Hoti

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Vendndodhja gjeografike

Hoti është zonë bjeshkore e Malësisë së Madhe në pjesën veriore të trojeve shqiptare dhe tani ndodhet nën administrimin e Malit të Zi. Hoti, një ndër pesë malet e Malësisë së Madhe, është ndër më të vjetrit, por edhe ndër më të rëndësishmit e kësaj treve. Emërtimin e parë në dokumente të vjetra e gjejmë në vitin 1414 me "Certi Hocti" (disa hoten), çfarë tregon për një popullsi jo të madhe të këtij Mali. Malet më të njohura në këtë zonë janë, Bukoviqi dhe Cemeri. Objekt fetarë më i rëndësishëm është kisha në Brigje të Hotit.

Historia[redakto | redakto tekstin burimor]

Në të kaluarën ilire kjo zonë ishte e pjesë e "Maleve të Labeatëve" (mons labeatis). Me pushtimet romake bie nën administrimin e vendasve (në varësi romake). Shënohen edhe rebelët me Balshaj rreth fillimeve të shek. XV (Balshajt ishin kryezotët feudalë, që mblidhnin detyrime e taksa). Me 1415, këta "rebelë" gjetën strehim pranë Venedikasve në Shkodër, ku u ndihmuan edhe me të holla. Në vitin 1416 shënohet se një Andrea "Otto" (Andrea i tetë) emrohet kapiteni i vetëm i maleve, e se kjo i dhurohej e gjitha Venecias, meqense hotjanët ishin prishur përfundimisht me Balshajt. Në vitin 1417 gjinden emërtime të ndryshme si "Otto" ose "De Hottis". Në arkivat e ish-shtetit të Venecias, flitet për luftë guerilase kundër princërve të Balshajve në vitet 1416-1417, si dhe popullimi i Hotit afër territoreve të sotëm që përkon me vitin 1426, në mes malit Veleçikut e Liqenit. Në vitin 1455 përsëri deklarohet besnikëria ndaj Venecias, së bashku me komunitetet e Zetës së lartë (superiore) me inisiativën e Stefano Cernei. Me 1474, Hoti del si Mal në vehte me një kryetar, emrua pastaj Vojvodë, i cili është në bashkëpunim me Venecien. Pak më vonë, ka një emigrim në Sicili, ku përkon me pushtimin turk, ndoshta për t'u shpëtuar reprezaljeve. Edhe sot në Sicili (Itali) gjinden radhë mbiemra Hoti.

