Shkodra

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko


Shkodër
Emblema e Shkodrës
Emblema
Shkodër
Shkodër (Shqipëria)
Shkodër
Shkodër (Shqipëria)

Koordinatat:42°04′03″ Veri 19°30′47″ Lindje 42.0675, 19.5130556

Të dhënat baze
Shteti Shqipëria
Qarku Qarku i Shkodrës
Rrethi Rrethi i Shkodrës
Targat e automjeteve SH
Sipërfaqja 46.16 km²
Popullsia
Dendësia e popullsisë
114.219 banorë
6 660 ban/km²
Kodi postar 4001 - 4007 [1]
Prefiksi telefonik +355 (0) 22
Aeroporti Nënë Tereza km nga Shkodër
Faqja zyrtare
Politika
Kryetari Lorenc Luka (PD)
Partia udhëheqëse Partia Demokratike
Të tjera
Vendasit Shkodranë
Zona kohore
Zakonisht ZKEQ (UTC+1)
Në verë OVEQ (UTC+2)
Portali Shkodra
Kryeqyteti moral i Shqipnisë
— Dom Lazër Shantoja Burimi: [2]
Një njeriu të zakonshëm, të ardhur nga qyteti ortodoks i Manastirit, Shkodra i duket fillimi i Europës
Ismail Kadare Burimi: [3]


Shkodër, vendasit e së cilës quhen "shkodranë", është qytet në Shqipërinë veriperëndimore, i themeluar rreth shekujve V-IV p.e.s. Qyteti sot ka rreth 115 000 banorë, është kryeqendra e rrethit dhe qarkut me të njëtin emër.

Gjeografia[redakto | redakto tekstin burimor]

Shtrirja gjeografike[redakto | redakto tekstin burimor]

Shtrihet për rreth 16,46 km²[4] në nyjën hidrografike me pranë liqenit me të njëjtin emër dhe lumenjtë Drin, Bunë dhe Kir në një ultësirë të "mbrojtur" nga liqeni, Alpet Shqiptare në lindje ku spikasin majat e Cukalit (1.722 m), Maranaj (1.576 m), Sheldies (mali Sardonik i Barletit; për nga Shurdhahu) dhe Taraboshit (rreth 700 m) në perëndim dhe deti Adriatik. Në një rreze prej 45 km mund të arrihen ranishtet në Adriatik, shëtitjet e alpinizmi në Alpe, e kanotazhi nepër lumenj[5] [6]. Shkodra është një ndër qytetet më të rëndësishme të Shqipërisë.

rrethin e Shkodrës ndodhen hidrocentralet më të mëdha të vendit: ai i Vaut të Dejës dhe i Komanit të cilët janë përcjellësit kryesor të energjisë elektrike në shtëpitë e shqiptarëve. Qyteti vizitohet nga turistët gjatë gjithë vitit dhe ofron turizëm të shumllojshë ku vlen të përmendet ai kulturor, bregdetar, liqenor, lumor e malor nga Velipoja në Adriatik, Shiroka e Zogaj buzë liqenit, SardaVau Dejës deri në Razëm, Shkrel, Bogë, Theth, Vermoshi nepër Malësi, shumë e shumë pika të tjera.

Oborri i Kishës së Fretënvet

Relievi[redakto | redakto tekstin burimor]

Shkodrës i takojnë 13 maja në Alpe, që i kapërcejnë të 2000m lartësi si: Jezerca (2694m), Papluka, Mali i Vilës, Radohima (2570m), Mali i Shënikut (2550m) si dhe Biga e Gimajve (mbi 2200m) etj. Krahas këtyre majave në Shkodër gjenden male të tjera më të ulëta si Taraboshi (595m), Shita e Hajmelit e deri te kodrat e Bushatit, të Bërdicës, të Kodhelit, të Kakarriqit, të Rrencit e të Tepes.

Ndër luginat më të bukura në rrethin e Shkodrës është lugina e Shalës (e përbërë nga dy lugina të vogla: lugina e Kopreut dhe lugina e Thethit), lugina e Kirit dhe lugina e Përroit të Thatë.

Rajoni i Shkodrës është i njohur për burime të pasura hidrografike. Janë lumenjtë Drini 285 km, Buna 44 km (i vetmi lumë i lundrueshëm), Kiri 51 km, Shala që përbëhet nga dy përrenj, Cemi, dhe burimet ujore. Përveç lumenjve, është e pasur edhe me liqene: Liqeni i Shkodrës zë një sipërfaqe 368 km2 nga e cila 149 km2 përfshihet brenda territorit të Shqipërisë. Eshtë liqen i cekët, me florë e faunë shumë të pasur. Në këtë liqen jetojnë 50 lloje peshqish. Në brigjet e tij shtrihen fshatrat turistikë të Shirokës dhe të Zogajt. Liqeni është preferenca e çdo shkodrani. Krahas liqenit të Shkodrës kemi tre liqene artificiale: Liqeni i Vaut të Dejës, liqeni i Komanit dhe Liqeni i Shtodrit.

Shkodra ka një florë dhe faunë shumë interesante, rreth 1900 lloje bimësh dhe 3500-4000 specie shtazore. Ky qytet është ndër të rrallët që natyra i ka falur fushat pjellore, lumenjtë plot ujë, liqenin e mrekullueshëm e kodrat e gjelbëruara.


Klima[redakto | redakto tekstin burimor]

Shtrirja në mes të një relievi fushor, kodrinor, paramalor dhe malor, afërsia me Deti Adriatik dhe liqenin e Shkodrës kanë përcaktuar edhe klimën e saj, një klimë mesdhetare me dimër të butë e të lagësht dhe verë të nxehtë e të thatë. Temperaturat mesatare në vit variojnë nga 13,8 °C deri ne 16,0 °C. Temperatura në Janar është nga 1,3 °C deri në 8 °C. Në dimër fryn era e murlanit (erë lokale), e ftohtë, e fortë dhe e thatë, ndërsa në fund të vjeshtës fryn era e shirokut, që shoqërohet me reshje dhe fryrjen e lumenjve. Sasia e reshjeve në këtë qytet është e madhe. Mesatarisht aty bie 2500 mm shi në vit, pra një nga zonat më të lagështa të Shqipërisë.

