Ilaz Kodra

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Ilaz Kodra (3 maj 1966 - 30 prill 1999) ishte luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Hero i Kosovës. [1]

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ilaz Kodra lindi më 3 maj të vitit 1966 në Prekaz. Klasët e para të shkollës fillore i kreu në vendlindje, ndërsa tetëvjeçaren dhe shkollën e mesme, gjimnazin, i ka kryer në Skënderaj. Pas kryerjes së shkollës së mesme, regjistrohet në Shkollën e Lartë Komerciale në Pejë. Shërbimin e detyrueshëm ushtarak në armatën jugosllave e ka kryer në Slloveni.

Ndikimi atdhetar që kishte ushtruar te rinia përparimtare dhe revolucionare e Prekazit e më gjerë, akti heroik dhe qëndresa e Tahir dhe Nebih Mehës, më 13 maj të vitit 1981, kundër policisë jugosllave, i kishte dhënë impulse idesë së vazhdimit pa kthim të rezistencës së armatosur kundër pushtuesit. Edhe Ilazi, ashtu si më parë Adem dhe Hamëz Jashari, kishte mendime identike lidhur me nevojën e fillimit të luftës së armatosur, në kohën kur po shihej mirëfilli se Jugosllavia do të shpërbëhej dhe kur tashmë kishte filluar shkatërrimi i saj me ndarjen e Sllovenisë dhe me fillimin e luftës në Kroaci e më vonë edhe në Bosnjë e Hercegovinë.[2]

Me qëllim për të vepruar së bashku, Adem Jashari, Hamëz Jashari, Ilaz Kodra dhe shumë bashkëmendimtarë të tyre kanë formuar bërthamën e parë të njësitit të armatosur, të njohur fillimisht si Ushtria e Kosovës, e cila disa vite më vonë do të quhej: Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ata, në vitin 1991 kishin kaluar kufirin edhe ishin futur ilegalisht në Shqipëri, me qëllim për t’u stërvitur dhe për t’u armatosur.

Qysh në vitin 1991, Ilaz Kodra bashkë me Adem Jasharin, ka shkuar në Shqipëri, ku ka kryer stërvitjet ushtarake dhe ka mësuar taktikat e sulmit dhe të tërheqjes. Ai e ka kaluar kufirin shqiptaro-shqiptar ilegalisht disa herë. Një kohë të shkurtër qëndroi edhe në Gjermani, në Mynih ku kishte zhvilluar një aktivitet të fortë atdhetar dhe kishte bindur bashkatdhetarët që ta ndihmojnë luftën dhe të rreshtohen në radhët e UÇK-së.[3]

Pas betejës së Legjendarit Adem Jashari dhe të Jasharëve të tjerë në Prekaz më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, bashkëluftëtarët e Komandantit Legjendar vazhdojnë veprimet luftarake duke e zgjeruar UÇK-në pothuajse në çdo fshat të kësaj ane. Ilaz Kodra, Fehmi Lladrovci, Abedin Rexha e të tjerë ishin kthyer në Drenicë së bashku me familjet e tyre. Po ashtu, frontet e luftës ishin zgjeruar edhe në Dukagjin, Anadrin, Neredime, në Shalë të Bajgorës e në Llap.

Pas rënies së Fehmi Lladrovcit dhe Xhevë Krasniqit-Lladrovci në altarin e lirisë, më 22 shtator të vitit 1998, Ilaz Kodra u caktua komandant i kësaj brigade, e cila mori emrin e komandantit të saj të parë, Fehmi Lladrovci. Në krye të kësaj brigade, komandanti Ilaz Kodra ofroi rreth vetes luftëtarë të përkushtuar. Gëzonte respektin e luftëtarëve për shkak të qëndrimit të tij të drejtë dhe parimor në raport me organizimin dhe luftën kundër forcave pushtuese. Rrezja e veprimit luftarak të Brigads 114, “Fehmi Lladrovci” e Zonës Operative të Drenicës shtrihej në një pjesë të Qyqavicës, prej Kronit të Mbretit, në Vasilevë në Drenas, Verboc, Shtuticë, Baks, Qirez, Marinë, Dashevc, Prekaz, Polac, Prelloc, Skënderaj e deri në Tërnac.[4]

Me të marrë lajmin se forcat serbe po bënin përpjekje të mësynin popullatën civile në fshatin Verboc e Shtuticë, Ilaz Kodra niset për t’i shkuar në ndihmë popullatës. Në mëngjes herët, rreth orës 5.30 fillon breshëria e sulmit nga forcat armike, të cilat kishin rrethuar vendi në formë patkoi. Ilaz Kodra, në luftë ballë për ballë kundër forcave serbe, bie në altarin e lirisë më 30 prill të vitit 1999, në fshatin Shtuticë”.[1]

Shih edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ a b Kraja, Mehmet, red. (2018). "Fjalori Enciklopedik i Kosovës". (Encyclopedic Dictionary of Kosova). Vëll. 1. Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. fq. 811. ISBN 9789951615846. OCLC 1080379844.
  2. ^ https://www.radiokosovaelire.com/ilaz-ismajl-kodra-3-5-1966-30-4-1999-2/
  3. ^ https://www.epokaere.com/heroizmi-i-komandantit-ilaz-kodra/
  4. ^ https://www.botasot.info/aktuale-lajme/693361/ja-kush-ishte-ilaz-kodra/