Mina Çaushi
Mina Çaushi lindi më 28 janar 1954 në Tiranë, është shkrimtare shqiptare.
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Është arsimuar në Kamëz e në Tiranë. Në vitin 1979 u përjashtua nga radhët e Partisë së Punës për shkak të ideve të saj demokratike.
Ka filluar të shkruajë poezi që në vitin 1970, por, për shkak të bindjeve, krijimet e saj e panë dritën e botimit vetëm pas vitit 1990, kur u rrëzua sistemi diktatorial dhe u vendos demokracia në vendin tonë.
Mina që nga viti 1993 u largua familjarisht nga Shqipëria si emigrante ekonomike dhe është vendosur në Greqi, në Athinë. Ka kryer disa specializime. Është anëtare e Organizatës Europiane për të Drejtat e Grave.
Në vitin 1999 ishte bashkautore e librit “Metanastes stin Elladha”, botuar në Athinë, me shkrime për shqiptarët jashtë atdheut. Në vitin 2003 botoi për herë të parë vëllimin e saj poetik “Pikëllimi” dhe në vitin 2004 vazhdoi botimet me librin e dytë poetik “Album familjar”. Në vitin 2005 botoi vëllimin poetik “Pu tha me vris” (“Ku do më gjesh”) në gjuhën greke. Në vitin 2006 botoi librin poetik “Rrezatimi i copave të pasqyrës” që do të pasohej me botime të tjera në poezi, prozë e publicistikë.
Është korrespodente e revistës “Krahu i shqiponjës”. Me shkrimet e saj sjell në faqet e kësaj reviste jetën e vështirë të mërgimtarëve shqiptarë, intelektin dhe aftësinë e tyre për të mbijetuar në dheun e huaj, sidomos të grave e vajzave shqiptare.
Është anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
Tituj të veprave
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- “Pikëllimi”, poezi, Athinë, 2003
- “Album familjar”, poezi, Athinë, 2004
- “Pu tha me vris” (“Ku do më gjesh”), poezi, Athinë, 2005, ISBN 960-408-040-7
- “Rrezatimi i copave të pasqyrës”, poezi, Athinë, 2006, ISBN 960-408-053-9
- “Pikëllim familjar”, poezi, Shtëpia Botuese “Bilal Xhaferri”, Tiranë, 2006, ISBN 99927-960-7-3