Historiku[redakto | redakto tekstin burimor]

Red right arrow.svg
 Artikulli kryesor: Historia e Shkodrës.
Shiko edhe: Shkodra në Lidhjet Tregtare me Trevat e Tjera në Shekujt XIV - XV

Prejardhja e emrit[redakto | redakto tekstin burimor]

Origjina e emrit të saj, SΚΟΔRΙΝΩΝ (Scodra në transkriptimin latin), mendohet [7] të jetë vendi ku shkon Drini (Shko Drinon), kur erdhën agresorët turq në Mesjetë e quanin İşkodra ose Işkenderiyye nga Işkender duke pandehur se banorët e këtij qyteti ishin të bijtë e Aleksandrit të Madh (Skënder, emri i myslimanizuar) për nga trimëria që shfaqnin në beteja, nga ku Barleti nxjerr një tezë se Shkodrën mund ta ketë themeluar Aleksandri i Madh, por faktet dëshmojnë për më të vjetër.

Trashëgimia kulturore, Kultura e Shkodrës për Kombin Shqiptar[redakto | redakto tekstin burimor]

Trashëgimia kulturore e Shkodrës për kombin Shqiptar fillon që në shek. XV ku ishte qendër e Humanizmit. Nga ky ambjent dolën në dritë humanistë e mendimtarë të shquar, si Marin Barleti e Marin Beçikemi [8], që me veprat e tyre nxitën në futjen e qytetit në vepra e studime e shkenca të aplikuara. Matematicieni Gjon Gazulli, u konsiderua si një nga astronomët më të shquar të kohës. Dallohet me një nga shkollat më të para në trevat shqiptare më 1698. Historiani E. Jacques shton se edhe të tjera shkolla u hapën “në Pllanë, një fshat afër lumit Mat, më 1638, në Troshan, më 1639". Shkodra ka pasur observatorin e parë astronomik në Ballkan. Por të dhënat tregojnë se "akademia" kulturore për të cilën shquhet ky qytet fshihet pas shekujve e shekujve.

Gjatë qindvjeçarëve Shkodra ka qenë një metropol i qytetërimit shqiptar e madje ballkanik. Për disa dhjetëvjeçarë shteti komunist e pati zyrtarizuar një tezë të çuditshme, sipas së cilës e para shkollë shqipe në trojet shqiptare është hapur vetëm në vitin 1887 në Korçë. Në kujtim të kësaj ngjarjeje 7 marsi qe shpallur si dita kombëtare e mësuesit. Shkolla e Korçës bashkë me poezinë e Naim Frashërit që i thotë “ta paçim për jetë hua” ka atë rëndësi që ka, por të dhënat historike janë të tjera, krejt të tjera.

At Donat Kurti në një studim të botuar te Hylli i Dritës më 1935 flet për të parën shkollë shqipe në vitin 1638. Si të parat shkolla “për sa dijm ná” ai përmend “tri: shkolla e Pdhanës (lexo: Pllanës), e Blinishtit e e Shkodrës”. Për të parën thotë se është hapur më 1638. Ndërsa studiuesi amerikan Edvin Zhak (Edwin Jacques) në librin e tij të njohur “Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme” (The Albanians: An Ethnic History from PreHistoric Times to the Present) i çon shkollat e para shqipe pak më përpara në kohë, në vitin 1632.

“Shkolla e parë, e dokumentuar, në gjuhën shqipe u hap në Velë të Mirditës më 1632”, shkruan ai. Por kjo nuk ishte e vetmja. Sipas tij “Një tjetër shkollë mjaft e hershme ishte hapur në Kurbin më 1632.”

Kemi në këtë qytet shkrimtarët, gjuhëtarët, historianët e parë të vendit. Në shekujt XI-XIII kemi Statutet e Drishtit e të Shkodres, dëshmi të një kulture juridike pararëndëse e pushtuesve. Ilustrimi i gjallë i kësaj shkalle të lartë zhvillimi janë Kodikët e famshëm të qytetit mesjetar, të zbuluara së fundi në Venezia. Në shek. XVIII - XIX kemi institucionet e para shtetërore që pasqyrojnë lidhjet e Shkodrës me botën e qytetëruar evropiane. Për herë të parë në Shqipëri zhvillohet arti, sporti, lindin muzetë dhe bibliotekat. Më pas u çelën shumë shkolla të tjera. Derisa më 1878, pra një dhjetëvjeçar para “shkollës së parë shqipe”(!) të propagandës së diktaturës, në qytetet veriore shqiptare e deri në Durrës, siç nënvizon studiuesi amerikan, “kishte 21 shkolla të tjera fillore shqipe, që zhvillonin veprimtarinë e tyre”. Ai sqaron se secila prej këtyre shkollave kishte rreth tridhjetë nxënës, përveç asaj të Prizrenit, e cila kishte tetëdhjetë”.

Për arsye të njohura historike këto shkolla fillimisht u hapën në rrethinë: në Shkodër dhe në përgjithësi në qytete pushtuesi kishte kontroll të fortë, të përqëndruar, dhe kjo e vështirësonte deri në pamundësi hapjen e një shkolle shqipe. Shkollat ishin fetare, katolike. Kjo përmasë ishte e kuptueshme për kohën, nuk mund të ishte ndryshe. Katolicizmi përfaqësonte fenë e parë të shqiptarëve. Në ato kushte sidomos, kur nëpërmjet trysnive me e ndërrue fenë pushtuesi synonte deri asimilimin, mund të thuhet se katolicizmi ishte pjesë qenësore e identitetit shqiptar. Në këtë hulli është edhe Kuvendi i Arbërit, i mbajtur më 14-15 janar 1703, të dielën e dytë të Epifanisë, në Kishën e Shën Kollit në Mërkinjë të Lezhës. Siç dihet ai u organizua me nismën e nën kujdesin e drejtpërdrejtë të një pape të madh, Klementi XI, Albani. Studiuesit kanë vënë në dukje se nën veshjen fetare të këtij kuvendi të organizuar prej një pape me gjak shqiptar fshihej edhe synimi i madh me e mbajtë gjallë shqiptarizmën, në kushtet e pushtimit osman.

Katolicizmi përfaqësonte kulturën dhe qytetërimin perëndimor. E. Zhak citon një klerik françeskan shqiptar të quajtur Leonardo, i cili, lidhur me thelbin e këtyre shkollave, pohon: “Ne jemi më shumë misionarë të qytetërimit se sa të fesë”.

Është një ndër shërbimet më të këqija që i bëhet lënies (kombit) shqiptare dhe padyshim një investim për llogari të qarqeve parake etnonacionaliste ballkanike. Të gjithë diktatorët e rroposin popullin e vet, por jo edhe qytetërimin e trashëguar, kulturën e gjuhën e tij. Ajo që ka ndodhur e pjesërisht po ndodh edhe sot Shqipëri, është e pakundshoqe në llojin e vet. Me sa duket ishte quajtur politikisht më e dobishme që, për inat të Shkodrës e të Veriut kundërkomunist, për urrejtje ndaj katolicizmit e qytetërimin perëndimor, le të fundohej edhe trashëgimia kulturore e qytetërimi evropian i kombit. Me fjalë të tjera, jo nusja që kruhej me mullixhinë, por plaka shtrigë klithi: për inat të sime ré tim bir e shtifsha në dhé!

