Andon Zako Çajupi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Andon Zako Çajupi
Fotoporteti
Emri Andon
Mbiemri Zako
Lindur më 27 mars 1866
Lindur në Sheper, Zagorie
Vdiq më 11 korrik 1930
Kombësia shqiptare
Profesioni shkrimtar

Andon Zako Çajupi, (27 mars 1866 - 11 korrik 1930), ishte poet i shquar, veprimtar patriot dhe demokrat revolucionar shqiptar.

Biografia[redakto | redakto tekstin burimor]

Andon Zako Çajupi lindi në Sheper të Zagorisë.Jetoi dhe vdiq ne Egjipt.Mbiemri i tij i mesem i vërtetë ishte ÇAKO mirepo per arsye te panjohura me kohe i mbeti ZAKO. Në Nivan kreu mësimet gjysmë të mesme, të cilat i plotësoi në një lice francez në Egjipt, ku jetonte i ati. Më 1887, pasi bëri një vizitë në Sheper, që ishte e fundit për të, Çajupi shkoi në Zvicër, atje kreu studimet e larta dhe mori titullin e doktorit të drejtësisë. Në Kajro, ku u vendos për gjithnjë, punoi për një farë kohe si avokat. Nga fundi i shek. XIX mori pjesë gjallërisht në lëvizjen patriotike shqiptare dhe mbajti krahun e saj më të përparuar. Në rrethet e gjera atdhetare u bë i njohur me një artikull që shkroi në kuadrin e diskutimit rreth çështjes së alfabetit në të cilin doli kundër adoptimit të alfabetit grek për gjuhën shqipe. Më 1909 botoi shkrimin e njohur Klubi i Selanikut, një pamflet dërrmues kundër armiqve të brendshëm të lëvizjes kombëtare shqiptare. Patriotizmi i flaktë dhe qëndrimi i prerë ndaj pushtuesve të huaj dhe veglave të tyre e nxorën Çajupi në krye të patriotëve që vepronin në Egjipt. Më 1919 u zgjodh kryetar i shoqërisë "Vëllazëria" me qendër në Kajro. Qe frymëzuesi dhe njëri nga hartuesit e memorandumit që shqiptarët e Egjiptit i dërguan Konferencës së Paqes më 1919 në mbrojtje të tërësisë territoriale të Shqipërisë. Më 1920 themeloi "Shoqërinë e Miqve", e cila në vitin 1928 e ngriti zërin kundër shpalljes së monarkisë nga Ahmet Zogu.

Veprimtaria letrare[redakto | redakto tekstin burimor]

