Demenca

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Demenca[redakto | redakto tekstin burimor]

Nuk është një sëmundje specifike, por në të vërtetë është një grup simptomash që prekin aftësitë intelektuale dhe sociale në mënyrë aq të rëndë sa të ndërhyjnë me funksionimin e përditshëm të personit. Egzistojnë shkaqe të ndryshme të demencave dhe sëmundja e Alzheimer-it është shkaku më i shpeshtë i tyre. Me shtimin e jetëgjatësisë së popullatës, mjekësia e sotme po përballet gjithnjë e më shumë me demencën. Demenca indikon se ka të paktën dy funksione konjitive si humbja e kujtesës bashkë me humbjen e gjykimit, ose të çrregullimit të gjuhës. Demenca mund t’ju bëjë konfuzë dhe të paaftë për të kujtuar emrat e njerëzve. Gjithashtu ju mund të përjetoni ndryshime të personalitetit dhe të sjelljes sociale. Ajo ndërhyn në jetën normale të njeriut duke e ndryshuar atë përgjithmonë. Duhet pasur parasysh se disa shkaqe të demencës janë të trajtueshme dhe të rikthyeshme.

Shkaqet[redakto | redakto tekstin burimor]

Demenca ka shumë shkaqe dhe nuk shkaktohet gjithnjë nga e njëjta sëmundje. Demencat mund të klasifikohen në shumë mënyra dhe shpesh grupohen së bashku nga ajo që kanë të përbashkët, si cila pjesë e trurit është e prekur, ose nëse përkeqësohen me kalimin e kohës (demencat progresive). Disa demenca si ato të shkaktuara nga përdorimi i medikamenteve, ose infeksionet janë të rikthyeshme me trajtim.

Demencat progresive[redakto | redakto tekstin burimor]

Quhen demencat që përkeqësohen me kalimin e kohës. Kursi i tyre është i pandalshëm deri në vdekje.

Sëmundja e Alzheimer-it[redakto | redakto tekstin burimor]

Simptomat e demencës janë të ngjashme me sëmundjen e Alzheimer, por e dhëna unike është që ka fluktuacione të konfuzionit dhe qartësisë, halucinacionet vizive dhe parkinsonizmit. Këta pacientë shpesh kanë një gjendje, e cila quhet çrregullim i gjumit REM (Rapid Eye Movement – lëvizje të shpejta të syve) që përfshin pasjen e ëndrrave të dhunshme dhe lëvizjet e shumta gjatë gjumit.

Demenca me trupa levi[redakto | redakto tekstin burimor]

Depozitime proteinash që gjenden në trurin e personave të sëmurë me demencën me trupa Levi si dhe në sëmundjen e Parkinsonit.

Demenca vaskulare[redakto | redakto tekstin burimor]

Rezultat i dëmtimit të trurit nga probleme të arterieve të trurit. Simptomat fillojnë pas vendosjes së AVC dhe zakonisht ndodh në pacientë me hipertension, ose ata që kanë kaluar më parë AVC dhe infarkte miokardi. Demenca vaskulare në raste të rralla shkaktohet nga infeksionet e valvulave kardiake (endokarditet) dhe nga prania e një proteine në enët e gjakut të trurit që quhet amiloid (angiopatia amiloide) që në ndonjë rast shkakton dhe infarkte hemoragjike. Në disa raste demenca vaskulare bashkëegziston me sëmundjen e Alzheimer-it duke dhënë atë që quhet demenca mikse. Në këtë rast simptomat janë të rënda dhe progresive.

Demenca fronto-temporale[redakto | redakto tekstin burimor]

Karakterizohet nga degjenerimi i qelizave nervore në lobet frontale dhe temporale të trurit. Shkaku nuk është i njohur, por në disa raste kjo lloj demence është e lidhur me mutacione gjenetike. Në disa raste kjo merr formën e një sëmundjeje që quhet sëmundja e Pikut dhe në këtë rast në zonat e prekura të trurit ka lëmshe fibrinoze të formuar nga një proteinë që quhet proteina TAU. Sëmundja e Pikut jep demencë progresive.

