Përdoruesi:Edibe/Etnologji

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Shkruan:Edibe Selimi-Osmani KULTI I GURIT NDËR SHQIPTARËT E MAQEDONISË

Përmbajtja e shkurtër: Në viset ku banojnë shqiptarët etnik të Maqedonisë, një vend të veçantë zë dhe kulti i gurit. Në këtë punim të shkurtër do të përpiqemi t’i përshkruajmë besimet e njerëzve në cilësinë magjike të gurit, ritet që kryhen me gur si dhe atributet e tjera që i përshkruhen gurit.Disa që na duken se gjer më sot nuk janë vënë re në qenësinë e tyre, që mund të jenë të reja për këkrimin shkencor, e si të tilla të nxitin për gjurmime të mëtejme. Me gurin është e lidhur tërë jeta e shqiptarëve, që nga lindja, deri në vdekje.

	Guri në mitologji të shumë popujve është element i rëndësishëm dhe shumë arkaik.Ndër shqiptarët fjala shqipe Gur dokumentohet në tekstet biblike në një lashtësi marramendëse  përpara 29 shekujve, pra përpara 2900 vjetëve.Kjo është dëshmia më e vjetër e një fjale në gjuhën shqipe deri më sot.1

Ndërsa Petro Zhej, fjalën Gur e quan një nga fjalët më të lashta të njerëzimit. Është një fjalë që e kanë patur pellazgët që e kanë trashëguar ilirët dhe që është akoma një fjalë e gjallë vetëm tek një popull në botë, vetëm tek shqiptarët.Madje fjala “Gur”,fjalë njërrokëshe,hyn tek fjalët e para të njerëzimit dhe me konceptin e Gurit, lidhet edhe subjekti i kozmogonik apo miti i Deuklaonit dhe gruas të tij Pyrras,që për të krijuar njerëzimin hodhën prapa shpine eshtrat e tokës, që janë gurët. Nga gurët, që hodhi burri lindën burra dhe nga gurët që hodhi gruaja lindën gra.2. Guri është simbol i forcës ,qëndrueshmërisë , i pandryshueshmërisë. Edhe në fetë monoteiste guri respektohet për arsye të prejardhjes së tij nga qielli sidomos në biblën hebraike, në Dhiatën e vjetër dhe në besimin islamik-guri i zi i Qabes në Mekë.Sipas Biblës, vetë Perëndia i ka shkruar në dy rrasa guri dhjetë urdhrat e tij , të cilëve duhet t’u përmbahet njerëzimi dhe ia ka dhënë Mojsiut.3) Disa autorë dhe studiues të tjerë shkruajnë se çështja e kultit apo e mitologjisë është çështje shumë komplekse. Sipas shpjegimit mitologjik,edhe Mitro lindi nga shkëmbi. Kur ritet vijnë në kundërshtim me gjarpërin, Mitra e vret demin e shejtë dhe se nga trupi dhe gjaku i tij lindën kafshët dhe bimët e dobishme. Bindja e nderimi i shqiptarëve ndaj gurit është i përhapur edhe në traditën pagane në trojet shqiptare të Maqedonisë. Një studim të veçant kultit të Gurit i kushtoi edhe Dr. Qemal Murati, i cili shkruan:




1 Moikom Zeqo, Mes laokontit dhe Krishtit,Onufri II,Tiranë 2000,f.35-37.

2.Petro Zhej, Shqipja dhe sanskrishtja ,Tiranë 1996, f.27. 3.Mark Krasniqi Aspekte mitologjike besime e bestytni .Shtyopshkronja Graçanica,Prishtinë, 1997,f.225





