Fjalor Enciklopedik për vreshtarinë dhe verëtarinë

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Fjalor Enciklopedik për vreshtarinë dhe verëtarinë me Autor Andrea Shundi. Shtëpia botuese: Dita 2000. Viti i botimit 2010. Faqet e librit 466. ISBN 978-99956-92-04-9

Fjalor mëse i përditësuar, me përcaktime dhe shtjellime për secilin term/zë. Paraqet mendësi dhe praktika të përparuara në teknologji, duke pasqyruar sa më thukët e qartë, visarin për vreshtarinë dhe verëtarinë. Përmban gjithë hapësirën që lidhet me: bio-morfologjinë e hardhisë, klimën dhe tokën, teknologjinë gjithëpërfshirëse të selitjes së hardhisë, mjetet dhe paisjet që përdoren në vreshtari. Nuk lihet gjë mangut nga veprimtaria vreshtare. Ndërkaq, verëtaria trajtohet e ndërthurur me vreshtarinë sikurse veprohet në praktikën ndërkombëtare sepse këto dy veprimtari përbëjnë një të tërë organike dhe plotësojnë njëra tjetrën. Nëpërmjet zërave përkatës, trajtohen të gjitha hallkat e prodhimit të verës, nga shtypja e rrushit dhe tharmimi i mushtit deri tek fisnikërimi i verës, nga moshimi dhe ruajtja deri tek tregtimi dhe mënyrat e ngjërimit e shijimit të verës.

Fjalor i parë i kësaj natyre në botimet shqiptare, përbën sintezë jo vetëm të njohurive të autorit por edhe të praktikave sa tradicionale aq bashkohore, të botimeve të viteve'2000.

Fjalori përmban 3300 terma dhe sinonime të tyre, duke paraqitur pasurinë gjuhësore dhe atë profesionale të trojeve shqiptare, përfshirë Kosovën (për shembull çejze, gixhë, hark, kacë, kalavesh, piklavje, plakrricë, plandë, pokanje, polluvin), Luginën e Preshevës, Maqedoninë, Malin i Zi, Çamërinë (për shembull botë, kalistër, kallathe, kllarisje, trikul), arbëreshët në Itali dhe arbërorët në Greqi. Në këtë Fjalor, fjala shqipe ndihet më mirë, si e grumbulluar në familje; po ashtu lexuesi sepse mund të gjejë edhe fjalën e trevës së vet. Termat, krahas paraqitjes në shqip, janë edhe në gjuhët anglisht e italisht. Shumica e termave shoqërohen me fjalë të urta dhe thënie, duke ndriçuar më tej përmbajtjen e tyre. Po ashtu, të 258 fotot me ngjyra dhe skicat, përplotësojnë përmbajtjen e Fjalorit. Në Shtojcë paraqiten: lista me 90 ekotipe vendase të hardhisë, 161 terma-sinonime-fjalë të urta në arbërisht, lista me 93 terma dhe fjalë të tjera të shqipëruara.

Në Fjalor paraqiten 110 kultivarë më të përhapur në vreshtarinë shqiptare dhe ekotipe hardhish që seliten në Shqipëri e Kosovë. Shtjellohen 170 zëra, sinonime dhe fjalë të urta arbëreshe e arbërore që kanë të bëjnë me vreshtarinë e verëtarinë.

Librat dhe traktatet e përdorur për hartimin e Fjalorit arrijnë shumën 62, shumica të botuar në vitet ‘2000. Spikasin 35 fjalorë dhe enciklopedi, nga të cilët 20 në gjuhën shqipe.

Parathënia në Fjalor është shkruar nga prof. dr. Resmi Osmani i cili është i mirënjohur në vreshtarinë shqiptare. Recenzentë të Fjalorit janë profesor R. Osmani, prof. ass. Lush Susaj dhe dr. Taso Nini. Redaktor është filologu Altin Haxhinasto ndërsa arti grafik i përket Nikolin Hanxharit. Fjalori përmban 464 faqe, me përmasa 17 x 25 cm dhe lidhja e librit është me kapak kartoni të trashë e të fortë.

Fjalori priret drejt përcaktimeve normative, për sa i përket termave dhe përkufizimeve e mendësive për to. Nga njohuritë e Fjalorit, mëtohet të përfitojnë jo vetëm studentët, specialistët, vreshtarët-verëtarët profesionistë, por edhe prodhuesit shtëpiakë e dashamirësit e shumtë të cilët ushqehen e shijojnë rrushin dhe verën.