Bullgaria

Coordinates: 42°41′N 23°19′E / 42.683°N 23.317°E / 42.683; 23.317
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Republika e Bullgarisë
Република България
Flamuri i Bullgarisë Stema e Bullgarisë
Vendndodhja e Bullgarisë
Vendndodhja e Bullgarisë
Vendndodhja e Bullgarisë   (e gjelbër e errët)

–  në Europë   ( e gjelbër & gri e errët)
–  në Bashkimin Europian   (e gjelbër)

Moto Kombëtare "Съединението прави силата" (Bashkimi bën fuqinë)
Himni Kombëtar "Мила Родино" (Atdhe i dashur)
Kryeqyteti Sofja
Gjuha zyrtare Bullgarisht
Anëtarësimi në OKB 14 dhjetor 1955
Forma e qeverisjes Republikë Parlamentare
President Rumen Radev
Kryeministër Boyko Borisov
Sipërfaqja
– totale
– % ujë
Vëndi i 105-të
110.994 km²
0,3
Popullsia (2011)
– totale
– dendësia
Vëndi i 98-të
7.364.570 banorë
66,2 banorë/km²
PBB (2015)
 PBB për banor
57,596 miliard dollarë
8.037 dollarë
Monedha Lev (BGN)
Zona kohore
– zakonisht
– në verë

UTC+2
UTC+3
Prefiksi telefonik +359
Kodi i internetit .bg
Kodi ISO 3166-1 BG

Bullgaria (bullgarisht: България) zyrtarisht Republika e Bullgarisë (bullgarisht: Република България), është një vend në Evropën Juglindore. Ajo kufizohet nga Rumania në veri, Serbia dhe Maqedonia e Veriut në perëndim, Greqia dhe Turqia në jug, dhe Deti i Zi në lindje. Me një territor prej 110.994 kilometra katrorë, Bullgaria është shteti i 16-të më i madh në Europë.

Kulturat e organizuara prehistorike filluan zhvillimin në tokat bullgare gjatë periudhës neolitike. Historia e saj e lashtë përfshin praninë e trakëve dhe më vonë persianëve, greqishtfolësit antike dhe romakëve. Shfaqja e një shteti të unifikuar bullgar daton në themelimin e Perandorisë së Parë bullgare në 681 Pas Krishtit, e cila dominoi pjesën më të madhe të Ballkanit dhe funksiononte si një qendër kulturore për sllavët gjatë Mesjetës. Me rënien e Perandorisë së Dytë Bullgare në 1396, territoret e saj ranë nën sundimin osman për gati pesë shekuj. Lufta Ruso-Turke (1877–1878) çoi në formimin e Shtetit të Tretë Bullgar. Vitet në vijim panë disa konflikte me fqinjët e saj, gjë që shkaktoi Bullgarinë të lidhej me Gjermaninë në të dy luftërave botërore. Në vitin 1946 Bullgaria u bë një shtet socialist një-partiak, si pjesë e bllokut lindor të kryesuar nga sovjetikët. Në dhjetor të vitit 1989 Partia Komuniste në pushtet lejoi zgjedhjet shumëpartiake, gjë që më pas çoi në tranzicionin e Bullgarisë në një demokraci dhe një ekonomi të bazuar në treg.

Popullsia e Bullgarisë është kryesisht e urbanizuar dhe kryesisht e përqendruar në qendrat administrative të 28 provincave të saj. Shumica e aktiviteteve tregtare dhe kulturore janë përqendruar në kryeqytet dhe qytetin më të madh, Sofje. Sektorët më të fortë të ekonomisë janë industria e rëndë, prodhimi i energjisë, dhe bujqësia, të cilat mbështeten në burimet natyrore lokale.

Struktura aktuale politike e vendit daton në miratimin e një kushtetute demokratike në vitin 1991. Bullgaria është një republikë parlamentare unitare me një shkallë të lartë të centralizimit politik, administrativ, dhe ekonomik. Ajo është anëtare e Bashkimit Evropian, NATO-s dhe Këshillit të Evropës. Bullgaria ishte shtet themelues i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE); dhe ka marrë një vend në Këshillin e Sigurimit të OKB-së tri herë.