Historiani amerikan Edvin Zhak në veprën e naltpërmendur shton se më 1877 në qytetin e Shkodrës kishte edhe një “qendër me ndikim për arsimin e lartë, Kolegja e Shën Françesk Savierit, që pajiste me arsim teknik e tregtar rreth 400 studentë”. Dokumentohet kjo datë, por nuk dihet: mund të ketë qenë hapur edhe më parë. Në studimin që e përmenda më lart At Donat Kurti jep edhe një të dhënë të mrekullueshme për marrëdhëniet e vendit tonë me atë revolucion teknologjik që e tronditi botën kulturore me fuqinë e jashtëzakonshme shtytëse që u dha botimeve dhe kulturës në tërësi: për lidhjet me shtypshkronjën. Ai thekson se shtypshkronja kishte hyrë në Obot “fill mbâs të gjetunit”, domethënë fill pas shpikjes së saj nga Gutenbergu. Shtypshkronja e Obotit, shkruan At Kurti, njihet më 1493. Kjo do të thotë se ajo ishte futur në Shqipëri vetëm 38 vjet pasi Gutenbergu i dhá vendit të vet dhe botës prodhimin më të famshëm të krijesës së tij: Biblën e shtypur në shtypshkronjën e vet.

Tridhjetë e tetë vjet për atë kohë janë si tridhjetë e tetë ditë sot, ndoshta më pak. Ai përmend edhe shtypshkronjën tjetër të Shkodrës, që njihet më 1563, por nuk përjashtohet që edhe kjo të jetë më e hershme; Thuhet që njëfarë Shtjefni nga Shkodra pruri nga Venediku dhe ngriti një shtypshkronjë dhe në vitin 1563 shtypi një libër kishtar. Shtypshkronja, siç dihet, vlerësohet si një prej shpikjeve më të mëdha të gjithë kohëve. Studiues të ndryshëm e vendosin Johann Gutenbergun, autorin e kësaj shpikjeje, ndër njëqind njerëzit më me ndikim në historinë e njerëzimit. Madje amerikani Majkëll Hart (Michael H. Hart), e rendit të tetin sipas këtij kriteri. Futja kaq e vrullshme, e menjëhershme, e kësaj teknologjie dëshmon se në Shkodër e rrethina lidhjet me Perëndimin ishin të drejtpërdrejta; dëshmon se aty kishte një jetë intelektuale të dendur, plot energji, aty shkruhej, krijohej, botohej, përhapej kulturë[9]. Duhet përmendur më pas shtypshkronja e Jezuitëve në vitin 1871, ku sipas studiuesit e gjuhëtarit Hamdi Bushati, në këtë shtypshkronjë, që nga viti 1871 e deri në 1938 janë shtypur 411 tituj. Pas kësaj u hapën edhe të tjera si “At Gjergj Fishta”, apo e Françeskanëve.

«...më 1861 Françeskanët themeluan (në Shkodër - N.B.) seminarin e tyre në të cilin mësohej edhe gjuha shqipe. Pastaj më 1877 Jezuitët themeluan në Shkodër një tjetër qendër me influencë për arsimin e lartë, Kolegja e Shën Françesk Saverit, i cili pajiste me arsim teknik e tregtar rreth 400 studentë. Një risi shkencore në Kolegjin e Saverit ishte Observatori Meteorologjik, i themeluar aty më 1888, si i pari Observator astronomik në Ballkan. Ai vazhdoi shërbimet e tij të vlefshme deri më 1946, kur u konfiskua nga regjimi komunist. Një vit më pas (1878) motrat stigmatine themeluan shkollën femërore Françeskane për 200 vajza. Në atë kohë njoftohej se kishte 21 shkolla fillore të tjera shqipe, që zhvillonin veprimtarinë e tyre në Durrës dhe në qytete të tjera Veriore. Secila prej tyre kishte rreth tridhjetë nxënës, përveç asaj të Prizrenit që kishte tetëdhjetë...» nga E. Jacques

«...interesant është fakti se sipas dokumentave të pseudohistorianëve komunistë, në Shkodër komuniteti ortodoks (pra popullsi jo vendase, por e ardhur vonë për nevojat e veta) ka pasë hapur shkollën e tyre që në vitin 1835, ose më saktë ata “vërtetojnë” se ne autoktonët paskemi hapur shkollat tona plot 52 vjet më vonë se jabanxhinjtë e përjetshëm serbo-malazezë. Natyrisht kjo logjikë që u shkonte për shtat komunistëve e padronëve të tyre sllavë, tani në demokraci duhet të “demaskohet” e hidhet në koshin e plehrave si vetë sistemi e ideologjia që ka 14 vite që e lamë pas. Ne veriorët e kuptojmë se po të ishin këto shkolla shqipe në trevat e Jugut nga ishin kapot komunistë me siguri do të ishte zgjedhur një nga këto shkolla e data që dëshmojnë rreth të paktën 350 vjet jetë të shkollës së re shqipe. Por për t’u realizuar kjo ishte nevojitur edhe një “ndryshim” tjetër, pasi besimtarët që hapën e zhvilluan këto shkolla nuk duhej të ishin katolikë, por ortodoksë, si vetë mëma e komunizmës. Natyrisht gjithçka është deformuar e shëmtuar nga historia jonë, duhej të korrigjohej në këto vite të pluralizmit e demokracisë duke shkuar në Europën e Bashkuar origjinal e me curriculumin e vërtetë që na kanë përcjellë shekujt së bashku me Europën së cilës i përkasim. Por, si gjithnjë ne vazhdojmë të tregohemi të vonuar... Pse???»[10].

