Mitrush Kuteli
Dhimitër Pasko i njohur me pseudonimin Mitrush Kuteli lindi më 13 shtator 1907 në Pogradec, ndërsa vdiq më 4 maj 1967 në Tiranë. Ka qenë shkrimtar, përkthyes dhe ekonomist shqiptar nga Shqipëria.
Përmbajtja |
[redakto] Biografia
Shkroi nën pseudonimet Mitrush Kuteli, Izedin Jashar Kutrulia dhe Dr. Pas. Studimet e mesme i kreu në Selanik, kurse të lartat në Bukuresht, ku më 1934 mori titullin "Doktor i shkencave ekonomike". Më 1942 u kthye në atdhe, ku punoi në fillim si ekonomist dhe më vonë e derisa ndërroi jetë, si përkthyes.
Mitrush Kuteli është njëri prej prozatorëve më të shquar të letërsisë sonë, ushqyer që në fëmijëri me legjendat dhe baladat e Jugut, sidomos me ato të malësisë së Pogradecit, qytetit të lindjes së tij. Duke njohur thellë edhe letërsinë botërore, ai arriti të krijojë një prozë realiste origjinale, të fuqishme, me një fantazi të jashtëzakonshme.
Vepra e tij ishte e ndaluar apo gjysmë e ndaluar dhe s’u botua e plotë deri në vitin nëntëdhjetë, kurse në faza të ndryshme kohe as u mësua e as u fol për të. Ky, në të vërtetë, është fati i shkrimtarit i cili nuk iu përshtat asnjërit nga dy sistemet e Shqipërisë: Monarkisë e Komunizmit. Po dhe të dy sistemet nuk e duruan atë si njeri të kulturës e të fjalës së lirë.
Libri i Kutelit Sulm e lotë përmban Poemin kosovar dhe Poemin e Shëndaumit si dhe dy lirika: Balta shqipëtare e Po të vdes në dhé të huaj. E pazakonshmja është se libri nënshkruhet me tre emra: Izedin Jashar Kutrulija, Mitrush Kuteli e Dr. Pas, që të tre pseudonime të Dhimitër Paskos. Izedini del si autor i Poemit kosovar, Mitrushi si autor i Poemit të Shëndaumit kurse Dr. Pas si shkrues i parathënies.
Dallohen për problematikën e rëndësishme, për tonin e rreptë antifeudal, për dashurinë ndaj atdheut e ndaj njeriut të thjeshtë të popullit, për përbuzjen ndaj gjithçkaje të huaj që vjen të shkatërrojë një traditë të bukur tregimet: Vjeshta e Xheladin beut, Hanet e karvanet, Si u takua Ndoni me Zallorët, Gjonomadhë e Gjatollinj, Xha Brahua i Shkumbanares, Kujtimet e kujtimeve, Natë muaji Shembiteri, Natë marsi, Qetësi para fërtyne etj.
Mitrush Kuteli është autori i parë shqiptar që botoi vëllime me kritikë: Lasgush Poradeci (1937) dhe Shënime letrare (1944). Kritika e tij letrare shfaqet në trajta të ndryshme: shënim, recension, studim e ese. Dy studimet e tij më të njohura për letërsinë shqipe janë ai për poezinë e Lasgush Poradecit dhe ai për poezinë e Fan S. Nolit.
Mitrush Kuteli, bashkë me Ernest Koliqin, është themelues i prozës moderne shqipe dhe njëri ndër autorët më të njohur të modernitetit shqiptar. Madje, ka mendime që Kutelin e shohin bashkë me Lasgushin si autor themelor të gjithë letërsisë moderne shqiptare.
Rreth dyzet vite pas vdekjes, më 27 shtator 2002 me dekretin nr 3478, me propozimin e Ministrisë së Kulturës, Rinis dhe Sporteve dekorohet nga Presidenti i Shqipërisë me dekoraten e nderit të Republikës së Shqipërisë : Urdhri "Mjeshtër i Madh i Punës".
