Pjetër Bogdani

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Pjetër Bogdani
U lind në1625-1630
fshati Kishaj Has (ne malin e Pashtriku -t
Vdiq1689
KombësiaShqiptar
Profesioniprift
Vepra të shquara
Çeta e Profetëve
TitulliArqipeshkvi i Shkupit
ParardhësiAndrea Bogdani

Pjetër Bogdani (it. Pietro Bogdano; Gur i Hasit, 1625[1] - Prishtinë, 1689) ka qenë prift, ipeshkëv i Shkodrës, arqipeshkëv i Shkupit, shqiptar nga Hasi. Është autori i parë origjinal i letërsisë shqiptare, autor i Çetës së Profetëve (lat. Cuneus Prophetarum, 1685), e para vepër në prozë e shkruar në gjuhën shqipe.

Është vënë re se figurës së tij i është përkushtuar rishtazi një kult heroi, i justifikuar nga nacionalizmi edhe pse veprimtaria e tij nuk qe pjesë e dogmës nacionaliste.[2]

Jeta[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

U lind në Gur të Hasit, afër Prizrenit, i biri i Tadé Bogdanit dhe i një bije Mazrekësh.[3] Kur përshkruan historinë e familjes së vet te Çeta, pohon se Nemanja i dha një paraardhësi me emri Bogdan tokën «nga Ferri [Hekuri], sot Samokov, deri në lumin Assio [Vardar]», kurse më vonë një paraardhës i tij «ushtroi detyrën e mëkëmbësit të Gjergjit [Brankoviçit], Despotit të Serbisë». Të “dhëna historike” këto që i ka huazuar nga Mauro Orbini.[4] Vendndodhja e fshatit nuk dihet, por Elsie ka propozuar fshatrat Gjonaj dhe Breg Drini në rrethinat e Prizrenit.[5]

Sipas njoftimeve të lëna nga nipi i tij, Dom Gjon Bogdani merret vesh se ungji André e kishte zgjedhur Pjetrin qysh të vogël, si djalë të vetin që të shërbente në meshë, në kishën e Hasit. Më pas qysh në moshë të njomë ungji e çoi nipin e tij te kolegji i françeskanëve në Çiprovec, sot në Bullgarinë veri-perëndimore. Dihet me siguri që më 1642 u përcoll nga ungji André në Romë.[6] Vijoi studimet e larta në Kolegjin ilirik të Loretos, ku gjeti edhe bashkëkombas të tjerë si Martin Kryeziu, Gjurë Gallata, Kolë Vladanji e Marin Spica. Më 1650 kreu studimet dhe u shugurua meshtar në Bazilikën e Loretos. Pranverën e 1651 mori doktoratën në teologji cum laude.

Pas një qëndrimi rreth nëntë vitesh në Itali, Bogdani u kthye në atdhe dhe u caktua në misionin e Gashit në ipeshkvinë e Pultit,[7] nga 1651 deri më 1654. Më pas shkoi në Romë ku doktoroi në teologji e filozofi te kolegji Propaganda Fide. Më 1656 u emërua ipeshkëv i Shkodrës dhe gjithashtu administrator i Arqipshkvisë së Tivarit deri më 1671.[8]

Gjatë viteve të luftës Austro-Osmane, 1664-1669, u strehua në fshatrat e Rrjollit dhe Barbullushit në rrethinat e Shkodrës. Një shpellë në Rrjoll ku ka qëndruar, mban ende sot emrin e tij. Në vitin 1666 vikari i dioqezës së Shkodrës, Pjetër Trumshi, informonte Romën se gjatë vizitës për në Papat, Bogdani ishte ndalur dy herë në Venedik për të tërhequr shpërblimin e informacioneve të dhëna në prag të luftës së Kandias.[2] U zu nga osmanët dhe u burgos në kalanë e Shkodrës. Ipeshkvi i Durrësit, Shtjefën Gaspri, i raportoi më vonë Propagandës Fide që Bogdanin e shpëtuan vëllezërit Nikollë e Pepë Kastori.

Më 1677 pasoi të ungjin në drejtimin e Arqipshkvisë së Shkupit, ku emërtohet. Pas fërkimeve me autoritetet osmane, arratiset dhe strehohet në në Dubrovnik. Në pjesën e parë të vitit 1685 shkon në Venedik e në Padova ku u prit prej Kardinalit Barbarigo, të cilit i kishte shërbyer në Romë. Barbarigo ishte përgjegjës i kishës për çështjet lindore, kësodore tejet i interesuar për Lindjen dhe ndër të tjera Arbërinë. Kardinali kishte hapur gjithashtu një shtypshkronjë në Padova, Tipografia del Seminario, që vihej në shërbim të gjuhëve të lindjes dhe kishte kallëpet për hebraishten, armenishten e arabishten. Në këtë mënyrë kardinali ishte shumë vullnetmirë ndaj sipërmarrjeve të Bogdanit.

U kthye në Ballkan në mars të 1686 dhe kaloi vitet në vijim duke punuar kundër sundimit osman në viset e Kosovës së sotme. Së bashku me vikar Toma Raspasani luajti rol kyç në lëvizjen pro-austriake në Kosovë përgjatë Luftës së Madhe Turke. Në krye të 5,000 të krishterëve me një flamur me kryq, iu bashkua trupave habsburge të drejtuara nga gjeneral Pikolomini që po i drejtoheshin Prizrenit pasi kishin djegur Shkupin.[9] Këtu, Bogdanit dhe ushtrisë së tij u ra murtaja. Ktheu në Prishtinë ku dhe ndërroi jetë prej sëmundjes në fillim të dhjetorit 1689.

Nipi i tij Gjon Bogdani, njoftonte se menjëherë pas thyerjes së ushtrisë austriake ato ditë, tatarët dhe Ushtare te tjere Osmane i çvarrosën eshtrat e tij dhe ia hodhën qenve në shesh.