Fillon arti i dritëshkronjës nga italiani Pietro Marubi me foton e parë të Hamza Kazazit më 1858, dhe më vonë, shfaqja e parë kinematografike në Shqipëri në vitin 1912 nga Kólë Idromeno, e energjia elektrike. Biblioteka "Marin Barleti" disponon 230 000 libra. Të ndarë në 10 fonde:

1. Fondi mbi albano-balkanologjinë (mbi 6.000 vëllime);
2. F. i librave shqip (mbi 66.000 v.);
3. Kronika e gazeta (mbi 23.000 koleksione);
4. Libra në gjuhët perëndimore (mbi 32.000 v.);
5. F. i librit tekniko-shkencor (mbi 24.000 v.);
6. F. i librave për fëmijë (mbi 34.000 v.);
7. Libra antik (1.450 v.);
8. Fondi - arkivi i librit shqip (mbi 15.000 v.);
9. F. i dorëshkrimeve (154 njësi);
10. F. i studimeve (260 tituj)

Ekzistojnë institucione të ndryshme kulturore, si Qendra Kulturore, Fototeka Marubi, Shoqata e Shkrimtarëve e Artistëve, Teatri Migjeni (i emëruar mbas Millosh Gjergj Nikolla), Galeria e Arteve, Muzeu Historik. Shkodra është qendra e Katolicizmit Shqiptar dhe një nga qendrat shpirtërore kryesore të katolikëve në Shqipëri. Ndërtime historike janë Kalaja e Shkodrës, Banja e Vogël, Xhamia e Plumbit, Ura e Mesit, Katedralja e Shkodrës, Prefektura që dëshmojnë ndikimet e shumta kulturore në qytet. Kalaja u mori famë të madhe kur në Luftën e parë ballkanike u mbrojt nga patrioti Hasan Riza Pasha dhe Esad Pasha.

Shkodra është e famshme gjithashtu për shkollimin Islam. Qendra e disa institucioneve që japin edukim të nivelit të lartë në studime arabike, e ka prodhuar studioz të mirënjohur myslimanë si Shaykh Nasirudin Albani.

Tradita e bibliotekave në Shkodër është shumë e hershme, madje fillesat e saj shkojnë qysh prej periudhës ilire. Një shqiptaro-kroat i njohur me emër Aleksandër Stipçeviç, në “Historinë e librit” shënon se në Iliri ka pasur 72 biblioteka dhe disa syresh kanë qenë edhe në Shkodër. Nga ana tjetër, në veprën e Marin Barletit, “Rrethimi i Shkodrës” thuhet se ka pasur anale të shkruara në gjuhën e popullit. Sipas të dhënave të Daniele Farlatit në “Illyricum Sacrum”, “qendra të rëndësishme të administratës e kulturës me arkiva e biblioteka të famshme kanë qenë arqipeshkëvitë e Durrësit, Tivarit, Shkodrës e Shkupit”. Madje Shkodra njihet edhe si bërthama e parë e bibliotekave publike në Shqipëri. Në vitin 1917, u hap e para bibliotekë shtetërore e quajtur Biblioteka e “Komisisë letrare”, që u drejtua nga shkrimtari dhe publicisti Hilë Mosi, që luajti një rol të rëndësishëm në procesin e krijimit të bibliotekave, pasi ai për herë të parë futi konceptin e kopjes së detyruar.

Disa vite më vonë, kur u krijua shteti shqiptar, banorët e Shkodrës ia falën këtë bibliotekë Tiranës dhe në 28 nëntor 1922 u krijua Biblioteka Kombëtare me një fond prej 6 mijë librash. Sipas rendit kronologjik bibliotekat e Shkodrës i përkasin viteve: 1683, Biblioteka Bogdani, 1750 Biblioteka e Myftiut të Tabakëve apo Këllyçit, e cila fatkeqësisht nuk ekziston më, sepse u dogj. Ka qenë shumë e pasur me dorëshkrime në gjuhën orientale dhe ka tërhequr gjithnjë vëmendjen e studiuesve të huaj, 1834 biblioteka e Vakëfit, në 1858 biblioteka e Etërve Jezuitë, 1875 Biblioteka e Françeskanëve, 1899 e Shoqërisë “Bashkimi”, 1901 e Shoqërisë “Agimi”, 1911 e Klubit “Gjuha jonë”, në vitin 1917 e “Komisisë letrare”, 1919 e Shoqërisë Vllaznia. Duhet theksuar që në këto biblioteka kanë shërbyer albanologë nga më të shquarit, si Hilë Mosi, Zef Valentini, i cili edhe pse ka qenë italian, e ka quajtur veten gjithnjë shqiptar, apo Gjergj Fishta, Hamdi Bushati, Anton Harapi, Kolë Kamsi, etj.

Kalaja e Rozafës[redakto | redakto tekstin burimor]

Red right arrow.svg
 Artikulli kryesor: Kalaja e Shkodrës.
Monedhat e lashta të Shkodrës me liburnë

Në periudhën e ndërtimit të kështjellës treva banohej nga fisi Ilir i Labeatëve, lundrimtarë e tregtarë të zotë. Në këtë kohë qyteti merr një zhvillim ekonomik, gjë që dëshmohet nga prerja e monedhës në qytet që në vitin 230 p.e.r. Nga monedha mësojmë emrin që ka pasur qyteti në atë kohë, SΚΟΔRΙΝΩΝ. Në vitin 181 p.e.r. bëhet Kryeqytet i Mbretërisë Ilire, me sundimtar Gentin, dhe kishte një shtrirje të madhe në pjesën veriore deri në lumin Naretva (thuhet edhe deri në Friulin e sotëm, në Itali). Gjatë shek. II p.e.r. në kalanë e qytetit zhvillohen luftërat me Romën dhe në vitin 168 pushtohet nga Roma dhe bëhet një nga qendrat e njësive administrative të Perandorisë Romake. Kështjella Rozafa është monumenti historik më antik.

Ajo është vendosur në pikë strategjike për të kontrolluar fushat përreth, hyrjen në liqenin e Shkodrës si dhe kalimin në thellësi të vendit e të Ballkanit në Lindje. Në muret rrethuese të kalasë, të cilat përfshijnë rreth 9 ha tokë, dallohen qartë ndërtimet e katër periudhave: Balshajve (shek. XIV), zotërimi venecian (shek. XV), pushtimi osman (shek. XVI-XVII), dhe e Bushatlinjve (shek. XVIII-XIX). Qyteti antik dhe mesjetar shtrihej përkatësisht përreth akropolit, kalasë dhe ishte i mbrojtur edhe me mure të jashtme rrethuese. Pamja e sotme e kështjellës i detyrohet punës që u bë nën drejtimin e venecianëve, ndër të parat punime me karakter të përhershëm, qé ndërtimi i saranxhave në vitin 1394 ku mblidhej uji i shiut me anë ujësjellësve prej gurit të gjallë dhe derdheshin brenda për ta pasur si depozitë në rast rrethimi nga armiku. Këto shihen edhe sot dhe ka ndonjë që ujin e depozituar e ruan aq mirë dhe pastër, sa jo vetëm që mund të pihet, por edhe nuk i lë gjë mangut ujit të pusave të qytetit. Prej viti 1461-1474 vazhdoi forcimi i mureve të kalasë ku punuan mjeshtra vendas dhe dalmat; brenda kësaj kohe u mor pjesa verilindore që ishte pronë e familjes shkodrane Jonima duke i dhënë si shpërblim për këtë, ndërrim tokë afër kishës së Shën Vlashit, ku tani është Hamami.

