Fetah Podvorica

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Fetah Podvorica (1968) është elektrokimist, profesor universitar dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë [1] [2] si dhe anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave, Arteve dhe Letërsisë të Dijon-it, në Francë. [3] [4]

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Fetah Podvorica lindi më 1968 në Dumosh të Podujevës, ku kreu shkollimin fillor, ndërsa të mesmin e kreu në Podujevë. Studimet i kreu në Departamentin e Kimisë, të FSHMN-së, të Universitetit të Prishtinës më 1993. Studimet e pasuniversitare në lëminë e Kimisë fizike i vazhdoi në Universitetin e Parisit 7, Denis-Diderot, në Francë në vitt 1996/97 dhe mori diplomën e studimeve të thelluara. Studimet e doktoratës i vazhdoi në Universitetin e Parisit 7 prej vitit 1997 deri në vitin 2000, duke e zbatuar elektrokiminë në mveshjen e metaleve me shtresa organike. Puna hulumtuese u kurorëzua me patentim dhe temën e doktoratës e mbrojti në qershor të vitit 2000 në Universitetin e Parisit 7. Në dhjetor të vitit 2010 në Paris, në ESPCI (Ecole Superieure de Physique et de Chimie de Paris) mbrojti Habilitimin për udhëheqje të hulumtimit shkencor dhe e morri kualifikimin për profesor të rregullt në Francë. Më 1993 u zgjodh asistent në Departamentin e Kimisë. Gjatë viteve 1998-2000 është angazhuar në mësimdhënie me studentët e Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Parisit 7. Në shtator të vitit 2000 u kthye në Universitetin e Prishtinës me ç’rast u angazhua ligjërues i Kimisë fizike dhe i Korrozionit. Në vitin 2002 u zgjodh profesor asistent, në vitin 2006 profesor i asocuar kurse më 2009 profesor i rregullt. Në vitet 2003-2013 ka qenë profesor i ftuar, në Ecole Superieure de Physique et de Chimie (ESPCI) në Paris ku ka vazhduar punën hulumtuese dhe ka udhëhequr kandidatë në hulumtim në doktoratë e postdoktoratë. Prej vitit 2014 është profesor i ftuar në Universitetin Paris 7 dhe në Universitetin e Orleansit në Francë. Ka qenë profesor i ftuar në Universitetin e Leuvenit në Belgjikë, më 2020, atë të Leipzigut në Gjermani, më 2011, në atë të Paris Est, në Francë, më 2009 si dhe në Universitetin e Aarhusit, në Danimarkë, më 2008.

Shumica e punimeve shkencore nga lëmi i Elektrokimisë i janë botuar në revistat e American Chemical Society, Royal Chemical Society dhe Elsevierit. Ka patentuar 2 patente lidhur me mveshjen e sipërfaqes së metaleve me shtresa organike, njërin në Evropë dhe tjetrin në ShBA. Licenca e patenteve sot shfrytëzohet për veshje të stenteve me filma organikë të komercializuara nga kompania Sinomed në Kinë. Ka bashkë-organizuar një Simpozium shkencor në kongres ndërkombëtar të International Society of Electrochemistry i mbajtur në Durban (2019, Afrikë e Jugut) si dhe ka mbajtur prezentime me gojë të tilla si i ftuar ose si i përzgjedhur në Pekin (viti 2009, Kinë), Nicë (2010, Francë), Saint Malo (2015, Francë), Hagë (2016, Holandë), Bologne (2018, Itali), Tiranë (2021 dhe 2022). Ka organizuar tryezën shkencore me titull “Materialet Kompozite” më 6 prill 2018 në kuadër të Seksionit të ShN të ASHAK-ut e cila ka patur karakter ndërkombëtar. Ka marr pjesë në disa projekte shkencore në nivel vendi dhe në Francë.

Është anëtar i rregullt i American Chemical Society nga viti 2005 dhe International Society of Electrochemistry nga viti 2008. Prof. Podvorica është sekretar i redaksisë së botimit të revistës Research, botuar nga Seksioni i Shkencave të Natyrës së ASHAK-ut. Është editor i asocuar i revistës Chemistry Africa, botuesi Springer dhe është zgjedhur zv.udhëheqës i divizionit të Elektrokimisë molekulare në kuadër të International Society of Electrochemistry për periudhën 2023-2024. Është recensent i mëse 30 revistave shkencore të botuara nga American Chemical Society, Royal Society of Chemsitry dhe në kuadër të Elsevier-it. Ka qenë recensent i projekteve shkencore të dorëzuara në kuadër të CNRS- Francë (Qendra kombëtare për kërkim Shkencor), Israel Research Council, si dhe disa Universitete të Belgjikës.

Ka botuar 3 kapituj librash, në lëminë e kripërave të aril diazoniumit, nga shtëpitë botuese Wiley Taylor & Francis dhe Springer. Ka udhëhequr deri më tani 6 PhD si dhe 2 post doktorantë dhe ka marr pjesë si kryetar ose anëtar i jurisë në 10 mbrojtje të temave të PhD në Francë dhe Itali. Në vitet 2002-2005 ka qenë sekretar i Departamentit të Kimisë; 2007-2010 ka udhëhequr studimet e doktoratës në FSHMN të, Universitetit të Prishtinës, 2014-2015 ka qenë prorektor në Universitet të Prishtinës Gjatë viteve 2007-2011 ka qenë anëtar i Këshillit Kombëtar për shkencë i zgjedhur nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Në vitin 2021 është zgjedhur përsëri anëtar i Këshillit Kombëtar të Shkencës për një mandat tjetër.

Më 2016 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës ndërsa prej janarit të vitit 2018 është zgjedhur sekretar i Seksionit të Shkencave të Natyrës të ASHAK-ut. Më 25 mars 2017 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave, Arteve dhe Letërsisë të Dijon-it, Francë. Ligjëratën inauguruese në këtë institucion e ka mbajtur më 10 prill 2019.

Më 27 maj 2021 u zgjodh anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Është shpallur shkencëtar i vitit 2013 nga Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë të Kosovës ndërsa në vitin 2019 është shpërblyer prej rektorit të UP-së me mirënjohje për arritje të lartë shkencore dhe kontribut të çmuar në ngritjen e Universitetit të Prishtinës në ranglista ndërkombëtare të vlerësimit të universiteteve.[5]

Shih edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ https://staff.uni-pr.edu/profile/fetahpodvorica
  2. ^ https://www.researchgate.net/profile/Fetah-Podvorica
  3. ^ https://www.ashak.org/repository/docs/Certifikata_Academie_de_Dijon_2019-04-10_9615.pdf
  4. ^ https://www.academie-sabl-dijon.org/2019/03/13/modification-des-surfaces-de-materiaux-avec-des-groupes-organiques-et-degradation-de-polluants-organiques-persistants-par-voie-electrochimique/#more-1832
  5. ^ https://ashak.org/anetaret/fetah-podvorica/