Demografia e fshatit Fterra

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Fterra është fshat i vjetër. Në dokumentet që njihen deri sot, përmendet në vitin 1431 si fshat i nahies së Sopotit me 12 hane (familje të mëdha e në gjendje relativisht të mirë ekonomike). Në fillimet e këtij shekulli familjet e fshatit kanë varijuar nga 80 deri në 100 familje. Në dhjetor 1944 Fterra kishte gjithsej 134 familje, nga të cilat 116 banonin në fshat, 10 banonin jashtë fshatit dhe 8 banonin jashtë Shqipërisë.

Në vitin 2004 fteriotët kanë arritur në rreth 500 familje dhe mbi 2300 frymë. Në këto 50 vjetët e fundit ka rritje të theksuar natyrore, por ka edhe lëvizje e largime, sidomos nga fshati në qytet.

Ndër shkaqet kryesore të largimit nga fshati, mund të përmendim : a) fshati nuk ka kushte të favorshme për zhvillimin e ekonomisë, veçanërisht të bujqësisë; b) fteriotët, duke njohur edhe kurbetin, kanë aspiruar gjithnjë për një jetë më të mirë; c) arsimimi ka qenë një përparësi e gjithë edukimit të bashkëfshatarëve dhe mbas mbarimit të shkollave ata kanë punuar në vende të ndryshme brenda e jashtë Shqipërisë; ç) sedra, në kuptimin e mirë të fjalës, ka bërë që shumë bashkëfshatarë, duke ndjekur shembullin e atyre që jetonin më mirë, të ngulmojnë për të ndjekur rrugën e tyre. Një ndihmese të vacantë për këtë dhanë edhe bijtë e fshatit, që tërhoqën shumë bashkëfshatarë, në kurbet nga fundi i shekullit të kaluar e në fillim të këtij shekulli, si dhe në qytete të ndryshme të Shqipërisë në vitet pas çlirimit

Para çfirimit për fteriotët kishte dy lloj "kurbeti", njëri larg Shqipërisë, kryesisht në Turqi, tjetri jashtë Fterrës, në qytete të ndryshme, me nëpunësi e punë të tjera që servirte koha. Të tillë ishin rreth 30 kryefamiljarë, midis të tyre edhe mjaft intelektualë, që kanë luajtur një rol të rëndësishëm në rritjen e nivelit të arsimit, të kulturës e te mënyrës së jetës. Karakteristika e asaj periudhe ishte që burrat shkonin ku të gjenin punë dhe familjet jetonin në fshat. Pas çlirimit, sidomos pas viteve '50, ata qe ishin në qytete filluan të marrin edhe familjet. Shumë familje që ikën nga fshati ne vitet '50 shkuan në Kombinatin e Tekstilit në Tiranë, ku jetojnë edhe sot.

Në Fterrë në vitin 1945 jetonin 116 familje, 102 familje në vitin 1960, 109 familje në vitin 1980, 114 familje në vitin 1990 dhe 50 familje në vitin 2004

Jashtë Fterrs përqendrimet më të mëdha të familjeve fteriote kane qenë e janë në Tiranë, ku në vitin 2004 banojnë rreth 40 përqind e tyre, në Sarandë rreth 20 përqind, po dhe në Vlorë, Durrës, Shkodër etj. Pas vitit 1960, kur Fterra kaloi administrativisht në rrethin e Sarandës, shkuan aty shumë familje. Nga 3-4 familje që kishte në fillim të viteve ’50, arritën në rreth 25 në ’60-tën e më 2004 rreth 80. Nga familjet që jetojnë sot në Fterrë, vetëm 30 prej tyre janë aktive, kurse të tjerat janë të moshuar.

Kurbeti ka qenë plagë e vjetër e Fterrës, si ai i hershmi, aq më tepër ai i riu. Një numër jo i vogël fteriotësh kanë emigruar në Turqi shumë herët, (përqendruar më tepër në Stambolli e Izmiri). Ka të dhëna që kurbeti ka filluar nga fundi i vitit 1700, por ka shumë mundësi të jetë më i hershëm. Disa bashkëfshatarë shkuan në shkollat turke dhe atje jetuan e punuan në punëra të ndryshme, deri edhe personalitete te Universitetit Perandorak. Megjithëse nuk ka shifra të sakta, nga të dhënat e grumbulluara del se në Turqi jetojnë mbi 50 familje me origjinë nga Fterra. Pjesa me e madhe e tryre janë asimiluar, kanë ndërruar mbiemrat dhe nuk dinë gjuhën shqipe. Ndër fiset që kanë pasur më shumë në kurbet në atë kohë janë Xhama, Hizmo, Mërkuri, Korkuti, Zani e të tjerë.

Pas vitit1990[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Mbas vitit 1991, kur u hapën kufijtë, mjaft familje fteriote si dhe shumë individë të vacantë, emigruan jashtë vendit, sidomos në Greqi e Itali. Ka fteriotë me gjithë familjet e tyre që kanë shkuar e jetojnë përgjithmonë edhe në Amerikë, Kanada, Gjermani, Austri, etj. Gjithë familjet fteriote që janë në emigracion sot, janë rreth 100 me rreth 450 frymë. Nga këto më shumë se gjysmat janë në Greqi. Në Amerikë dhe Kanada pas vitit 1991 jetojnë mbi 70 fteriotë.

Familja fteriote karakterizohet nga familja e re në moshë e në përmbajtje. Sot janë të rralla rastet me dy kurorë brenda në një familje. Kështu ka qenë tradita edhe më parë : rriteshin fëmijët dhe krijonin familjet e tyre. Në vitin 2004 rreth 70 përqind e familjeve janë me 4-5 frymë, vetëm 7 familje janë me mbi 7 frymë, kurse familjet me një frymë përbejnë më pak se 2 përqind të të gjitha familjeve fteriote.

Mbiemrat e fiseve[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Fterra ka gjithesej 38 fise (mbiemra familjesh): Abazi, Avreci, Bezhani, Braho, Brinja, Çallo, Çeli, Dauti, Dhuli, Dusha, Elezi, Gëdo, Gjoni, Haderi, Hadushi, Haxhiu, Hizmo, Kofina, Korkuti, Kurupi, Lona, Maçi, Malo, Mato, Mehmeti, Memi, Mërkuri, Mero, Mita, Ruko, Sadikaj, Shehu, shkurti, Xhaferi, Xhama, Zani, Zeneli, Zhupa.

Më shumë familje ka nga fiset shkurti, Brinja, Gjoni, Mehmeti, Bezhani e pastaj me radhë Hizmo, Dauti, Mita, etj. Sot ne Fterrë nuk banon asnjë familje me mbiemrat Bezhani, Braho, Çallo, Çeli, Dusha, Elezi, Gëdo, Haderi, Korkuti, Mato, Memi, Mërkuri, Mita, Ruko, Sadikaj, Shehu, Xhama dhe Zeneli. Disa nga familjet fteriote, për shkak se nuk kanë lënë trashëgimtarë meshkuj, gradualisht janë fikur. Kështu mund të përmendim Kondi, Çipa, Gjonika, Trako, Seferi, Goxhi, Coçi, Luçi, etj.