Kështjella ka një histori të gjatë luftarake dhe te lidhur me qytetin e Shkodrës ka një gojëdhënë popullore e baladë. E ndërtuar gjatë mbretërisë Ilire, përfaqësohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, të Besës legjendare. Rozafa, nusja e më të voglit ndër tre vëllezër (baca Gjergj), u muros e gjallë në themelet e kalasë,- si këshillë nga një plak tregon legjenda,- si një sakrificë për të ndalur përgjithnjë syrin e keq që shkatërronte muret për çdo natë. Uji gëlqeror që kalon ndër muret e kalasë lidhet, në fantazinë e folklorit, me qumështin e gjirit të Rozafës, kërkesa e së cilës si akord për të pranuar sakrificën ishte lënia e anës së djathtë të trupit «sýnin e djathtë qi t'shoh birin t'em, krahun e djathtë qi ta mbâj, gjinin e djathtë qi ta ushqej, kâmben e djathtë qi me përkûnd djepin» që të kujdesej për të birin e sapolindur.

Kalaja e Rozafes e marrë nga Kodra e Pashës (Zarufe), Foto Marubi

Brenda mureve antike ka edhe një muzé i kushtuar historisë dhe legjendës së kështjellës. Për toponiminë, balada, sidomos ajo që flet për kalanë e Shkodrës, jep një sërë territoresh. Ato gërshetohen me territorin rreth kështjellës se Rozafatit: Kazenë, Maldunus, ose Valdunus (kodra mbi të cilën ngrihet Rozafati), Zarufe. Të tria këto ekzistojnë edhe sot. Humanisti dhe historiani shqiptar, Marin Barleti me 1504 shkruan në "Rrethimi i Shkodrës": "Na patën rënë në dorë disa shkrime... Ishin shkruar aty në gjuhën popullore se një farë Roza me motrën e vet, të quajtur Fa, qenë themeluesit e parë të Shkodrës e prandaj fortesa e saj quhet Rozafa". Ekziston një variant i baladës, në të cilin gjithçka kryhet nga Roza e Fa sipas veprimeve dhe situatave të baladës së murimit. Por Barleti nuk i përmend situatat dhe nuk e përmend flijimin. Ndoshta sepse ai është monoteist. Mbledhësi i këtij varianti është H. Hecquard dhe për këtë çështje shprehet më hollësisht në një studim Vili Kamsi.

Sipërfaqja prej 3,5 km katrorë. Lartësia mbi nivelin e detit luhatet nga 120 m (hyrja në kështjellë) në 130 m, (zona e sektorit të fundit). Perimetri i mureve është 881 m. Kështjella ndahet në tre sektore (oborre). Më i rëndësishmi është i fundit ku kishte qendrën kapiteneria, ose rezidenca e guvernatorit, e ndërtuar nga venecianët në fillim të shek. XV.

Kultura[redakto | redakto tekstin burimor]

Arkitektura[redakto | redakto tekstin burimor]

Qyteti dhe zonat përreth janë të bekuara me një shumëllojshmëri t'elementeve si natyrore ashtu edhe kulturore. Lagjet më tërheqëse mendohen të jenë Pìaca (është i vetmi qytet në Shqipëri që e quan kështu qendrën e tij), e identifikuar si qendra e qytetit me në qendër statujat e Nanë Terezës dhe Luigj Gurakuqit, dhe Sarreqi, Gjuhadoli (lagje e rrugë vjetër, emri i së cilës paraqet lodhjen e udhëtarëve që vinin nga Kalaja deri aty) dhe një nga rrugët me skenike,- ku shihen arkitekurat e shumta dhe dora e Kólë Idromenos në disa ndërtesa,- që lidh Katedralen nga ana lindore e qytetit me qendrën e qytetit.

Parada e Karnavaleve

Qyteti numëron rreth 100 000 banorë e shquhet për shumëllojshmërinë në kahin urbanistik[11] e arkitektonik, shtëpitë më të vjetra me 1 ose 2 kate kanë bahçe e oborre të gjelbërta e me lloj-lloj lulesh, rrugët janë të ngushta e dikur ishin me gur të kalitur (rrugë të ngushta e të vogla karakteristike, të emëruara nga familje që kanë dhënë kontribut për qytetin apo nga gojdhëna, në rrugët/lagje si Sarreqi, Gjuhadoli, Arra e Madhe ndihet akoma aroma e Shkodrës të pikturuar në prozën e Ernest Koliqit apo përnjimend në veprat e Kolë Idromenos e Simon Rrotës. Ndërtimet më të vona të shek. XX ndikohen nga prirjet arkitektonik tradicionale, të racionalizmit italian e të realizmit socialist.

Sporti[redakto | redakto tekstin burimor]

HISTORIKU I FUTBOLLIT SHKODRAN Në Shkodër futbolli ka filluar të luhet shumë herët. Jo më kot, ky qytet krahasohet me Anglinë e cila e luajti për herë të parë këtë lojë magjike në botë. Anglezët janë të parët në botë, shkodranët të parët në Shqipëri. Topi i rrumbullakët është filluar të duket në kryeqendren e Veriut të Shqipërisë në fillim të shekullit të kaluar ndërsa futbolli në Shkodër si datë të fillimit të të luajturit, ka vitin 1908. Në atë vit një prift maltez, At Gut Ruter solli topin e parë të vërtetë të futbollit dhe ky moment konsiderohet si ai i nisjes së futbollit në Shqipëri.

  • Në vitin 1913 do të organizohej në Shkodër një ndeshje futbolli. Ajo ka hyrë në histori edhe si ndeshja e parë miqësore ndërkombëtare e futbollit në mes skuadrës vendase “Indipendenca” dhe një formacioni austro- hungarez që përbëhej nga pjestarë të ushtrive të këtyre vendeve që atë kohë kishin pushtuar qytetin. Për herë të parë ky takim zhvillohet sipas rregullores së kohës për 90 minuta, të ndarë me nga dy pjesë nga 45’. Skuadra “Indipendenca” përbëhej nga 11 lojtarë, kapiteni I të cilëve ishte Palok Nika. Këtij takimi iu ba një jehonë e madhe edhe në shtypin e huaj teksa u pasqyrua në gazeta të ndryshme të Europës. Futbolli do të vazhdohej të luhej në këtë mënyrë deri në vitin 1919 kur do krijohej shoqënia “Vllaznia”, e para edhe kjo në Shqipëri duke i shtuar qytetit të Shkodrës një tjetër krenari.