Simptomat[redakto | redakto tekstin burimor]

Simptomat e demencës variojnë në bazë të shkakut, por shenjat dhe simptomat më të shpeshta janë: Humbja e kujtesës, vështirësi në komunikim, paaftësi në nxënie dhe kujtimin e informacioneve të reja, vështirësi në planifikim dhe organizim, vështirësi me koordinimin dhe funksionet motore, ndryshime të personalitetit, paaftësi për të gjykuar, sjellje jo të përshtatshme, paranojë, axhitim, haluçinacione.

Faktorët e riskut[redakto | redakto tekstin burimor]

Mosha[redakto | redakto tekstin burimor]

Rreziku i sëmundjes së Alzheimer-it, demencës vaskulare dhe disa demencave të tjera rritet me moshën, por duhet theksuar se demenca nuk është pjesë normale e plakjes.

Historia familjare[redakto | redakto tekstin burimor]

Njerëzit me histori familjare me demencë janë në risk më të madh për t'a zhvilluar atë. Nëse ka mutacione specifike gjenetike ka risk më të madh për të zhvilluar disa tipe të demencës.

Komplikacionet[redakto | redakto tekstin burimor]

• Ushqyerje e pamjaftueshme: sepse humbet kontrolli muskular që shërben për t’u përtypur e gëlltitur duke i vënë ata në risk për mbytje ose aspirim të ushqimit në mushkëri. Nëse kjo ndodh mund të shkaktohet pneumoni. Gjithashtu, njerëzit që vuajnë nga demenca humbin ndjesinë e urisë dhe bashkë me të dëshirën për të ngrënë. Depresoni, efektet anësore të medikamenteve, konstipacioni dhe shkaqe të tjera si infeksionet mund të ulin dhe më tepër interesin e pacientit për tu ushqyer.

• Mungesë e higjenës personale, ku në stadet e rënda të demencës humbet aftësia për të kryer detyrat e përditshme përsa i përket higjenës personale. Pacientët mund të mos jenë më në gjendje të lajnë trupin, të lajnë dhëmbët, të vishen, të shkojnë në tualet të pa asistuar nga të tjerët.

• Vështirësi në marrjen e mjekimit, për shkak se është vetë kujtesa që preket. Mbajtja mend e dozës dhe mënyrës së marrjes së medikamenteve mund të jetë sfidë e vërtetë.

• Përkeqësim i shëndetit emocional, sepse demenca ndryshon sjelljen dhe personalitetin, mund të çojë në depresion, agresion, konfuzion, frustrim, ankth, dizorientim.

• Vështirësi në komunikim, ndërsa demenca progreson, aftësia për të mbajtur mend emrat e njerëzve dhe të gjërave të tjera humbet. Kjo e bën komunikimin shumë të vështirë në të gjitha nivelet. Vështirësia në komunikim nga ana tjetër çon në axhitim, izolim dhe depresion.

• Deliriumi, një gjendje që karakterizohet nga ulja e vëmendjes dhe qartësisë mendore ndodh nga ndryshimi i menjëhershëm i ambientit të jashtëm dhe rutinës së përditshme, por edhe nga përdorimi i mjekimeve të veçanta.

• Probleme me gjumin, si copëzim i ciklit normal gjumë-zgjuar (rri zgjuar gjatë natës dhe është i përgjumur gjatë ditës); pagjumësi, por edhe sindroma e këmbëve të shqetësuara, apnea e gjumit të cilat mund të interferojnë me gjumin normal.

• Ndryshime në stilin e jetës së përditshme, për shkak të reduktimit të aftësisë për të marrë vendime dhe zgjidhur probleme, disa detyra të jetës së përditshme duhen konsideruar me kujdes në pacientët e sëmurë me demencë. Këtu përfshihen ngarja e makinës, gatimi, shëtitjet etj.

Çrregullime të lidhura me Demencat[redakto | redakto tekstin burimor]

Sëmundja e Huntingtonit është një sëmundje e trashëgueshme. Shenjat dhe simptomat shfaqen tipikisht mes 30-40 vjeç dhe mund të përfshijnë ndryshime të personalitetit, ankth, depresion dhe demencë progresive edhe të rëndë.

