Atena

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Kjo kopje mermeri nënshkruar nga Antiochus është një kopje e shekullit të parë p.e.s origjinal nga Phidias në shekullit V pes , që ishte gjetur në të Akropolit

Athena (greq. Athena dhe Athene, lat. Minerva) - e bija e Zeusit, zotit suprem, hyjneshë e menqurisë dhe e udhëheqjes së suksesshme të luftës, mbrojtëse e rendit juridik, e drejtësisë dhe artit.

Atena ishte hyjneshë e luftës, urtësisë, artit, shkencës dhe zejtarisë. Sipas mitologjisë Romake, asaj i përshtatet hyjnesha MINERVA. Kishte lindur nga koka e Zeusit duke valëvitur me shigjetën e saj karakteristike.

Edhe pse merrej si hyjneshë e luftës, ajo kurrë nuk është treguar me veti luftarake. Përkundrazi, zihej si e urtë, e mençur dhe gjithnjë e gatshme që t’i ndihmoj trimat dhe heronjtë, sikur ishin: PERSEI, AKILI, ODISEU dhe shumë t tjerë.

Një dashuri të madhe që ajo ndjente ndaj tyre, aspak nuk kishte të bënte me erotikën. Duke mbetur virgjëreshë tërë jetën, ajo kishte vendosur që kurrë mos të martohet, edhe përpos ofertave të shumta që kishte nga zotat tjerë.

Ju ka ndihmuar njerëzve në përkrahje të realizimit të dëshirave dhe synimeve të tyre. Nga respekti i madh që kishte, me emirin e saj emërtohet edhe qyteti Atena, ndërsa në Akropol, për nder të Atenës është ndërtuar tempulli i falshëm shenjtore - PANTENONI.


Mbi lindjen e Athenës nga mitet e lashta dimë relativisht pak. Homeri thotë se ka lindur prej Zeusit pa nënë. Te shkrimtarët për nga koha më të rinjë për këtë gjejmë më tepër detaje. Sipas Hesiodit Zeusi e ka lindur nga koka e vet pasi që e han Metidën, hyjneshën e mençurise me qëllim që ta pengojë ta lindë bijën e cila, sipas profecisë, është dashur ta tejkalojë në mençuri, dhe djalin i cili është dashur ta tejkalojë me fuqi dhe t'ia rrëmbejë fronin. Mitet edhe më të reja thonë edhe atë se si e ka lindur Zeusi Athenën. Kur e ka ngrënë Metidën, aq shumë i dhimbi koka sa që mendoi se do t'i pëlcasë. Për këtë arsye thirri zotin Hefest (sipas verzionit tjetër zotin Hermes, madje edhe Titanin Promete) që me sopatë t'ia çajë kokën. Posa veproi kështu, kërceu prej kokës së Zeusit hyjnesha e ndritshme me pajisje të plotë luftarake - Palada Athena.

Simbas simbolikës së miteve Athena, pra, ka qenë mishërimi i fuqisë dhe mençurisë së Zeusit. Sunduesi i zotëratve dhe i njerëzve e ka dashur më tepër se të gjitha vajzat e tjera. Me të ka biseduar si me mendimet e veta, asgjë nuk ka fshehur para saj dhe përherë ia ka plotësuar të gjitha lutjet e saj. Athena ka qenë e vetëdijshme për këtë anim të Zeusit ndaj saj. Përherë qëndronte në afersi të tij dhe kurrë nuk ka dashur ndonjë zot tjetër ose ndonjë mashkull dhe kurrë nuk është martuar edhe pse ishte e bukur dhe madhështore. Ka mbetur Athena Virgjër- Athena Parthenos.

Në saje të origjinës së saj dhe të dashurisë së Zeusit Athena u bë njëra prej hyjneshave më të fuqishme të panteonit grek. Prej kohërave më të lashta ajo ishte, para së gjithash, hyjneshë e luftës që dilte nga funksioni i saj mbrojtës prej armikut. Për luftë, në të vërtetë, kishte meritë Aresi, i biri i Zeusit, mirëpo, Athenës kjo nuk i pengonte. Aresi, thënë saktësisht, ishte zot i luftes dhe betejave të mllefosura, ndërsa ajo ishte hyjneshë e udhëheqjes së mençur dhe të ekuilibruar të luftës, e cila rëndom përfundonte me ngadhënjim, gjë që nuk mund të thuhet për luftërat e Aresit. Si hyjneshë e luftës grekët e adhuruan me emrin Athena Enoplos (Athena e armatosur) ose Athena Promachos (Athena e cila fton në luftë). Si hyjneshë e luftës ngadhënjimtare e quanin Athena Nike (Athena Ngadhënjimtare).