Me 1479 kur sulltan ishte Muhamedi II (1451-1481) Perandoria Osmane e pushton malësinë dhe nga kjo zonë formon nahien e Hotit. Nën pushtimin osmanë popullsia e prirë nga feudalët zhvillojnë disa kryengritje e luftëra ndër vitet: 1565-1575, 1596, 1601, 1609, 1610-12, 1624, 1638, 1652-53, 1668-69 ,1698-99 ,1712, 1732, 1808, 1822, 1832-34, 1838, 1844, 1856, 1862, 1871-72, 1879, 1883, 1869[1]. Ripopullimi i Hotit është bërë pas vitit 1500, si vit shënohet viti 1520 ku Geg Lazri, i biri i Lazër Keqit, i ardhur nga Bosnja (natyrisht tokë dikur ilire që flisnin shqip) u vendos në mes dy njerëzve vendas që gjeti në Hot. Familja e Geg Lazrit u shtua aq shumë, sa shumica e popullsisë së Hotit kanë për trung Gegë Lazrin. Ndërsa autoktonët, dy banorët që u gjetën në vitin 1520 gjinden në Locnikaj (Locaj) e Koje, ku në vitin 1911 numronin 12 shtëpi, që martoheshin me Hotin Tjetër, ndërsa Hoti në mes vehtes jo. (Duhet sqaruar se Lazër Keqi pati edhe tre djem të tjerë, Piper Lazri, Vaso Lazri, Krasni Lazri, nga ku kanë origjinën fiset e Piperit dhe Vasojeviqit, të sllavizuar tani, ndërsa Krasniqja e sotme rrjedh nga Krasni Lazri (shqiptare, por i myslimanizuar.) Në vitin 1610, 1614 shënohet se Hotët kishin 212 shtëpi me 600 burra të aftë për armë. Me 1635 - 220 shtëpi me 1100 frymë. Emërtimin Hot e gjejmë edhe në dokumentet e viteve 1671, 1688, 1689, e të gjithë katolikë, çfarë tregon për qëndresën e pashoqe ndaj pushtimit osman. Vetëm në dokumente të shekullit të 19-të gjen pak familje, që kishin kaluar në fenë islame (shpesh kjo vetëm për t'i shpëtuar reprezaljeve osmane, madje kishin dy emra në qeveri mysliman, e shoqëri katolik). Pikërisht në shekullin e 19-të u arrit përfaqësimi i interesave të fisit pranë Ibrahim Bushatit, viziri i Shkodrës. Titullin bylykbash e kishte një person me emrin Hasan Aga, 30 vjet, më pas nipi i tij e humbet këtë titull, si rezultat i një rebelimi të kotë. Me 1881 Hoti numronte 405 shtëpi me 2500 banorë, të përqëndruar kryesisht në shtatë fshatra dhe me sipërfaqe 120 km2, ndërsa në një dokument të vitit 1897 shënohen 500 shtëpi me 4500 banorë. Po në dokumentet e vitit 1897 shënohet se Hoti është i ndarë në dy bajraqe (flamuj): Bajraku i Hotit ose Rapshës, Bajraku i Traboinit, ose Kusha e Traboinit, që i përkisnin dy famullive të Rapshës dhe Brigjes së Traboinit.

Në kuvend të krejt Hotit, kishin kuvendin e Rapshës, dhe bajraktari nr. 1 ishte ai i Rapshës, Deli Meta (shënuar në një dokument të vitit 1918), e i Traboinit ishte bajraktar nga familja Nishi, por kryesori ishte një Deli Meta. Gjithashtu, Hoti në përfaqësimin e tij ligjor në Xhibalin e Shkodrës kishte vetëm një përfaqësues (bylykbash). Lufta e Hotit për liri e identitet nuk ka të sosur ndër shekuj si me dreqnit e stepave të Rusisë, shkjetë e Malit të Zi e Serbisë, ku viti 1878 është kulmi i saj, ku vetëm lufta këmbëngulëse e hotjanëve (edhe me malësorë të tjerë) bëri që vendimi i Kongresit të Berlinit të mbesë në letër për të mos i aneksuar Malit të Zi krahinat e Tuzit, Plavës e Gucisë. Ndërsa me pushtuesit anadollakë, kulmore mbet lufta e 1911, e cila me 6 prill të këtij viti çoi në ngritjen e flamurit të Skënderbeut në Deçiç, pas 500 vjet robërie otomane.

Ndarja sipas traktatit të Shën Stefanit

Vlen për tu sqaruar se për kuvende të përbashkëta hotjanët kishin edhe Kishën e Brigjes (S. Giovanni Decollato). Festa kryesore e Hotit është Shën Gjoni (Shnjoni). Por mbas të gjitha këtyre, vjen viti i zi 1913, kur Fuqitë e Mëdha, në Shqipërinë e Malësinë e Madhe e bashkë me këto edhe Hotin, ku mjerisht kjo dhuratë ju bë shkjeve të Ballkanit, Malit të Zi. Kjo ndarje nuk ishte vetëm territoriale, ajo ndau mbi të gjitha fise, familje e shtëpi, doke e zakone, e fatkeqësisht edhe sot kjo ndarje në Europën e Re quhet Tabu. Gjithsesi, hotjanët emigruan e migruan, por kudo që ata jetojnë, rrezatojnë jo vetëm shqiptari, por mbi të gjitha mall për vendin e tyre, çfarë do të thotë, t'i dalin për zot kudo e kurdo. Hoti i mbetur mbas 1913, është pjesë e komunës Kastrat e ata me krenari kujtojnë vargjet lapidarë të poetit kombëtar patër Gjergj Fishta:

A po i sheh ti njata burra,

Që kah brigja nëpër curra,

Tue hecë natën, porsi bisha,

Jan tuj ngjitun drejt kah kisha,

Ata janë po krenët e Hotit,

Që me u lidhë duan me besë të Zotit,

Për me i lanun nder Malësisë.

Në vitet e fundit të shkatërrimit të perandorisë Osmane, e ndante në mes vija e re kufitare e propozuar nga italianët, e që në histori është e njohur si vija e Kortit. Sipas kësaj vije pjesa veriore duhej të i takonte Malit të Zi ndërsa pjesa jugore të mbetej edhe më tutje pjesë Shqipnisë (nën administrimin e perandorisë Osmane). Për këtë qëllim, krerët e Hotit, të Grudës, të Kelmendit e të Kastratit më 1 mars 1880 miratuan një peticion drejtuar Fuqive të Mëdha, në të cilin deklaronin se do të rrëmbenin armët për të mbrojtur trojet e tyre. Fuqitë e Mëdha të kohës, në atë kohë i konsideronin si lojëra politike të Portës së Lartë[2] kundërshtimet shqiptare dhe nuk i merrnin parasysh. Si rezultat i këtyre tre faktorëve d.m.th pakënaqësia e shqiptarëve, ambicionet e Malit të Zi dhe mendje lehtësia e Fuqive të Mëdha, vije deri tek shndërrimi i kësaj krahine në një arenë lufte. Kjo arenë e luftës në historinë shqiptare është e njohur si pjesë historisë së Lidhjes së Prizrenit e quajtur Mbrojtja e Hotit dhe e Grudës.

Në mbledhjen e Podgoricës (2-4 shkurt 1911) do të vendoset që kryengritja do të fillojë me sigurimin e armës, afër Shën Gjergjit. Për të realizuar këtë mision nga ana e Komitetit angazhohen Nikollë Ivanaj (shkon në Itali) dhe profesor Gjergj Pekmezi (nga Pogradeci) në Vienë , por ajo filloi me parë me 24 mars me sulmin e një çetë të Hotit kundër kaushës turke në Brigje të Hotit. Të nesërmen malësorët sulmojnë kaushët ushtarako-policore në kufirin me Mal të Zi si janë Porokia, Lishahu, Qafë Bokrrine, Mergjes (Vrane) si edhe ato në starre, Arzë, Rranxë të Rrases, Pllanicë etj. Betejat më të njohura janë ato që u zhvilluan në Deciç me 6 dhe 22 prill dhe 3 maj 1911 në të cilat u dalluan shumë persona e sidomos Tring Smailja Ivezaj.[1]

Gjatë kësaj kohe nga kjo krahinë dalin emra të njohur në historinë e përgjithshme shqiptare si dhe shprehja "Pushka e Hotit ndihma e Zotit".

Personalitete të njohura[redakto | redakto tekstin burimor]

  • Anaro Hoti - rreth 1476, i njohur për bashkëpunim me Vendikun dhe Ballshajt
  • Dedë Gjo Luli - bajraktar i Hotit, udhëheqës i Revoltës së Malcís s'Madhe
  • Palok Traboini - djali që pruri flamurin që u ngrit në majen Rudinë me 6 prill 1911, dhe dy të tjerë që solli nga Vjena, të dytin Ujkës së Grudës e të tretin Prel Lucës së Trieshit.

Burimi i të dhënave[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. ^ a b Amza:malesia.org
  2. ^ Copa nga Rilindja 11 shkurt 1995 JUSUF BUXHOVI:SPEKULLIMI ME BISMARKUN