Marvel Cinematic Universe

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Marvel Cinematic Universe (shkurt: MCU; shqip: Universi Kinematografik Marvel) është një ekskluzivitet medial amerikan dhe univers i përbashkët i përqëndruar tek një seri e filmave superheroikë të prodhuar nga Marvel Studios. Filmat bazohen mbi personazhet që paraqiten në librat komikë të botuar nga Marvel Comics. Ekskluziviteti përfshin edhe seriale televizive, filma të shkurtër, seri digjitale, dhe vepra letrare. Universi i përbashkët, ashtu si Universi Marvel në librat origjinalë komikë, u themelua duke i kryqëzuar elementet e përbashkëta rrëfimore, ambientet, personazhet dhe shumë të tjera.

Marvel Studios i lançon filmat e tyre në grupe të quajtura "Faza", me tre fazat e para të njohura bashkarisht si "Saga e Pafundësisë" (en: The Infinity Saga), dhe tre fazat në vijim të njohura si "Saga e Multiversit" (en: The Multiverse Saga). Filmi i parë i MCU-së, Iron Man (2008), filloi Fazën e Parë, që kulminoi në filmin kryqëzor të vitit 2012 The Avengers. Faza e Dytë filloi me Iron Man 3 (2013) dhe mbaroi me Ant-Man (2015). Faza e Tretë filloi me Captain America: Civil War (2016) dhe mbaroi me Spider-Man: Far From Home (2019). Faza e Katërt filloi me Black Widow (2021) dhe mbaroi me Black Panther: Wakanda Forever (2022). Ant-Man and the Wasp: Quantumania (2023) filloi Fazën e Pestë, që do të mbarojë me Thunderbolts* (2025), dhe Faza e Gjashtë do të fillojë me The Fantastic Four (2025). Faza e Gjashtë dhe "Saga e Multiversit" do të përfundojë me Avengers 5 (2026) dhe Avengers: Secret Wars (2027).

Marvel Television e zgjeroi universin në fushën e televizionit kombëtar me Agents of S.H.I.E.L.D.ABC në 2013 para se të zgjerohej më tutje në streamingNetflix dhe Hulu, pastaj edhe tek televizioni kabllorFreeform. Ata edhe prodhuan serialin digjital Agents of S.H.I.E.L.D.: Slingshot. Marvel Studios filloi së prodhuari serialet e tyre televizive për streamingDisney+, duke nisur me WandaVision në 2021 si fillimi i Fazës Katër. Ata zgjeruan nëpër programe speciale televizive në Fazën Katër, të njohur si Marvel Studios Special Presentations (shqip: Prezantime Speciale të Marvel Studios), i pari i të cilëve ishte Werewolf by Night (2022). MCU-ja përfshin gjithashtu komikë të ndërlidhur nga Marvel Comics, një seri të filmave të shkurtër direkt-në-video të quajtur Marvel One-Shots, dhe fushata të marketingut viral për filmat që përfshijnë programet fiktive të lajmeve WHIH Newsfront dhe The Daily Bugle.

Ekskluziviteti ka korrur sukses financiar, duke u bërë një ndër ekskluzivitetet me fitimet më të larta të të gjitha kohërave, dhe ka marrë përshtypje pozitive nga kritikët. Ai ka inspiruar ashtu edhe studiot e tjera filmike e televizive që të tentojnë me universe të ngjajshme të përbashkëta, si dhe ka inspiruar atraksione të ndryshme me tematikë, një ekspozitë arti, speciale televizive, materiale letrare, disa video-lojëra të ndërlidhura, dhe reklama.