Historia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Antikiteti[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Trakët, një nga tre grupet kryesore paraardhës të bullgarëve të sotëm, filluan të shfaqen në rajon gjatë Epokës së Hekurit. Në fund të shekullit VI para Krishtit, persët pushtuan pjesën më të madhe të Bullgarisë së sotme dhe e mbajtën atë deri në vitin 479 para Krishtit. Me ndikimin e persëve, pjesa më e madhe e fiseve trake u përfshinë në mbretërinë Odrysiane në vitet 470 Para Krishtit nga mbreti Teres, por u nënshtruan më vonë nga Aleksandri i Madh dhe nga Romakët në vitin 46 pas Krishtit. Pas ndarjes së Perandorisë Romake në shekullin e 5-të, zona ra nën kontrollin bizantin. Në këtë kohë, krishterimi ishte përhapur tashmë në rajon. Një komunitet i vogël gotik në Nicopolis ad Istrum prodhoi librin e parë në gjuhën gjermane në shekullin e 4, Bibla Wulfila. Manastiri i parë i krishterë në Evropë u krijua në të njëjtën kohë nga Shën Atanasiu në Bullgarinë qendrore. Nga shekulli i 6-të, sllavët e jugut u vendosën gradualisht në rajon, duke asimiluar trakët pjesërisht të helenizuar ose të romakëzuar.

Perandoria e Parë Bullgare[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në vitet 680 fiset bullgare nën udhëheqjen e Asparukut u zhvendosën në jug të Danubit dhe u vendosën në zonën midis Danubit të poshtëm dhe Ballkanit, duke krijuar kryeqytetin e tyre në Pliska. Një traktat paqeje me Bizantin në vitin 681 shënoi fillimin e Perandorisë së Parë Bullgare. Bullgarët gradualisht u përzien me popullsinë lokale, duke adoptuar një gjuhë të përbashkët në bazë të dialektit lokal sllav.

Sundimtarët pasues e forcuan shtetin bullgar gjatë shekujve të 8-të dhe 9-të. Krum dyfishoi territorin e vendit, vrau perandorin bizantin Nicephorus I në betejën e Pliskës, dhe paraqiti kodin e parë të shkruar ligjor. Paganizmi u shfuqizua në favor të Krishtërimit Ortodoks Lindor nën Borisin I në vitin 864. Ky konvertim u pasua nga një njohje bizantine e kishës bullgare dhe miratimi i alfabetit cirilik të zhvilluar në Preslav i cili përforcoi autoritetin qendror dhe ndihmoi në perzjerjen e sllavëve dhe bullgarëve në një popull të njësuar. Një epokë e mëvonshme kulturore e artë filloi gjatë sundimit 34-vjeçar të Simeonit të Madh, i cili gjithashtu arriti zgjerimin më të madh territorial të shtetit.

Luftërat me hungarezët dhe Peçenegët dhe përhapja e bogomilizmit e dobësuan Bullgarinë pas vdekjes së Simeonit. Sulmet e njëpasnjëshëm të rusve dhe bizantinëve rezultoi në kapjes së kryeqytetit Preslav nga ushtria bizantine në vitin 971. Nën Samuilin, Bullgaria u bëri ballë për një periudhë të shkurtër këtyre sulmeve, por kjo mori fund kur perandori bizantin Vasili II mundi ushtrinë bullgare në Kljuç në vitin 1014. Samuili vdiq pak pas betejës, dhe në vitin 1018 bizantinët i dhanë fund Perandorisë së Parë Bullgare.