Vetëm pas krijimit të shoqnisë “Vllaznia”, do të fillojnë të organizohen edhe takime me skuadra të qyteteve të tjera. Takimet mes Vllaznisë dhe SK Tiranës kthehen në një traditë madje shkodranët nuk mbesin me kaq sepse organizojnë ndeshje të shumta miqësore edhe me ekipe të Malit të Zi. Rrjedhojë e këtij zhvillimi të futbollit, doli si domosdoshmëri edhe krijimi i Federatës Sportive Shqiptare më 6 qershor 1930, që njihet ndryshe edhe si data e themelimit të Federatës Shqiptare të Futbollit. Me krijimin e kësaj federate, do nisnin menjëherë kampionatet kombëtare, po atë vit.

  • Në vitet 30’, Vllaznia do të merrte pjesë rregullisht në kampionatet kombëtare të futbollit, që nisin të organizohen në vend. Madje është ndër protagonistet kryesore në të shtatë kampionatet që zhvillohen teksa në shumë prej tyre renditet nënkampione. Në 7 kampionatet që janë zhvilluar para luftës, kanë spikatur emra të tillë futbollistësh si Muhamet Halili, Qazim Dervishi, Hil Staka, Paç Koliqi, Pjetër Gjoka, Kin Bushati, Myzafer Pipa, Ali Paçrami, Rexhep Krasniqì, Ibrahim Dizdari, Asim Golemi, Reshit Rusi, Feti Dizdari, Zef Hila etj.
  • Në vitet ’40, sërish skuadra shkodrane do të shfaqej pretendente dhe madje do ta niste mbarë. Që në kampionatin e parë të Pasluftës, më 1945, ajo do shpallej kampione e vendit, sukses që do ta përsëriste edhe një vit më vonë. Emrat e atyre viteve janë të gjithë të bujshëm. Duke nisur nga Loro Boriçi, për të vazhduar me Dodë Tahirin, Muhamet Dibrën, Prek Gjeloshin, Beqir Osmanin, Muc Koxhjen, Ernest Halepjanin, Xhelal Jukën, Pal Mirashin, Zyhdi Barbullushin, Bimo Fakjen, Xhevdet Shaqirin, Met Vasinë, Latif Alibalin, Adem Smajlin, Pal Mirashin, Isuf çobën, Shaban Abdinë, Mustafa Nehanin etj.
  • Në Vitet ’50 nuk do kishte trofe per rrjedhoje eshte gje jo e mirë që sportistë të tillë si Shefki Boshnjaku, Kol Gjoni, Qemal Cungu, Shuajp Keraj, Zyhdi Bakalli, Ali Tepelija, Lutfi Laçja, Ali Kullolli, Beqir Cungu, Buto Smaja, Daut Shkreli, Qamil Medja, Fejzi Rrjolli, Alush Bakalli, Esat Bushati, Zija Halluni, Shuajp Preza e ndonjë tjetër, e nisën dhe e mbyllën karrierën e tyre pa fituar një trofe.
  • Në vitin 1965 gjërat fillojnë të lëvizin. Një brez I talentuar lojtarësh që po I vinte Shkodrës do t’I jepte asaj Kupën e Shqipërisë. Protagonistë të këtij suksesi ishin Paulin Ndoja, Frederik Çapaliku, Sadetin Zmijani, Ramazan Rragami, Nikoll Gjergji, Kol Gjoni, Esat Rakiqi, Hajrullah Lekaj, Osman Djepaxhia, Menduh Dedja, Selami Dani, Sabah Bizi, Halil Puka, Lekë Koçobashi, Mehdi Milla, Jonuz Teli, Zija Dani, Bep Çefa, Zyhdi Basha, Xhevdet Basha, Esat Egerçi, Ramadan Komi e Pjetër Dushaj të drejtuar nga trajneri tiranas Skënder Jareci.
  • Në vitet ’70 do të kemi mbase periudhën më të ndritshme të futbollit shkodran. Ka qenë një dekadë e mbushur me suksese dhe trofe. Si asnjëherë tjetër. Në vitin 1972 Vllaznia do fitonte kupë e kampionat njëherazi, gjë që nuk e kishte bërë asnjëherë më parë asnjë skuadër tjetër shqiptare. Për të vazhduar me kampionatin sërish më 1973 dhe 1978 dhe pastaj kupën më 1979. Plot 5 trofe për Shkodrën dhe futbollin shkodran. Meritë kjo e padiskutueshme e një brezi të talentuar me emra të tillë si Ramazan Rragami, Sabah Bizi, Medin Zhega, Paulin Ndoja, Lekë Koçobashi, Hajrullah Lekaj, Esat Rakiqi, Halil Puka, Rauf Çanga, Millan Vaso, Ismet Hoxha, Suad Durraj, Seit Çanga, Çesk Ndoja, Zyhdi Basha, Viktor Plumbini të cilët më vonë do pasoheshin nga të tjerë si Lutfi Basha, Ahmet Meta, Fatmir Axhani, Fatmir Lugji, Genc Boshnjaku, Astrit Hafizi, Luan Vukatana, Ferid Borshi, Ardian Arra, Selman Gruda etj. Mbi të gjitha meritën më të madhe në këtë periudhë suksesesh e ka ideatori I këtyre trofeve. Ai është trajneri Xhevdet Shaqiri, njeriu që duke e drejtuar këtë skuadër në pankinë, ka fituar më shumë se çdokush tjetër.
  • Në vitet ’80, do vazhdojnë sukseset. Do ketë sërish trofe, teksa merren dy kupa në vitet 1981 dhe 1987 si dhe titullin kampion më 1983. Të tjerë sportistë e trajnerë kanë dalë në skenë në këtë dhjetëvjeçar. Janë edhe Gjergji Kushe, Hysen Dedja, Bep Pali, Fatbardh Jera, Nikolin Thana, Fatmir Paçrami, Roland Luçi, Ferid Rragami, Hysen Zmijani, Ardian Bushati, Fasli Fakja, Viktor Briza, Kujtim Shaba, Arvid Hoxha, Isak Pashaj, Ilir Kepaj, Agron Lika, Lulëzim Bërshemi, Arjan Laçja, Astrit Semaj, Fejzi Shkenza. Trajnerë në këto suksese janë Ramazan Rragami, Medin Zhega, Esat Rakiqi e Astrit Hafizi.
  • Në vitet ’90, Vllaznia do ta nisë mbarë. Merr titullin në vitin 1992 dhe protagonistë janë edhe emra të rinj kampionësh si Avenir Dani, Çlirim Basha, Zamir Shpuza, Astrit Premçi, Alban Noga, Azis e Bujar Gruda, Ramiz Bisha, Edmir Bilali, Ilir Keçi, Gjergj Fishta, Altin Halili, Dritan Nako, Vladimir Gjuzi etj.

