Aresi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Aresi ishte Zoti i Luftës dhe i betejave. Nga mitologjia Romake, atij i përshtatej Marsi. Gjithnjë paraqitej me helmet në kokë dhe përherë në gatishmëri për luftë. Aresi gjithnjë ishte aty ku zhvillohej ndonjë luftë, betejë e përgjakur apo çfarëdo konflikti tjetër me viktima dhe përmasa të mëdha. Shpesh vinte në konflikt me Zotat tjerë.

Edhe ky si Zotat tjerë të Olimpit, kishte marrëdhënie të shumta dashurore.

Nga këto marrëdhënie është e njohur lidhja e tij me Afroditën.


Ares Ludovisi Altemps b Inv.jpg

Lufta është tejet e ndërlikuar dhe tejet e shpeshtë që grekëve për të t'u mjaftuar vetëm një zot. Megjithatë, nuk kanë krijuar zotëra të veçantë, bie fjala për luftën sulmuese, mbrojtëse, të drejtë ose jo të drejtë etj., por tërësisht në pajtim me përvojat dhe praktikën - një zot për luftë të udhëhequr me mençuri, andaj ngadhënjimtarë, kurse tjetrin për luftën e udhëhequr në mllef të tërbuar, prandaj edhe me përfundim të pa sigurtë. Zot, përkatësisht hyjneshë, e luftës së parë u bë Athena, kurse i asaj të dytës Aresi.

Aresi, pra, për të thënë saktësisht ishte zoti i luftës së mllefosur, vrasjeve luftarake dhe betejave të përgjakura në fushëbetejë. E donte luftën për hirë të luftës, therjen për hirë të therjes. Aspak nuk mërzitej për shkakun e luftës dhe as për mbarimin e saj. E gëzonte britma luftarake, tollovia e betejës, vringëllima e armëve dhe era e gjakut. Njësoj i gëzohej vdekjes së luftëtarëve si edhe trimërisë së tyre. Ana tjetër e kësaj dashurie ndaj luftës (ose plotësimi i saj logjik) ishte urrejtja ndaj rendit i cili pengonte që të përhapet lufta. E ndihmonte secilin që ishte i përgatitur ta trazojë paqen. Vetë Zeusi disa herë i ka thënë se e urrente dhe, sikur mos të ishte i biri i tij, kaherë do ta hedhte në Tartarin e errët.

S'ka pasur betejë në të cilën nuk do të përzihej Aresi.Me mburojë të madhe, me parzmoren prej remi dhe shpatën prej bronzi papritmas paraqitej në betejë dhe mbillte vdekje. Rëndom e përcillnin djemt e tij, Deimosi dhe Fobi, të cilët qenë mishërim i vërtetë i tmerrit dhe trishtimit. Para karrocës së tij luftarake vraponte hyjnesha e grindjes, Erida dhe hyjnesha e vrasjes luftarake, Enia. Aresi në mënyrë të përsosur zotëronte artin luftarak, gjë që në këtë edhe nuk dyshohej. Mirëpo, në luftë nuk ka qenë i besueshëm dhe ndihmonte herë njërën herë tjetrën anë. Përkundër fuqisë dhe shkathtësisë së vet nuk ka qenë i pathyeshëm. Kur mendmi i vërbohej me zemërim, ishte i detyruar që të tërhiqet. Athena, e cila kurr nuk lejonte që ta skllavërojë mllefi përherë korrte suksese ndaj tij. Madje i ka ndodhur që të nënshtrohet edhe njeriut të vdekur. Me ndihmën e Athenës nën Trojë Diomedi, udhëheqësi i argeasve plagosi me shtizë. Aresi ulëronte prej dhimbjeve sikur të ishin dhjetë mijë luftëtarë. Në këtë sbprehej trimëria e tij, dhe duke gjëmuar ikte nga fushëbeteja në Olimpin e lartë. Njëherë e mposhtën dy Gjigantët, Oti dhe Efialti. E kanë mbajtur të mbyllur plot trembëdhjetë muaj, siku mos ta lironte Hermesi, zoti i tregtisë, për fat të njerëzve, do të mbetej përherë aty.