Perandoria e Dytë Bullgare[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pas pushtimit të Bullgarisë, Vasili II i pengoi revoltat dhe pakënaqësitë duke ruajtur sundimin e fisnikërisë vendase dhe duke i lehtësuar tokat e sapopushtuara nga detyrimi për të paguar taksat në ar, duke lejuar që ato të paguhen në mall. Ai gjithashtu lejoi që Patriarkana Bullgare të ruante statusin e saj autoqefale dhe të gjitha dioqezat e saj, por e zvogëloi atë në një kryepeshkopatë. Pas vdekjes së tij, politikat e brendëshme bizantine ndryshuan dhe shpërthzen një seri rebelimesh të pasuksesshme, më e madhja e të cilave u udhëhoq nga Pjetër Deljan. Në 1185 fisnikët e dinastisë Asen, Ivan Asen I dhe Pjetri IV organizuan një kryengritje të madhe që rezultoi në rivendosjen e shtetit bullgar. Ivan Aseni dhe Pjetri vendosën themelet e Perandorisë së Dytë Bullgare me Tarnovën si kryeqytet.

Kalojani, monarku i tretë Asen, e zgjati sundimin e tij deri në Beograd dhe Ohër. Ai pranoi supremacinë shpirtërore të Papës dhe mori një kurorë mbretërore nga një përfaqësues i Papës. Perandoria arriti kulmin e saj nën Ivan Asenin II (1218–1241), kur lulëzoi tregtia dhe kultura. Ndikimi i fortë ekonomik dhe fetar i Tarnovës e bëri atë një "Romë të Tretë", ndryshe nga Konstandinopoja tashmë në rënie.

Fuqia ushtaake dhe ekonomike e vendit ra pas përfundimit të dinastisë Asen në vitin 1257, përballë konflikteve të brendshme, sulmeve të vazhdueshme bizantine dhe hungareze dhe sundimit mongol. Deri në fund të shekullit të 14-të, ndarjet fraksionare midis pronarëve feudalë dhe përhapjes së Bogomilizmit bëri që Perandoria e Dytë Bullgare të ndahej në tre mbretëri cariste - Vidin, Tarnovo dhe Karvuna si dhe disa principata gjysmë të pavarura që luftonin me njëra tjetrën, si dhe kundër bizantinëve, hungarezëve, serbëve, venecianëve dhe genovezëve. Nga fundi i shekullit të 14-të, turqit otomanë kishin filluar pushtimin e Bullgarisë dhe kishin marrë shumicën e qyteteve dhe fortesave në jug të maleve të Ballkanit.

Sundimi Osman[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Tarnova u pushtua nga osmanët pas një rrethimi bllokadë tre-mujor më 1393. Pas betejës së Nicopolisit në vitin 1396 që solli rënien e Mbretërisë Vidin, osmanët pushtuan të gjitha tokat bullgare në jug të Danubit. Fisnikëria u eliminua dhe shumë klerikë të arsimuar ikën në vende të tjera. Sipas sistemit osman, të krishterët konsideroheshin si një klasë inferiore njerëzish. Kështu, bullgarët, si të krishterët e tjerë, i nënshtroheshin taksave të rënda dhe një pjesë e vogël e popullsisë bullgare përjetoi islamizim të pjesshëm ose të plotë dhe kultura e tyre u shtyp. Autoritetet otomane themeluan Rum Milet, një bashkësi fetare që qeveriste të gjithë të krishterët ortodoksë pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike. Shumica e popullsisë lokale humbi gradualisht ndërgjegjen kombëtare të dallueshme, duke u identifikuar si të krishterë. Sidoqoftë, kleri që mbeti në disa manastire të izoluara e mbajti gjallë dhe e ndihmoi atë të mbijetonte në disa zona rurale dhe të largëta, si dhe në komunitetin katolik militant në pjesën veriperëndimore të vendit.

