Migjeni

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Millosh Gjergj Nikolla
Migjeni.jpg
Ditëlindja: 13 tetor 1911
Vendlindja: Shkodër
Ditëvdekja: 26 gusht 1938
Vendvdekja: Torre Pellice, Torino, Itali
Pseudonim(e): Migjeni
Nënshtetësia: Shqiptar
Zhanri: Prozë, Poezi, etj.

Millosh Gjergj Nikolla ─ ky është emri i tij i vërtetë, se Migjeni, është pseudonimi ose emri i tij i pendës. Ishte poet dhe prozator shqiptar i shquar i viteve 1930. Migjeni konsiderohet si një ndër shkrimtarët më të lexuar e më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të shekullit të 20-të. Për epokën ishte një zë krejtësisht novator nga brendia dhe forma dhe ndikimi mbi letërsinë shqipe të kohës ishte i madh.

Konsiderohet që Migjeni kaloi nga një romantizëm revolucionar në realizëm kritik gjatë jetës së tij. Ai pasqyroi varfërinë e thellë të viteve kur jetoi, dhe duke u dalë zot heronjve të krijimeve të tij si "Bukën tonë të përditshme falna sot", "Bukuria që vret", "Mollë e ndalueme", "Legjenda e misrit", "A don qymyr zotni ?", etj. fshikulloi ashpër indiferentizmin e klasave të kamura ndaj vuajtjeve të popullit.

Ndikimi i Migjenit mbi rrethet e rinisë anticifligare qe i ndjeshëm ne vitet kur shkroi. Një shtysë te posacme mori përhapja e krijimtarisë se tij pas Luftës së Dytë Botërore, kur regjimi komunist mori përsipër botimin e plotë të veprave, të cilat në vitet 1930 kishin qenë pjesërisht të pabotuara.

Familja dhe rinia e hershme

Migjeni lindi më 13 tetor 1911Shkodër në një familje ortodokse. Mbiemri i Millosh Gjergj Nikollës vjen nga gjyshi i tij Nikolla Dibrani nje shqiptar i ardhur nga krahina e Rekës (sot në Maqedoni) ku ishte pjesë i komunitetit ortodoks që lindi një emër tjetër në lëmin e poezisë, Josif Jovan Begerin. Nikolla Dibrani ishte larguar nga krahina e lindjes në gjysmën e dytë të shek. XIX dhe u zhvendos në Shkodër ku punoi si murator dhe më vonë u martua me Stake Milanin nga Kuçi. Para se të vdiste në 1876, u bë me dy djem: Gjergjin (1872-1924), i ati i Milloshin dhe Kriston[1].

Gjergji, i ati, zotëronte një bar dhe ishte një anëtar shumë i respektuar i komunitetit. Vlen për tu përmendur zgjedhja e tij si përfaqësues i Shkodrës në Kongresin e Beratit më 1922 (ku u shpall Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë nga Fan Noli).[2] Gjergji ishte i martuar martua me Sofia Kokoshin (e ëma Migjenit) në 1900. Më 1910 Gjergji zuri një ushqimore dhe dhjetë vjet më vonë, kur vdiq baxhanaku Ilia Trimçev, mori ëmbëltoren e tij, të cilën e mbajti gjersa vdiq, më 21 mars 1924, në moshën pesëdhjetë e dy vjeç. Në këtë dyqan e ndihmoi fëmija i parë i shtëpisë, Nikolla, që pati lindur më 30 tetor 1901 dhe vdiq një mot pas t'et nga pleuriti. E ëma vdiq që në 1916 duke lënë gjashtë fëmijë (dy djem e katër vajza). Si i shoqi, Sofia gëzonte nam të mirë në rrethet shoqërore dhe ish edukuar në seminarin katolik të Shkodrës, të drejtuar nga murgesha italiane.[2] E dërrmuar nga këto fatkeqsira që e pllakosën njëra pas tjetrës, vdiq më 1926 edhe gjyshja tetëdhjetëvjeçare. Ndër gjashtë fëmijët, Milloshi dhe e motra më e vogël, Ollga, u shkolluan në shkollën fillore serbe në Shkodër [2]. Shtëpia ku lindi poeti nuk ekziston më prej shumë vitesh. Ajo ishte e ndërtuar në oborrin e shtëpisë së Trimçeveve dhe pikërisht kjo shtëpi u bë edhe Muzeu i Migjenit nga viti 1961 deri në vitin 1993.

