Hamit Boriçi
| Hamit Boriçi | |
| Emri | Hamit |
| Mbiemri | Boriçi |
| Lindur më | 1930 |
| Lindur në | Shkodër |
| Kombësia | shqiptare |
| Shtetësia | shqiptare |
| Profesioni | gazetar |
Hamit Boriçi (i lindur më 1930 në Shkodër), gazetar shqiptar nga Shqipëria.
Boriçi ka studiuar për gazetari në Universitetin “Llomonosov” në Moskë. Është diplomuar për gjuhë e letërsi shqipe Në Universitetin e Tiranës (fakultetin Histori-Filologji). Aty ka kryer edhe studimet pasuniversitare i profilizuar për letërsinë publicistike. Në vitin 1981 ka mbrojtur gradën shkencore “Kandidat i shkencave”, ndërsa në vitin 1988 ka mbrojtur gradën shkencore “Doktor i shkencave”.[1]
Është njëri nga themeluesit i së parës Degë-Katedër të Gazetarisë në Shqipëri (1964). Për më shumë se 40 vjet është ligjërues, titullar i lëndëve: ‘Teoria dhe praktika e gazetarisë’ dhe ‘Mjeshtëria (Format e pasqyrimit publicistik)’, si edhe ligjërues i lëndës ‘Historia e Gazetarisë’ dhe ‘Etika profesionale e gazetarisë’. Aktualisht punon si pedagog i jashtëm në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës.[1]
Ka qenë shef i Katedrës së Gazetarisë në Universitetin e Tiranës (1986-1991), anëtar i Këshillit Shkencor të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (1980-1985), anëtar i Këshillit Shkencor të Fakultetit të Shkencave Politike-Juridike (gazetari) të Universitetit të Tiranës (1986-1989), anëtar i Këshillit Drejtues të Fakultetit Histori- Filologji të Universitetit të Tiranës (2001-2003).[1]
Përvoja gazetareske: Korrespondent i gazetës “Zëri i rinisë” për rajonin e Shkodrës (1954-1958). Gazetar, redaktor dhe përgjegjës redaksie në gazetën e përditshme “Bashkimi” në Tiranë (1963-1974). Kryeredaktor gazetës së përditshme “Bashkimi” në Tiranë (1978-1990). Është autor i disa librave (teksteve) universitare, të publicistikës dhe monografike.[1]