“Në traditën pagane të truallit shqiptar në Maqedoni një vend me rëndësi të veçantë zë dhe kulti i gurit për të cilin dëshmojnë po kështu një varg emërtimesh dhe ceremonish që lidhen me gurë të shenjtë në truallin e këtyre lakadredhave gjeografike.Guri përdoret shpeshherë edhe si emër personal,khs.Guri Madhi-piktor i shquar shqiptar, dhe si mbiemër familjar Pëllumb Guri”Gjur xhaku”gurë i goditur nga rrufeja apo lloj guri tjetër me ngjyrë si në të përhimtë. Lëngu i fërkuar me ujë nga ky gur, u jepet kafshëve kur marrin plagë të rënda.”Gratë e pafat që nuk kishin fëmijë, në fshatin Tuhin të Kërçovës shkonin t’i luten me anë të magjive-shkojnë edhe sot te Gjuri i Gjepit,si dhe te Guri i Panaxhyrit, te Gjuri i Elbnojve…”4) Besëtytnitë e këtilla me gurin paraqesin një element të trashëguar të lashtë të ngritur në kult te popullsia shqiptare vendëse të ruajtur edhe sot e kësaj dite.Një dëshmi të tillë na sjell edhe Mr. Izaim Murtezani nga treva e Dervenit të Shkupit.Ndër të tjerat ai shkruan se ritet me gurin bëjnë pjesën qëndrore të manifestimeve të verës. Një javë para Ditës së Verës të gjithë fëmijët e fshatrave dalin në vendet e tyre të caktuara .Grumbullojnë gurët në formë të vezës për t’i vendosur nëpër degët e thanave. Numri i gurëve të tubuar duhet të jetë në proporcion me numrin e anëtarëve të familjes. Gurët gjatë grumbullimit nuk duhet të qëndrojnë me ndonjë pjesë të tyre në brendi të tokës por duhet të qëndrojnë lirshëm mbi të. Çdo gur i futur me një pjesë të tij në brendi të tokës paraqet mundësi latente të vendosjes së kontaktit me forcat ktonike dhe në këtë mënyrë ekziston mundësi potenciale e prishjes së efektit magjik.Duhet theksuar se ky rit në esencën e tij ngërthen në mënyrë më tipike botëkuptimin animist që ka arritur i padëmtuar deri në ditët e sotme dhe ka ruajtur në mënyrë autentike vlerat themelore të tij.5) Duke patur një funksion mbrojtës magjik në fatin,shëndetin dhe jetën e njeriut, guri përdoret shpesherë në disa veprime magjike në shumë ceremoni ku populli beson se do të gjejë shërim,se do ta largojë të keqen,sëmundjen, syrin e keq,shpreson që do t’i sigurohet shëndeti,trashëgimia e të tjera. Pafuqia e njeriut përballë fuqive të natyrës dhe prej këndej besimet e kota bënë që të lindin një sërë ritesh me anë të të cilave njeriu përpiqet të ndikojë mbi forcat misterioze, që këta gjatë vitit t’ia sjellin mbarë punën dhe shtimin e pasurisë në shtëpi. Zonat e thella malore e kanë mitologjinë dhe etnologjinë më të pasur e më të freskët,traditën më të ruajtur prandaj, materiali është shënuar më shumë në këto vise.Me të drejtë zonj. Edith Durham thotë se Guri në besimet e malësorëve është më i rëndësishëm dhe vjen i pari.(EdithDurham Brenga e Ballkanit dhe vepra të tjera për Shqipërinë dhe Shqiptarët f.144. 4.Dr.Qemal Murtati, Kërçova në traditat e saj të vjetra Kulte pagane në gurë botoi Asdreni,Shkup 1966,f.96. 5.Mr.Izaim Murtezani Simbolika e riteve të Ditës së Verës (Hulumtime etnologjike nga treva e Dervenit të Shkupit, botoi gazeta”Flaka” 15 Maj 1996 f. 11.



