Jehan de Vezelay

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Gjoni i Jerusalemit
Jehan de Vezelay
Zhan de Vezele
(1042-1119)

U lind në Vezalay (Vezele) të Burgundit, afër një manastiri benediktin rreth viteve 1042. Në fakt nuk dihet shumë mbi fëmijërine e tij. Ndoshta prindërit e tij qenë shtegtarë (pelegrinë), në rrugë për në Santiago de Compostella, dhe Zhani u lind rrugës në Vezelay, sepse fati ishte shkruar ashtu. Ai u lidh shumë me manastirin benediktin, që flitej se mbante relika (eshtra) nga Maria Magdalena (mëkatarja e cila u bë ndjekëse e Jezu Krishtit sipas Besëlidhjes Re).

Shikohet nga benediktinët si një i tyri, sepse në një dorëshkrim të tyrin ai quhet : "Gjoni i Jerusalemit, Fëmija i Manastirit, Biri i Burgundit, Ushtar i Krishtit në Tokën e Shejtë".

U bë më vonë kalorës tempullor dhe vetë me shtatë kalorës të tjerë tempullorë themeluan urdhrin misterioz tempullor në vitin 1119 në Hugo të Paye nga Champagne (Shampanjë). Dihet se pushteti i kalorësve tempullorë në shekullin e 14 qe aq i madh, saqë u përndoqën nga Mbreti Filip i Bukuri. Zhani thirrej nga shokët si "Trim mbi trima". Mori pjesë në Kryqëzatën e Parë në vitin 1099, që përfundoi me pushtimin e Jerusalemit.

Një dorëshkrim nga shekulli 14-të, që u rigjet para pak vitesh në manastirin e Sagorsk-it jo larg Moskës, ndoshta i pari me shprehjen profetike protokoll i fshehtë na dërgon 20 rreshta të portretit të tij. Për pamjen e jashtme nuk thuhet asgjë, por thirret si "Shenjt ndër shenjtër". Aty thuhet se ai "mundej të lexonte e dëgjonte qiellin", dhe se "ai ishte syri dhe veshi i njerëzve, se nëpërmes tij lihen të shihen e dëgjohen fuqitë e Zotit". Në këtë mënyrë Zhani ishte një pamës, ndërmjetës, që shkroi nën një diktim, dora e tij drejtohej nga një zë. Shikimi i tij zbulonte të fshehtën e ndërtimit të botës, plasaritjet, që nga një pikë në të Shkuarën ose në të Tashmen përtej në të Ardhmen çonin dhe hartën e mijëvjeçarit të tretë vizatonin.

Dorëshkrimi i Sagorskit kallëxon se Zhani shpesh tërhiqej në shkretëtirë për t´u lutur e përsiatuar (medituar), "ai ishte atje ku, tokë e qiell preken" shkruhet aty. Ai "njihte trupin e njeriut, atë të tokës e atë të qiellit, ai mund të ndiqte fillin që të çon në këtë botë tek të fshehtat". Ai ishte mjek apo shërues dhe njëkohësisht astrolog (yjenjohës) - apo astronom. Në këtë vështrim ai është pararendës i Nostradami-t.

Në Jerusalem ushtari murg mundej të takonte Rabbinë çifutë, myslimanë të ditur dhe të njihte të fshehtat, që këta mjeshtra ia përçonin njeri-tjetrit. Kështu ai u njoh me filozofinë ezoterike të grekëve dhe me Kabbala-n çifute ose me misteret e algjebrës dhe domethënien e numrave. Ai lexoi librat e shenjtë në shkretëtirë. Kështu jetoi e shkroi murgu Zhan. Jetoi 20 vjet ne Jerusalem. Në këtë kohë përpiloi Librin e Profecive.

Ka mundësi të ketë parë Bizantin, shkëlqimin e Perandorisë Romake të Lindjes. Ka mundësi të ketë filluar këtu studimet e tija, mësimin e greqishtes, tekstet e filozofeve dhe shkrimtarëve të lashtësisë. Flitet se vizitoi Romën, madje jetoi atje disa muaj apo vjet.

