Apoloni

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

APOLLONI (greq. Apollon, lat. Apollo) - i biri i zotit suprem, Zeusit dhe i dashnores së tij, Letës, zoti i dritës dhe i diellit, roje e jetës dhe rendit, shigjetarë dhe fallxhi i pagabuar.

Apollo Anzio Musei Capitolini MC286.jpg

Ishte Zoti i dritës, arsyes, frymëzimit, artit, i parathënies, profetizimit. Pasi që kishte lidhur me Diellin, po ashtu, konsiderohej edhe si shërues i sëmundjeve të ndryshme.

I takon gjeneratës së dytë të zotave nga Olimpi. Është i biri i Zeusit nga marrëdhënia e tij jashtëmartesore me LETËN, dhe vëllai binjak i hyjneshës ARTEMIDA. Apoloni konsiderohej si Zoti më i bukur nga të gjitha zotat tjerë të Olimpit. Me konstruksion ishte i gjatë dhe formë të bukur trupore, andaj kishte shumë aventura dashurore, si me nimfat ashtu edhe me njerëz të zakonshëm.

Nga këto aventura dashurore, i kanë lindur shumë fëmijë. Apoloni, po ashtu, trajtohej si heteroseksual. Përveç me femra, ai ka pasur marrëdhënie edhe me shumë meshkuj. Dashnorët e tij më të njohur meshkuj, kanë qenë: HIJAKITI dhe KIPARISI.

Se sa ishte Apoloni i çmuar dhe i respektuar si hyjni tek grekët e vjetër, tregon fakti se, për nder të tij, në Delfi ishte ndërtuar Orakulli i falshëm parathënës, në të cilën parathëniet e veta i tregonte priftëresha e njohur PITIJA.

a lindur në ujdhesën Delos ku e ëma kishte ikur para Pitonit, gjarpër i tmerrshëm me kokë dragoi me të cilin e ka përndjekur Hera, gruaja xheloze e Zeusit. Delosi atëbotë ishte një ujdhesë lundruese e cila luhatej në valë, prandaj nuk ka qenë strehim i sigurtë. Leta e përndjekur nuk ka pasur zgjedhje tjetër, sepse Hera e ka pas mallkuar që mos ta gjejë as një copëz toke të fortë, ku do të mund të lindë fëmijët e Zeusit. Posa ka shkelur në tokën e ujdhesës, ndodhi mrekullia. Nga thellësitë e detit u ngritën dy shkëmbinj, prej të cilëve njëri ia zuri udhën e mëtejshme të ujdhesës, kurse tjetri Pitonit. Leta në malin Kintos ia lind binjakët- bijën Artemidën dhe djalin Apolonin.

Kur Apoloni u rrit me armën e vet, me lirën e artë dhe harkun e argjendtë u ngrit në lartësi dhe u nis për në tokën ku jetonte Pitoni, për t'iu hakmarrë për përndjekjen e nënës së tij. E gjet në luginën e thellë në rrëzë të malit Parnas dhe u vërsul me një mori shigjetash dhe në një betejë të shkurtër e vrau atë. Trupin e tij e varrosi në tokë që prej tij mos të mbetet asnjë shenjë dhe ia ndërroi emrin e deriatëhershëm të tokës prej Pito në Delfe. Në vendin e ngadhënjimit të tij e themeloi një shenjtore dhe faltore që në to njerëzve t'ua shpallë njerëzve vullnesën e Zeusit.

Edhe pse Pitoni ishte përbindësh i gërditshëm, ishte qenie hyjnore, dhe Apoloni është dashur që ta shpaguajë dhe të pastrohet prej fajit që e bëri me vrasjen e tij, se ndryshe nuk ka mundur t'i pranojë funksionet e veta hyjnore. Andaj me urdhrin e Zeusit shkoi në Thesali dhe aty shërbeu te mbreti Admet tetë vjet si bari i thjeshtë. Pas spastrimit prej fajit u kthye në Delfe, të cilin, pos Delosit, e donte më së shumti. Kur afrohej dimri shkonte me karrocë të vetën, të cilën e tërhiqnin mjellmat në tokën e Heperboresave, ku dominon pranvera e amshueshme. Këtë e bënte çdo vjet : pranverën dhe verën e kalonte në Delfe, kurse vjeshtën dhe dimrin në viset e pranverës së amshueshme, poqese nuk qëndronte te zotërat në Olimpin e lartë.