Disa ceremoni rituale që kryhen me gurin Në stinën e pranverës kur fshatarët dëgjojnë për të parën here qyqen, shpejtojnë të gjejnë një rrasë guri.Gurin e vejnë mbi kokë duke shqiptuar fjalët “Kreja ime gjur, kreja jote çull,t’munda”.Një rit të ngjajshëm e hasim në fshatin Kalisht të Gostivarit,porsa dëgjojnë qyqen duke kënduar bërtasin:”Mi marsh dhejmtat/ mërzijat ç’i kom/. Gurin e hudhin mbas shpine.Sapo dëgjojnë bubullimën e parë në pranverë,malësorët shpejtojnë ta mbështetin shpinën për murin e ndërtuar me gurë.I zoti i shtëpisë në stinën e pranverës kur i sosën drithërat,ai rrokullis një gur sa grushti në hambar ose kosh dhe thotë:”N’mot ma shaum bereqet Zoti dhashtë ” Ritet që bëhen me gurin janë të shumta është e pa mundur të përfshihen të gjitha në një punim të tillë. Për vajzën që bëhet nuse,vajzat e fshatit mbushin ujë në kroin e fshatit. Aty në krua tentojnë ta gjejnë një gur.Gurin e futin në kusi.Me këte ujë vajza lahet. Është keq të humbasë ky gur. Guri ruhet në fund të arkës(çekmexhes) që shfrytëzohet për ruajtjen e gjësendeve të nevojshme e me vlerë.Besohet se ky gur ate do ta mbroje nga të ligat dhe magjitë eventuale . Është zakon në malësinë e Tetovës dhe të Gostivarit,kur vajza-nuse del nga shtëpia dhe niset me krushqit ,fëmijët disa herë hudhin me gurë pas saj duke ia përmendur emrin.Mendohet se në të arrdhmen bija e tyre do të ketë shëndet,mbarësi në jetën familjare.Në fshatin Gurgurnicë dhe Sallarevë të Tetovës, kur dhëndrit i hiqen flokët ai ulet mbi një gur që jeta t’i shkojë mirë e fort. Edhe kurbetçiu kur niset për të parën herë në kurbet ,të afërmit e përcjellin deri te shkëmbi i caktuar i fshatit,si për shembull në fshatin Novo Sellë deri te “Kepi i Grave”Kur personi vazhdon rrugën, të afërmit ulen mbi gurë. Pasi bën disa hapa, kurbetçiut i hudhet me gurë duke pëshpëritur fjalët:”Të t'shkoje oudha, gurbeti, mbar,t’kesh shëndet”.5) Kur femrat shkojnë për të parën herë me korr të lashtat, gjatë rrugës marrin një gur e lidhin në shami. Sa fillojnë me korrjen shaminë e lidhin për beli duke pëshpëritur tri herë fjalët:”Mjedisi jot çull, mjedisi im gur. Mjedisi im u boft gur, gruni n’çull.”Për këtë ndër besimtarë jepen dy shpjegime ; për të lehtësuar lodhjen ; në rastin tjetër të jenë të fortë e të shëndetshëm gjatë vitit dhe mos ndjejnë dhembje beli.6)

5.Edibe Selimi Osmani,Disa këngë e rite të Ditës së Verës në fshatin Gurgurnicë të Tetovës,botoi revista Vlera Tetovë,nr.2,1995, f.31.




