Edita Tahiri

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Edita Tahiri

Edita Tahiri.jpg

Emri: Edita
Mbiemri: Tahiri
Lindi më: 29 Korrik , 1956
Vendlindja: Prizren
Profesioni: Politikane


Edita Tahiri është lidere, politikane, diplomate dhe negociatore e njohur shqiptare. Aktualisht është Zëvendës Kryeministre e Republikës së Kosovës e ngarkuar për politikën e jashtme dhe sigurinë nacionale. Para se ta marrë postin e zëvendëskryeministres, ishte Ministre e Administratës Publike

Edita Tahiri ka një karrierë të gjatë e të shquar politike në vitet e rënda të okupimit të Kosovës. Ishte një nga protagonistët kryesor të ndryshimeve politike në Kosovë dhe rajonin e Evropës Juglindore, që nga përfundimi i luftës së ftohtë. Ishte një nga themelueset dhe liderët kryesorë të lëvizjes për pavarësinë e Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës, në vitet 1991-1999. Është veçanërisht e njohur në politikën e jashtme dhe punën e saj të madhe në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe çështjes shqiptare si Ministre e Punëve të Jashtme të Kosovës (1991-2000). Ishte pjesëmarrëse e delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujes (1999) ku dha një kontribut të jashtëzakonshëm për arritjen e Marrëveshjes së Rambujes, që cila solli intervenimin e NATO-s në Kosovë në 1999 dhe hapi rrugën e pavarësisë së Kosovës.

Lidershipi i njohur i Edita Tahirit është dëshmuar përmes përgjegjësive të larta politike e shtetërore që mbajti në kohë të rënda të okupimit të Kosovës, periudhë kjo kur shqiptarët përjetuan format më brutale të shtypjes deri në shkallë gjenocidi nga ana e Serbisë. Me filozofinë e sajë politike për liri, demokraci dhe vetëvendosje ajo iu përkushtua qëllimit që të sigurojë që gjenocidi kurrë më nuk do ti ndodh popullit të saj. Përveç funksionit të Ministres së Punëve të Jashtme, ajo mbajti edhe funksione tjera si: Anëtare e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës LDK prej 1991-1998; Sekretare për marrëdhënie me jashtë e LDK-së (1991-1998), Deputete e Kuvendit të Kosovës (1992-2000; 2001-2004), Emisare speciale e Presidentit Rugova, Kryetare e Komisionit për politikë të jashtme e Kuvendit të Kosovës (1998-200) dhe shumë funksione tjera. Ishte lidere shpirtërore e Forumit të Gruas të LDK-së dhe koordinatore nga Kryesia e LDK-së (1991-1998) dhe shumë përgjegjësi tera përfshirë Themeluese e Qendrës së Kosovës për Studime Ndërkombëtare (1994).

Edita Tahiri në kapacitetin e saj si Ministre e Punëve të Jashtme e një vendi të okupuar dhe shumë pak të njohur siç ishte Kosova, gjatë dhjetë vjetëve të punës së sajë arriti që ta bëjë të njohur çështjen e Kosovës dhe çështjen e pazgjidhur shqiptare në qarqet më të larta botërore si dhe të sigurojë përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare për të drejtën për vetëvendosje dhe pavarësi të Kosovës. Në takime me zyrtarët më të lartë dhe burrështetasit përfshirë sekretaren amerikane të shtetit Madeleine Albright, Shefin e NATO-s Gjeneralin Wesley Clark, kryeministrin britanik Tony Blair, kancelarin gjerman Gerhard Schroeder, ministrin e jashtëm francez Hubert Vedrine e shumë personalitete tjera ndërkombëtare ishte shumë e suksesshme në prezantimin e kauzës kombëtare para diplomacisë botërore.

Edita Tahiri është negociatore e shquar dhe mori pjesë në të gjitha fazat e negociatave deri në intervenimin e NATO-së në 1999, përfshirë këtu Konferencën e Rambujes (1999), Konferencën e Londrës (1992), negociatat para-Rambujeane në 1998, si pjesë e ekipeve negociatore G15 and G5. E shkolluar dhe trajnuar për negociata në shkolla të njohura botërore si dhe duke qenë protagoniste e procesit të ndërlikuar të dezintegrimit të ish-Jugosllavisë, ekspertiza e saj është një burim i çmueshëm në fushën e zgjidhjes së konflikteve. Po ashtu, është njohëse e mirë e fushës së sigurisë, dhe mbanë diplomën e Kolegjit për Studime ndërkombëtare dhe të Sigurisë, të Qendrës George C. Marshall, Gjermani, 2003.

Ishte pjesëmarrëse në shumë Konferenca botërore, në mes tjerash në Konferencën e Katërtë Botërore të Grave në Pekin 1995; Samitin Botëror të Ushqimit, Rom 1996; Konferencën Botërore të Habitatit, Stamboll, 1996; Konferencën e Parë Botërore për Globalizimin, Santiago de Compostella, Spanjë, 1997; Sesionet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, 1996, 1997 dhe 1998; Asamblesë Parlamentare të NATO-së, 1998; Takimin e Ambasadorëve të OSBE-së në Vjenë, Vjenë, 1998; Konferencën e Lansdowne-it, 1999; Konferencën e Airlie-t, 2000 dhe 2002; Konferencën Ndërkombëtare mbi Transferin e Popujve, Tallinn, Estonia, January 1992, etj.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, ajo shquhet si reformatore në përpjekjet për ndryshime demokratike në Kosovë, dhe në pamundësi që të realizojë reformat demokratike në Lidhjen Demokratike të Kosovës largohet për të krijuar së bashku me bashkëmendimtarët e saj partinë reformatore, Alternativën Demokratike të Kosovës (ADK) në maj 2004. Edita Tahiri është kryetare e partisë Alternativa Demokratike të Kosovës (ADK) që nga themelimi. Pas zgjedhjeve nacionale të vitit 2007, ADK është parti parlamentare dhe pjesëtare e koalicionit qeverisës me Partinë Demokratike të Kosovës.