Pothuajse në të njëjtën kohë me veprimtarinë atdhetare Çajupi e nisi punën letrare. Më 1902 botoi librin"Baba Tomorri", një nga veprat më të shquara të letërsisë së Rilindjes Kombëtare. Me këtë përmbledhje që dallohet nga fryma luftarake patriotike, demokratizmi i hapur dhe fryma popullore në brendi dhe në formë Çajupi solli një ndihmesë të çmuar në pasurimin e letërsisë kombëtare. Në pjesën e parë dhe të dytë të librit janë vendosur me radhë vjershat patriotike dhe ato me temë dashurie; vjershat me karakter shoqëror dhe fabulat e shqipëruara janë përfshirë në pjesën e tretë të librit, që përmbyllet me komedinë e njohur "Katërmbëdhjetë vjeç dhëndërr". Vjersha e gjatë "Baba Tomori", me të cilën hapet përmbledhja, është një grishje e zjarrtë drejtuar bashkatdhetarëve që të zgjohen dhe të përpiqen për atdheun e robëruar. Patriotizmi i flaktë shquan edhe një varg krijimesh të tjera poetike, si Mëmëdheu, Ç'jemi? .... Ku kemi lerë?, Vaj etj. në të cilat duket brenga e poetit tek shihte që lëvizja nuk kishte marrë ende vrullin që ai dëshironte. Në një varg poezish kumboi me forcë thirrja për të rrëmbyer armët kundër robërisë shekullore të huaj (Besa-besën, shqiptar, Atdheu dhe dashuria etj.). Dashuria e flaktë për atdheun është shkrirë në poezitë e Çajupi me urrejtjen e papërmbajtur ndaj armiqve të Shqipërisë, të cilët fshikullohen me forcë të veçantë satirike, si në vjershat Sulltani, Punërat e Perëndisë, Greku dhe shqiptari. Në një sërë vjershash poeti foli për plagët shoqërore të fshatit shqiptar (Fshati im, Kurbeti, Fyelli i bariut etj.). i këndoi dashurisë si ndjenjë njerëzore e natyrshme. Pikëpamjet demokratike të Çajupi gjetën shprehje në një varg vjershash ku goditet shtypja dhe pabarazia shoqërore, ngrihet lart e me dinjitet jeta e lirë (Misiri, Varfëria dhe liria). Rreth viteve 1903-1905 Çajupi përfundoi poemën Baba Musa Lakuriq, që mbeti dorëshkrim. Në këtë vepër që zë një vend të rëndësishëm jo vetëm në krijimtarinë e poetit, por edhe në gjithë letërsinë demokratike, poeti parodizoi Biblën dhe në të njëjtën kohë, nëpërmjet legjendave biblike, trajtoi një varg problemesh të mprehta politike të kohës, goditi moralin hipokrit dhe një varg shfaqjesh negative të shoqërisë me klasa. Në këtë vepër u shfaq me forcë të veçantë demokratizmi revolucionar dhe ateizmi e afetarizmi i autorit.

Në historinë e letërsisë shqiptare Çajupi zuri vend edhe si dramaturg. Rëndësi të veçantë kanë sidomos komeditë e tij Katërmbëdhjetëvjeç dhëndër dhe Pas vdekjes (shkruar më 1910, botuar më 1937), me të cilat solli një ndihmesë me vlerë në zhvillimin e këtij lloji në letërsinë tonë. Në komedinë e parë, autori vuri në lojë me një humor të lehtë mentalitetin dhe zakonet prapanike të fshatit shqiptar, të cilin e dha me ngjyra të gjalla e plotë imtësi të goditura jetësore dhe etnografike. Pas vdekjes është një komedi politike, ku me anë të situatave komike të gjetura bukur, përshkroi me sarkazëm dërrmuese portretin e politikanit që bënte lojën e xhonturqve në gjirin e lëvizjes patriotike shqiptare. Penës së Çajupi i përket edhe tragjedia Burri i dheut (botuar më 1937),

Çajupi u mor edhe me përkthime. Përveç një varg vjershash dhe fabulash që botoi në Baba Tomori, më 1921 nxori në dritë Përralla të zgjedhura të vjershëtarit të madh La Fontenit, në të cilat, duke u nisur nga kërkesat ideore të shoqërisë shqiptare, rrahu me mjeshtëri çështjet politike, shoqërore, morale etj. të jetës së kohës, satirizoi veset njerëzore dhe shfaqjet negative të shoqërisë me klasa, si grabitjen, mashtrimin, dhunën etj. Më 1922 u botua Lulet e Hindit, përmbledhje me vjersha të poetëve indianë.

Çajupi është një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të letërsisë përparimtare shqiptare. Me veprat e tij, që shquhen nga patriotizmi luftarak, fryma e spikatur demokratike, karakteri Popullor, spontaneiteti dhe realizmi në pasqyrimin e jetës, ai dha një ndihmesë të çmuar në përparimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të letërsisë sonë kombëtare.

Veprat[redakto | redakto tekstin burimor]

Burimi i të dhënave[redakto | redakto tekstin burimor]


Literatur[redakto | redakto tekstin burimor]

Martin Mato "Andon Zako Çajupi – Një demokrat dhe patriot i madh (artikull) në gazetën Bashkimi 1993