Demenca pugilistica ndryshe edhe encefalopatia kronike traumatike, ose demenca e boksierëve, sepse shkaktohet nga trauma të përsëritura të kokës. Në varësi të dëmtimit cerebral shkaktohen shenja dhe simptoma si probleme të kujtesës, koordinim i keq, dëmtim të të folurit, dridhje, ngadalësim të lëvizjeve dhe ngurtësim muskular (parkinsonizëm). Simptomat mund të mos jenë të dukshme deri shumë vite pas traumës. Një dëmtim i vetëm traumatik i kokës mund të shkaktojë demencë post traumatike, e cila është shumë e ngjashme me demencën pugilistike, por mund të përfshijë dhe probleme të kujtesës afatgjatë.

Demenca nga Hiv çon në dëmtim të shpërhapur të lëndës së bardhë që rezulton në dëmtim të kujtesës, apati, tërheqje sociale dhe vështirësi në përqendrim. Shpesh ka edhe probleme me lëvizjen.

Sëmundja e creutzfeldt-jakob një çrregullim i rrallë, fatal për trurin që shpesh ndodh në mënyrë sporadike në pacientë pa faktorë të njohur risku. Shenjat dhe simptomat zakonisht shfaqen rreth të 60-ve dhe fillimisht përfshijnë probleme me koordinimin, ndryshime të personalitetit dhe dëmtim të kujtesës, të gjykimit, mendimit dhe shikimit.Dëmtimi mendor bëhet i rëndë, ndërsa sëmundja progreson dhe shpesh çon në verbim. Pneumonia dhe infeksionet e tjera zakonisht janë të shpeshta. Disa shkaqe që japin simptomat e demencës mund të jenë të rikthyeshme si: Infeksionet dhe çrregullimet imune: meningiti, encefaliti, sifilizi i patrajtuar, sëmundja e Lyme, leukemia (kur është e trajtueshme).

Patologjitë endokrine patologjitë e tiroides, hipoglicemia, çrregullimet e metabolizimit të vitaminave (sidomos B12), hipo-hipernatremia, hipohiperkalcemia etj.

Deficitet nutricionale simptomat mund të vijnë dhe si rezultat i dehidratimit, ose si pasojë e mungesës së vitaminës B1, një gjendje e zakonshme në pacientët alkoolikë kronikë dhe deficitet në vitaminat B6 dhe B12.

Diagnoza dhe testet për vlerësimin e Demencës[redakto | redakto tekstin burimor]

Historia mjekësore Mjeku pyet se kur kanë filluar simptomat dhe rreth problemeve të tjera shëndetësore të cilat do ndihmojnë për të identifikuar problemin, p.sh diabetin, hipertensionin ose historinë familjare për demencë. Mjeku nga ana tjetër mund të kërkojë informacion nga pjesëtarët e tjerë të familjes nëse ka ndryshim në sjellje dhe funksionimin e përditshëm në krahasim me të shkuarën.

Ekzaminimi fizik/neurologjik Një egzaminim fizik ndihmon mjekun të përjashtojë shkaqet e mjekueshme të demencës dhe të identifikojë shenjat e ndonjë insulti ose të çrregullimeve të tjera që mund të shkaktojnë shenja të ngjashme. Si pjesë e ekzaminimit, mjeku do kërkojë analizat e rutinës dhe të kontrollojë mjekimin që jeni duke marrë aktualisht. Ky ekzaminim ndihmon që të identifikohen shenja të sëmundjeve të tjera si sëmundje të zemrës, diabeti, sëmundje të tiroides ose efekte anësore të mjekimeve të cilat mund të japin shenja të demencës testet neuropsikologjike dhe konjitive: Çdokush që vlerësohet për demencë ka nevojë të vlerësohet për funksionin konjitiv. Ka një numër testesh që vlerësojnë orientimin, aftësitë e përgjithshme intelektuale, akademike, të gjuhës, përqëndrimin,kujtesën, logjikën. Qëllimi është për të vendosur nëse vërtet kemi të bëjmë me demencë, sa e rëndë është dhe cila pjesë e trurit është prekur. Vlerësimi neurologjik kryhet nëse ka dëmtime të tjera neurologjike përveç prekjes së konjicionit.

