Poseidoni

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Andrea Doria në rolin e Neptunit, nga Angelo Bronzino.

Poseidoni (greqisht: Poseidon, latinisht: Neptun) - biri i Titan Kronit dhe gruas së tij Rejës, ishte zoti i detit dhe i tërmeteve. Sipas mitologjisë greke, atij i përshtatet zoti Neptun. Vëllezërit e tij ishin: Zeusi dhe Hadi. Jetonte në pallatin e tij nëndetar dhe paraqitej gjithnjë i armatosur me tredhëmbëzorin e tij karakteristike në dorë. Është konsideruar si njeri ndër zotat më të respektuar të dymbëdhjetëshes së Olimpit, sepse, pas Zeusit dhe Herës, ishte si më i vjetri në moshë.

Përherë i rrethuar nga delfinët e hareshëm, në mes të valëve që nuk e lagnin fare dhe me karrocën e tij të artë, ai shëtiste nëpër mbretërinë e tij të madhe, respektivisht, nga oqeani në oqean.

Edhe Posedoni, sikurse Zotat tjerë nga Olimpi, kishte afera dhe marrëdhënie dashurore me shumë hyjnesha, gjysmë hyjnesha si dhe me njerëz të zakonshëm, dhe nga këto lidhjet i kanë lindur shumë fëmijë.

Detail of Neptune, by Lambert-Sigisbert Adam, ca 1725 (Los Angeles County Museum of Art)
Zemërimi i Poseidonit, pikturë e Vladimir Kosov
Zemërimi i Poseidonit, pikturë e Vladimir Kosov