Përveç kësaj, Aresi ishte i bukur, i ri, shtatëgjatë, edhe pse nga pak ushtarakisht i vrazhdët, gjë që, kuptohet, tërheq shumë gra. Në të u dashurua edhe vetë Afrodita, hyjnesha e dashurisë dhe e bukurisë, gruaja e Hefestit, zotit të mirë, por jo edhe të bukur dhe me të ka pasur pesë fëmijë: djemt Deimosin dhe Fohin, të cilët i kanë trashëguar të gjitha vetitë e këqia të Aresit, Erosin dhe Anterin të cilët, për nga natyra e tyre, pa dyshim ishin fëmijët e Afroditës, dhe vajzen e bukur, Harmoninë. Edhe me hyjnesha të tjera dhe gra të vdekshme Aresi ka pasur disa trashëgimtarë. E kanë konsideruar edhe stërgjysh të amazoneve, popullit luftarak.

Aresi në Greqi ka qenë shumë më pak i nderuar se sa zotërat e tjerë. Në të vërtetë, athinasit ia kanë kushtuar tempullin në Agorë dhe kodrinën Areopag, ku ishte selia e këshillit të gjygjit suprem, por ky nderim ka qenë më tepër i jashtëzakonshëm se sa i rëndomë. Para betejës komandantët përpiqeshin që Athenën ta përfitojnë në anën e tyre. As në Spartën ushtarake Aresit nuk i flijonin më shumë se qentë e rinj. Mirëpo, më tepër e kanë adhuruar romakët te të cilët nën emrin Mars, u bë zoti i dytë suprem. Marsin romak nuk mund ta identifikojmë tërësisht me Aresin grek.

Prej skulpturave të Aresit që janë ruajtur nga antika, më e famshmja është e ashtuquajtura Ares Borghese, kopja romake e origjinalit grek që ia kanë mveshur Alkmenit, prej vitëve 420-410 para e.s., që sot gjendet në Luvër të Parizit, dhe i ashtuquajturi Ares Ludovisi, poashtu kopja e shkëlqyeshme romake e origjinalit grek (nga gjysma e dytë e shek. IV para e.s, që sot gjendet në Muzeun Kombëtar në Terme). Truporja e njohur etrure prej bronze, e ashtuquajtur Marsi nga Todia (përafërsisht e shek. IV para e.s.) me siguri nuk e paraqet Marsin; ky është vetëm emërtim konvencional i skulpturës. Prej pikturave moderne të Aresit ose të Marsit le t'i përmendim vetëm me të njohurat dhe më të famshmet: piktura e Botticelit (Botiçelit) Venera dhe Marsi i vitit 1478 (që sot gjendet në Galerinë Kombëtare në Londër), pikturën e Rubensit Marsi i kurorizuar prej hyjneshës së fitores, përafërsisht e vitit 1612 dhe sot gjendet në Galerinë e Drezdenit. Pak më vonë Triumfi i Marsit (që gjendet në Muzeun e Vatikanit), pëlhurë e madhe e Rembrandtit Marsi i vitit 1655 dhe sot gjendet në Galerinë e Arteve në Glasgov. Pastaj Venera dhe Marsi i Paolo Veroneseut (Paolo Veroneze) e viteve 1560 - 1570 dhe sot gjendet në Muzeun Metropolitan në Nju Jork. Shumë piktura dhe statua të Aresit i stolisin qendrat e bujarëve të feudalizmit të vonëshëm dhe pallatet e ministrive të luftës në shumë vende të Evropes dhe të Amerikës. Sidomos janë të përhapura kopjet e Aresit Borghese dhe të Aresit Ludovisi.