Imazheria (CT, MRI, PET, SPECT) ndihmojnë mjekun për të identifikuar shkaqet organike, si infarktet, tumoret ose problemet e tjera që shkaktojnë demencë. Ndryshimet që shkakton sëmundja Alzheimer mund të dallohen me kalimin e kohës në imazheri.

Testet laboratorike mund të ndihmojnë për të përjashtuar shkaqe që japin simptoma të ngjashme me ato të demencës. Testet, në varësi të asaj që dyshon mjeku, janë:

• Gjak komplet për të përjashtuar aneminë

• Glicemia për të përjashtuar diabetin

• Teste për të vlerësuar funksionin e veshkave e heparit dhe për të matur nivelin e vitaminës B12

• Analizë e gjakut për të identifikuar përdorimin e drogave dhe alkoolit (toksikologjike)

• Analizë e lëngut cerebrospinal për të përjashtuar infeksionet cerebrale

• Analizë për hormonet e tiroides Vlerësimi psikiatrik duhet performuar për të vendosur nëse ka depresion ose shkaqe të tjera psikiatrike që kontribuojnë në simptomologji.

Mjekimi[redakto | redakto tekstin burimor]

Medikamentet për trajtimin e demencës bëhen për të ngadalësuar ose / dhe minimizuar simptomat.

Inhibitorët e kolienesterazës si donezepil (Aricept), rivastigminë (Exelon) dhe galantaminë hydrobromide (Razadyne) janë medikamente që përdoren në sëmundjen e Alzheimer-it dhe veprojnë për të ngritur nivelet e një mesazheri kimik (neurotransmetuesi - acetilkolina) që është parë se është i mangët në këtë sëmundje. Megjithëse përdorimin më të madh e kanë në sëmundjen e Alzheimer, ato përdoren dhe në demencën vaskulare, demencën që shoqëron sëmundjen e Parkinsonit, dhe demencën me trupa Levi.

Memantine (Namenda) ky medikament përdoret në sëmundjen e Alzheimer dhe veprimin e ka të lidhur me rregullimin e aktivitetit të glutamatit, një tjetër neurotransmetues i përfshirë në shumë funksione të trurit, duke përfshirë të mësuarit. Disa studiues kanë gjetur se kombinimi i memantinës me inhibitorët e kolinesterazës mund të japë rezultate më të mira. Së pari është përdorur për të trajtuar sëmundjen e Alzheimer, por është parë se përmirëson simptomat dhe në demencat e tjera.Disa simptoma specifike dhe probleme të sjelljes mund të trajtohen me sedativë, antidepresivë dhe mjekime të tjera, por disa nga këto medikamente mund të bëjnë më keq simptomat e tjera.

Mjekime Alternative[redakto | redakto tekstin burimor]

Acidet yndyrore omega-3: janë acide yndyrore të pangopura që gjenden te peshku dhe arrat. Disa studime kanë lidhur përdorimin e tyre me uljen e rrezikut për sëmundje kardiake, AVC, rënie konjitive dhe demencës.

koenzima Q 10 : është një antioksidant, i cili ndodhet normalisht në trup dhe për të cilën kanë nevojë reaksionet qelizore. Ky antioksidant është studjuar për efektivitetin e trajtimit të demencës. Një version sintetik i këtij komponenti, i quajtur idebenone, është testuar për sëmundjen e Alzheimer-it, pa treguar rezultate të favorshme.

Ginkgo :Disa studiues besojnë se ekstraktet e nxjerra nga gjethet e glinko biloba kanë aftësi antiinflamatore dhe antioksiduese dhe mund të ndihmojnë në ngadalësimin e progresionit të demencës. Këto preparate mund të ndërveprojnë me medikamentet antikoaguluese dhe mund të shkaktojnë hemoragji.Huperizina A vepron si inhibitor i kolinesterazës. Nëse jeni duke marrë preparate të ngjashme nuk duhet ta përdorni Huperizinën A.

Referencat[redakto | redakto tekstin burimor]

  • Dr. Brunilda Zllami, Revista Vital.