Gurët e kultit me birë që kryhen veprime magjike Gurët e kultit të veçuar në natyrë populli i quan “Guri i xhallë”. Në disa gur me birë kryhen rite të veçanta për shërim për mbarësi,për fat në jetë.Në këto gurë veprime magjike kryhen nga femrat pa dallim moshe. Janë të rralla rastet kur te këta pelegrinazhe i takojmë edhe meshkujt,gjatë veprimeve magjike duke kaluar nëpër zgavrat e pelegrinazheve. Në zgavrat dalëse i gjithë trupi i personit bie në kontakt me gurin. Veprimet kryhen tri të enjtet para Shën Gjegjit. Besimtarët i drejtohen gurit të shenjtë përmes lutjeve, dhuratave e riteve të ndryshme.Gratë qofshin ato sterile,qofshin shtatëzëna kërkojnë ndihmë dhe besojnë se nëpërmjet veprimeve magjike te Guri do të gjejnë shërim të parat shpresojnë të mbeten shtatzëna, të tjerat luten të kenë fëmijë jetëgjatë,ndërsa vajzat dhe djemt beqarë fat në martesë. Kultin pagan në gur e hasim edhe në disa fshtra të Shkupit si” Guri i Xhallë në fshatin Moranë të Karshiakës së Shkupit,dhe Gjuri Vërtakicës që gjendet 2-3 kilometra mbi fshatin Studeniçan të Shkupit,ku shkojnë gratë që nuk u rrojnë fëmijët, për çka flet dhe atributi “ i gjallë” që mban ky gur.”Në viset e Tetovës dhe të Gostivarit ; Guri i Grave në fshatin Simnicë (Gostivar),dhe”Gurra Llapoush”në fshatin Simnicë të Gostivarit,ku fillohet me ritet,ndërsa ritet përfundojnë mbi rrënojat e manastirit “Manastiri ka Panjat”. Te“Gjuri i Shpuem”në fshati Leshnicë e Epërme(Tetovë)dhe te “Guri i Sokolecit” në fshatin Kalisht (Gostivar),nga të moshuarit e këtij fshati mësuam se mbahet mend që në afërsi të pelegrinazhit ka ekzistuar një manastir. Edhe tani ka shenja të gurëve të themelit të këtij objekti kulti, por nuk mbahet mend emërtimi i manastirit.Ka mundësi që guri i kultit aty, me ato atribute, do të jetë shumë më i lashtë nga koha kur kanë qenë bërë kishat. Dhe kishat do të jenë bërë pikërisht pranë këtyre gurëve të shenjtë të kohës së paganizmit.Këta gurë-pelegrinazhe, duhet të jenë me zanafillë shumë të lashtë, nga kulti pagan, e me kohë janë krishterizuar a islmizuar.7) Analoge me këto janë të dhënat që na japin G.Frejzer, M.Eliade, E-Z Isambert,ki ndër të tjerat shkruajnë se në vise të ndryshme të Evropës, ka pasur gurë e shkëmbinj të kultit pagan e pranë tyre janë vënë kisha, diku altarë, ose kryqe duke i krishterizuar ato.8) Mendojmë se kështu ka ngjarë në disa raste dhe në viset ku jetojnë shqiptarët e Maqedonisë. Kësi lloj pelegrinazhesh në viset shqiptare të Maqedonisë e më gjërë,gjenden edhe në shumë vende të tjera.Në të arrdhmen shpresojmë se pelegrinazhet do të jenë objekt studimi ndër studiuesit. 6)Po aty , si në fusnotën.5 7)Edibe Selimi-Osmani,Rite e besime popullore në viset eTetovës dhe të Gostivarit »,Shkup,1997,f.109-121. 8.Mark Tirta,Kulti i gurit ndër shqiptarët,Gjurmime Albanologjike,Folklor dhe etnologji ,Prishtinë 2001 f.7-22.




Në fshatin Cërnilisht të Prilepit, ndodhet guri me birë që quhet “Guri i Rushitit”,në fshatin Çafë të Gostivarit,gjendet pelegrinazhi i njohur Guri i Çafës.Vendasit na thonë se është vend kulti ku nëpërmjet vrimës, bariu shiqon delet me besim se në të ardhmen ata do të pllenohen .Përdoren edhe disa veprime magjike që kanë për qëllim plleshmërinë e kafshëve shtëpiake.

Legjenda dhe gojdhëna për gurin

Ekzistojnë legjenda të shumta për gurin. Në fshatin Kalisht të Gostivarit, afër Gurit të Shën Gjergjit, ndodhet i ashtuquajtur Guri i Vajzës, ose (Guri i Deviçit). Thuhet se aty në një kohë të vjetër po kalonin motër e vëlla. Vëllai aty paska dashur ta" kapë" motrën. Motra ka thënë:”Or Allah , loçka, ma mejr bonëm gur”.Kështu motër e vëlla janë gurëzuar. Sot shkëmbi është mjaft karakteristik, ka formën e dy njerëzve, ndarë nga njëri tjetri me një të çarë.)9) Një gojdhënë tjetër në fshatin Nerasht të Tetovës,që është mjaft e përhapur. Janë takuar dy palë krushq nuk lëshuan rrugë njëri tjetrit dhe u vranë ndër veti.U vranë dhe nuset.Nusja fituese aty, sipas legjendës mitike është gurëzuar dhe thotë :”U bofshim gurë” (si guri) prandaj ky vend quhet Gjuri i Nauses. Në afërsi gjendet guri që ka formën e arkës dhe quhet “Gjuri i Çekmexhes” ose ndryshe Guri i Arkës,po aty afër është edhe”,Gjuri i Sofrës”,që ka formë të rumbullakët .Këta gurë janë të ngulur në tokë si të mbimë nga toka në formë shtyllash të mëdha, fare pa gdhendur,pra janë gurë natyror me lartësi deri 1 metër. Ndoshta aty do të jenë varrosur njerëz para dyqind,treqind vjetësh. Në mitologjinë shqiptare ndeshim mendime të ndryshme. Guri, nuk është i shenjtë në vetvete, po ka diçka të veçantë , një forcë të fshehtë, një frymë që e bën të tillë, një forcë të ardhur nuk e di se prej nga, në mënyrë të pakuptueshme, në rrugë hyjnore.10)