Athena që prej fillimit e deri në mbarim të botës antike ka qenë mbrojtëse e grekëve, veçmas e athinasve, të cilët i donte më së shumti. Si Palada Athena ajo mbronte përveç Athinës qytetet, që në tempuj i kanë pasur truporet e saja të shoqëruara, të ashtuquajtura paladet. Derisa paladi gjendej në qytet, qyteti ishte i papushtuar. Palad të tillë kishin edhe trojanët në qytetin e tyre. Për ta pushtuar Trojën, akeasve u është dashur ta vjedhin dhe ta marrin me vete, gjë që u shkon përdore Odiseut dhe Diomedit. Sikurse në luftë Athena i mbronte grekët dhe qytetet e tyre edhe në paqe. Ishte mbrojtëse e kuvendit dhe e së drejtës, kujdesej për fëmijët dhe të sëmurët, njerëzve u sjell mirëqenie. Ndihma e saj shpesh ishte tejet konkrete. Athinasve, për shembull ua ka falur ullirin dhe u bë themeluese e njërës prej degëve me të rëndësishme të ekonomisë greke - thënë kalimthi, deri më sot njëra prej degëve më të rëndësishme. Veç kësaj, Athena ishte hyjnesha e arteve dhe e zejtarisë (këto dy fjalë grekët rëndom nuk i dallonin - punën e skulptorit, gurgdhendësit dhe këpucëtarit i emëronin me të njëjtën fjalë „techne" (tekne - shkathtësi). Gratë i ka mësuar të thurin dhe të endin. Njerëzve ua ka mësuar zejen e farkëtarit, argjendarisë dhe ngjyrosjes, u ka ndihmuar ndërtuesve të tempujve dhe të anijeve, jetën e njerëzve u ka begatuar me shpikjen e kavallit (flautës). Për shpërblim për ndihmën dhe mbrojtjen e vet kërkonte nderimin dhe flijime, që ishte e drejtë e secilit zot. Mosrespektimi dhe ofendimet i dënonte, por mëshirohej më tepër se hyjneshat e tjera. Çdo ndërmarrje e saj përfundonte siç dëshironte ajo. Me Poseidonin, zotin e detit ra në konflikt për shkak të sundimit në Atikë dhe Athinë. Para këshillimit të zotërave, në krye të të cilit ishte Kekropsi, mbret i parë i Athinës, këtë gjyq e fitoi sepse me dhurimin e ullirit ia siguroi vetes simpatinë e Kekropsit. Kur trashëgimtari i Trojës Paridi e ofendoi, përkatësisht kur në grindje me hyjneshat Herën dhe Afroditën nuk ia pranoi përparësinë në bukuri, iu hakmuar në atë mënyrë që u ndihmoi akeasve për ta korrur fitoren ndaj Trojës. Kur Diomedi, adhuresi i saj, në betejën në rrafshënaltën e Trojës, u gjet në rrezik vdekje vetë e zuri vendin e drejtuesit të karrocës së tij luftarake dhe e detyroi Aresin, vëllain e vet, që të ikte. I, ka ndihmuar Odiseut, mbretit të Itakës, përkundër vullnetit të Poseidonit, zotit të detit, që pas pushtimit të Trojës të kthehet në atdhe. I ka ndihmuar poashtu edhe Telemakut, birit të Odiseut, Orestit, birit të Agamemnonit dhe veçmas Belerfontit dhe Perzeut. Për këto dhe për ndërmarrje të tjera bëhet fjalë nën emrat përkatës. Mbetet që të shtojmë se besnikëve të vet kurrë nuik ua ka kthye shpinën, përherë u ka ndihmuar grekëve, veçmas athinasve dhe të njëjtën ndihmë ua ka dhënë edhe romakëve, të cilët e kanë adhuruar me emrin Minerva.