Disa revolta bullgare shpërthyen gjatë gati pesë shekujve të sundimit osman, më të përmendurat ishin ato të mbështetura nga Habsburgët në vitin 1598 dhe në vitin 1686, kryengritja e Chiprovtsit në vitin 1688 dhe rebelimi i Karposit në vitin 1689. Në shekullin e 18-të, Iluminizmi në Evropën Perëndimore ndikoi në fillimin e një lëvizjeje të njohur si Zgjimi Kombëtar i Bullgarisë. Kjo lëvizje zgjoi vetëdijen kombëtare dhe u bë një faktor kyç në luftën çlirimtare, duke rezultuar në kryengritjen e vitit 1876. Deri në 30 mijë bullgarë u vranë dhe autoritetet osmane e shtypën rebelimin. Masakrat i nxitën Fuqitë e Mëdha të vepronin. Ata mblodhën Konferencën e Konstandinopojës në vitin 1876, por vendimet e tyre u refuzuan nga osmanët. Kjo i lejoi Perandorisë Ruse të kërkonte një zgjidhje me forcë pa rrezikuar konfrontimin ushtarak me Fuqitë e tjera të Mëdha, siç kishte ndodhur në Luftën e Krimesë. Në 1877 Rusia i shpalli luftë Perandorisë Osmane dhe mundi forcat e saj me ndihmën e vullnetarëve bullgarë.

Shteti i Bullgarisë së Tretë[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Traktati i Shën Stefanit u nënshkrua më 3 mars 1878 nga Rusia dhe Perandoria Osmane dhe përfshiu një dispozitë për të ngritur një principatë autonome bullgare afërsisht në territoret e Perandorisë së Dytë të Bullgarisë. Tre marsi që nga ajo ditë është bërë Dita e Çlirimit, një festë publike në Bullgari, megjithëse kjo dite nuk u festua më pas kryengritjes së krahut të majtë në vitin 1944.

Fuqitë e tjera të mëdha menjëherë e hodhën poshtë traktatin, nga frika se një vend i tillë i madh në Ballkan mund t'i kërcënonte interesat e tyre. Ai u zëvendësua nga Traktati i mëvonshëm i Berlinit, i nënshkruar më 13 korrik, i cili parashihte një shtet shumë më të vogël që përbëhej nga Moesia dhe rajoni i Sofjes, duke lënë popullsi të mëdha bullgare jashtë vendit të ri. Kjo luajti një rol të rëndësishëm në formimin e qasjes militariste të Bullgarisë ndaj çështjeve të jashtme gjatë gjysmës së parë të shekullit të 20-të.

Principata bullgare fitoi një luftë kundër Serbisë dhe përvetësoi territorin osman gjysmë autonom të Rumelisë Lindore në 1885, duke shpallur një shtet të pavarur më 5 tetor 1908. Në vitet pas pavarësisë, Bullgaria u militarizua gjithnjë e më tepër dhe shpesh quhej "Prusia Ballkanike".

Mes viteve 1912 dhe 1918, Bullgaria u përfshi në tre konflikte të njëpasnjëshme: dy Luftëra Ballkanike dhe Lufta e Parë Botërore. Pas një humbjeje katastrofike në Luftën e Dytë Ballkanike, Bullgaria përsëri e gjeti veten duke luftuar në anën e humbur si rezultat i aleancës së saj me Fuqitë Qendrore Në Luftën e Parë Botërore. Pavarësisht rekrutimit të më shumë se një të katërtës së popullsisë së saj në një ushtri prej 1 milion e 200 mijë ushtarë dhe arritjes së disa fitore vendimtare, në Doiran dhe Dobriç, vendi u dorëzua në vitin 1918. Lufta rezultoi me humbje të konsiderueshme territoriale, dhe 87 mijë e 500 ushtarë të vrarë.

Bullgaria në vitin 1915.

Trazirat politike që rezultuan nga këto humbje çuan në krijimin e një diktature mbretërore autoritare nga Car Boris III (1918–1943). Bullgaria hyri në Luftën e Dytë Botërore në vitin 1941 si një anëtar i Boshtit, por nuk pranoi të merrte pjesë në operacionin Barbarossa dhe shpëtoi popullatën e saj hebre nga deportimi në kampet e përqendrimit. Vdekja e papritur e Borisit III në verën e vitit 1943 e çoi vendin në trazira politike kur lufta u kthye kundër Gjermanisë dhe lëvizja guerile komuniste fitoi vrull. Qeveria e Bogdan Filov më pas dështoi të arrinte paqe me aleatët. Bullgaria nuk iu bind kërkesave sovjetike për të dëbuar forcat gjermane nga territori i saj, duke rezultuar në një deklaratë lufte dhe një pushtimi nga BRSS në shtator 1944. Fronti Atdheu i dominuar nga komunistët mori pushtetin, përfundoi pjesëmarrjen në Bosht dhe iu bashkua Aleatëve deri në përfundimin e luftës.

