Heliu

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Alexander the Great as Helios. Roman copy of Greek original

HELIU (greq. Ἥλιος Helios, lat. Sol) - i biri i Titanit Hiperion dhe gruas së tij Tees, zot i diellit.

Si zot i ndritshëm me flokë të artë dhe kurorë të rrezeve të diellit, ka qenë vërtet mishërim i diellit. Ka banuar në bregun lindor të Oqeanit, në pallatin prej arit nga i cili për çdo mëngjes me qerre të arta të cilat i ngrehnin katër kuaj me krih dhe me të cilat ka udhëtuar nëpër kupën qiellore. Në tokë i derdhte rrezet të cilat i jepnin dritë, ngrohtësi dhe jetë. Në mbrëmje, në perëndim sërish zbriste në ujërat e Oqeanit. Atje e priste anija prej arit me të cilën kthehej në pallatin e vet, dhe ditën e ardhshme e përsëriste të njëjtin udhëtim. Heliu çdo gjë e shihte dhe e ndëgjonte dhe ishte syri i tejpashëm i Zeusit të Olimpit. E kanë dashur zotërat, njerëzit, kafshët dhe bimët. Vetëm në perandorinë nëntokësore të Hadit nuk ka qenë musafir i mirëseardhur. Ndërkaq vetë e manajnonte sipas dëshirës së vet.

Bashkëshortja e Heliut ishte Oqeanida Perza. Në lindje me të ka pasur djalin Eetin i cili u bë mbret në Kolhidë, ndërsa në perëndim bijen, Kirkën, magjistaren e pushtetshme. Me Klimenën, motrën e Perzinës e ka pasur djalin Faeton, të njohur për nga shetitja e pafat me qerren qiellore, dhe disa vajza. Përveç këtyre ka pasur edhe dy vajza me nimfën Nierën. Quheshin Fateuza e Lampecia dhe në ujëdhesën Trinakri në Sicilinë e sotme ia ruanin kopetë e gjedheve. Kjo kope përbëhej prej shtatë tufave të lopëve dhe shtatë tufave qengjash, secila nga pesëdhjetë copë. Ishin simbol treqind e pesëdhjetë ditë dhe treqind e pesëdhjetë net (Viti lunar te grekët ka pasur pesëdhjetë javë nga shtatë ditë). Sipas disa miteve përveç Perzës (përpara ose pas saj) e ka pasur gruan Rodën, të bijën e Poseidonit, zotit të detit. Sipas saj e quajti ujëdhesen Rodos, pronë të vetën. E ka nxjerrë nga thellësitë e detit, sepse për të në botë nuk kishte mbetur asgjë kur zotërat e ndanë pushtetin dhe pronat, sepse pikërisht atëherë ishte në detyrë. Për këtë arsye rodasit, si edhe të gjithë grekët dhe pas tyre edhe romakët, jashtëzakonisht e kanë adhuruar, ndonëse te ata kulti i Heliut kurrë nuk e ka pasur atë domethënie sikurse kulti i diellit dhe i zotërave të diellit në Egjipt ose në vendet e Lindjes së Afërt.

Heliu në Greqi ka pasur relativisht pak tempuj dhe shenjtore, por qe paraqitur në trupore të shumta. Simbas tyre dhe shumë relefeve e piktura në vaza dimë se si e paramendonin grekët. Ndoshta pamjen më interesante të figurës se tij na e paraqet metopa Heliu me qerre me katër kuaj, i cili ishte nga tempulli i Athenës Iliones, ndoshta e shek. II para e.s. Në gërmadhat e Trojës e ka zbuluar H. Shlimani dhe sot gjendet në Muzeun shtetëror të Berlinit Lindor. Një reliev i bukur romak me Heliun gjendet në Luvër të Parisit, truporja prej bronze e Heliut e shek. III-II para e.s. dhe gjendet në Muzeun Metropolitan në Nju Jork, mozaiku Heliu në qerre të diellit (përafërsisht e vitit 200 të e.s.) në qytetin zviceran Bosceaz. Piktura dhe trupore të shumta nga antika dhe të kohës së re gjenden në koleksione të ndryshme. Shtatorja më e famshme e tij ka qenë Kolosi i Rodosit, e gjashta prej shtatë mrekullirave të botës. Krijuesi i kësaj shtatoreje ka qenë Hari nga Lindi. Kolosi ishte punuar prej bakrit dhe hekurit, i lartë 30-35 metra dhe gjendej në hyrje të limanit të Rodosit. Qe vendosur në vitin 281 para e.s., ndërsa në vitin 225 para e.s. u shkatërrua nga tërmeti. Kur në fillim të e.s. Rodosin e vizitoi Straboni, "babai i gjeografisë", ai i ka parë gërmadhat e tij. Më se dy mijë vjet truporja e Heliut në Rodos ka qenë shtatorja më e lartë në botë. Vetëm në vitin 1886 këtë e ka tejkaluar Monumenti i lirisë në Nju Jork.