Jump to content

Sandër Prosi

Checked
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Sandër Prosi
Lindi6 janar 1920
Vdiq25 mars 1985
Kombësiashqiptar
Shtetësiashqiptar
Profesioniaktor
TitulliArtist i Popullit

Aleksandër Prosi i njohur gjerësisht Sandër Prosi (Shkodër, 6 janar 1920 - Durrës, 25 mars 1985) ka qenë aktor i teatrit dhe kinematografisë shqiptare.

U lind në Shkodër më 6 janar 1920, se të ëmën Aspasinë e kishte nga ky qytet. Nga i ati kishin prejardhje vllehe, të dalur në Tiranë nga Voskopoja.[1] Familja e tij u shpërngul drejt Tiranës kur qe katërmbëdhjetë vjeç, atje mbaroi shkollën fillore vazhdoi Gjimnazin e Tiranës.[2]

Drama e parë në të cilën merr pjesë është "Vilhelm Teli". Me bursë shtetërore shkoi për studime në Austri për stomatologji, të cilat nuk i mbaroi.

1947 merr pjesë në konkursin pranë Teatrit Popullor dhe e fiton atë. Që këtu fillon dhe veprimtaria e tij e gjerë dhe e larmishme artistike. Më 25 mars 1985, Sandër Prosi ndahet nga jeta ndërsa ishte me xhirimet e filmit "Pranverë e hidhur".

Ky aktor krijoi mbi 85 role në 75 vepra të autorëve tanë si Çajupi, K. Jakova, Besim Levonja, L. Papa, I. Kadare, T. Laço, R. Pulaha, D. Agolli, Dh. Xhuvani dhe të autorëve të huaj si Shekspiri, Shileri, Çehovi, Karaxhale, Gorki, Brehti etj.

Interpretoi në rreth 30 filma, ku krijoi role të tilla që kanë hyrë në fondin e qëndrueshëm të teatrit dhe kinematografisë tonë. Përvoja që ky aktor krijoi dhe përpunoi gjatë këtyre 35 vjetëve në krijimin e më se 100 roleve, bashkë me përvojën e aktorëve të tjerë të këtyre përmasave, përbëjnë atë “Universitet” nga lindi e u zhvillua shkolla jonë kombëtare e interpretimit skenik e filmik, prandaj tiparet karakterizuese të artit të S. Prosit kanë tërhequr vëmendjen e kritikëve dhe të shikuesve. Krijimet e Sandër Prosit zbulojnë jo vetëm vlerat e artit të aktorit në ekran, por edhe mjeshtërinë e tij të lartë skenike. Ato janë studiuar e do të vazhdojnë të zbërthehen më tej, mbasi janë të pasura me vlera të mëdha kombëtare. Si të tilla zënë një vend të rëndësishëm në ndihmesën që teatri dhe filmi ynë japin në thesarin tonë të kulturës përparimtare si dhe në atë të nivelit botëror të interpretimit.

Për ndihmesën e tij të madhe në zhvillimin e artit tonë skenik e kinematografik ai është nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit”, me Çmime të Republikës dhe urdhra e medalje të tjera. Në 25-vjetorin e vdekjes së aktorit Sandër Prosi, Presidenti i Republikës e nderon me Urdhrin "Nderi i Kombit". Në 24 shkurt 2017, aktori Sandër Prosi u nderua me urdhërin "Gjergj Kastrioti Skënderbeu" pas vdekjes.

Për herë të parë interpretoi në vitin 1948 në komedinë "Prefekti" të Besim Levonjës në rolin e Shaqir Agës. Luajti përkrah Mihal Popit, Loro Kovaçit, Marie Logorecit. Më pas vazhdoi me role të tjera nga dramaturgjia kombëtare dhe botërore.

Në teatër ka interpretuar tek "Cuca e maleve", "Orët e Kremlinit", "Hamleti", "Fytyra e dytë", "Doktori pacient", "Otello", "Makbethi", "Epoka para gjyqit", "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", "Familja e peshkatarit", "Çatia e të gjithëve", "Revizori", "14 vjeç dhëndër", "Gratë gazmore të Uindsorit", "Rrënjët e thella", "Xhaja Vanja" etj. Pas vitit 1961, rolet e tjera i takojnë kinematografisë në filmat "Debatik", "Detyrë e posaçme" (1963), "Vitet e para" (1965), "Horizonte të hapura" (1968), "Plagë të vjetra" (1968), "Guximtarët" (1970), "Gjurma" (1970), "I teti në Bronz" (1970), "Mëngjese lufte" (1971), "Yjet e netëve të gjata" (1972), "Shtigje lufte" (1973), "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" (1975), "Në fillim të verës" (1976), "Përballimi" (1976), "Fijet që priten" (1977), "Njeriu me top" (1977), "Gjeneral Gramafoni" (1978), "Udha e shkronjave" (1979), "Yje mbi Drin" (1979), "Vajzat me kordele të kuqe" (1980), "Plumba perandorit" (1980), "Plaku dhe hasmi" (1981), "Qortimet e vjeshtës" (1981), "Nëntori i dytë" (1982), "Dora e ngrohtë" (1983), "Kush vdes në këmbë" (1984) dhe "Pranverë e hidhur", filmi i regjisorit Muharrem Fejzo që ai la në mes.

Më 25 mars 1985, Sandër Prosi ndahet nga jeta ndërsa ishte me xhirimet e filmit "Pranverë e hidhur".

  1. ^ Prosi, Aristidh (1 prill 2018). "E vërteta e vdekjes së aktorit të madh Sandër Prosi, në sheshxhirim". cna.al.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  2. ^ Demo, Elsa (25 mars 2010). "Sandër Prosi në ditën e vdekjes". Shekulli. Marrë më 21 shkurt 2018.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)

Ky artikull në lidhje me një aktor është i cunguar. Ju mund të ndihmoni Wikipedinë duke e përmirësuar atë.