Ishte njëri prej tre zotërave më të fuqishëm grek. Ishte sunduesi suprem i perandorisë së madhe detare, sikur që ka qenë vëllau i tij më i madh, Hadi, sundues i botës nëntokësore, ndërsa vëllau më i ri, Zeusi, sundues i qiellit dhe i tokës. Të gjithë zotërat e detit i janë nënshtruar, ishte zotërues i të gjitha kafshëve detare, ka vendosur për çdo gjë çka ka ndodhur mbi det dhe nëndet.Me tredhëmbëshin e vet ka mundur ta shqetësojë detin deri te shtrëngatat e furishme, por ka mundur edhe t'i qetësojë dallgët më të tërbuara. Kur me tredhëmbeshin e vet i ka mshuar tokës, ka shkaktuar tërmet. Ka qenë i furishëm dbe i fuqishëm, por për nga natyra labil mu sikurse gjallesat mbi të cilat ka sunduar. Andaj nuk duhet habitur pse i janë frikësuar më së shumti, dhe për këtë arsye edhe më së shumti e kanë adhuruar marinarët dhe banorët e viseve bregdetare të tërë botës greke. Pushtetin e vet të madh dhe të fuqishëm Poseidoni e ka fituar sipas të drejtës trashigimore me short. Kur u lind i ati i tij e gëlltiti, që kështu ta evitojë mundesinë që dikush prej të bijve të tij ta rrëmbejë pushtetin. E përjetoi të njëjtin fat sikur se edhe vëllazërit e tij, përveç më të riut, Zeusit, të cilin e ëma e tij e kishte lindur tinzisht dhe e kishte fshehur në Kretë. Si qenie hyjnore edhe më tutje jetoi me vëllazërit dhe motrat e veta në barkun e Kronit. Nga ky burg e shpëtoi Zeusi kur u ngrit kundër Kronit. Poseidoni, menjëherë iu bashkangjit vëllaut të vet dhe së bashku me Hadin dhe aleatët e tjerë ndihmoi për ta rrëzuar Kronin nga froni. Pas fitores Zeusi u muar vesh me vëllazërit se pushtetin do ta ndanin me short. Poseidonit i takoi deti. Ishte, pra, siç e theksonte më vonë në mosmarrëveshje, "i barabartë në të drejtën" me zotin suprem Zeusin, dhe pasi që pushtetin mbi det nuk e ka fituar me hir të Zeusit, nuk e konsideronte veten të detyruar për të dëgjuar. Megjithatë, e ka dëgjuar, dhe këtë e ka bërë plotësisht me vullnet dhe kryesisht, sepse e ka respektuar pushtetin e tij. Selia e Poseidonit ka qenë pallati i mrekullueshëm i nëndetit në Egi (në bregun perëndimor të Eubesë, ose në bregun perëndimor të Akesë). Nga aty shkonte në qerren e vet detare që e tërhiqnin kuajt me jele të arta në Olimp, në cilën do anë të perandorisë së tij ose të rrethinës së tij. Lundronte nëpër det të hapët, jo nën sipërfaqe të detit, ndërsa dallgët para tij largoheshin dhe vetvetiu zmbrapseshin. Rëndom e kanë përcjellë zotërat e detit dhe banorët e tjerë të detit. Kudo që të shkonte, dilnin nga strofullat e tyre edhe përbindëshat e detit, duke ditur se ndoshta do të ketë nevojë për ta. Me ta shërbehej kryesisht si mjete hakmarrëse. Një përbindësh kështu e dërgoi kundër Trojës kur mbreti Laomedont refuzoi tia paguajë shpërblimin e premtuar për ndihmë në ndërtimin e mureve të Trojës, tjetrin e dërgoi në tokën e mbretit Kefe, sepse bashkëshortja e tij me madhështi dhe lëvdata i ka fyer nimfat e detit. (I pari prej këtyre dy përbindshave është dashur ta vrasë Hezionën, bijën e Laomedontit, tjetri Andromedën, bijën e Kefeut).Ndërkohë, Poseidoni hakmirrej vetë. Me tredhëmbëshin e vet i shkatërroi muret e Trojës, madje këtë e bëri dy herë (herën e dytë jo deri në themel, sepse në vitin 1871 i ka zbuluar të ruajtura mjaft mirë arkeologu gjerman Hajnrih Shliman. Poashtu personalisht e ka ndjekur mbretin e Itakës, Odiseun, i cili duke u kthyer nga Troja e pushtuar ia kishte verbuar djalin Polifem. Dhjetë vjet e pengoi të kthehet në Itakë, deri sa Zeusi nuk e shfrytezoi moskujdesin e tij për një çast dhe kështu u dha fund vuajtjeve të Odiseut. Derisa Poseidoni, në perandorinë e vet gëzonte autoritetin suprem me zotërat e tjerë nuk kalonte gjithherë mirë. Me ta ka pasur mosmarrëveshje dhe rëndom u nënshtrohej. Me Athenën bie në konflikt për shkak të sundimit në Itakë, me Heliun për shkak të Korintit, me Dionizin për shkak të Naksosit, me Apollonin për shikak të Delfeve, me Herën për shkak të Argut, ndërsa me Zeusin, për shkak të ujëdhesës Egina. Zotërave të tjerë rëndom u shkonte përdore që disi ta mashtrojnë ose ta detyrojnë që të tërhiqet. Njëherë madje u ngrit kundër Zeusit dhe për vete i bëri edhe zotërat e tjerë. Me ndihmën e Herës dhe të Athenës e lidhi, por nuk e rrëzoi nga froni. Thirrjet e Zeusit për ndihmë i pat dëgjuar hyjnesha e detit, Tetis dhe e dërgoi në Olimp Brierin, djalin e vrazhdë njëqindduarësh të Poseidonit. Posa e pa Poseidoni, u vërsul në të dhe e lëshoi litarin kështu që Zeusi u lirua pa mund. Ndërkaq Poseidoni ka qenë shok i këndshëm i zotërave të tjerë dhe u ka dhënë shpërblime të vlefshme edhe