Lasgush Poradeci

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Llazar Sotir Gusho
(1899 - 1987)

Lazgush Poradeci.jpg

Emri: Llazar
Mbiemri: Gusho
Lindi më: 27 dhjetor, 1899
Vendlindja: Pogradec
Vdiq më: 12 nëntor 1987
Vdiq në: Tiranë
Profesioni: poet,shkrimtar,shqipërues

Llazar Gusho (Pogradec, 27 dhjetor 1899 - Tiranë, 12 nëntor 1987) i njohur nën pseudonimin Lasgush Poradeci, qe poet, shkrimtar e përkthyes shqiptar.

Jeta[redakto | redakto tekstin burimor]

Lindi në qytetin buzë liqenit të Ohrit në familjen e Sotir Gushos. I ati si arsimdashës që ishte e dërgoi pas mësimeve fillore që i kreu në vendlindje, në një shkollë të gjuhës rumune në të Manastir nga 1909 deri më 1916.

I ati më pas e nis në Athinë pranë liceun Léonin, instituti më i hershëm privat në kryeqytetin grek - licé ku qëndron deri më 1920. Pasi sëmuret, e shtrojnë në sanatorium dy vitet e mbrame të qëndrimit të tij në Greqi.

Më 1921 regjistrohet në Shkollën Kombëtare të Arteve të Bukura në Bukuresht pas një viti me ankesa për të tejkaluar valën e ksenocentrike që kishte kapluar qeverinë rumune. Atje lidhet me lëvizjen atdhetare të kolonisë shqiptare, u miqësua me Asdrenin, të cilin e zëvendësoi si sekretar i përgjithshëm i kolonisë. Por edhe rioshin Mitrush Kuteli; mjedisi rumun ndikoi shumë në formimin letrar të Llazarit. Nisi të botojë vargje në të përkohshmen shqipe Shqipëri’ e re, një e përjavshme kombëtare me ilustrime që botohej në Konstancë, dhe tek Dielli i Bostonit. Vargjet e tij të kësaj periudhe po shfaqnin tashmë një afri teosofike me poetin lirik rumun Mihai Eminescu.

Verën e vitit 1924 Qeveria Nolit i dha bursë dhe ai regjistrohet në Universitetin e Gracit "Karol Francik" në fakultetin e filologjisë romano-gjermanike. Në maj të 1933 doktoroi me temën Der verkannte Eminescu und seine volkstümlich-heimatliche Ideologie (I paçmuari Eminescu dhe ideologjia e tij popullore-atdhetare). Vitin tjetër u kthye në Tiranë duke mësuar arte në një shkollë të mesme.

Vitet 1944-'47, vitet e turbulluara të fillimit të regjimit komunist ishte i papunë dhe jetonte në kryeqytet me të shoqen. Pas punësimit jetëshkurtër pranë Institutit të Shkencave, pararendësit të Universitetit të Tiranës, nisi punë si përkthyes me normë pranë shtëpisë botuese shtetërore "Naim Frashëri" deri kur doli në pension më 1974. Vdes në varfëri të plotë në kryeqytet më 12 nëntor 1987[1].

Krijues e shqipërues[redakto | redakto tekstin burimor]

Pseudonimi letrar me të cilin njihet vjen nga rrudhja e emrit të tij përfshi atësinë, Llazar Sotir Gusho (La-S-Gush) dhe si mbiemër ka përdorur endonimin e vendlindjes, Poradeci.

Shtatorja e Lasgush Poradecit nga Mumtaz Dhrami, e vendosur më dt. 27 dhjetor 2006.

Autor i dy vëllimeve me poezi "Vallja e yjeve" më 1933 dhe "Ylli i zemrës" më 1937, botuar në kryeqytetin rumun. Vëllimi i parë i botuar me ndihmën e mërgatës shqiptare në Konstancë; vëllimi i dytë i botuar me ndihmën e Kutelit përmban edhe vargje të përpunuara nga vëllimi i parë me poezitë me vargënimin e melodinë më të hollë në gjuhën shqipe.

Përpos dy vëllimeve, Poradeci botoi tregime në prozë ndër të përkohshmet e viteve '30-'40. Veçanërisht tek "Përpjekja shqiptare" e Branko Merxhanit. Shkrime prej tij janë shfaqur edhe në të përkohshmet Drita dhe Nëntori, të cilat të bluara siç qenë nga censorët e kohës ishin hapsira më të volitshme për serën e shqipëruesve.

Autor i më se 100 poezish, një pjesë prej të cilave edhe poezi dashurie. Pëlqyes i fjalëve arkaike, shprehive popullore po aq sa i fjalëve të reja dhe eksperimenteve leksikore për një amë të re. Kuteli që i redaktoi "Yllin e zemrës" e quajti "Poeti i vetëm shqiptar që mendoi, foli dhe shkruajti vetëm në gjuhën shqipe"[1].

Veç të tjerash, poemat "Eskursioni teologjik i Sokratit", "Mbi ta", "Kamadeva", baladat për Muharrem e Reshit Çollakun. Gjithashtu, përktheu disa nga kryeveprat e letërsisë botërore si "Eugjen Onjegin" të Pushkinit, lirikat e Lermontovit, të Bllokut, Poemat e Hajnes, të Majakovskit e Miçkieviçit, lirikat e Gëtes dhe Hajnes, poezi të Lanaut, Brehtit; Hygoit, Mysesë, Bajronit, Shellit, Bërnsit, të Emineskut, etj.

Vlerësimet[redakto | redakto tekstin burimor]

  • Me rastin e 100-vjetorit të lindjes në 27 dhjetor 1999, presidenti i Republikës Rexhep Mejdani i jep titullin "Nderi i Kombit" dhe Pogradeci, qyteti i tij i lindjes titullin "Qytetar nderi".
  • Pallati i Kulturës në Pogradec mban emrin Lasgush Poradeci.
  • Në lagjen Kombinat në Tiranë ndodhet shkolla "9-vjeçare Lasgush Poradeci".
  • Rruga te Diga te Liqeni artificial i Tiranës mban emrin Lasgush Poradeci.

Burime[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. ^ a b Anglisht"Albanian Literature in TranslationLasgush Poradeci jetëshkrim nga Robert Elsie. Marrë më dt. 3 nëntor 2014.
Wikisource ka një koleksion punimesh të Autorit :