Philippe Pétain

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Henri Philippe Benoni Omer Joseph Pétain ose Filip Peten, ose i njohur ndryshe si Marshalli Peten, lindi në 24 prill 1856 në Pas de Calais, në Francën Veriore. Më 1887 mbaroi Shkollën e Lartë të Luftës në Paris. Shfaqi pikëpamje ushtarake novatore për ushtritë e kohës, çka bëri që karriera e tij të ngadalësohej. Gjithsesi Lufta e Parë Botërore i dha të drejtë në shumë drejtime dhe fama e Peten njohu një rritje të dukshme, duke u bërë ndër të tjera shef njësie i atij që më vonë do të ishte personazhi më i madh francez i shekullit – Sharl De Gol. Pas Luftës së Parë Botërore, Peten hyri në gradualisht në jetën politike, duke vijuar të luajë një rol të dorës së parë në ushtri. Në vitin 1931, në moshën 75 vjeçare ai u tërhoq më në fund nga ushtria dhe pranoi të marrë postin e ministrit të Edukimit hde më pas atë të Ministrit të Luftës në 1934. Gjatë kësaj periudhe ai nisi të mbrojë hapur tezën e një politike paqësore nda Gjermanisë naziste. Deri në 1939 ai shërbeu si ambasador në Spanjë.

Më 1940 kryeministri Pol Rejno e ftoi sërish në kabinetin qeveritar. Një debat i brendshëm në kabinet rreth vijimit të luftës në Afrikë dhe humbjet në frontin verior me Gjermaninë, krijuan krizë në qeverinë franceze. Në këto rrethana Peten shihej publikisht si njeriu që mund ta shpëtonte Francën. Në maj 1940 Franca pushtohet nga gjermanët dhe Peten ndërhyn pranë kryeministrit Rejno për të arritur një kompromis me Hitlerin. Rejno dorëhiqet pak ditë më pas dhe Peten shpall qeverinë e tij në Vishi, një territor në jug të vendit, nga e cila mori emrin edhe “republika” që ai krijoi, duke e lënë pjesën tjetër të vendit në dorën e gjermanëve.

11 korrik 1940, me anë të tre akteve kushtetuese, Peten vetëshpallet kryetar u shtetit francez dhe merr të gjitha pushtetet. Fillon periudha e një qeverie të bazuar mbi pushtetin absolut. Deri në 1942 ai ishte nëherësh kryetar shteti dhe kryeministër. Ligjet e aprovuara gjatë asaj kohe, fillonin të gjitha me përcaktimin “Ne, Marshalli i Francës dhe Këshilli i Ministrave...”. Peten ndoqi një politikë të hapur bashkëpunimi me gjermanët dhe diskriminimi ndaj hebrenjve dhe rezistencës franceze, si dhe ndaj aleatëve të cilët kërkoi t’i luftojë në Algjeri dhe Marok. Peten u arrestua nga qeveria provizore e De Gol në 24 prill 1945 në kufirin me Zvicrën. Procesi kundër tij u zhvillua në 23 korrik 1945 në Gjykatën e Lartë franceze. Ai u mundua të hiqet gjatë gjyqit si një aleat i fshehur i De Gol, duke larguar përgjegjësitë e rënda gjatë pushtimit gjerman. Ai refuzoi t’i përgjigjet pyetjeve të shumta që ju drejtuan. Gjyqi e konsideroi fajtor për tradhëti të lartë dhe e dënoi me vdekje dhe konfiskim të pasurisë. Për shkak të kontributit të tij ushtarak, De Gol i fali jetën, duke lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm. Peten vdiq në burg më 23 korrik 1951.