Vllazninë është kampione edhe në vitin 1998 e më pas edhe në vitin 2001. Kuptohet me kontributin e madh të futbollistëve të tillë si Armir Grima, Vioresin Sinani, Edi Martini, Astrit Premçi, Alban Noga, Suad Lici, Luan Zmijani, Ilir Ymeri, Altin Xhahysa, Armando Cungu, Luan Jahja, Gjergj Shllaku, Alban Volumi, Ilir Dibra, Safet Osja, Edi Kraja, Ermal Dervishi, Brikeno Bizi, Kreshnik Osmani, Pjerin Martini, Arion Mustafa, Gaspër Ndoja, Oltion Osmani, Millosh Kërstaiç, Amarildo Belisha, Elvis Plori, Dorian Bylykbashi, Klodian Duro, Saimir Patushi, Albert Kaçi, Asim Gjokoviç e Elvin Beqiri. Trajnerët e këtyre dy sukseseve do ishin Hysen Dedja dhe malazezi Dervish Haxhiosmanoviç. Pa lënë aspak mënjanë edhe dy superkupat e fituara në vitet 1998 dhe 2001.

  • Ndërkohë Vllaznia nën drejtimin e presidentit Valter Fushaj, do t’I dhuronte pas plot 21 vjetësh Shkodrës Kupën e Shqipërisë. Ndodhi pikërisht në sezonin 2007-08, teksa kuqeblutë triumfuan ndaj Tiranës në finalen e Elbasanit. Trajner është sërish Haxhiosmanoviç ndërkohë që në fushë përveç emrave të njohur si Grima, Sinani, Lici, Osja, Kotrri, do ishin edhe emrat e tjerë të rinj si ato të Admir Telit, Sasha Delain, Albert Kaçi, Xhevahir Sukaj, Gilman Lika, Edmond Doçi, Ilir Nallbani, Marenglen Kapaj, Erion Hoti. Në sukseset e viteve të fundit, natyrisht që nuk mund të lihet pa u përmendur edhe kalimi tre vite rradhazi i një turi në Kupat e Europës nga ekipi i Vllaznisë, gjë që se ka bërë asnjë ekip tjetër shqiptar.
  • Kjo është një histori e shkurtër e skuadrës kuqeblu në 94 vite të formimit të saj por sigurisht që brezi aktual dhe ata që do vijnë më pas, do ta pasurojnë edhe më tepër muzeun e trofeve të futbollit shkodran. 9 titujt kampion, 6 kupat e Shqiperise dhe 2 Superkupat, me shume siguri kane per t'u pasuar edhe nga shume te tjera.


Muzika[redakto | redakto tekstin burimor]

Banda e parë muzikore qytetëse me drejtues Giovanni Canale - 1898

Krijimi i bandës së parë daton ne vitin 1870 dhe drejtues i parë i saj qe Giovanni Canale, e mandej nxënësi Palokë Kurti, i cili shquhej për ndjenjat e një artisti popullor e atdhetari të flaktë. Më vonë, lindi banda muzikore e Frano Ndojës. Në vitin 1901 zë fill farmacioni i bandës muzikore të artizanatit, që u krijua menjëherë pas shpërndarjes së bandës së parë qytetëse. Pjesëmarrësit e saj ishin gjithsej 50 instrumentistë dhe drejtoheshin nga mjeshtri Palokë Kurti. Instrumentistët ishin nxënës zanatçinj të profesioneve të ndryshme. Nën drejtimin e Kurtit, ato arrijnë brenda një kohe relativisht të shkurtër rezultate të kënaqshme në përvetësimin e instrumenteve popullore. Repertori i saj përmbante këngë e marshe me karakter atdhetar e popullor. Merita e Palokë Kurtit me këtë bandë është se ai diti të përgatisë drejtues te ardhshëm të bandave muzikore, të cilët do ta çonin më tej punën e filluar nga vet ai. Banda pati jetë më shumë se një dekadë dhe më 1911 ajo shpërndahet. Ndër formacionet që fituan një popullaritet qe edhe banda e shkollës "Plotore e Parruces", nën drejtimin e mjeshtrit Sule Liçaj. Kjo shkollë ishte e njohur në qytetin e Shkodrës për veprimtari të dendur jashtëshkollore në drejtime te ndryshme.

Nisma për krijimin e saj u mor nga vet mësuesit e shkollës, të cilët duke gjetur dhe përkrahjen e prindërve hapin një fushatë për mbledhjen e te hollave për të blerë instrumentet. Në fillim, kjo bandë muzikore pati 15 vete, por me vone numri arriti në 50 vetë. Repertori i saj përbëhej kryesisht nga marshe, që gjallëronin mjaft jetën e shkollës sidomos ne raste festash apo me rastin e mbylljes së vitit shkollor. Ne historikun e saj kjo bandë muzikore ka një veprimtari të pasur sidomos për turnete që ka organizuar edhe jashtë rrethit. Nga kujtimet e mësuesit të Merituar, Ragip Gjylbegu, mësojmë se për mbledhjen e ndihmave u dallua ne veçanti atdhetari i shquar Hilë Mosi. Përveç këtij mësuesi, ndihmesë të madhe dha edhe mësuesi tjetër Mehmet Gjyli.

Nën shembullin e shkollës së Parrucës u formua edhe fanfara e konviktit të "Maleve tona", që filloi veprimtarinë në vitin 1931, nën drejtimin e Zef Kurtit me një efektiv prej 20 instrumentistësh. Krijimi i saj vlejti për gjallërimin e jetës së studentëve të gjimnazit të shtetit, kurse me këngët dhe marshet atdhetare ndihmoi në edukimin e ndjenjave të atdhedashurisë dhe frymës luftarake të saj. Kjo bandë muzikore pati jetë vetëm një vit. Tradita e mire e tyre ruhet dhe sot e kësaj dite. Në vitin 1971, pak kohe pas krijimit të shkollës se mesme artistike "Prêng Jakova" krijohet edhe orkestra frymore e shkollës, e cila vazhdon edhe sot veprimtarinë e saj. Ndërkohë, që prej 50 vitesh vazhdon veprimtarinë e saj edhe banda e qytetit[12].