Edita Tahiri është deputete në Kuvendin e Kosovës pas besimit të fuqishëm të marrë nga elektorati në zgjedhjet e 2007 duke u radhitur në mesin e dhjetë politikanëve më të votuar të vendit. Në kuadër të angazhimeve të saja politike një vend të veçantë zë angazhimi i vazhdueshëm për fuqizimin e grave. Është udhëheqëse e Lobit të Grave të Rajonit ( RWLSEE) të cilën ajo së bashku me disa gra lidere të politikës dhe shoqërisë civile të rajonit e formuan në vitin 2006. Profili i saj akademik është ndërtuar nga studimet në shkenca politike dhe shkenca teknike në universitete prestigjioze të botës.

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka mbaruar studimet pasuniversitare në Universitetin e Harvardit, Shkolla John F. Kennedy për Qeverisje në vitin 2002 dhe mbanë titullin Magjistër e Administratës Publike. Po ashtu ka diplomuar në programin Edward S. Mason për Politika Publike dhe Menaxhment, 2002. Gjatë studimeve në Universitetin e Harvardit kishte për tutor profesorin e njohur amerikan dhe dekanin e Shkollës John F. Kennedy, Prof.Dr. Joseph Nye. Për sukseset e saja në studime është lauruar me titullin “Student i shkëlqyeshëm i vitit 2002” nga John Kennedy School of Government Public Service Fellowship si dhe “Mirënjohjen Edward S. Mason për kontribut të jashtëzakonshëm.”

Edita Tahiri ka doktoruar në shkencat politike më 2 nëntor 2011 teza e saj trajton “Shtetndërtimet ndërkombëtare në rrethanat e sovranitetit të papërcaktuar”. Në vitet 2006/2007 ishte studjuese e Progamit Fulbright në Universitetin Johns Hopkins- SAIS ku bëri një studime për doktoraturë në Programin për Zgjidhjen e Konflikteve, nën mbikëqyrjen e profesorit të njohur amerikan I.William Tartman.

Para se të angazhohej në politik dhe në shkenca politike, ishte studjuese e shkencave të elektronikës dhe telekomunikacionit. Në vitin 1980 diplomoi në Unversitetin e Prishtinës me titullin inxhiniere e elektronikës dhe telekomunikacionit. Në vitin 1983 bëri studime postdiplomike në fushën e telekomunikacionit digjital në Universitetin e Essex- it, Britani e Madhe. Ajo ligjëroi lëndët e elektronikës si dhe është autore e librit “Elektronika.” Shkruan për çështje politike, të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe veçanërisht për çështjet e Kosovës dhe rajonit të Ballkanit. Në mesin e publikimeve të saja janë: “Konferenca e Rambujes: Procesi negociator dhe dokumentet”, Dukagjini, Pejë, 2001; “Kosova and Shqiptarët tjerë jashtë Shqipërisë”, Aspen Institut, Berlin, 1997; “Kosova: Raporti nacional”, prezantuar në Konferencën botërore të grave në Pekin, 1995; “Kosova: Ardhmëri e uritur”, prezantuar në Samitin Botëror të Ushqimit, Romë 1997; Pavarësia e Kosovës: Faktor Stabiliteti për Evropën Juglindore, Shqiptarët në Ballkan, Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, Tiranë, 2001; Pavarësia e Kosovës – kontribut për stabilitetin e rajonit, Akademia për mbrojtje kombëtare, Vjenë, 2002 si dhe një numër të madh esejësh e artikujsh.

Për punën e saj të dalluar ka marrë shumë mirënjohje, çmime dhe tituj nderi e anëtarësime ndërkombëtare, në mes e të cilëve, Anëtare nderi e qytetit Little Rock, SHBA (1993), Komisionare nderi e Këshillit të rrethit të Tenesit, SHBA (1993), Anëtare e Konzorciumit ndërkombëtar të Akademive të Mbrojtjes dhe Instituteve të Studimeve të Sigurisë, 2001, Anëtare e Komisionit politik, Instituti Transatlantik, Bruksel, 2005. bashkëthemeluese e anëtare e Bordit ekzekutiv të Organizatës së Kombeve dhe Popujve të Papërfaqësuar me seli në Hagë, (1992) Aktualisht është ligjëruese në Departamentin e shkencave politike, në fushën e politikës së jashtme e diplomacisë. Po ashtu mbanë ligjërata në universitetet botërore. Ka marrë pjesë dhe ka mbajtur fjalime në shumë konferenca ndërkombëtare si dhe ka qenë e intervistuar nga mediet kryesore botërore përfshirë CNN, BBC, Euronews, etj.

Është e lindur më 29 korrik 1956 në Prizren. Flet gjuhë të huaja: anglisht, turqisht, serbisht, kroatisht.

Burimi i të dhënave[redakto | redakto tekstin burimor]