Jakov Xoxa

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Jakov Xoxa

Jakov Xoxa.gif

Emri: Jakov
Mbiemri: Xoxa
Lindi më: 1923
Vendlindja: Fier
Vdiq më: 1979
Profesioni: shkrimtar

Jakov Xoxa (1923 - 1979) lindi në qytetin e Fierit. Që i ri mori pjesë në Luftën Antifashiste. Pas Çlirimit të vendit vazhdoi studimet e larta për filologji dhe njëkohësisht bëri hapat e para në poezi dhe në prozë. Më 1949 botoi veprën e parë në prozë Novela. Krijimtarinë letrare në këtë zhanër e vazhdoi dhe gjatë viteve '50, kështu në vitin 1958 botoi veprën e dytë, po me atë titull Novela. Ndërkohë botoi dhe dy drama Buçet Osumi dhe Zemra. Që nga viti 1957 punoi profesor në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës, ku për shumë vite ligjëroi lëndën Teoria e letërsisë. Për nevojat e studentëve, në formën e dispencës, botoi në katër vëllime veprën Bazat e teorisë së letërsisë, që ishte nga veprat më serioze të kohës (si degë e shkencës mbi letërsinë). Pikërisht se në të autori ofronte dije dhe përvojë teorike letrare të gjerë, që dilte jashtë kornizave të teorive zyrtare të kohës, kjo vepër e rëndësishme për shkencën letrare shqiptare, nuk u botua kurrë. Autori i saj u qortua dhe ai pa bujë dhe zhurmë, ashtu siç ishte gjatë tërë jetës, i qetë dhe i mbyllur në vete, u tërhoq në vetmi. Natyrisht, vlerësimi dhe kritika (zyrtare) që nuk ishte e kënaqur me bindjet e tij, me vizionin përmes të cilit Jakov Xoxa e shihte dhe e projektonte artin në përgjithësi, bënë që sa qe gjallë, të mos botohej vepra e tij e plotë ; ajo u botua në Prishtinë ("Rilindja" 1971). Pjesën më të madhe të jetës krijuese Jakov Xoxa e kaloi në një fshat myzeqar afër Fierit, ku, në vetmi të plotë krijoi romanet : Lumi i vdekur (1965), Juga e bardhë (1971) dhe Lulja e kripës (1978), që hynë në rrethin e romaneve artistikisht më cilësorë, të letërsisë shqiptare. Asnjë roman para tij nuk e pasqyron në mënyrë aq komplekse botën shqiptare në prag të Luftës së Dytë Botërore, si Lumi i vdekur apo dhe periudhën gjatë luftës, si romani Lulja e kripës, ku gjejmë një shtrirje të pakufishme të rrëfimit që mbulon plotësisht hapësirën e jetës dhe të ekzistencës së mjedisit shqiptar. Jakov Xoxa është nga romancierët më në zë të gjysmës së shekullit XX. Në krijimtarinë e tij letrare ai individualizohet me parimin krijues-realist : fati individual do të jetë ai që do të hedhë dritë mbi kontestin tërësor të mjedisit dhe të kohës së fokusuar në rrëfime. Shëmbëllyeshëm me romanet e shquara realiste, Jakov Xoxa do ta vendosë dramën jetësore të personazheve dhe të familjeve në sfond të një kolektiviteti, të një gjendjeje apo të një rrjedhe historike. Parashenja më karakteristike e prozës së Jakov Xoxës është stili. Gjuha e tij vërehet dhe veçohet si e një individualiteti të fuqishëm dhe të papërsëritshëm në letërsinë shqiptare : nga njëra anë është e pranishme fryma e urtisë popullore me tërë thellësinë e shpirtit kolektiv ; nga ana tjetër, kemi një rrëfim të rrjedhës së qetë, të shtrirë në gjerësi, por edhe në thellësi.

Mirënjohje[redakto | redakto tekstin burimor]

Tituj të veprave[redakto | redakto tekstin burimor]

Burimi i të dhënave[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. ^ a b c d e Gjovalin Shkurtaj dhe Enver Hysa : Gjuha Shqipe për të huajt dhe shqiptarët jashtë atdheut