Jeta e veprimtaria

Arsimin fillor e mori në qytetin e lindjes në një shkollë serbo-ortodokse dhe nga 1923 deri më 1925 u shkollua në Tivar ku vetëm në serbisht ka notën mirë, ku e motra Lenka ishte shpërngulur martuar atje me Llazar Jovanin, familja e të cilit e kishte origjinën nga Kavaja. Daja, Jovan Kokoshi, e lajmëroi se i pati nxjerrë bursë për në gjimnazin e Manastirit. U nis atje në vjeshtë të 1925. Pasi përfundoi semi-maturën më 1927 me rezultate të mira, për vjetin shkollor 1927-1928, kundër dëshirës së tij, e regjistruan në Seminarin ortodoks "Jan Shën Teologu" po në atë qytet. Në gjimnazin e Manastirit ka po t'atillë notë në serbisht, në histori e fizikë, dhe "mjaftueshëm" në matematikë; në zell ka notën tre. Edhe në seminar gjatë vitit të parë Milloshi ka vetëm "mirë" në serbisht, greqisht, latinisht, frëngjisht, porse vitin e dytë në gjithë këto gjuhë, sikundër edhe në rusisht, qëndron "shumë mirë"; vetëm në letërsinë kishtare ka "mirë" dhe "i shkëlqyer" në pedagogji, metodikë, gjimnastikë, dhe në këngë. Në klasën e tretë zbret përsëri në "mirë" në gjuhët klasike dhe në mësimin kryesor, "Shkrimet e Shenjta". Në latinisht as në klasën e katërt s'e ka përmirsuar notën, porse tani është i shkëlqyer në rusisht dhe shumë mirë në greqisht; notën "mirë" e ka në "Dogmatikë" (teologji), në psikologji e logjikë. Në vjetin e pestë, në të fundit, është shumë mirë në latinisht dhe pergjithësisht vetëm "mirë" në mësimet fetare të Seminarit. I ka dhënë rëndësi gjuhëvet frëngjisht e rusisht, me të cilat lexonte drejtpërdrejt autorët më të vështirë. Në diplomën e lëshuar prej drejtorisë së shkollës më 18 qershor 1932, cilësohet "bir i Gjergjit, tregtar". Me atë "Dëftesë Pjekurie" e shpalli kandidat t'aftë për shërbim kishtar, për mësim të fesë dhe për studime intelektuale të larta në fakultetet universitare. Me dëftesën e pjekurisë në xhep, Milloshi u nis më 22 qershor 1932 nga Manastiri për në Tivar, tek e motra, Lenka. Në pasaportën që pati marrë në Manastir prej konsullatës shqiptare lexohen shënimet e titullarit: "Shtati i lartë, balli i rregullt, sytë gështenjë, hunda e rregullt, goja normale, flokët gështenjë, mjekra e mustaqet e rruara, ngjyra e bardhë, shenja të veçanta s'ka". Në vitet 1933-1937 punoi si mësues filloreje në Vrakë, Shkodër dhe në Pukë. Kjo është edhe koha kur zhvilloi veprimtarinë letrare. Shkrimet e para i botoi më 1934, bashkëpunoi në revistat "Iliria", "Bota e re" etj. Më 1936 veprat e veta poetike i përmblodhi në librin "Vargje të lira", të cilin censura nuk e la të qarkullojë. Takon Petro Markon para se ai të nisej për në Spanjë. Kalon një verë me rioshin Lazër Radi, gjë që do frymzonte këtë të fundit t'i kushtonte një libër kujtimesh. Nga fundi i vitit 1937 shkoi në Itali për tu shëruar nga sëmundja e mushkërive. La në dorëshkrim një pjesë të rëndësishme të prozës së tij.

Migjeni kishte bindje të përparuara për kohën e tij, me të cilat filloi të brumoset që në bankat e shkollës nën ndikimin e veprave të autorëve përparimtarë. Punën si shkrimtar e nisi kur në letërsinë shqiptare po forcohej rryma demokratike me shkrimet e tij realiste, thellësisht novatore nga brendia dhe forma, dha ndihmë të madhe në zhvillimin e saj të mëtejshëm.

Në themel të veprimtarisë së Migjenit qëndron aspirata për një botë të re, ku njerëzit e thjeshtë të jetojnë të lirë dhe të lumtur me dinjitet njerëzor dhe pa frikë për të nesërmen. Ky humanizëm aktiv përshkon tej e ndan veprën e tij. Në poezitë e para, si "Zgjimi", "Të birt' e shekullit të ri", "Shkëndija", "Shpirtënit shtegtarë", etj. pakënaqësia e thellë ndaj realitetit çifligaro-borgjez dhe ëndrra e autorit për një të ardhme të bukur u shpreh me figura të gjalla romantike. Poeti u ngrit kundër amullisë shoqërore dhe forcave që mbanin vendin në errësirë ("kalbësinave që kërkojnë shejtnim"). Kritika e rreptë e gjendjes së rëndë të vendit u gërshetua në këto vepra me dëshirën e zjarrtë për "një agim të lum e të drejtë kombëtar", me grishjen për të luftuar për ditë më të bukura. Për zhvillimin e Migjenit si shkrimtar është karakteristik kalimi i tij i shpejtë nga romantizmi revolucionar në realizmin kritik.