Prej nderimeve që grekët ia kanë shprehur Athenës më të rëndësishmet ishin Kremtet Panatenase. Janë mbajtur çdo katër vjet si të ashtuquajtura Panatenet e Mëdha, kurse pjesë përbërëse të tyre ishin garat muzikore, poetike, retorike, gjimnastike, kalorësie dhe lundruese. Fillonin në vigjilen e ditëlindjes, së Athenës, në gjysmën e gushtit. Panatenet e Vogla kremtoheshin poashtu çdo katër vjet dhe me përmasa ishin më të vogla. Procesioni panateneas është paraqitur në frizin e Parteonit athinas, në të cilin ka punuar Fidia, njëri prej skulptorëve më të mëdhenj botëror. Në Romë kremtet për nderë të Minervës janë organizuar dy herë në vjet (në mars dhe në qershor).

Veprat artistike të arkitekturës të krijuara në Greqi lidhur me kultin e Athenës (sado edhe në gërmadha) bëjnë pjesë në mesin e margaritarëve të kulturës së gjithëmbarshme njerëzore. Në rend të parë është Partenoni në Akropolin e Athinës vepër e arkitektëve Iktin dhe Kalikrat e viteve 447-434, para e.s. Gadi 2121 vjet i ka rezistuar kohës deri sa nuk e ka shkatërruar eksplodimi i barotit që gjatë luftës me venedikasit e kishin vënë turqit. Në afërsi të Partenonit është një tempull i vogël Nike, kushtuar Athenës Ngadhnjimtare. Gjatë okupimit turk tërësisht është shkatërruar, por në vitin 1835-1836 sërish u ngrit nga gërmadhat. Prej ndërtesave në Akropol e fundit është Erehteoni i kushtuar Athenës, Poseidonit dhe Erehteonit. Në të dikur ruhej Paledi athinas dhe është mbjellë „ulliri i Athinës" (i sotmi është i vitit l917).

Tempujt luksozë Athenës i janë kushtuar në Delfe, Tege, në Arkadi, në kepin e Suniut, në trevën e Azisë së Vogël në Prienë në tokat e Azisë së Vogël dhe me të krenohej edhe Troja.

Prej skulpturave të Athinës në antikë më të famshmet i kanë konsideruar truporet madhështore prej arti, bronzës dhe fildishit: Athena Parthenos, Promachos dhe Athena Lemnios. Për fat të keq i njohim vetëm në saje të imitimeve te mëvonshme, kryesisht të cilësisë së dobët (që sot gjenden në Mu-zeumet e Vatikanit, Napolit, Bolonjës, Berlinit, Drezdenit e gjetiu). Imitim i skulpturës së Fidisë në Partenon është me siguri dhe e ashtuquajtura Athena Varvakease që gjendet në Muzeun Kombëtar Arkeologjik në Athinë dhe Minerva vigane në Muzeun në Terme. Prej trupave të tjera po përmendim Athenen Farnese dhe Athenën Gistuiniani (Gjustiniani). Këto janë kopje romake të origjinaleve greke, sigurisht të mbarimit të shek. V. para e.s. (dhe që sot gjenden në Muzeun e Vatikanit dhe në Luvër. Këtyre veprave mund t'i bashkohet kopja e mirë helenistike e Pidisë, ndonëse jo e madhe dhe pjesërisht e dëmtuar Athena Parihenos nga Heraklea Linkestis te Manastiri sot në Muzeun Popullor në Beograd. Athena, skulpturë e Mironit nga grupi Athena dhe Marsia, ndoshta e mesit të shek. V para e.s. e dimë vetëm nga kopjet e relieveve (njërit prej më të bukurave është në Muzeun e Akropolit në Athinë). Pikturat në vazat me pamjen e Athenes janë ruajtur me shumicë, prej të cilave disa dhjetëra që nga shek. VI para e.s. Prej të tjerave më vlerë të veçantë janë : Mosmarrëveshja e Poseidonit dhe Athenës rreth Atikës në amforat e Atikës nga mesi i shek. VI para e.s. (gjendet në Luvër) dhe Lindja e Athenës nga fillimi i shek. V para e.s. (gjendet në Muzeumin Britanik në Londër). Prej skulpturave të saja të kohës së re po përmendim atë të Drosisit, i fillimit të shek. tonë, në shtyllën e lartë jonike para Universitetit të Athinës dhe Houdonit (Hudonit), kah mbarimi i shek. XVIII, e cila e zbukuron Institut de France në Paris.