Kryengritja e të majtëve e 9 shtatorit 1944 çoi në heqjen e sundimit monarkist, por ata arritën të krijonin një republikë popullore një partiake vetëm në vitin 1946. Bullgaria u bë pjesë e sferës së influencës sovjetike nën udhëheqjen e Gjergj Dimitrovit (1946–1949), që hodhi themelet për një shtet stalinist të industrializimit të shpejtë, dhe qe ishte gjithashtu shumë represiv duke ekzekutuar mijëra disidentë. Nga mesi i viteve 1950, standardet e jetesës u rritën ndjeshëm, ndërkohë që represionet politike u pakësuan. Deri në vitet 1980, PBB kombëtare dhe ai për banor u katërfishuan, por ekonomia mbeti e prirur ndaj shifrave të borxheve, më të mëdhenjtë e të cilëve ndodhën në vitet 1960, 1977 dhe 1980. Ekonomia e planifikuar e stilit sovjetik pati disa politika të orientuara drejt tregut, duke dalë në një nivel eksperimental nën Todor Zhivkovin (1954–1989). Vajza e tij Ljudmilla mbështeti krenarinë kombëtare duke promovuar trashëgiminë bullgare, kulturën dhe artet në mbarë botën. Në vitin 1984 filloi një fushatë asimilimi në një përpjekje për të fshirë identitetin e pakicës etnike turke, e cila përfshinte mbylljem e xhamive dhe detyrimin e turqëve etnikë të pranojnë emra sllavë. Këto politika (të kombinuara me fundin e sundimit komunist në vitin 1989) rezultuan në emigrimin e rreth 300 mijë turqve etnikë në Turqi.

Nën ndikimin e shembjes së Bllokut Lindor, më 10 nëntor 1989 Partia Komuniste hoqi dorë nga monopoli i saj politik, Zhivkov dha dorëheqjen dhe Bullgaria hyri në një tranzicion drejt një demokracie parlamentare. Zgjedhjet e para të lira në qershor të vitit 1990 u fituan nga Partia Socialiste Bullgare (BSP, Partia Komuniste e sapoemëruar). Një kushtetutë e re që siguroi një president të zgjedhur relativisht të dobët dhe një kryeministër përgjegjës ndaj legjislaturës u miratua në korrik të vitit 1991. Sistemi i ri fillimisht nuk arriti të përmirësonte standardet e jetesës ose të krijonte rritje ekonomike - cilësia mesatare e jetës dhe ecuria ekonomike mbetën më të ulëta se nën komunizmin edhe në fillim të viteve 2000. Një paketë reformash e vitit 1997 rikrijoi rritjen ekonomike, por standardet e jetesës vazhduan të jenë të ulëta. Pas vitit 2001, kushtet ekonomike, politike dhe gjeopolitike u përmirësuan shumë, dhe Bullgaria arriti një status të lartë të Zhvillimit Njerëzor. Ajo u bë anëtare e NATO-s në 2004 dhe mori pjesë në Luftën në Afganistan. Pas disa viteve reformash, ajo u bashkua me Bashkimin Evropian në 2007, pavarësisht shqetësimeve të vazhdueshme rreth korrupsionit të qeverisë.

Politika[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Bullgaria është një demokraci parlamentare, në të cilën pozicioni më i fuqishëm ekzekutiv është ai i kryeministrit. Sistemi politik ka tri degë: legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore. Kushtetuta e Bullgarisë siguron gjithashtu edhe mundësitë e demokracisë së drejtpërdrejtë. Zgjedhjet mbikëqyren nga një Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i pavarur që përfshin anëtarë nga të gjitha partitë kryesore politike. Partitë duhet të regjistrohen në komisionin para se të marrin pjesë në zgjedhjet kombëtare. Normalisht, kryeministër emërohet drejtuesi i partisë që merr më shumë vota në zgjedhjet parlamentare, edhe pse kjo mund të mos jetë gjithmonë kështu.