Është mjaftë e përhapur në viset shqiptare të Maqedonisë edhe legjenda”Ka dal pjaka n’ston”.Tregon se del plaka në stan lart aty filloi të  ndryshoje moti,bën ftohet fillon  të fryjë erë e madhe të bjerrë borë e shi. Plaka ,e cila duke menduar se kishte ikur dimri, shau marsin.Ajo,guximtare duke shpresuar se do të përballet me motin e keq, ka hypur përmbi kep e ka thënë: Vili,vili roskopili,/vet jëm,/kërkujt dertin nuk ja këm/. Atëherë muaji e ka dëgjuar dhe ka thënë: Mart he vlla,/ gjem tre ditë uha/ sa ta majti pqakën/ me xhith xhi ka./ Kështu plaka   ngriu me gjithë djemt,nuset,dhent e lopët në bjeshkë.Të gjithë janë bë gurëz të bardhë.Këto gurëz gjenden përmbi fshatin Lisec (Tetovë),dhe vendi quhet “Te gjurzit e bardhë”.Të njetin emërtim e hasim edhe në shumë fshatra tjera  malore .11)

9.Edibe Selimi-Osmani,vepër e cituar f.124. 10.Mark Tirta,Kulti i gurit ndër shqiptarët,Gjurmime Albanologjike,Folklor dhe etnologji ,Prishtinë 2001,f.8. 11.Edibe Selimi OsmaniNga mitologjia në trevat e Tetovës dhe të Gostivarit,botoi gazeta “Flaka”Shkup,9.12.1996,f.12.



Në fshatin Sërbinovë të Gostivarit gjendet shkëmbi karakteristik që vendasit e quajnë”Guri ke Vra Njerzit”.Është kep i madh me skepa.Ka dhe formën e ballkonit.Kur hypim mbi këtë gurë poshtë duken vetëm mjegullat. Legjenda të shumta në popull egzistojnë . Pleqtë e fshatit na tregojnë se prej thellësisë së gurit kanë dalë tollosuna. Kur janë afruar tollosunat fshatarët i kanë larguar me fjalë të buta”nouk u ngas mëm ngitni".Thuhet se të gjithë personat që kanë hy mbrenda në vrimën e gurit ata nuk kanë dalë më,janë zhduk.”.(Shënuam nga Hasije Aliu,80 vjeçare nga fshati Sërbinovë,Gostivar, Azize Mirtezani 91 vjeçare nga fshati Sërbinovë,Gostivar). Në jo pak raste, gurë me elemente kulti tek të cilët zhvillohen ose nuk zhvillohen rite, janë objekte legjendash mitike të ndryshme, kanë edhe emra nga qënie të ndryshme mitike të panteonit shqiptar . Ndoshta këto vende kulti kanë lindur edhe në mesjetë, por gjithsesi, janë tepër të lashta Etnologu i njohur shqiptar Mark Tirtja, eksplorues i shquar në kërkim të rrënjëve e të dëshmive të etnokulturës shqiptare ndër të tjerat shkruan se në disa raste besohet se gurët e veçuar me atribute kulti, janë të mbirë nga toka apo të ardhur aty, nuk dihet se prej nga. Pra, sipas këtyre besimeve, në një kohë nuk kanë qenë aty e më vonë janë dukur. Pra, kanë në vetvete dhe diçka të veçantë. Nuk janë si gurët e tjerë të zakonshëm që gjenden në atë vend, në ato afërsi.13)