Pasqyrimi i varfërisë së thellë të masave zë vend qendror në botimet e Migjenit për shkrimtarin kishte rëndësi të madhe shoqërore që të dilte në dritë sa më qartë humnera e vuajtjeve, ku e kishte hedhur popullin regjimi reaksionar. Heronjtë e veprave të tij më të mira ("Bukën tonë të përditshme falna sot", "Bukuria që vret", "Mollë e ndalueme", "Legjenda e misrit", "A don qymyr zotni ?", etj.) ishin të papunë që rropateshin gjithë ditën për të nxjerrë kafshatën e gojës, malësorë që qëndronin në zgrip të jetës, të mjerë që nuk u kishte ecur në jetë dhe ishin flakur jashtë shoqërisë. Në "Poemën e mjerimit", veprën e tij më të shquar, Migjeni përshkroi në tablo të gjallë dhe rrëqethëse të gëlltitjes së vështirë të masave të shtypura dhe të shfrytëzuara, të venitjes së tyre fizike nën grushtin e mjerimit, që sundonte në vend dhe mbrohej nga monarkia çifligaro-borgjeze. Në një varg shkrimesh, si "Zoti të dhashtë" etj., Migjeni fshikulloi ashpër indiferentizmin e klasave të kamura ndaj vuajtjeve që hiqte populli. Shtresat e privilegjuara Migjeni i pasqyroi kryesisht në jetën e tyre vetjake, ai tregoi moralin hipokrit dhe despotizmin që karakterizonte marrëdhëniet e tyre familjare ("Të çelen arkapijat", "Studenti në shtëpi"). Në "Studenti në shtëpi" vuri në lojë inteligjencien borgjeze, si forcë e paaftë për të luftuar për ideale të larta. Migjeni goditi haptazi dhe me forcë artin dhe shtypin zyrtar ("Kanga skandaloze", "Programi i një reviste", "Novelë mbi krizën" etj.) Skamorët, të cilët i urrenin shtypësit, por ende nuk guxonin të ngriheshin kundër tyre, Migjeni i pasqyroi me simpati të thellë. Në skicat "Luli i vocërr" dhe sidomos te "Zeneli", shkrimtari vuri në dukje aftësitë intelektuale të masave dhe dëshirën e zjarrtë për ndryshime në gjendjen e tyre shoqërore. Shkrimtari tregoi edhe shfaqjet, sado të zbehta të protestës së tyre ndaj padrejtësisë shoqërore ("Mollë e ndalueme"). Rrëfimi i thjeshtë dhe konciz, imtësitë, që zbulojnë thelbin e dukurisë, fryma polemike, psikologjizmi i hollë, prirja për t'i dhënë personazhet me disa viza, figurat poetike shprehëse, ironia - këto janë veçoritë kryesore të stilit të Migjenit. Shkrimet e tija lanë gjurmë të dukshme në letrarët e rinj të kohës.

Me mohimin e shoqërisë çifligaro-borgjeze dhe aspiratën e fortë për një të ardhme më të mirë për masat e popullit, Migjeni pati ndikim të ndjeshëm në rrethet e rinisë përparimtare ; me veprat e tij ndihmoi në formimin shpirtëror të saj. Këtë rol ato e luajtën edhe në vitet e qëndresës kundër pushtuesit fashist, kur qarkullonin dorë më dorë.

Pas Çlirimit trashëgimi letrar i Migjenit u bë i njohur plotësisht. ("Veprat" e plota të Migjenit janë botuar tri herë: 1954, 1957, 1961, kanë dalë edhe një varg botimesh të tipave të ndryshëm). Shkrimet poetike dhe në prozë të Migjenit janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Për jetën dhe shkrimet e tija janë botuar studime e artikuj të shumtë.

Me interesimin e Republikës Popullore të Shqipërisë eshtrat e Migjenit u sollën në atdhe në 1956. Iu dha titulli "Mësues i Popullit" post-mortem në vitin 1957.

Vepra

Film për Migjenin

Burimi i të dhënave

  1. ^ Skender Luarasi, "Migjeni:Jeta.: Cetis:Tirana, 2002, pp7-8.
  2. ^ a b c Shiko faqja 12 nga Teksti mbi orthodokset shqiptar nën emrin Gjiko Nokoliq; 2) fq. 8-9. 3) fq. 3