Zgjedhjet kryhen për Asamblenë Kombëtare, e cila përbëhet nga 240 deputetë të zgjedhur për një mandat katër vjeçar me votim të drejtpërdrejtë popullor. Asambleja Kombëtare ka fuqinë që të miratojë ligje, të miratojë buxhetin, të planifikojë zgjedhjet presidenciale, të zgjedhë dhe shkarkojë kryeministrin dhe ministrat e tjerë, të deklarojë luftë, të dërgojë trupa jashtë vendit, dhe të ratifikojë traktate dhe marrëveshje ndërkombëtare. Presidenti shërben si kreu i shtetit dhe komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura, dhe ka autoritetin për të kthyer një ligj për debat të mëtejmë, edhe pse parlamenti mund çvlerësojë veton presidenciale me një shumicë të thjeshtë votash të të gjithë anëtarëve të parlamentit.

Deri në shkurt të vitit 2013 GERB (Grazhdani za Evropejsko Razvitie na Bllgarija), Qytetarët për Zhvillimin Europian të Bullgarisë, kishte 117 vende në Asamblenë Kombëtare, duke qeverisur si një qeveri e pakicës, pa mbështetje nga partitë e tjera politike në parlament. Qeveria dha dorëheqjen më 20 shkurt 2013 pas protestave mbarëkombëtare të shkaktuara nga kostot e larta të shërbimeve, standardi i ulët i jetesës dhe dështimi i sistemit demokratik. Si pasojë, Parlamenti u shpërnda dhe një qeveri e re e përkohshme u emërua nga Presidenti.

Zgjedhjet pasuese të parakohshme në maj të 2013 rezultuan me një fitore të ngushtë GERB-it. Mirëpo, pa mbështetjen e tre partive të tjera politike që hynë në parlament më 24 maj, udhëheqësi i GERB-it Borisov ktheu mandatin e presidentit për të formuar qeverinë. Partia Socialiste e Bullgarisë (BSP) emëroi ish-Ministri i Financave Plamen Oresharski për postin e Kryeministrit. Ai u emërua më 29 maj 2013.

Vetëm dy javë pas formimit të saj qeveria Oresharski u kritikua dhe iu desh të përballej me protesta në gjithë vendin nga ana e qytetarëve, të cilat në Sofje arritën deri në 11 000 pjesëmarrësve. Një nga arsyet kryesore për këto protesta ishte Emërimi i diskutueshëm i manjatit të medias Deljan Peevski si shef i Agjencisë Kombëtare të Sigurimit të Shtetit. Protestat vazhduan gjatë gjithë kohës së qeverisë Oresharski. Në tërësi, qeveria i mbijetoi 5 votimeve të mosbesimit para se të jepte dorëheqjen. Pas një marrëveshjeje nga tri partitë më të mëdha (GERB, BSP dhe DPS) për të mbajtur zgjedhje të parakohshme parlamentare në 5 tetor 2014, kabineti ra dakord të japë dorëheqjen në fund të muajit korrik, që u bë fakt më 23 korrik 2014. Parlamenti votoi të nesërmen 180-8 (8 abstenuan dhe 44 munguan) të pranojë dorëheqjen e qeverisë. Pas votimit, Presidenti Plevneliev i ofroi mandatin GERB-it për të formuar qeverinë, por ajo u refuzua. Të nesërmen, BSP gjithashtu e ktheu mandatin. Më 30 korrik edhe Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë (DPS) refuzoi mandatin. Më në fund, më 6 gusht, një qeveri teknike e udhëhequr nga Georgi Bliznashki u betua në detyrë dhe qeveria Oresharski u shpërnda zyrtarisht.