Vepra[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Çeta e profetëve[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Vepra Cuneus Prophetarum u botua më 1685Padovë, u rishtyp më 1691 dhe 1702 në Venedik me titull tjetër.

Vepra ka në krye një seri kushtimesh e poezish shqip, latinisht, italisht, sllavisht, shkruar për nder të Pjetër Bogdani nga miq e të njohur të tij. Dy vjershat shqipe të Llukë Bogdanit e të L. Sumës dhe ato të vetë autorit të shpërndara në kapituj të ndryshëm të librit, me teknikën poetike përgjithësisht të sigurt janë tregues të lëvrimit të mbarë të vjershërimit shqip në këtë kohë.

Për veprën e Pjetër Bogdanit kanë shkruar studiues e shkrimtarë të njohur shqiptarë e të huaj si Gaetano Petrotta, Çabej, Konica, Filip Fishta, Alberto Straticò, Mario Roques, Justin Rrota, Matteo Sciambra, Injac Zamputti, Idriz Ajeti, Ibrahim Rugova, Sabri Hamiti etj.

Në vitin 1982, studiuesi e kritiku i njohur Ibrahim Rugova botoi te Rililindja e Prishtinës librin Vepra e Bogdanit 1675–1685, që konsiderohet një nga studimet më të mira të veprës së Pjetër Bogdanit.

Në vitin 2006, studiuesja Anila Omari botoi një studim të plotë të "Çeta e profetëve" të Pjetër Bogdanit. Ka sjellë të parin studim filologjik të veprës së Bogdanit, duke tentuar edhe një publik pak më të gjerë se ai me përgatitje shkencore. Sipas Omarit, "Çeta e Profetëve" përfshin riprodhim anastatik të tekstit origjinal dhe në faqen përbri, një transkriptim fonetik shoqëruar me aparatin kritik, ku sqarohen fjalë të rralla apo shndërrime morfologjike të gjuhës së Bogdanit. Seit Mancaku, shef i departamentit të Historisë së Gjuhës, është shprehur se "ky botim përbën të parin studim filologjik për veprën e Bogdanit, duke u vënë në përdorim të një publiku më të gjerë. Një nga punët më të vështira që ka bërë Omari, është transkriptimi i tekstit".

Për sa i përket alfabetit, në përgjithësi Bogdani ka përdorur alfabetin latin, por meqë shqipja ka disa tinguj që nuk gjenden në këtë alfabet, Bogdani ka përdorur disa shenja të veçanta. Këto shenja i kanë përdorur edhe autorë të tjerë paraardhës të tij. P.sh për grafikën e Y-së e ka marrë nga një shenjë e glagolitishtes, një shkrimi të vjetër sllav - boshnjak, ndërsa fonema të tjera të shqipes Bogdani i mori nga greqishtja.[10]

Relacionet[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Përpos veprës së tij më të famshme, janë mjaft me interes relacionet e tij Dello stato temporale del regno di Servia dhe Dello stato spirituale e temporale del regno di Albania e Servia (Mbi gjendjen politike të mbretërisë së Serbisë dhe Mbi gjendjen shpirtërore dhe politike të mbretërisë së Arbërit dhe Serbisë).[8]

Tituj të veprave[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Çeta e profetëve (Cuneus prophetarum)
  • Jeta e Jezu Krishtit, shëlbuesit të botës (De vita Iesu Christi, salvatoris mundi)
  • Këngët e Sibilave

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Marlekaj, Jak (2008). Pjetër Bogdani dhe Shqipnia e kohës së tij. Shkodër: Botime Françeskane. fq. 9. ISBN 978-99943-863-7-6. ... dikush thotë të ketë lé ndërmjet 1618-s e 1626-s; dikush tjetër, me arsyetime mâ të vlefshme, e saktëson vjetin, tue e mbajtë për të sigurtë 1625-n; tjetërkush, mâ në fund, beson të ketë lé më 1630, por pa sjellë në mprojtje të tezës së vet argumenta bindës. Ndër të gjitha këto data, ajo mâ e besueshmja mbahej, para disa vjetësh, ajo e 1625-n, sepse ishte e përforcueme prej nji dishmie të vetë Bogdanit, simbas së cilës ai, më 1655, na e paska pasë moshën te të tridhetat.
  2. ^ a b Dani, Doan (29 shtator 2013). "Kulti i heroit tek Pjetër Bogdani". zeriislam.com.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  3. ^ Marlekaj 2008, p. 11.
  4. ^ Dani, Doan (26 gusht 2013). "Marrëdhëniet shqiptaro-serbe në Kosovë". gentibasha.wordpress.com.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  5. ^ Elsie, Robert (2015). The Tribes of Albania: History, Society and Culture, Library of Balkan Studies (në anglisht). I.B.Tauris. fq. 279. ISBN 1784534013.
  6. ^ Marlekaj 2008, pp. 16-17.
  7. ^ Marlekaj 2008, pp. 24-30.
  8. ^ a b Camaj, Martin (1974). "Bogdani, Pjetër". Biographisches Lexikon zur Geschichte Südosteuropas (në gjermanisht). 1: 220–221.
  9. ^ Krasniqi, Nehat (2017) [2013]. Zhvillimi i kulturës shqiptare me ndikime orientale prej shekullit XVIII deri në fillimet e Rilindjes Kombëtare (bot. 2). Prishtinë: Instituti Albanologjik. fq. 110. ISBN 9789951240550.
  10. ^ Shkurtaj Gj. & Hysa E., Gjuha Shqipe - Për të huaj dhe shqiptarët jashtë atdheut, Tiranë: Toena, 2001ISBN 99927-1-454-9

Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]