Në vitet 1117-1119 shkruan në Jerusalem Librin e profecive, pak para vdekjes së tij. Flitet se Jehan de Vezelay dorëshkrimin e tij e shkroi 6 here - ose e la të shkruhej. Duhen pra, të jenë 7 libra të profecive (këtu lidhja simbolike e numrit 7). Tre prej tyre ia besoi kryemjeshtrit të urdhrit tempullor, dhe ky i dha fjalën, t´ja jepte Bernhardit të Clairvaux-s. Katër të tjerët i mbajti vetë, ndoshta për t´jua dhënë atyre mjeshtrave, që i hapën atij derën e fshehtësive të së Ardhmes, pra për t´ju përcjellë dijen e përftuar.

Sot nuk dihet sesa libra kanë mbijetuar, ndoshta tre. Libri i Profecive nuk është ndonjë dorëshkrim dosido. Kushdo që e ka pasur në dorë në rrjedhën e shekujve ka ndjerë paprekshmërinë e teksteve, që merren me fatin e njerëzimit të mijëvjeçarit që ne jetojmë dhe të atij që vjen pas. Një kopje e Librit gjëndet në Vatikan. Kopja tjetër u soll në manastirin e Vezelay-s nga Berhard i Clairvaux (Klervo), ku u ruajt për disa dhjetëra vjet. U zhduk gjatë përndjekjeve të Tempulloreve nga Filip i Bukuri.

Kopja e tretë ra në duart e Legistëve, Juristët e Oborrit mbretëror francez.

Në vitin 1550 Michel de Nottredamme (Mishel Nostradamus), mjek dhe astrolog, botoi librin me titull Zenturim në dy vëllime. Kur ai i shkroi ata pat ndër duar dorëshkrimin e Jehan de Vezelay-s.

Për fatin e katër kopjeve të tjera nuk dihet gjë me saktësi. Ndoshta një kopje iu dha një mjeshtri (të dituri) nga Lindja. Një tjetër prehej ndoshta në librarinë e Bizantit. Në një tekst të shekullit 16-të, murgjit Sagorskanë përmendin se pas rënies së qytetit (Bizantit) libri arriti në Sagorsk. Dorëshkrimi mbante titullin "Protokolli i fshehtë i Profecive". Në vitin 1918 me ardhjen e Bolshevikeve u mor dhe u asgjësua.

Kopja e shtatë u gjet në arkivat e K.G.B-së, i ruajtur fortmirë në Ljubjanka, burgun me nam moskovit. Rruga e dorëshkrimit është dokumentuar me kujdes të madh nga policia fshehtë e Stalinit. I përkiste një arkivi, që u gjet në Berlin, në "bunkerët e udhëheqësit", Hitlerit. Kjo sqaron prejardhjen e disa rreshtave gjermanisht, në dorëshkrim. Aty shënohet se u gjet në bibliotekën e Bashkësisë Çifute në Varshavë në vitin 1941 nga trupat SS të cilët donin ta agjësonin por, udheheqësi i tyre Heinrich Himmler (Hajnrih Himmler) vendosi vetë, që të studiohej dhe përkthehej nga ekspertë për histori mesjetare. Ai e dinte se Hitleri pëlqente çdo lloj ezoterike dhe profecie. Ndoshta pastaj është lexuar edhe nga Hitleri, pas Heinrich Himmler-it.

Nuk dihet nëse më pas është lexuar nga Stalini, i cili nuk besonte në profeci, astrologji e fat por, vetëm në pushtet të hekurt.

Si do të jetë mijëvjeçari i tretë ? Çfarë rrjedhe do të marrë ai ? Si do te ecë njeriu me veprimtarinë e tij ? Kushedi ?

Libri i Profecive i Jehan de Vezelay i jep atyre që duan e munden t´a lexojnë përgjigje mbi këto pyetje. Ky protokoll sekret u lë njerëzve lirinë e tyre, por i paralajmëron ata për atë që i pret ata. Është i errët, përsa i përket së Ardhmes, por është njëkohësisht rrezatues, përsa i përket së Adhmes që pason.

Kur stuhia bëhet e pashmangshme, detari ende mundet të arrijë velat ose të ndërrojë drejtim.

Profecitë[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Janë 40 paralajmërime. Ja disa prej tyre :

XXIV.