[redakto] Tituj të veprave
- Rrjedhin lumenjtë
- Vjeshta e Xheladin Beut
- Lasgush Poradeci (1937)
- Net shqiptare (1938) [1]
- Pylli i gështenjave (1958) [1]
- Ago Jakupi e të tjera rrëfime, (1943)
- Sulm e lotë (1943)
- Shënime letrare (1944)
- Havadan më havadan (1944)
- Kapllan aga i Shaban Shpatës (1944)
- Dashuria e barbarit Artan për të bukurën Galatea (1946)
- Xinxifilua, (1962)
- Tregime të moçme shqiptare (1965) [1]
- Tregime të zgjedhura (1972) [1]
- Baltë nga kjo tokë, (1973)
- Në një cep të Ilirisë së poshtme (1983) [1]
- Këngë e britma nga qyteti i djegur
- E madhe është gjëma e mëkatit (1993)
- Xinxifilua (2002)
[redakto] Përkthime
- "Kujtimet e një gjahtari" të Turgenjevit
- "Tregimet e Petërburgut" dhe "Shpirtra të vdekura" të Gogolit
- "Zotërinj Gollovlinovë" të Sllatikov Shçedrinit
[redakto] Poezi
Jam shqiptar e kosovar; zot e krenar, zot e bujar mbi këtë dhé, q'e kam si fe, e përmbi fé: E kam vatan! E kam atdhe! Që gjysh stërgjysh, që brez pas brez, që gjithëmonë.
Ti shqa thërret, ti shqa bërtet, gjer lartë në retë se jam barbar.
Jo, s'jam si bërtet ti, si buçet ti, ti, Mal i Zi.
Po vendin tim e dua, lirinë e dua, e s'dua zot mbi mua.
Kënga e parë
QËNDRIMI
Se jam këtu kur s'kish njeri, kur s'kish kufi as fqinjëri, as shqa të zi.
Se jam këtu kur Mal i Zi ish Iliri; kur nga një det në tjetrin det isha zot vetë! Unë jam këtu nga moti kur vetë Zoti e bëri fushën fushë e malin mal.
Unë jam këtu e do të jem - dem baba dem - sa mali të bëhet hi e hiri mal përsëri. Ma thonë emrin Asim Qerim mbetur jetim që në vegjëli. Jam si më sheh e si më njeh; kësulëbardhë e kryelidhur, kryelidhur me një shami; me tri shami për trimëri!
Jam eshtërmadh, i vrazhdë jam, e bojalli - dhe sytë e mi janë plotë shkëndi si batërdi. Dhe kam uri si s'ka njeri - për drejtësi e për liri. Si të gjithë asimët e të gjithë qerimët e vendit tim.
Ma thonë emrin Asim Qerim mbetur jetim që në vegjëli; se babën tim ma vranë naçallnikët, podporuçnikët edhe gllavnikët.
Ma vranë se urdhër dha vojvodi e krali vetë: "Të vritet!" Se ish kosovar dhe se ish zot mbi këtë dhe!
Dhe tokën që kisha nga baba nga gjyshi rrënjë pas rrënjë - prej qindra vjet, prej mijëra vjet, ma morën. Ah! Ma morën vatanin që e desha si xhanin!
Ma morën, me armë në duar, me gjak nëpër duar. Agrarët! Xhandarët! Tyxharët! Të gjithë tok u bënë shok; si sorrat për kërrmë.
Oborin ma morën gjer në shtëpi dhe ngrenë për vete shtëpi në sytë e mi! Dhe unë, ja, unë, që isha zot që qëmot, mbeta pa dhé, bujk pa dhé, bari pa kopé - këtu në dheun tim.
Dhe plori m'u ndryshk, hambari m'u myshk...
Po shpresa s'mu vyshk!
Kënga e dytë
DURIMI
Durova, durova, sa nuk duron njeri, as Perëndi!
Më thanë të shkruhem vojnik e mynafik i kombit tim.
Më dhanë armë të vras vëllanë, sipas kanunit të gjakut... Po s'desha!
Dhe në e bëra ma falni, se jam gjaknxehtë.
Më thanë të ngrihem të ik ku qielli puthet me dhenë; Stamboll, Anadoll, e më tej. Se vetëm andej paska për ne popull pa zot - vend boll...
Po malli i tokës s'më la, po malli i fushës s'më la, as gjaku i babës s'më la.
