë mundur të sigurojnë një “ide unike për njeriun”. Për arsye të paaftësisë së këtyre dhe koncepteve të tjera, që ta kuptojnë drejtë qenien e njeriut, njeriu i është bërë problem vetvetes më shumë se kurdoherë më parë. Edhe pse janë zmadhuar, thelluar dhe begatuar njohuritë e shumta njeriu i sotëm, thotë Sheleri, gjendet i habitur dhe i dezorientuar para “enigmës” së vetë, enigmës njerëzore. Me qëllim që të sigurojë një “ide unike për njeriun” dhe kështu t’i evitojë të gjitha kontestet në shkencën e historisë, sociologjisë etj., “iu përvesha punës që në një bazë të gjerë ta paraqes një tentativë të re të antropologjisë filozofike” – thotë Sheleri. Duke e përcaktuar këtë disiplinë të re filozofike, Sheleri thekson se “detyra e antropologjisë filozofike është të tregojë saktësisht se si nga struktura themelore e qenies njerëzore…pasojnë të gjitha monopolet, punët dhe veprat specifike të njeriut, siç janë : gjuha, ndërgjegjja, veglat, armët, idetë për të drejtën e të padrejtën, shteti, qeverisja, funksionet treguese të artit, miti, feja, shkenca, historia dhe sociabiliteti. Antropologjia filozofike duhet të përgjigjet, përveç tjerash, në pyetjen se “cili është raporti metafizik i njeriut me bazën e të gjitha sendeve”. Përveç kësaj, antropologjia si “shkencë themelore për esencën dhe strukturën esenciale të njeriut” ka për detyrë të shpjegojë origjinën dhe fillimin fizik, psikik dhe shpirtëror të njeriut në këtë botë, sikurse edhe kahjet dhe ligjet themelore, të zhvillimit biologjik, psikik, shpirtëror-historik dhe social të tij. Është meritë e padiskutueshme e Shelerit që e aktualizoj dhe sërish e problematizoj problematikën antropologjike, sikurse edhe ndriçimi i shumë çështjeve lidhur me njeriun. Mirëpo, antropologjia filozofike e tij është në esencë idealiste dhe e papranueshme në tërësi. Idealizmi i Shelerit, i cili sikurse edhe shumë mendimtarë borgjez, dëshiron ta kapërcejë kontroversën idealizmi – materializmi, qëndron në pohimin e tij se ajo që njeriun e bënë njeri me ndryshim nga qeniet e tjera nuk është as mendja, as arsyeja, as praktika, por fryma. Idealizmi i Shelerit dhe i antropologjisë së tij filozofike shihet sheshazi në pohimin se njeriu është kërkues i Zotit, dhe si personalitet, si qenie frymore i pavdekshëm.

Antropologjinë filozofike e përkrahën dhe e zhvilluan më tutje Plesneri, Geleni, Rothakeri, Buberi, Rintelen, Landman, etj. Plesneri konsiderohet me të drejtë si njëri ndër themeluesit e antropologjisë bashkëkohore borgjeze. Plesneri dhe Geleni janë nismëtarë të një antropologjie filozofike të veprimit. Sipas tyre, ajo që e karakterizon në mënyrë esenciale dhe që e dallon nga qeniet e tjera është veprimi. Plesneri konstaton me të drejtë se njeriu nuk është vetëm qenie që vlerëson, që mendon, por në radhë të parë, qenie që vepron. Esenca më e thellë e njeriut si qenie e posaçme dhe si objekt i antropologjisë filozofike konsiston në faktin se ai prore synon ta kapërcejë vetveten dhe gjendjen e tij të dhënë. Këtë synim themelor të njeriut Plesneri e quan “ekscentricitet”.

Një rrymë e posaçme e antropologjisë bashkëkohore është e ashtuquajtura “antropologjia kulturore”, përfaqësues të së cilës janë Erih Rothaker, Mihael Landman etj. Sipas Landmanit dhe “antropologjisë kulturore” të tij, njeriu është një qenie kulturore, respektivisht një qenie e kulturës. Kultura, në anën tjetër, nuk është gjë tjetër veçse materializim i frymës objektive, e cila më parë gjendet vetëm në subjektin. Duke krijuar në mënyrë të lirë vlera kulturore, njeriu në të vërtetë e bart frymën objektive në një substrat të jashtëm. Sa më e madhe që të jetë kultura objektive si sendërtim i frymës, aq më e vogël do të jetë kultura subjektive dhe vetë njeriu. Nuk ka dyshim se antropologjia bashkëkohore borgjeze ka meritë jo vetëm që e aktualizoj antropologjinë filozofike, por edhe për arsye se brenda saj janë arritur rezultate interesante në lidhje me qenien njerëzore. Antropologjia filozofike borgjeze është kryesisht idealiste, kur e hipostazon vetëdijen dhe subjektiven irracionaliste, kur e përcakton vullnetin “praktikën” si superiore ndaj mendjes.

Në krahasim me antropologjinë borgjeze, antropologjia filozofike marksiste, bazat e së cilës ia kanë vënë Marksi dhe Engelsi në veprat e tyre “Manuskriptet ekonomike-filozofike”, “Ideologjia gjermane”, “Familja e shenjtë” etj., përmban një sërë përparësish teorike – metodologjike dhe ideore. Ndryshe nga antropologjia filozofike borgjeze, e cila është idealiste, metafizike, irracionaliste dhe pesimiste, antropologjia marksiste është materialiste – dialektive dhe optimale, meqë presupozon se njeriu i organizuar mirë, drejtë, mund dhe duhet t’i flakë të gjitha format e tjetërsimit, të cilat paraqesin pengesë për sendërtimin e njeriut të vërtetë dhe të humanizmit revolucionar. Antropologjia filozofike marksiste është një disiplinë filozofike, e cila merret me studimin e esencës, domethënies dhe pozitës së njeriut në mënyrë, kuptimit të jetës së tij, sikurse edhe mënyrën, ligjet dhe format e modifikimit të “natyrës njerëzore në përgjithësi” në fazat dhe rrethanat e ndryshme historike – shoqërore dhe kulturore. Mendimi themelor prirës i antropologjisë marksiste është se njeriu paraqet një qenie të arsyeshme natyrore – shoqërore të tij, njeriu nuk mund të kuptohet drejt dhe si duhet, meqë pikërisht praktika është ajo që atë e karakterizon në mënyrë esenciale.