   Kur fillon mijëvjeçari, që vjen pas mijëvjeçarit 
   Njerëzit do të munden t´u japin jetë mirazheve 
   Shqisat do gënjehen, e ata kujtojnë se prekin, çfarë nuk është
   Ata do ecin rrugë, që vetëm sytë mund t´i shohin
   E kështu ëndrra do bëhet vërtetësi.

   Por njeriu nuk do mundë të dallojë midis asaj,
   çfarë është, e asaj, çfarë nuk është
   Ai do humbasë ndër labirinte të rremë
   Ata, që munden t´u japin jetë iluzioneve
   do të luajnë me njerëzit mirëbesues e do t´i mashtrojnë ata
   E shumë njerëz do bëhen si qenër të nënshtruar.

XXV.

   Kur fillon mijëvjeçari, që vjen pas mijëvjeçarit 
   Kafshët, që Noa mori në arkën e tij
   nuk do të jenë më në duart e njeriut
   Që kafshët ka ndryshuar sipas dëshirës së tij
   E kush do kujdeset për vuajtjen e tyre pambarim?

   Njeriu do formojë çdo qënie të gjallë, si ia ka ënda
   E ai do të ketë vrarë shumë prej tyre
   Çfarë do ndodhë me njeriun, që ligjet e jetës ka ndryshuar
   Që nga kafsha e gjallë bënte një lëmsh argjilë
   Do të jetë ai shëmbëlltyrë e Perëndisë apo fëmijë i dreqit?

XXXI.

   Kur mijëvjeçari, që vjen pas mijëvjeçarit, mbarohet
   Njerëzve më në fund do t´u hapen sytë
   E s´do të ndryhen më në kokat e qytetet e tyre
   Ata do të munden nga njëri cep i tokës në tjetrin
   të shohin e kuptojnë njëri-tjetrin
   Ata do t´a dinë, se, çka godet njërin, lëndon tjetrin.

   Njerëzit do të formojnë një trup të madh të vetëm
   Prej së cilit çdonjëri prej tyre është një pjesë e vockël
   Tok ata do të jenë zemra
   E do të ketë një gjuhë, që do të flitet nga të gjithë,
   e kështu më në fund do lindë, e madhja njerëzore.

XXXVII.

   Kur mijëvjeçari, që vjen pas mijëvjeçarit, mbarohet
   Rrugë do të shpiejnë nga njëri skaj i tokës e i qiellit në tjetrin
   Pyjet do të jenë përsëri të dendur
   E shkretëtirat do të ujiten
   Ujërat do të jenë përsëri të pastër.

   Toka do të jetë si një kopësht
   Njeriu do të kujdeset për gjithçka, që jeton
   Ai do të pastrojë çfarë ai ndyu
   Ai do ta shohë krejt tokën si atdheun e vet
   E ai do të mendojë me dituri për të nesërmen.

XL.

   Kur mijëvjeçari, që vjen pas mijëvjeçarit, mbarohet
   Njeriu do të dijë se, të gjitha gjallesat janë mbajtës të dritës
   Dhe se ato janë krijesa që duan të respektohen
   Ai do të ngrejë qytete të rinj
   Në qiell, në tokë e në det.

   Ai do të kujtojë atë që ishte më parë
   Dhe ai do të dijë të parashikojë se çfarë do të jetë
   Ai s´do të druhet më aspak nga vdekja e vet
   Sepse ai do të ketë jetuar shumë jetëra në trup të tij
   Dhe ai do të dijë se, drita nuk do të shuhet kurrë.

Unë shoh dhe e di[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Unë shoh dhe e di.

Sytë e mi zbulojnë në qiell, se çfarë do të jetë, e unë e mas kohën me një hap. Një dorë më çon tek vendi, që ju nuk e shihni e që për të asgjë nuk dini.

Njëmijë vjet do të kalojnë, e Jerusalemi nuk do të jetë më qyteti i Kryqtarëve të Krishtit. Rëra do të varrosë muret e kështjellave tona, armët tona e eshtrat tona nën kokrrizat e saja. Ajo do të mbysë zërat e lutjet tona.