Disa rite me gurin në festat e motmotit Ditën e Blagovestit, shqiptarët ortodoks dhe mysliman të fshatit Krakonicë(Reka e Epërme) pijnë ujë nga tre burimet e bashkuara, që derdhen rrëpishëm mbi “Gurin e Kojës”.Ritet vazhdojnë te biguri “Rrasa e Bardhë”. Ditën e Shën Gjergjit në Rekën së Epërme, të gjitha amvisat e fshatrave të kësaj krahine mbushin ujë nga kroi i fshatit. Ato përpiqen të gjejnë gurëz të bardhë të rrumbullakët e të bukur. Në kusi fusin aq gurëz, sa anëtarë ka familja. Gurët i lanjnë brenda në kusi dhe i hedh,kurse ujin e mbushur e sjell në shtëpi, e ngroh dhe me të lanë fëmijët. Duke larë fëmijët për festë, besohet se atyre do t’u largohen të këqijat dhe gjatë vitit do të jenë të shëndetshëm e të fortë si guri.

13.Bota shqiptare,botim i Ministrisë s’Arsimit,Tiranë,Nikaj,1843. 14) Aleksandër Stipçeviq Simbolet e kultit te ilirët f.185




Në fshatin Kalisht të Gostivarit, ndodhet dhe Guri i Shën Gjergjit.Është gur i madh i rafsh ku vajzat hypin mbi këtë gur e thurrin kurrorë me degë thane vetëm Ditën e Verës.Pastaj ato i sjellin në shtëpi. Kur vajzat ulen mbi këtë shkëmb thuhet dhe kjo: “T’bohena t’forta si Guri! T’na shkoje vera mbarë” T’na hece shëndeti! T’rrojmë sa Guri i Shinxherxhit!,të njejtat fjalë përsëriten tri herë, duke ndërruar tri herë vendin.14. Edhe në fshatin Dobërcë të Tetovës, vajzat Ditën e verës përpiqen të gjejnë në natyrë thanën e zezë,gurëz të bardhë dhe dega plepi i shtrojnë natën e Ditës së Verës.Kur i pyetëm nënat e fshatit se çfarë domethënie kanë këto veprime na thanë:Shtrojmë kakërdhia lepuri që të bëhena të shpejtë në punë,; shtrojmë gurëz të bardhë të bëhena të fortë , shtrojmë dega plepi dhe të thanës që të bëhena të lartë si plepi dhe të fortë si thana gjatë vitit. Në fshatin Merovë të Tetovës,Ditën e Verës,pa dallim moshe dhe gjinije, takohen që në mëngjes banorët Te Gjuri i Xhallë.Ata që ndjejnë dhembje në trup, fërkojnë shpinën, kurse të tjerët vetëm e prekin gurin dhe shqiptojnë fjalët:"T'rojmë sa guri i Xhall, Mos m’dhome shpejna, t’bohem i fortë si guri”15 Zakonish Ditën e Luleve (në vigjilje të Shën Gjergjit) për ta kremtuar festën takohen grupe-grupe femrat pranë një shkëmbi ku ka dhe ujë të pijshëm.Po përmendim disa ventakime në disa fshatra.Ata të fshatit Bibaj dhe Nivishtë në vendin e quajtur “Gurët e Vranit », ato të fshatin Zhuzhnjë te Bigori i Nivishtës, te Bigori i Vaut.Ata të fshatit Brodec të Tetovës,te Gjuri i Turecit’, Ata të fshatit Veshallë te Gjuri i Caoucave »te Gjurzit e Bardhë.Ata të fshatit Lisec te Gjuri me Çardak, te Gjuri me Bakam, te Gjuri Gjatë,te Gjuri Kukës.Ndërsa vajzat e fshatit Xhermë të Tetovës,Ditën e Luleve, të rijtë me këngë dhe def mblidhen te Gjuri i Frçejcës.Në brendi të gurit që ka formën e dhomës kalojnë disa orë duke u argëtuar.Është me interes të përmendet se në hyrje të gurit ka shenjës e dorës. Fshatarët na thonë se është «  Dora e Markit ».Kur të rijtë kthehen për në shtëpi ata ndalen edhe te « Gjuri i Filxhanit »ku vazhdojnë me ritetet e Shën Gjergjit. Ditën e Shën Gjergjit voglushet deri në moshën 13 vjeçare sjellin lulen-kukurekë,patkuat dhe rrasën e gurit të gjitha i hedhin në tra të shtëpisë duke besuar se kështu bereqetin e arës do ta sjellin në shtëpi me shumicë .16 Janë në garë fëmijët e fshatit Llërcë të Tetovës, se cili do të zgjohet i pari këtë ditë.Lagje-lagje, shkojnë te burimi i fshatit. Aty mbledhin gurëz të bardhë me madhësi të dorës. Gurëzit i vendosin pranë vatrës me besimin se gjatë vitit do të behen të fortë si guri.