njerëzve. E ka bërë, për shembull, kalin dhe i ka mësuar njerëzit se si ta zbusin dhe si ta mbrehin që t'u shërbejë. Tokës ia dhuroi lagështinë dhe kështu e bëri të mundshme rritjen e bimëve, Tesalinë e shpëtoi nga vërshimet, sepse me tredhëmbëshin e vet lumit Penea ia hapi rrugen për në det. Veçmas mirënjohës ndaj tij kanë qenë romakët. Ndonëse në luftën e Trojës u ndihmoi akeasve, e shpëtoi Enenë, udhëheqësin e trojanëve, i cili pas rënies së Trojës u vendos në Itali dhe e themeloi qytetin prej të cilit u zhvillua Roma. Bashkëshortja e Poseidonit ka qenë Amfitrita, bija e Nereut, zot i detit, ndërsa djali i tij më i dashur ka qenë zoti i detit, Tritoni. Ka pasur edhe shumë pasardhës të tjerë dhe siç ndodh kjo në mite, jo vetëm me gruan e vet legjitime. Me nimfën Toata ka pasur Polifemin me një sy, me nimfën Libia, Agenorin, mbretin e Sidonit, me nimfën Naida, Proteun, zotin e detit, me hyjneshën e tokës Gea, Gjigantin Anteu dhe të tjerë. Djalë të tij shumë autorë e kane konsideruar edhe kreshnikun athinas, Tezeun, të cilin e ka pasur me Etren, gruan e mbretit athinas, Egjeu. Posidonit grekët i kanë shprehur respekt që nga kohërat më të lashta. Veçmas e kanë rrespektuar jonët, detarët e famshëm. Prej shtazëve ia kanë kushtuar delfinin, kalin dhe demin, ndërsa prej drunjve pishën. Me emrin e tij janë quajtur shumë qytete, dhe për nderë të tij çdo dy vjet janë organizuar lojërat istmike. Tempujt madhështorë i kanë ngritur në Istm, në Prienën e Azisë së Vogël, në ujëdhesën Paros dhe në Atikë në kepin Sunion, shtyllat dorike të mirëfillta të të cilit shkëlqejnë në bardhësinë e vet edhe sot mbi dallgët e detit Egje. (Tempulli më i madh dhe më i bukur grek në perëndim të Athinës,në Poseidoninë antike, Pestin e sotëm në jug të Napolit, nuk ia kanë kushtuar Poseidonit, por, siç po tregojnë kërkimet e reja, hyjneshës Hera). Poseidonin gati pa kurrfarë ndryshimesh prej grekëve e kanë marrë romakët dhe përafërsisht në shekullin V para e.s., e kanë identifikuar me zotin Neptun. Poseidoni është ruajtur në përmendore të shumta figurative antike prej të cilave shumë spikaten me vlera të larta artistike. Në mesin e tyre, para se gjithash, hyn skulptura më e njohur Poseidoni me tredhëmbëshin, kopja romake e origjinalit grek nga gjysma e dytë e shek. IV para e. s., sot në Muzeun e Lateranit në Romë, pastaj Poseidoni nga Mela, origjinali helenistik i shek. II para e.s. (në Muzeun Arkeologjik Kombëtar në Athinë), pastaj Poseidoni i madh helenistik, i zbuluar në vitin 1946, në Smirnën antike (në Izmirin e sotëm) kopja romake e skulpturës së Lizipit Poseidoni me Apollonin dhe Artemidën nga frizi lindor i Partenonit, i cili është bërë në gjysmën e dytë të shek. V para e.s., nën udhëheqjen ose pjesëmarrjen e Pidisë (sot në Muzeun Britanik në Londër). Piktura në vaza me Poseidonin kemi afro dyqind. Kryesisht janë të shek. VI-V para e.s., dhe paraqesin Poseidonin dhe Amfitritën, Poseidoni dhe hyjnitë detare, Konfliktin e Poseidonit dhe Athenës për shkak të Atikës etj. Prej mozaiqeve më të shquara janë Neptuni dhe Amfitrita për nga koha është nga kalimi i erës së vjetër në atë të renë (nga Villa Cervi (Çervi) në Herkulanum), Triumfi i Neptunit, me siguri nga shek. III para e.s. nga Suza (sot në Muzeun Bardo në Tunisë) dhe Triumfi i Neptunit dhe i Amfitritës nga fillimi i shek. IV të e.s. nga Konstantina, sot në Luvër të Parisit. Në kohën e re Poseidoni, kryesisht nën emrin e vet latin Neptun bëhet dekor i dashur i fontanave. Në mesin e tyre veçmas dallohet Fontana e Neptunit në Firencë e Bartolomej Amanatit (e vitit 1560) dhe fontana me të njëjtin emër në Bolonjë, vepër e Giovani di Bologna (Gjovani di Bolonja), e vitit 1563-1567), dhe prej më te vonave Neptuni i Amoldit, e vitit 1716, në Petrodvorc afër Leningradit dhe Triumfi i Neptunit dhe i Amfitritës në parkun e Versajit e L. S. dhe N. S. Adamit (e vitit 1740). Së bashku me skulpturën e Marsit e dekoron Neptuni i Jacopo Sansovinit e ashtuquajtura Shkallët e gjigantëve në atriumin e pallatit të Dukës në Veneci, përafersisht rreth vitit 1527. Piktura me Neptunin në koleksionet botërore ka shumë. Ndër krijuesit më të njohur hyjnë Paolo Veronese (Paolo Vereoneze), Rubnesi dhe François Boucheri (Fransoa Busheri). Origjinali i Gjovani da Bolonjes i vitit 1560, dhe i Adriaen de Vriesit (Adriaen de Vrizit) i vitit 1626 prej luftërave tridhjetëvjeçare gjenden në Suedi (në Muzeun Kombëtar në Stokholm dhe në kështjellën Drotningholm).

Shiko edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Referimet[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]