Muzika e qytetit ndryshon nga ajo e fshatit, por të dyja bashkë gëzojnë popullaritet në Shkodër. Muzika e veriut është një kombinim i rafinuar i romantizmit dhe me nëntinguj të sofistikuar oriental dhe një zhdërvjelltësi në maxhor e minor. Ka një ngjashmëri me sevdalinke-n e Bosnjës dhe me Sanxhakun fqinj, por ndryshon nga ato sepse ruan cilësi tipike shqiptare në rrjedhshmërinë karakteristike të ritmit dhe tempos. Përshkrimet e para të këtyre grupeve muzikore, që datojnë nga fundi i shek. XIX dëshmojnë për përdorimin e violinës, klarinetës, sezit, dhe disa stile indiane (të përftuara duke rrarë shkopin mes dy shishesh). Të mëdhenjt Lec Kurti, Prêng Jakova, Çesk Zadeja luajtën e luajnë një rol qendror si udhërrëfyes për kompozitorët e Shqipërisë. Sot, fizarmonika dhe kitarra kanë zëvendësuar instrumentet ekzotike. Ndër përfaqësuesit më të mëdhenj të muzikës shkodrane janë Ludovik Ndoj Gjergji, Luçie Miloti, Xhevdet Hafizi, Marie Kraja, Shyqyri Alushi, dhe Bujar Qamili.

Ekonomia[redakto | redakto tekstin burimor]

Ekonomia ka qene e zhvilluar edhe ne Shkoder.

Turizmi[redakto | redakto tekstin burimor]

Monumenti i Luigj Gurakuqit në ish-lulishten 1 Maji

Qyteti i Shkodrës ka rreth 90 monumente kulture ku spikasin në pjesen antiko - mesjetar: Kalaja e Rozafës me gjurmë të rëndësishme kulturore autoktone, muri rrethues i qytetit antik (i përiudhës romake), Muzeu i kështjellës, Kisha e Shën Shtjefnit dhe Kisha e Zojës së Shkodrës, Xhamia e Plumbit,Sahati i Inglizit, Ura e Mesit. Ndërsa në pjesen e re të qytetit ekzistojnë sot pas shkatërrimeve komuniste këto objekte kulti e istitucione fetare: Xhamia "Ebu Beker", Xhamia e Perashit, Katedralja e Shkodres, Kisha françeskane, Kisha orthodokse (mozaikët e t'cilës i bëri Pjetër Marubi), Medreseja "Sheh Shamia", Seminari Ndërdioqezan Shqiptar, Kolegji Françeskan - Shkodër, ish-kolegji saverian, Gjimnazi "At Pjetër Meshkalla", Instituti Katekistik Shqiptar etj; institucionet arsimore dhe kulturore: Universiteti "Luigj Gurakuqi" i themeluar në vitin 1957, Biblioteka "Marin Barleti", Fototeka "Marubi" - më e madhja në Shqipëri (e rrezikuar të asgjesohet nga mospërkujdesja shtetërore), Teatri Migjeni, Muzeu i rrethit (Shtëpia muze e Oso Kukës), Radio "Shkodra", Qëndra Kulturore "Don Bosco", Gjimnazi i Shtetit "28 Nëntori", Shkolla e Mesme Artistike "Prengë Jakova" etj; institucionet shëndetësore: Spitali Civil "Jorgji Karamitri", Spitali Pediatrik, Spitali Obstetrik - Gjinekologjik, Spitali Psikiatrik, Spitali infektiv, Sanatoriumi etj; këto vende të rëndësishme: Telekomi, Hotel "Rozafa", Hotel "Argenti", Banka Kombëtare Shqiptare. Liqeni i Shkodrës është liqeni më i madh në gad. e Ballkanit, dhe qendrat e Shirokës e të Zogajt janë shumë të vizituara nga turistë të huaj e vëndas. Rreth 5 km në lindje të Shkodrës gjendet edhe qyteza mesjetare e Drishtit.

Shumë vizitorë ndjejnë se Shkodra është shpirti i Shqipërisë. Paraqitja karakteristike e qytetit formohet nga struktura e vendosjes e shtëpive të vjetra, rrugëve të ngushta e shoqëruar me muret prej guri dhe ndërtimet moderne. Pas Luftë së Dytë Botërore u rindërtua me rrugë më të gjëra që të përshtateshin me mjete e reja të transportit, dhe ndërtime të reja rezidenciale po ndërtohen vazhdimisht. Shkodra ka dhe stadiumin e famshëm Loro Boriçi, stadiumi i dytë më i madh në Shqipëri, e rreth sporteve ishte qyteti i parë me shoqëri sportive Vllaznia i themeluar në 1919.

Politika[redakto | redakto tekstin burimor]

Prefektura e Shkodrës
Bashkia e Shkodrës
Monumenti i dëshmorëve të 2 prillit

Kryetar i Bashkisë së Shkodrës është Lorenc Luka (aktualisht, Nentor 2007) i Partisë Demokratike, PD. Shkodra është qëndra e qarkut me të njëjtin emër.

Institucionet vendore: Bashkia e qytetit, Prefektura dhe Këshilli i Rrethit, Gjykata.

Vlen për tu përmendur se në këtë qytet u bë protesta e parë anti-staliniste nga studentët dhe në vitin 1990 ka hedhur hapin e parë në ndërrimin e sistemit. Kujtojmë këtu demostradën e parë: "Demostrada e Heshtur", në nëntor të 1990. Më pas 13 dhjetori që ishte rrëzimi i bustit të E. Hoxhës, 2 prilli 1991 ku u vranë 4 djem dhe u quajten "Dëshmorët e Demokracisë", si dhe lindja e sindikatave të pavarura.

Transporti[redakto | redakto tekstin burimor]

Shkodra ndodhet rreth 90 km larg Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë. Ajo ka dy akse që e lidhin me Malin e Zi. Njëri është Shkodër-Han'i Hotit dhe tjetri është Shkodër-Muriqan. Rrjeti hekurudhor nga Han'i Hotit për në Tiranë ndalon dhe në Shkodër. Transporti publik brenda qytetit mbulon linjën Bahçallëk-Fermentim. Transporti i udhëtarëve ndërmjet qytetit të Shkodrës dhe shumicës së komunave mbulohet nga mjetet e transportit te udhëtarëve të tipit furgon.

Siç është shpjeguar më lart, pozita gjeografike e Shkodrës mundëson vizitën e disa lloje peisazhesh në një krahinë jo të madhe. Shkodra është larg Razmës rreth 42 km, e larg Bogës 48 km. Larg Velipojës 32 km. Dhe fare pranë ka Shirokën dhe Zogajt me 8-9 km.

Personalitete të njohur nga Shkodra[redakto | redakto tekstin burimor]


Panorama[redakto | redakto tekstin burimor]


Lidhje të jashtme[redakto | redakto tekstin burimor]

 Commons: Shkodra – Album me fotografi dhe/apo video dhe material multimediale

Albume fotografike[redakto | redakto tekstin burimor]

Burimi i të dhënave[redakto | redakto tekstin burimor]

Shiko edhe këtë[redakto | redakto tekstin burimor]