14.Edibe SelimtOsmani,vepër e cituar, Kulti i gurit dhe i shpellave f.110. 15.Edibe Selimi-Osmani,vepër e cituar Kremte të pranverës f.60 16.Edibe Selimi-Osmani,vepër e cituar Kremte të pranverës (Dita e Verës Malësia e Derventit të Tetovës)f.41


Nga eksplorimet e shumta dhe materialet krahasuese që ekzistojnë në religjionet tjera dhe besimet popullore,si dhe nga literatura e shfletuar ,studiues të shumtë flasin se disa lloj gurësh, të bartur rreth qafe, kanë pasur , dhe ndër popuj të ndryshëm ende kanë ,fuqi të madhe apotropeike dhe magjike.J.G. Frejzeri , sjell një mori shembujsh nga Greqia e Vjetër,Shqipëria e sotme dhe nga viset e tjera të botës prej nga shihet se disa lloje të gurëve kanë pasur veti të posaçme magjike.Mund të konstatojmë se edhe ilirët , si dhe te aqë popuj të tjerë kanë bartur varëse prej guri, sepse kanë besuar se ato do t’i mbrojnë nga fatkeqësitë e ndzryshme në jetë. Na befasuan voglueshet e fshatrave të Rekës së Epërme dhe në shumë fshatra malotr të Tetovës e Gostibarit. kur i pamë se i kishin të vizatuara duart. Ishim kureshtarë dhe i pyetëm se pse i keni ly kështu dua? Ata na thanë se kemi vu “Konë guri”. Vajzat deri në moshën 10-12 vjeçare,që kullotin bagëtinë në bjeshkë marrin një gur e lagin dhe e fërkojnë mbi shkëmbin që ka myshk.Me lëngun që del nga guri bëjnë zbukurimin e duarve me ndihmën e një karthije.Duke bërë tautazhë, vajzat ndihmojnë njëra tjetrën. Ata shqiptojnër disa herë fjalët :”Konë e kujshe(e kuqe) , konë e bjerë(e gjelbërt)”. Mbi duart vizatojshin dy vija të drejta dhe në mes të dy vijave gjethin e fierit.Anë e mbanë vijave bëjshin simbole solare dhe vija të ndryshme gjemoetrike Dihet se fieri në shumë raste simbolizon plleshmërinë. (Shënuam në fshatin Zhuzhnjë,Tanushë,Reka e Epërme,1997) Kur disa prindërve nuk u jetonin fëmijët, ata i vinin fëmijës që linte një nga këta emra ; Gurë, Mal, Rrap,që fëmija sipas besimit popullor të bëhej i fortë si guri.16) Me kultin e gurit është e lidhur kryesisht dëshira për të lindur fëmijë, trashëgimia , dhe për të rrojtur fëmijët. Doket dhe besimet e shumta të lindjes që ekzitojnë në trevat e Tetovës dhe të Gostivarit përmbajnë lëndë interesante për veçanësitë etnokulturore të bartësve të tyre.Por është për t’u theksuar se, në përgjithësi, ritualet dhe besimet i takojnë më tepër së kaluarës,megjithatë edhe në kohën tonë ato shfaqen si mbijetesa,si mbeturina. Kur gruas nuk i jetojnë fëmijët, tri të enjtet pas Shën Gjergji, shtatzëna viziton tyrben e Ali Babës në fshatin Çiflik të Tetovës. Në afërsi të tyrbes ajo merr një gur dhe e lidh në shami të bardhë. Gurin e mban shtatzëna të lidhur për beli deri ditën e lindjes. Pasi lind foshnja gurin e lidhin në tojën e foshnjës. Kur foshnja bën tre mauj , ajo e kthen gurin në tyrbe duke pëshpëritur tri herë fjalët « Me niet t’Allahit t’ëm rrojn coullët » Në afërsi të fshatit Kopaçindoll, në vendin e quajtur Maj Zabel gjendet një pllakë guri e bardhë. Nga brezi i moshuar mësuam se aty afër janë gurthemelet e kishës. Edhe sot ky vend quhet Gjuri i Kopaçindollit. Mbi këtë pllakë guri kryhen disa rite. Ndër to veçuam një rit me rëndësi.Shtatzëna që nuk i jetojnë fëmijë, kryen veprime magjike tri të enjtet para Shën Gjergjit dhe duke qepur këmishën e foshnjës pëshpërit fjalët “T’rroje ki coulli si ki guri.Ajo e lë këmishën aty të qëndrojë 24 orë, e lag në ujin që gjendet afër gurit dhe e merr në shtëpi.Pasi lidn foshnja, ia feshin këmishën. Ky gur quhet ndrushe edhe Zona e Malit”.17) 16)M.Tirta, »Aspekte të kultit të të parëve e të të vdekurve ndër shqiptarët,.Vep. e cituar nr.1o Tiranë,1979,f.85. 17.Edibe Selimi-Osmani Rite lidhur me lindjen e fëmijëve në malësitë e Tetovës e të Gostivar,Kultura popullore Tiranë Nr.1 dhe 2,1999 f.205.