Dhe mbeta këtu, i huaj, si qen, në vendin tim, të babës tim... Mbeta rajá, e ndër rajá, si për hatá;
në uri, në qesëndi, në skllavëri të shqaut të zi.
Më thanë të ik në Allbani, vatan i ri i kombit tim, si shkoi Selmani, Hasani e Dani.
Po dot nga toka s'u ndava dhe mbeta të jem ku jam e ku do të jem.
Më thanë të shkoj në sheher të shqahut të madh, me sharrën në krah, me kryet përdhé, jaban e beter; portë më portë, derë më derë, i mjerë e zemër sterrë, për një kotherrë bukë. Po malli i vendit s'më la. Ah, malli i gjakut s'më la e mbeta këtu, rajá.
Ta shemba shqa kufirin që ngrite ti në vendin tim e përmbi varr të babës tim.
Ta shemba, ta dogja, me zjarrin e shpirtit, të vuajtjes dhe të urrejtjes.
Me zemërim, me vrull të madh, e bubullimë që s'ka mbarim
Se vjete ti më çave, më ndave, më vrave,
armik - lugat, armik -xhelat!
Kënga e tretë
SULMI
Ti bëre azape - s'u tremba, ti ngrite kufire me gjemba, fortesa ti ngrite; t'i shemba!
Tani, tani, atje ku ti, o Mal i Zi, ngrite kufi që ndanin e çanin vëllazëri; Hej! Sot! Shkon e valon parmenda!
T'i bëra të gjitha rrëmujë dhe ty gjurma t'u zhduk si në ujë.
I bie arë mes për mes e gjer në brez, e përmbi brez, humbas me gaz në grurin tim, të dheut tim, të babës tim, të birit tim; sot e përjetë, jetë pas jetë!
Dhe ndie qysh flet, me zë të qetë, im atë vetë nga balta poshtë:
"Ta mbroni dhenë ku eshtrat kam, ku hi e tokë e pluhur jam.
Ta mbroni dhenë që e ushqej dhe sot si dje, me kurmin tim.
Ta mbroni dhenë, me zjarr ta mbroni, me gjak ta mbroni! Të derdhni gjakun
me grushte plot - po kurrë lotë, as sot, as mot! Se loti është robëri, gjaku - liri!"
Kënga e katërt
NDËRTIMI
Jam eshtërmadh e bojalli e me japi, si më sheh ti, si më njeh ti.
Po kam një zemër në gjoksin tim që pa pushim më rreh si Drin. Dhe babën tim kur e kujtoj, lotoj...
Të pashë të vrarë, or Baba, e pa qefin, si për hata, rreth e përqark me xhandërma. Desha të qaj e s'qava dot, e të bërtas, sbërtita dot, pa asnjë lot, pa asnjë lot.
Dhe prita sot të derdh një lot.
Tani, tani, unë jam gati të vdes që sot, se rroj përmot; mbytur me gjak, po jo me lotë, për këtë dhe, q'e kam si fé e përmbi fé. E kam vatan, e kam atdhe!
Hej! Po buças me zë kabá, sa të dëgjohet në qiell lá, sa të dëgjojë fund e kreje kush gjak shqiptari ka në deje: Shaban - vëlla! Destan - baba! Hej! Komb i lirë kosovar, ti komb shqiptar, ti zot krenar, ti djalëri - ti pleqëri, bëru gati! Bëru gati për vrull të ri, ta djegësh botën, ta bësh hi, për liri, për Shqipëri!
Kënga e pestë
QËNDRIMI
Tani, tani! - O Mal i Zi - ja unë, ja ti!
Po unë - jo ti, se jam këtu kur s'kish njeri dhe as kufi as fqinjëri...
Unë jam këtu kur Mal i ZI, me Shumadi, me Dallmati - sa mban e gjitha Shqehëri, ish Iliri! Kur nga një det në tjetrin det isha zot vetë! Se jam këtu nga moti kur vetë Zoti e bëri fushën - fushë e malin mal.
Unë jam këtu e do të jem, - dem baba dem - sa mali të bëhet hi, e hiri mal përsëri.
Marr nga faqa shqiptare ne internet: www.albasoul.com