Ardhja e Apolonit në Olimp sillte me vete gëzim dhe hare. Atje arrinte në krye të Muzave, hyjneshave të arteve të bukura, si udhëheqës i tyre i merituar. Asnjëri prej zotërave nuk mund t'u afrohej në luajtje në lirë. Kur jehonte kënga e tij, shkrihej edhe Aresi, zoti i luftës. Ishte kanakari i Zeusit, si edhe motra e tij Artemida, kurse zotërat e tjerë shpesh për këtë shkak ishin xheloz në të. Njerëzit e respektonin për shumë arsye : ishte zoti i dritës dhe i diellit pa të cilët as që mund të kishte jetë, nistar i harmonisë dhe bukurisë pa të cilat jeta nuk do të kishte kuptim. I mbronte njerëzit në luftëra dhe rreziqe, i shëronte nga sëmundjet, kujdesej për rendin që e pat vendosur Zeusi, e ka dashur dhe shpërblyer të mirën dhe e ka dënuar të keqën. Shigjetat prej harkut të tij kurrë nuk kanë dështuar, si hakmarrëse në mënyrë të pabesueshme i kanë goditur duke sjellë murtajën. Poashtu të pashmangshme kanë qenë edhe profecitë e tij. Në to njerëzve u shpallej për mes parafolësve vullnesa e Zeusit, veçmas ato të Delfëve, Pitisë dhe Sibilës, por edhe në orakull e të tjera (Poqese profecitë nuk përmbusheshin ose njerëzit nuk i kuptonin, fajtore ishin parafolëset të cilat ose nuk e kanë kuptuar ose i kanë zvetënuar fjalët e Apolonit).

Në botën e zotërave dhe të kreshnikëve Apoloni e ka pasur rol të shquar. Edhe vetë ishte hero i shumë ngjarjeve. Të njohura janë p.sh. garat e tij në muzikë me satirën Marsiun i cili dështimin e vet e paguan me lëkurë të vet. Gjatë garave të ngjashme me Panin, zotin e pyjeve dhe të barinjve, mbreti Mida, i fiton vesht e gomarit. Poashtu vlen edhe për garat e tij të pafatshme me Hiakintin e ri, e sidomos për hakmarrjen e tij të tmerrshme ndaj Niobës, mbretëreshës tabane, të cilës për shkak të ofendimit të nënës së tij ia vret të gjathë fëmijët. Në luftën trojane Apoloni ishte në anën e trojanëve dhe u ndihmoi në çdo mënyrë. E ka drejtuar poashtu shigjetën e cila e ka goditur Akilin në thembër.

Si çdo zot tjetër, edhe Apoloni ka pasur shumë dashnore. Mirëpo, përkundër bukurisë së tij, te ato nuk ka pasur shumë sukses. Dashuria e tij e parë, nimfa (zana) Dafna, u shndërrua, në praninë e tij, në drurin e dafinës që të shpëtojë prej tij. Bindjet dhe ofertat e tija i kanë refuzuar madje edhe dy femra të vdekshme, Kasandra dhe Marpesa. Prej trashëgimtareve të tij më së shumti janë shquar Orfeu, këngëtari trakas, të cilin e ka pasur me Muzen, Kaliopa, pastaj Asklepiadin, zotin e mjekësisë të cilin e lindi Koronida, dashnorja e tij dhe Aristeun, birin e nimfës Kirenes, i cili u ka mësuar njerëzve kultivimin e bletëve dhe rritjen e kafshëve. Djalë i tij është konsideruar edhe Himeni, zoti i martesës, ndihmës i hyjneshës Afrodita.

Apoloni është një prej hyjnive më të lashta greke. Adhurimi i tij në Greqi me siguri vjen nga Azia e Vogël. Sipas disa miteve vendlindja e tij është zabeli Oritigiu në Efez, në trevën e Azisë së Vogël. Sipas Bedrich Hroznit paraardhësi i tij i Azisë së Vogël është Apulunasi, zoti hetit. Në fillim Apoloni ishte mbrojtës i grigjeve e më vonë i qyteteve të kolonialistëve grekë dhe më në fund u bë zot i dritës dhe i diellit (kurse motra e tij Artemida hyjneshë e gjahut, natyrës dhe hënës), dhe merr shumë veti të tjera. Në këngë e quajnë Shigjetarë të pagabueshëm, Harkargjendi, Dritëlindësi, dhe më së shumti i Shndritshmi (Foitaos). Ishte i nderuar në tërë botën greko-romake. Romakët adhuronin rininë e tij, e kanë marrë prej grekëve dhe siç duket, para tyre prej grekëve e kanë marrë etrurët. Për nderë të Apolonit në Delfe, në pranverë dhe në vjeshtë, janë organizuar kremtet madhështore dhe për çdo katër vjet lojërat pitike. Kremte të ngjashme janë organizuar edhe në Delos, Milet e gjetiu. Në Romë lojërat e Apolonit janë organizuar prej vitit 212 para e.s. Në kujtim të fitores te Akciusi në vitin 31 para e.s. Augusti për nderë të Apolonit i themelon lojërat e Akciusit.

