Dinastia Zhou

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Dinastia Zhou është dinastia e 3-të në historinë kineze, pas dinastive Sia dhe Shang, ishte dinastia Zhou, që u themelua në vitin 1027 para erës së re dhe u zhduk në vitin 256 para erës së re, pra, zgjati mbi 770 vjet. Periudha e parë e dinastisë Zhou u quajt si dinastia Zhou Perëndimor, kurse periudha e saj e dytë u quajt si dinastia Zhou Lindorë. Viti i ndarjes midis dy periudhave ishte viti kur u lëviz kryeqyteti nga perëndimi në lindje. Dinastia Zhou Lindor pati dy periudha: Periudha e Pranverës dhe Vjeshtës dhe Periudha e Shteteve Ndërluftuese.

Dinastia Zhou Perëndimor (1027-771 para erës së re), zgjati 257 vjet. Mbreti Wu, themeluesi i dinastisë Zhou, kishte qenë mbreti i shtetit Zhou. Ai lëvizi kryeqytetin e shtetit të vtij në qytetin Hao dhe, duke komanduar forcat aleate, e përmbysi dinastinë Shang dhe krijoi dinastinë Zhou. Pas vdekjes së tij, biri i tij, mbreti Çeng trashëgoi fronin dhe vëllai i tij, Zhou Gong Dan punoi si regjent. Pasi stabilizoi situatën e brendshme, Zhou Gong Dan luftoi drejt lindjes dhe mposhti rebelët. Nën drejtimin e tij, dinastia Zhou mori një sërë masash të rëndësishme për konsolidimin e fitores. Periudha e shumë vjetëve të pastajmë u quajt si periudha e “qeverisjes së suksesshme nga mbretërit Çeng dhe Kang”.

Kodet shtetërore të dinastisë Zhou patën veçori të theksuara. Kodet më të rëndësishme ishin kodi i tokave, kodi i sistemit patriarkal, kodi i zonave periferike mbretërore, kodi i riteve dhe i muzikës.

Periudha nga viti 770 para erës së re deri në vitin 476 para erës së re u quajt nga brezat e pastajmë si Periudha e Pranverës dhe Vjeshtës. Krahas zhvillimit të ekonomisë dhe rritjes së popullsisë, filluan luftëra të ashpra midis shteteve të mëdha për hegjemoni, si pasojë, ndodhën ndryshime të mëdha në shoqërinë e atëhershme. Në prodhimin bujqësor, u krijuan vegla bujqësore prej hekuri, filluan përdorimi i kaut në ara dhe ndërtimi i veprave bonifikuese, prandaj u rrit prodhimtaria bujqësore. Periudha e Pranverës dhe Vjeshtës ishte periudhë kalimtare e çintegrimit gradual të sistemit tradicional politik dhe shoqëror të mëparshëm.

Konfuci, mendimtari i parë dhe arsimtar i madh në historinë kineze, lindi pikërisht në vitet e fundit të periudhës së Pranverës dhe Vjeshtës. Në bazë të bilancit të arritjeve kulturore dhe ideologjike të kohëve të kaluara dhe duke u nisur nga situata shoqërore plot me tronditje në vitet e fundit të periudhës së Pranverës dhe Vjeshtës, Konfuci parashtroi një kompleks doktrinash lidhur me problemet etike dhe politiko-shoqërore dhe më tej krijoi shkollën e lashtë konfuciste.

Periudha e Shteteve Ndërluftuese ka qenë një epokë tjetër e synimeve të principatave për ndarje rajonale dhe për hegjemoni, pas periudhës së Pranverës dhe Vjeshtës. Historiani dhe letrari i madh kinez i kohës së lashtë Sima Qian e përcaktoi vitin 475 para erës së re (viti kur mbreti Yuan i dinastisë Zhou hipi në fronin mbretëror) si viti i fillimit të periudhës së Shteteve Ndërluftuese. Por, disa historianë të sotëm janë të mendimit se do të ishte më mirë që viti 403 para erës së re, vit kur tri shtetet e formuara brenda shtetit Jin, shtetet Zhao, Han dhe Wei u përfshinë ndër principatat e dinastisë Zhou, të konsiderohet si viti i fillimit të periudhës së Shteteve Ndërluftuese. Periudha e Shteteve Ndërluftuese zgjati deri në vitin 221 para erës së re, kur shteti Çin aneksoi 6 fuqitë dhe bashkoi gjithë vendin kinez.

Gjatë periudhës së Shteteve Ndërluftuese, ndodhën ndryshime të mëdha në tokat kineze. Shumica dërmuese e principatave të dinastisë Zhou u zhdukën dhe mbetën vetëm disa prej tyre, të cilat kishin aneksuar principatat e tjera. Ndër to, shtetet Çin, Çu, Yan, Han, Zhao, Vei dhe Çi ishin shtete kryesore. Ato bënë njëri pas tjetrit transformime për fuqizimin e tyre. Reforma që bëri Shang Yang në shtetin Çin ishte më rrënjësore dhe më me influencë.

Në periudhën e Shteteve Ndërluftuese, luftërat vite me radhë nuk penguan aspak zhvillimin e kulturës së lashtë kineze dhe në shoqërinë e atëhershme lindi një shtresë intelektualësh që kishin përvetësuar njohuri kulturore dhe akademike dhe që, me veprimtarinë e tyre në shoqëri, shpejtuan më tej lulëzimin kulturor dhe akademik. Gjatë asaj periudhe, ideologjia dhe kultura kineze në kohën e lashtë arritën majën më të lartë. Brezat e pastajmë i vlerësuan lart doktrinat e disa shkollave akademike, si ato të konfucizmit të përfaqësuar nga Konfuci dhe Mengci, të taoizmit të përfaqësuar nga Laoci, Zhuangci dhe Lieci, të legalizimit të përfaqësuar nga Han Fei, të mocizmit të përfaqësuar nga Moci e të tjerë. Me lindjen e këtyre shkollave akademike, në qarqet ideore të asaj periudhe u duk një tablo e “ lulëzimit të njëqind luleve dhe konkurrimit midis njëqind shkollave”. Ato doktrina jo vetëm luajtën rol për nxitjen e zhvillimit politik dhe ekonomik në atë kohë, por lanë influencën e tyre edhe në ditët e sotme, duke shënuar një faqe të pashlyeshme në historinë e ideologjisë kineze.

Në vitin 230 para erës së re, Ying Zheng, mbret i shtetit Çin filloi luftën për bashkimin e vendit. Brenda 9 vjetëve ai zhduku njëri pas tjetrit 6 fuqitë e tjera dhe kreu bashkimin në vitin 221 para erës së re, duke i dhënë fund gjendjes së ndarjes së vendit, që zgjati për 600 vjet.