Gripi i shpendëve

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Gripi i shpendëve është një infeksion që shkaktohet nga viruse të gripit normalisht tipik për to. Këto lloje virusesh hasën në mënyre të natyrshme mes shpendëve. Shpendët e egra i mbartin ato në zorrët e tyre, por zakonisht nuk sëmuren prej tyre. Megjithatë gripi i shpendëve është shumë ngjitës mes shpendëve dhe disa shpendë shtëpiak si pulat, patat dhe pulat e detit sëmuren rënde prej tij dhe ngordhin. Kjo sëmundje e cila për herë të parë u identifikua në Itali më tepër se 100 vite më parë, haset në të gjithë botën.

Mendohet se të gjithë shpendët janë të ndjeshëm karshi saj, megjithëse disa specie janë me rezistencë ndaj infeksionit se disa të tjera. Njihen deri në 15 nën-lloje të virusit të gripit të cilët prekin shpendët duke ofruar në këtë mënyre një rezervuar të madh të viruseve të gripit që potencialisht qarkullojnë në popullatat e shpendëve. Deri me sot të gjitha shpërthimet e formës shumë patogjenike janë shkaktuar nga viruset e gripit A të nën-llojeve H5 dhe H7.

Shpendët migruese ujore, më shpesh patat e egra, janë rezervuari natyror i viruseve të gripit te shpendëve dhe këta shpendë janë gjithashtu më rezistent ndaj infeksionit. Shpendët shtëpiake si pulat janë veçanërisht te ndjeshëm ndaj epidemive të gripit vdekjeprurës. Infeksioni shkakton një spektër të gjerë simptomash tek shpendët që shkojnë nga një sëmundje e lehtë deri në një sëmundje shumë ngjitëse dhe fatale duke çuar në epidemi të rënda. Kjo e fundit njihet si “gripi i shpendëve shumë patogjenik”. Kjo formë karakterizohet nga një fillim i papritur, sëmundje e rëndë dhe ngordhje e shpejte, me një ngordhshmeri që mund ti afrohet 100 %. Shpendët e sëmure kanë temperaturë, veshtiresi në frymëmarrje dhe heqje barku. Pas një periudhe disa-ditore inkubacioni (që është koha nga futja e virusit deri në shfaqjen e shenjave klinike të sëmundjes) të gjitha pulat në një pulari infektohen. Ato nuk bëjnë më veze dhe ngrodhin brenda një kohë të shkurtër.

Kontakti i drejtpërdrejte ose i tërthorte i shpendëve shtëpiake me shpendët migrues ujore konsiderohet si shkaku i shpeshte i epidemive. Tregjet e shpendëve të gjalla gjithashtu kanë luajtur një rol të rëndësishëm në përhapjen e epidemive. Kërkimet e kohëve të fundit kanë treguar së viruset më patogjenicitët te ulet, pra më aftësi te ulet për të shkaktuar sëmundje, mbas një qarkullimi ne një popullate pulash, ngandonjëherë edhe për një kohë të shkurtër, mund të shndërrohen në viruse tepër patogjenë.