Me emrin e Apolonit janë të lidhura edhe veprat më të famshme në arkitekturë dhe skulpturë të antikës. Tempulli më i lashtë deri më sot, pjesërisht i ruajtur, tempulli dorik në Greqi, është ai i Apolonit në Korint. Është i shek. VII para e.s. dhe prej tij kanë mbetur shtatë shtylla. Arkitekti i tempullit të tij i ruajtur më së miri (në Basajë, Arkadi) ishte Iktini, njëri nga krijuesit e Parteonit athinas (në mesin e shek. V. para e.s.). Prej tempujve të tjerë të tij greke ndër më të famshmit konsiderohen ata në Seliun, në Sicili nga gjysma e parë e shk. VI para e.s., në Delfe, në Arg dhe në ujdhesën Delos (aty në gjysmën e parë të shek. V para e.s. ishte arka e përbashkët e shteteve, anëtare të të ashtuquajturës Lidhje e Delosit). Në Romë që në mbarim të shek. V para e.s., ia kanë ndërtuar tempullin pranë dyerëve të Karmenit, kurse pas vitit 31 para e.s., tempullin e ri e ndërton Augusti në Palatin. Prej truporeve të Apolonit para së gjithash veçohet e ashtuquajtura Apoloni i Belvederës ("shembull i bukurisë mashkullore"), kopja romake e skulpturës greke nga mesi i shek. IV para e.s, të cilën ia kanë mveshur Leoharit, pastaj Apoloni Musagetës (Apoloni udhëheqës i Muzave) kopja romake e origjinalit të Skopasit përafërsisht nga fillimi i shek. IV para e.s., pastaj Apoloni Sauroktonos (Apoloni i cili e mbyt hardhucën), kopje e veprës së Praksitelit nga gjysma e dytë e shek. IV para e.s. dhe Apoloni Citharoedus (Apoloni me kitarë), kopja romake e origjinalit grek nga shek. IV para e.s. Të gjitha këto skulptura sot gjenden në Muzeun e Vatikanit në Romë. Kopjet e shumta antike të truporeve të Apolonit gjenden në koleksione të ndryshme, veçmas në Muzeun Kombëtar të Romës, në Napoli dhe në Luvër të Parisit. Njëri prej origjinaleve greke, më i ruajtur, është Apoloni nga frontoni perëndimor i tempullit të Zeusit në Olimp, përafërsisht i viteve, 460-450 para e.s. dhe sot gjendet në Muzeun Olimpik dhe Apoloni prej bronze i kohës rreth vitit 520 para e.s. i gjetur më 1958 në Pire (dhe sot gjendet në Muzeun Kombëtar Arkeologjik në Athinë). Për nga lashtësia përafërsisht janë të të njëjtës kohë edhe skulpturat e Apolonit, veçmas Apoloni i Veut nga mbarimi i shek. VI para e.s., sot gjendet në Villa Julia në Romë. Apoloni nga Salona (Solini i sotëm afër Splitit), i gjetur në vitin 1820 vepër romake, me siguri është e kohës së hershme perandorake, dhe sot gjendet në Muzeun Arkeologjik në Zagreb. Prej veprave skulpturale të kohës së re po e përmendim Apoloni dhe Dafna e Berninit, në Villa Borghese në Romë (i vitit 1622), të Girardonit (Gjirardonit) Apoloni dhe nimfet pas vitit 1666, në parkun e pallatit në Versailles (Versaj) dhe Apoloni i Ogyst Rodenit rreth vitit 1900 që sot gjendet në Muzeun e Rodinit në Paris. Sa i përket paraqitjeve pikturale të Apolonit janë ruajtur që nga antika disa qindra (në të shumtën vaza). Prej pikturave të kohës së re po e përmendim vetëm Apolonin dhe Dafnen të Paulo Veroneseit (Paul Veronezit) nga mesi i shek. XVI, që sot gjendet në Muzeun Metropolitan të Nju Jorkut, dhe pikturën me të njëjtin emër të Nicolas Poussinit (Nikolas Pusenit), e vitit 1665 që gjendet në Muzeun e Luvrit në Paris. Në pallatin Clam-Gallas (Klam-Gallas) të Pragës gjendet freska e Carl Carlonit (Karl Karlonit) e viteve 1727-1730 e cila e paraqet Triumfin e Apolonit. As në numrimin më të shkurtë të veprave artistike lidhur me Apolonin, nuk mund të mos e përmendëm një vepër muzikore, baletin e Igor Straviniskit Apoloni udhëheqës i Muzave. - Në shenjë të Apolonit është pushtuar edhe fqiu më i afërm i Tokës. Programi amerikan i gjithësisë në kuadër të të cilit dy astronautë, Amstrongu dhe Aldrini, janë lëshuar në Hënë me 20. VII 1969, me të drejtë quhet me emrin e harkargjendit të birit të Zeusit, Apollo.