Siç u ra dakord, zgjedhjet parlamentare u mbajtën më 5 tetor 2014 për të zgjedhur Asamblenë e 43-të Kombëtare. GERB-i mbeti partia më e madhe, duke fituar 84 nga 240 vendet me rreth një të tretën e votave. Tetë parti hynë në parlament. Për herë të parë që nga fillimi i zgjedhjeve demokratike në vitin 1990 më shumë se shtatë parti hynë në parlament. Pasi u ngarkua nga presidenti Rosen Plevneliev për të formuar një qeveri, GERB-i e Borisovit formoi një koalicion me Bllokun Reformist, pati një marrëveshje partneriteti për mbështetjen e Alternativës për Rilindjen Bullgare, dhe gjithashtu pati përkrahje nga jashtë të Frontit Patriotik. Kabineti i njëzet ministrave u miratua nga një shumicë prej 136-97 (me një abstenim). Borisovi u zgjodh si kryeministër me vota edhe më të shumta 149-85. Borisov u bë personi i parë që zgjidhej dy herë si kryeministër në historinë e re të Bullgarisë.

Bullgaria ka një sistem tipik ligjor të ligjit civil. Gjyqësori mbikëqyret nga Ministria e Drejtësisë. Gjykata e Lartë Administrative dhe Gjykata e Lartë e Kasacionit janë gjykatat më të larta të apelit dhe të mbikëqyrin zbatimin e ligjeve në gjykatat e nënligjore. Këshilli i Lartë Gjyqësor administron sistemin dhe emëron gjyqtarët. Gjyqësori i Bullgarisë, së bashku me institucionet e tjera, mbetet një nga më të korruptuarit dhe joefikas në Europë.

Zbatimi i ligjit kryhet nga organizata, kryesisht në varësi të Ministrisë së Brendshme. Shërbimi Policor Kombëtar (SHPK) lufton krimin e përgjithshëm, ruan rendin publik dhe mbështet operacionet e agjencive të tjera të zbatimit të ligjit. SHKP ka 27.000 policië në pjesët e saj lokale dhe kombëtare. Ministria e Brendshme gjithashtu drejton Policinë e Shërbimit Kufitar dhe Xhandarmërinë Kombëtare një degë e specializuar për aktivitetet anti-terroriste, menaxhimin e krizave dhe kontrollin e trazirave. Kundërzbulimi dhe siguria kombëtare janë përgjegjësi e Agjencisë Shtetërore për Sigurinë Kombëtare, e themeluar në vitin 2008.

Njësitë administrative[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në vitin 1999 u miratua një strukturë e re administrative paralelisht me decentralizimin e sistemit ekonomik. Ajo përfshin 27 provinca dhe një provincë metropolitane të kryeqytetit Sofje. Të gjitha provincat e kanë marrë emrin nga kryqytetet e tyre respektivë. Ato ndahem në 264 bashki.

Bashkitë drejtohen nga kryetarët e bashkive, të cilët zgjidhen për një mandat katër vjeçar, dhe nga këshillat bashkiakë të zgjedhur drejtpërdrejt. Bullgaria është një shtet shumë i centralizuar, ku Këshilli kombëtar i Ministrave emëron drejtpërdrejt guvernatorët rajonalë dhe të gjitha provincat dhe bashkitë janë shumë të varur prej tij financiarisht.

  1. Blagojevgrad
  2. Burgas
  3. Dobriç
  4. Gabrovo
  5. Haskovo
  6. Kërxhali
  7. Kjustendill
  8. Loveç
  9. Montana
  10. Pazarxhik
  11. Pernik
  12. Pleven
  13. Plovdiv
  14. Razgrad
  1. Rusje
  2. Shumen
  3. Silistra
  4. Sliven
  5. Smoljan
  6. Provinca Sofie
  7. Stara Zagora
  8. Tërgovishçe
  9. Varna
  10. Veliko Tërnovo
  11. Vidin
  12. Vraca
  13. Jambol

Gjeografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Sipërfaqja e përgjithshme e Bullgarisë është 110,910 km2, shtrihet rreth koordinatave gjeografike 43° 00' V, 25° 00' L dhe 110.550 2 të kësaj sipërfaqeje janë tokë ndërsa 360 km2 ujë. Vija bregdetare e Bullgarisë në detin e zi është 354 km e gjatë.Ne malet Rodope gjendet mali me i larte ne Bullgari,mali Rila, me majen Musalla (2925 m). Prej fushave duhet cekur pllajen veriore,mesatarisht e larte 300m, e cila nga mali Ballkan zbret ne drejtim te lumit Danub

Klima e Bullgarisë ndryshon varësisht nga viset e sajë, në pjesët bregdetare është një klimë mesdhetare me dimër të lehtë dhe verë të nxehë ndërsa në brendi të vendit një klimë kontinentale e ngjashme me të Kosovës me dimër të fortë dhe verë të ngrohtë deri të nxehtë.

Relievi i Bullgarisë përbëhet kryesisht nga një teren i malor-shkëmborë me rrafshnalta të cilat zënë sipërfaqen më të madhe në pjesën veriore dhe juglindore të vendit. Pika më e ultë e relievit gjendet nën brigjet e detit të zi (0 m) dhe ajo më e lara në lartësi mbidetare prej 2,925 metrave në vendin e quajtur Musala në pjesën jugperëndimore të vendit.

Ekonomia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Me fitimin e pavarësisë në Kongresin e Berlinit Bullgaria ballafaqohet me varfërinë në kapital, me probleme të shumta politike dhe ekonomike edhe së shpejti bëhet sferë ndikuese e kapitalit të huaj. Importi i kapitalit të jashtëm nuk solli vendin në një pozitë më të mirë. Shkalla e ulët e fuqisë prodhuese bëri që bujqësia të sigurojë 2/3 e të ardhurave kombëtare dhe 90% të eksportit të vendit. Industria ka dhënë rreth 1/3 e të ardhurave kombëtare dhe gjithsej 5 % të eksportit të vendit. Këto relacionet e kanë përcaktuar bujqësinë degë kryesore të ekonomisë. Edhe pse gëzon kushte të favorshme natyrore, fragmentimi i pronave ishte problem për zbatimin e mjeteve agroteknike. Kësaj t’i shtojmë edhe bazën e ulët të mekanizmit dhe të kimikizimit në bujqësi. Ajo pak industri ka qenë orientuar në përpunimin e lëndëve të para nga bujqësia.

Ndërrimet e mëdha në ekonomi që kanë ndodhur pas Luftës së Dytë Botërore ishin bazë e mirë e një ritmi më të shpejtuar.

Demografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Piramida e popullsisë

Sipas regjistrimit të popullsisë së vitit 2001, Bulgaria ka pasur 7.932.984 banorë. Numri i popullsisë tregon rrënje për arsye të lindshmërisë të ulët dhe emigrimit, kështu pra para 16 viteve, në 1975 Bullgaria ka pasur numër më të madh të popullsisë 8.729.666.

Sa i përket strukturës fetare shumica e popullsisë i takon religjionit ortodoks.

Përbërja etnike ka qenë me sa vijon: Bullgar – 83,9 %, Turq – 9,4 %, Rom – 4,7 % të tjerë.

Kultura[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]


Kultura shqiptare në Bullgari mund të gjendet në fshatin e pastër shqiptarë të quajtur Mandrica ku flitet një e folme e toskërishtes.[1]

  • Telekomunikacioni
  • Transporti
  • Ushtria
  • Pushime

Burimi i të dhënave[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Μαϊκίδης, Απόστολος (1972). Μανδρίτσα. Η κωμόπολις που έσβησε (në greqishtja). Θεσσαλονίκη: Σημειώσεις — Αναμνήσεις — Παράδοσις
 Commons: Bullgaria – Album me fotografi dhe/apo video dhe materiale multimediale
 Commons: Bullgaria – Album me fotografi dhe/apo video dhe material multimediale

Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]


42°41′N 23°19′E / 42.683°N 23.317°E / 42.683; 23.317