Të krishterët, që si shtegëtarë nga larg vijnë, aty ku më parë ishte ligji e feja e tyre, nuk do të guxojnë më vetëm të shohin varret e relikat, por vetëm nën shoqërimin e kalorësve judenj, që kanë këtu mbretërinë dhe tempujt e tyre, sikur Krishti të mos kishte vuajtur kurrë në kryq.

Do të jetë një grumbull gjigant të pafesh, që përhapet ngado, e feja e tyre si një daulle do të ushtojë, nga njëri skaj i botës në tjetrin.(1)

Shoh tokën e pamasë.

Kontinente, që Herodoti në ëndrrat e tij nuk mundi ti emërtonte, do të vijnë, përtej pyjeve të mëdha, që i përmendi Tacitusi, e shumë larg në skaj të detit pakufi, që fillojnë pas Shtyllave të Herkulit.(2)

Njëmijë vjet do të kalojnë që nga koha që ne jetojmë, dhe jetët do të bashkohen ngado në Mbretëri e Perandori gjigante.

Luftëra, aq të shumta sa pjesët e një këmishe-zinxhir, të cilat mbajnë kalorësit e urdhrit, do të rrethojnë njëri-tjetrin dhe do të rrëzojnë Mbretëritë e Perandoritë, për të krijuar të reja. (3)

Dhe bujkrobërit, katundarët, të varfrit pa zjarr do të kenë përgatitur njëmijëherë kryengritjen, të korrave, kështjellave e qyteteve do t´u kenë vënë zjarr, gjersa t´u ripet lëkura nga shtati për së gjallë dhe i detyron të mbijetuarit të kthehen në strofkat e tyre.

Ata do të përmendin se janë mbretër. (4)

Njëmijë vjet do të kalojnë, dhe njeriu do të ketë pushtuar thellësirat e deteve e të qiellit, dhe ai do do të jetë si një yll në truall. Ai do të ketë fituar fuqinë e diellit dhe do t´a mbajë veten për perëndi dhe mbi tokën e pamatë do të ndërtojë mijëra kulla Babilonase.(5)

Ai do të ngrejë mure mbi gërmadhat e atyre që perandorët romakë dikur patën ndërtuar, dhe ata do të ndajnë edhe një herë legjionet nga hordhitë barbare.

Përtej pyjeve të mëdhenj do të ketë një mbretëri.

Kur të shemben muret, mbretëria do të jetë vetëm ujë i turbullt.

Popujt do të përzihen edhe një herë.(6)

Atëherë do të fillojë mijëvjeçari, që vjen pas mijëvjeçarit.

Shoh, dhe unë e di, se çfarë do të ndodhë. Unë jam shkruesi.

Kur të fillojë mijëvjeçari, që vjen pas mijëvjeçarit, njeriu do të qëndrojë para hyrjes së errët të një labirinti të padepërtueshëm.

Dhe në thellësinë e kësaj nate, ku ai do të futet, shoh sytë e kuq të Minotaurit.

Ruaju prej tërbimit të tij shtazarak, ti, që jeton në mijëvjeçarin që vjen pas mijëvjeçarit.

SHËNIMET

1. Vizion i shtetit Izrael e fuqisë së Islamit në fund shekullin e 20-të.

2. Ai kumtoi zbulimin e Amerikës dhe përmend Atlantikun përtej Gjibraltarit.

3. Me një fjali, Zhan de Vezele lë prapa mijëvjeçarin e dytë, ngritja e kombeve dhe luftërat që i ndajnë ata.

4. Demokracia ?

5. Arritjet teknike të udhëtimeve hapësinore (kozmike) dhe të energjisë bërthamore, si edhe padyshim rritja e qyteteve.

6. Vizion nga shembja e Perandorisë Sovjetike, që për Zhan de Vezele shënon fundin e mijëvjeçarit të dytë dhe fillimin e të tretit, "labirinti i padepërtueshëm", rrugët e të cilit u ndriçuan nga profecitë e tij.

Burim i të dhënave[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • "Das Buch der Prophezeiungen", Johannes von Jerusalem. Zukunftsvisionen eines grossen Sehers für das dritte Jahrtausend. Kopp-Verlag.

Shiko dhe këtë[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]