Izraelitët

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Izraelitët (hebraike: יִשְׂרְאֵלִים‎) janë qytetarët dhe shtetasit e shtetit të Izraelit. Popullsia e vendit përbëhet kryesisht nga hebrenj dhe nga arabë, të cilët përbëjnë përkatësisht 75 përqind dhe 20 përqind të shifrës kombëtare; ndjekur nga pakicat e tjera etnike dhe fetare, të cilat përbëjnë 5 përqind.

Kultura e hershme izraelite u përcaktua kryesisht nga komunitetet e diasporës hebraike që kishin bërë aliyahPalestinën Britanike nga Evropa, nga Azia Perëndimore dhe nga Afrika Veriore në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të. Imigrimi i mëvonshëm hebre nga Etiopia, nga shtetet e ish-Bashkimit Sovjetik dhe nga Amerikat futën elemente të reja kulturore në shoqërinë izraelite dhe kanë pasur një ndikim të thellë në kulturën e sotshme izraelite.

Që nga pavarësia e Izraelit në vitin 1948, izraelitët dhe njerëzit me origjinë izraelite kanë pasur një diasporë të konsiderueshme, e cila kryesisht përputhet me diasporën hebraike, por edhe me atë të grupeve të tjera etnike dhe fetare; vlerësohet se pothuajse 10 përqind e popullsisë së përgjithshme izraelite jeton jashtë vendit, veçanërisht në Rusi (me Moskën që strehon komunitetin e vetëm më të madh izraelit jashtë Izraelit), në Indi, në Kanada, në Mbretërinë e Bashkuar, në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë Evropën.