Shoqata Humanitare Bamirëse e Kosovës “Nënë Tereza”

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Shoqata Humanitare Bamirëse e Kosovës “Nënë Tereza” (anglisht: The Kosova Humanitarian and Charitable Society "Mother Teresa") është një organizatë joqeveritare (OJQ) në Prishtinë, Kosovë.[1]

Historiku[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Shoqata Humanitare Bamirëse e Kosovës “Nënë Tereza” është themeluar më 10 maj 1990 si organizatë joqeveritare (OJQ) dhe si e tillë ishte e para e këtj lloji në Kosovë. Gjatë viteve 90-ta kjo shoqatë humanitare ishte edhe frymë e solidaritetit tradicional, e sidomos në kohën kur popullit iu ngritën virtytet për mbijetesë dhe mos nënshtrim ndaj regjimit të asaj kohe. Ajo ka punuar për të zhdukur varfërinë në Kosovë, përmes sigurimit të ndihmave dhe mjeteve financiare për ndryshime të qëndrueshme për njerëzit e varfër dhe shtresën më të cenuar të shoqërisë nga uria, dhuna dhe sëmundjet. [2] [3] [4] [5] [6]

Aktiviteti[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Anëtarët e kësaj shoqate kanë punuar për të zhdukur varfërinë në Kosovë, përmes sigurimit të ndihmave dhe mjeteve financiare për njerëzit e varfër nga uria e sëmundjet. Ideja për themelimin e shoqatës ka qenë e disa të rinjve dhe intelektualeve të Prishtinës, duke u frymëzuar nga bamirësia e humanistes Gonxhe Bojaxhiu (Shën Nënë Tereza) për t’i mbrojtur qytetarët e Kosovës, sidomos në vitet e ’90-ta kur Kosova kalonte një nga periudhat më të vështira të represionit. Qëllimi i themelimit të kësaj organizate ishte që të shuajë varfërinë dhe të krijojë rrjetin e solidaritetit, gjatë kohës së masave të dhunshme nga regjimi serb i asaj kohe. Shoqata Humanitare Bamirëse “Nëna Terezë” në periudhën e viteve 1990 deri 1999 me përfundim të luftës, ka ndihmuar popullin duke siguruar ushqim, ujë, strehim e kujdes shëndetësor. Më 1991 sipas regjistrimit zyrtar, në Kosovë kishte 2 milionë e 50 mijë banorë shqiptarë me 201.056 të punësuar. Të punësuarit (rreth 146 mijë persona të moshave e profesioneve të ndryshme) largohen nga puna deri sa suprimimi i autonomisë së Kosovës, sjell varfërim të skajshëm të popullatës. Në atë periudhë rrezikohet rëndë qenia sociale e kombëtare e popullatës së pa mbrojtur në Kosovë. Sipas burimeve të kohës më 1998, në ofensivë lufte, arrijnë 6000 bukë nga degët e shoqatës nga të gjitha trojet shqiptare.

Vetëm më 1996 kjo shoqatë ndihmonte në forma të ndryshme deri në 62.340 familje me 404.456 nevojtarë. Nga rreth 36 donatorë të huaj nga shtetet perëndimore arrijnë 8 mijë tonë ndihma. Më 1998, kjo shifër arrin në 1 milion e 200 mijë persona nevojtarë. Nga kjo shoqatë e pësuan dhjetëra veprimtarë të cilët u burgosën, u ndoqën e u vranë nga ushtria e policia serbe. Pas përfundimit të luftës, nevojtarët u rritën në 1 milion e 600 mijë. Deri në vitin 1999, SHHB "Nëna Tereze" kishte 96 ambulanca, shërbim i respektuar në përmasa kombëtare e ndërkombëtare, krejt falas, punëtorët shëndetësorë punonin pa asnjë kompensim financiar, ambulancat ishin të vendosura nëpër shtëpi private.Në maternitetin e SHHB "Nëna Terezë” deri më 1995 lindën 12 mijë e 385 fëmijë, ndërsa deri në fund të luftës, në këto maternitete lindën mbi 30 mijë foshnje shqiptare. [7]

Pas përfundimit të luftës shoqata ndihmoi kosovarët, përveç me ndihma humanitar duke mbështetur krijimin e bizneseve të vogla familjare, në bujqësi, blegtori, bletari dhe arsimim.

Shih edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Gani Demolli:The Mother Teresa society and the war in Kosovo Arkivuar 26 korrik 2017 tek Wayback Machine, October 2002, https://odihpn.org, viz. 13.11.2017.
  2. ^ Robert Elsie:Historical Dictionary of Kosova
  3. ^ Human Rights Watch/Helsinki (Organization : U.S.):Open Wounds: Human Rights Abuses in Kosovo
  4. ^ Edward S. Mihalkanin, Robert F. Gorman:The A to Z of Human Rights and Humanitarian Organizations
  5. ^ Saumya Mitra:Kosovo: Economic and Social Reforms for Peace and Reconciliation
  6. ^ 25 vite shërbim të Shoqatës Humanitare Bamirëse “Nënë Tereza” për popullin e Kosovës
  7. ^ "Prend Buzhala: Nënë Tereza dhe Kosova". Zemra Shqiptare. Marrë më 2023-12-02.

Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]