Që nga koha e mesjetës e deri në ditët tona guri përveç si kult, është përdorur gjatë jetës së njeriut edhe si mjet lufte me forcë goditëse dhe me efekt të madh psikologjik. Ky lloj mjeti njihet me emrin “Gurëhedhësi shqiptar” , u përdor gjërësisht nga ilirët kundër romakëve në vitet 150-35 p.e.r. Është përdorur me sukses sidomos gjatë shumë betejave të popullit shqiptar nën udhëheqjen e Skënderbeut kundër turqve.18). Me mjfat interes në këtë vështrim janë edhe disa lojëra të vjetra popullore me gurë. Në fshatin Gradec të Gostivarit, edhe sot luhet loja “Kere” që si rekuizit ka gurzit. Çdo lojtar ka nga 3 gurë të rumbullakët me peshë deri 1 kilogram. Çdo skuadër përforcon në tokë nga 3 rrasa guri me lartësi prej 50 cm.Këto rrasa quhen “mequza”. Përpos kësaj loje karakteristike që është përcjellur deri në ditët tona egzistojnë edhe disa lojëra tjera popullore.Një ndër to është edhe loja “Mam” që e luajnë femrat.Çdo njëra prej lojtareve si rekuizit kanë zgjedhur nga tre guralecë të rumbullakët me peshë deri në l kilogram.19)Vajzat deri në moshën 13 vjeçare si rekuizitë kanë pesë gurëz të vegjël.Loja ka emërtime të ndryshme si gura peshk,(malësia e Tetovës) Gura çoup,(Gostivar)gura coup(Pallçisht i Epërm) pesë gjurëz (Dobrosht). Gjatë jetës së përditshme përdoren edhe disa thënie,proverba popullore,mallkime në lidhje me gurin,do t’i veçojmë disa nga ata. -Punon me kreje për guri. -Gurin e shtrejdhën. -Pi gurit dinarin e çet. -Ma ka bo barkun pi t’keçit gur mullejni. -Ka mbet shkret si guri n’oudh. -Gur u bofsha. -Di gurë bashkë mës i bofsh.

18.Fjalori Encikloopedik Shqiptar. 19.Hafezat Osmani “Lojërat e vjetra sportive popullore” botoi Historia e kulturës fizike e Kosovës,Prishtinë, 1988,f.7.



Për të dëshmuar moshën e fjalës gurë nëpërmjet toponimeve dëshmohet ruajtja e gjuhës dhe historia e së kaluarës, sepse toponimet janë gjurmë të kulturës shpirtërore dhe materiale të popujve.20.Në vazhdim do t’i citojmë disa emërvende në fshatrat malore të Tetovës dhe të Gostivarit.



20)Mehmet Halimi, Mbi disa toponime të tipit perifrastik, në Onomastika e Kosovës (Simpozium më 25-27 shkurt 1977)Prishtinë, 1979,f.243